‘Instinkti’ gjenial 19 Korrik, 2013 | Postuar në: Opinion | - TopicsExpress



          

‘Instinkti’ gjenial 19 Korrik, 2013 | Postuar në: Opinion | Shkruar nga: TemA Sprache auswählen▼ Rexhep Hoti rexhep-hoti-rrokumtv- (Një shkrim në lidhje me analizën e z. Fatos Lubonja, me titull: «Nën qiellin e Europës») 1. Shfaqja krejt hapur e mendimit që deri dje është ‘ofruar’ brenda shoqërisë shqiptare vetëm nëpërmjet formave të një konfidencialiteti të thellë, dëshmon për një arritje të shoqërisë shqiptare në proceset drejt demokratizimit të saj. E themi që në fillim këtë mendim, sepse jo gjithçka që nuk na pëlqen, na ngacmon apo edhe më keq, detyrimisht duhet të jetë e papranueshme apo e papublikuar. Përkundrazi. Në të vërtetë marrja me shkrimin e z. Lubonja nuk bëhet për t’iu përgjigjur atij domosdoshmërisht. Çdo njeri, pak a shumë, e ka mendimin e vet, pavarësisht rrethanave dhe interesave që ndikojnë tek ai. Vetë liria e shprehjes së shkruesit të shkrimit me titull «Nën qiellin e Evropës», që të shoqëron me një ngjyrim socrealist (kjo metodë në Shqipëri është dëshmuar në shumë raste e zbatuar më shumë te të burgosurit e diktaturës sesa te vetë krijuesit e saj; është ky një paradoks i veçantë kujtoj), për t’i demaskuar «të vërtetat e tmerrshme», sipas z. Lubonja, flet për nivelin e lartë të integritetit dhe të lirisë së shkruesit. Mirëpo, me këtë rast, duhet thënë gjithashtu se një pjesë e meritës, kur është në pyetje liria e shprehjes së mendimit, i takon edhe shoqërisë e cila ka krijuar ambient të tillë për shprehjen e mendimit ndryshe. Në të kundërtën, mosliria në shoqërinë shqiptare do të vihej në pikëpyetje!? Në pajtim me këtë mund të thuhet se edhe kombi dhe shtetet shqiptare, të ngarkuara me «mbisundimin e ideologjisë nacionaliste», sipas autorit, kanë merita që kanë garantuar që, kushdo, kurdo dhe si të dëshirojë, të shprehet lirshëm, pa pasur asnjë pasojë. 2. Para se ta shpalosim idenë mbi instinktin gjenial të shkruesit do t’i ballafaqojmë disa mendime me autorin në fjalë. E para, z. Lubonja thotë: «… dyshime serioze se akuzat e Hagës ndaj Haradinajt janë të vërteta». Në qoftë se fuqia juaj mendore ka lejuar një konstatim të tillë, atëherë me lejoni t’ju pyes përse nuk e keni deponuar këtë «të vërtetë» te organet e drejtësisë kudoqofshin ato, apo në Hagë. Derisa gjykata e drejtësisë ka konstatuar të kundërtën e të vërtetës që thoni ju, atëherë përse ju heshtni, z. Lubonja; përse nuk na thoni ku ndodhet e vërteta e kapshme për drejtësinë që ju e ditkeni aq qartë dhe e aq mirë!? E dyta, ju pohoni botërisht «se në vitet 1998–1999, dhe veçanërisht pas bombardimeve të NATO-s, njerëzit e UÇK-së, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë». Z. Lubonja po ju themi menjëherë se për këto akuza Haradinaj është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës. Në anën tjetër, ju që i keni lejuar vetes të deklaroheni publikisht me gjithë atë dije dhe informacion që keni mbi këto krime kaq të rënda që paskan ndodhur sipas jush, a i keni deponuar këto të vërteta diku? Nuk jam i prirë të besoj se ju keni shkruar diçka që nuk keni argumente!? Në të kundërtën, mund të pajtohemi se nuk mund të komunikojë asnjë njeri, aq më pak një intelektual shqiptar para medieve botërore në këtë mënyrë, pa pasur fakte dhe argumente të pakontestueshme!? E treta, ju thoni publikisht para Europës «se Haradinaj është çliruar nga këto akuza ngase ai apo njerëzit e tij kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë». E kam të vështirë ta besoj se çfarë jam duke lexuar vërtet. E tmerrshme! Ju bëni deklarime të tilla publike para ndërgjegjes europiane dhe dini kaq shumë dhe prapë rrini duarkryq!? Po përse nuk i depononi, në qoftë se vetëm nuk i keni deponuar, këto të vërteta që i thoni ju me kaq zell!? Ju nuk mund të thoni se do të merreshit si dëshmitar jo serioz në këtë rast!? Aq më tepër kur ju keni fakte dhe të dhëna konkrete për çka po deklaroheni botërisht!? E katërta, ju flisni për disa raporte sikur t’i kishit hartuar vetë mbi çështjen për të cilën e trajtoni. A do të thotë se brenda këtyre raporteve, si ai i Këshillit të Europës, ka qenë e vërteta dhe Tribunali i Hagës e paska injoruar sipas jush!? E pesta, ju shkoni edhe më larg ku konstatoni se «ata e dinë se në gjyqin e fundit dhe përfundimtar dëshmitarët refuzuan të flasin ose ndryshuan versionin e tyre të ngjarjeve. Ata e dinë, po ashtu, se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në gjyqin e një heroi tjetër të UÇK-së, Fatmir Limajt». Çfarë profecie! Vërtet, në qoftë se Tribunali i Hagës paska ditur kaq shume, atëherë përse nuk na thoni ju se kush e paska minuar drejtësinë atje!? Shtete e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europain!? Madje rasti Limaj është ende në proces. Përse nuk vini në Prishtinë t’i depononi këto të vërteta, z. Lubonja!? E gjashta, siç konstatoni edhe vetë «me gjithë këto fakte të tmerrshme», pas këtij artikulli në Europë, ju keni edhe detyrim publik të bëni deponimin e fakteve dhe të argumenteve nëse jo kallëzim penal. Ju besoj se e keni kuptuar se me aktin e këtij publikimi ju keni hyrë në obligime jo vetëm njerëzore, por edhe ligjore. Do të isha i tmerruar në qoftë se pas këtij shkrimi nuk do t’ju vizitojë asnjë prokuror prej Tribunalit!? E shtata, ju e arsyetoni mbështetjen e një logjike kriminale, siç po na trohshisni, nëpërmjet «mbisundimit të ideologjisë nacionaliste me të cilën vazhdojnë të punojnë në Shqipëri dhe Kosovë sistematikisht elitat politike dhe kulturore për t’iu shpëlarë trurin njerëzve». Z. Lubonja, të gjitha shtetet e Europës, ku ju po i paralajmëroni ‘të vërtetat e tmerrshme që po i disponuakit ju’, janë ndërtuar mbi doktrinën westphaliane, e cila buron dhe është ndërtuar prej interesave nacionale. Nëpërmjet saj është kurorëzuar ndërtimi i kombit/shtet. Ai është i tillë edhe sot e këtë. Prandaj, mendimi juaj në këtë rast, më shumë sesa i pasaktë, ka defekte serioze, në qoftë se do të mund të shprehem kështu pa u keqkuptua prej lexuesit!? E teta, konstatimi juaj se Haradinaj u mbrojt në Hagë prej shqiptarëve për shkak të imazhit ndaj aspektit ndërkombëtar është tërësisht i pavërtetë. Shqiptarët ishin korrekt me Tribunalin e Hagës deri në fund. Për të mos thënë se në disa raste ishin edhe shumë gjakftohtë, mospërfillës. Ata respektuan vendimet dhe gjykimet e Tribunalit plotësisht, edhe pse kishin shumë arsye për të pasur mendim tjetër. Aq më pak, klasa politike shqiptare, ka menduar për ta përdorur fitoren e individëve shqiptar në Tribunal, që merret me individët e jo me shtetet, për qëllime politike. Jeni plotësisht i pasaktë. Realisht klasa politike shqiptare gjykimin e djemve në Tribunal e ka parë si një orvatje të prokurorisë së Tribunalit për të balancuar me pushtuesin e Kosovës. Z. Lubonja, Ramush Haradinaj ka luftuar për Lirinë e atdheut. Klasa politike shqiptare, sado e çoroditur që mund të jetë, realisht jo përtej çoroditjes së analistëve që mund t’i hasesh nëpër ekranet e mërzitshme të medieve në Shqipëri, ajo kurrë nuk ka hyrë në aranzhmane të tilla çfarë kërkoni për t’ia veshur ju. Madje, ajo njihet botërisht si klasë politike jonacionaliste. Në anën tjetër, mendoj se duhet t’ju vijë të paktën mërzi, se çështja shqiptare në Ballkan nuk është e zgjidhur ende, pavarësisht se ka dy shtete shqiptare përtashësisht. Ky është një realitet që qëndron pavarësisht se si mendojnë shqiptarët për vete apo të tjerët për ta, pavarësisht në qoftë se ata janë nacionalistë apo jo, pavarësisht në qoftë sa ata janë spiunë të fëlliqur deri në fund apo krenarë, pavarësisht nëse janë kreatura të neveritshme apo njerëz krejt normal. Me logjikën tuaj luftëtarët e UÇK u dashka të mos ekzistonin më midis të gjallëve, e lëre të kenë të drejtë për të gëzuar ekonomi të tyre individuale a familjare. Por përse nuk thoni atëherë se çfarë duhet bërë me ta, ndonëse mes rreshtave nuk është vështirë për të kuptuar se logjika e juaj, të paktën, do t’i internonte përjetë ato vajza e ata djem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!? Nuk mund t’ju kuptoj!? E nënta, shqiptarët mund të vuajnë nga e kundërta e asaj që thoni, e kurrë se ata janë kope. Shqiptarët duke e çmuar e mbiçmuar vetveten edhe në aspektin individual, kanë mbetur edhe sot e këtë dite një prej popujve me individualizëm më të theksuar. Individualizmi i tyre është i argumentuar edhe nëpërmjet suksesit e ndonjëherë edhe nëpërmjet aspekteve jo të mira, krejt negative. Prandaj teza juaj e huazuar prej hegjemonizmit ortodoks sllav – me mbi dyqind vjet vonesë, është krejt jo interesante dhe bajate për mijëvjeçarin e tretë. Madje këto mendime për shqiptarët nuk i thotë më as hegjemonizmi më i skajshëm ortodoks në Republikën e Serbisë, i cili u ndërtua mbi një identitet të rrejshëm qindravjeçar. Frustrimi juaj z. Lubonja me shqiptarët, që është prapë një dëshmi tipike e karakterizimit të shqiptarëve si individualist të fuqishëm edhe kur frustrohen, ju jep megjithatë të drejtën e skajshme që të shpreheni si të dëshironi ju në mesin e Tiranës kundër gjithkujt po edhe kundër komandantëve që ju i ditkeni për vrasës. Ndërkaq, në qoftë se keni dëshirë të deklaroni ndryshe statusin tuaj individual, mund të vini në Kosovën e ‘prapambetur’ ku e keni të garantuar me Kushtetutë statusin tuaj të dëshiruar. Dhe, askush s’do të jetë i habitur për këtë veprim tuajin dhe askush nuk do t’ju pyes asgjë. Pjesa dërrmuese nuk do të marrë vesh çfarë janë preferencat tuaja dhe çfarë keni zgjedhur në të vërtetë. Ka shumë ngjashmëri se frustrimi juaj m’i kujton nipat dhe mbesat e kolonializmit në Kosovë që rrekeshin deri pak kohë më parë, me aq zell, për ta thurur brengën e Kosovës prej rrezikut të Beogradi, ndërkohë që vetë ish-shteti kolonial nuk ishte i interesuar më për politika të tilla radikale. Dhe, krejt para se të kalojmë te pjesa e fundit, mund të them se individualizmi shqiptar ka qenë në funksion të plotë të ndërtimit të tri perandorive më të mëdha që kishte bota. Ata ishin aq shumë individualistë sa gjithmonë do t’u ketë dukur e vogël Shqipëria për ta qeverisur. Ata dëshiruan hapësira të pafundme dhe perandori të mëdha dhe këtë e dëshmuan historikisht. Kurse në rrafshin nacional, ‘filozofinë’ e mendimit mbi kopenë e shqiptarëve ju do ta keni marrë fuqishëm prej zgjedhjeve të fundit të shqiptarëve. Sot kudo individualizmi shqiptar mbizotëron nëpër metropolet e Europës dhe për madhësinë që ata kanë në kuptimin demografik, kjo përmasë mund të jetë e frikshme e jo e kundërta. Në këtë drejtim do të mund të diskutonim, por kam frikë se lakmia ndaj ekranit për t’u dukur, ju ka zhveshur në shumë drejtime. S’mund të shoh në mendimet tuaja më mendime prej një mendimtari sovran. Ju po e dëshmoni vetëm guximin e pafund dhe të pakontrolluar për të goditur djemtë e luftës së Kosovës pakurrfarë përgjegjësie. Dhe, në këtë pikë jeni plotësisht i integruar në mendim dashakeqës. Por jeni shumë shtrembër. Kam shumë dhimbje që të shoh të zhdrejtpeshuar prej ceneve, smirës dhe hipokrizisë. E kam të vështirë të besojë çfarë ke shkruar, të bardhë në të zezë. Dhe ky mosbesim bazohet vetëm në motivin e rrënjës së panjerëzisë. E dhjeta, ju e keni keqinterpretuar kolektivitetin e shqiptarëve. Ka kohë që e shoh këtë mendim të zi në kokën tuaj. Por, meqë jeni një grup ‘shokësh’ prej ekrani ‘të shitur’ për njerëz të ditur, ju keni krijuar monopol brenda rrethit dhe, kam përshtypjen, se nuk po mund të shihni dot përtej. Kolektiviteti i shqiptarëve është karakteristikë e tij që mund të haset edhe te populli hebre. Kolektiviteti në këtë rast është solidaritet, bujari, fisnikëri. Është njerëzi. Pse jo edhe një ndjenjë e fuqishme e një qenie kolektive jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për ta formësuar jetën me shijen e një loje kolektive, që mund të identifikohet me artin kolektiv të jetës, me lidhjen e veçantë të një komunikimi sipëran. Personalisht mendoj që duhet të jetë edhe një trashëgimi, padashur në këtë rast të futem më tej, sepse e kuptoj që do të mund të keqkuptohem, apo edhe padashje të shkas në ndonjë gabim, për të cilën z. Lubonja ka marrë në shërbim një super llup të digjitalizuar. Dhe, për këtë besoj se ka bërë shumë mirë që e ka marrë! E njëmbëdhjeta, ju, z. Lubonja, flisni për nivelin e krimit dhe të korrupsionit në Kosovë, ndërkohë që ose nuk e dini ose keni ndonjë arsye tjetër, se Kosova e ka ftuar një mision të Bashkimit Europian pikërisht për këto çështje (EULEX). Prandaj para se të flisni më shumë në këtë drejtim, me hamendësime, është mirë t’i referoheni këtij misioni, i cili ka edhe fuqi të plotë ekzekutive, që do të thotë se i tejkalon larg më shumë raportimet dhe kallëzimet tuaja. 3. Vaji i z. Lubonja, për të mos thënë edhe më tej frustrimi i tij, e zbulon megjithatë instinktin e tij gjenial. Kjo më ngjan me instinktin që kanë kafshët pak çaste para se të ndodhin fatkeqësitë natyrore. Ky reagim ‘i pavetëdijshëm’ vije në kohën kur realisht ka marrë fund edhe praktikisht dominimi i shkollës sllave-ortodokse mbi shqiptarët. Nënshkrimi i «Marrëveshjes së Prillit», ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, pa ndërmjetësimin e të privilegjuarve që kanë hartuar raport dhe kallëzimtash e njëqind vjet, pa praninë e nipave dhe mbesave të kolonializmit serbo-ortodoks, dëshmon për fundin e një shekulli të rëndë dhe të kushtueshëm për shqiptarët. Bashkimi Europian dhe diplomacia e shteteve euroatlantike dhe vetë Republika e Serbisë, tashmë kanë nënshkruar komunikim të ri me shqiptarët dhe me ngjan se ky është vaji apo më mirë të themi instinkti gjenial i nuhatjes mbi ndërrimin e epokave. Z. Lubonja edhe mund të kërkojë, siç ka kërkuar, për ta kryqëzuar më keq sesa propaganda ultra-nacionaliste serbe Ramush Haradinajn. Fundja, liria e Kosovës ia ka marrë pothuaj të gjithë djemtë kësaj familje. Ajo ka dëshmuar se ka dhënë gjithmonë dhe nuk mund të provokohet më as prej kallëzuesit në rang të lartë të elitës shqiptare. Mirëpo, përpjekja e z. Lubonja për ta gozhduar Ramush Haradinajn, ia heq maskën qëllimit vërtet të keq të këtij njeriu, i cili, mbase, në emër të kozmopolitizmit, është zhveshur edhe nga humanizmi. Shkrim i z. Lubonja është një kambanë e varrosjes së mendësisë së një shkolle hegjemoniste sllave ortodokse, të cilën ky zotëri ka pasur privilegjin ta shesë me para përpara shqiptarëve mbi dy dekada. Por duhet të lejohet të thuhet edhe e vërteta tjetër se faji nuk është i askujt përse z. Lubonja nuk ndihet mirë brenda lëkurës shqiptare ose thënë më ndryshe, përse atij nuk i bie mirë lëkura prej shqiptari. Çfarë ke more vëlla!?
Posted on: Fri, 19 Jul 2013 13:06:28 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015