“Nëse sulmohet, Siria sulmon Izraelin” 28/08/2013 “Nëse - TopicsExpress



          

“Nëse sulmohet, Siria sulmon Izraelin” 28/08/2013 “Nëse sulmohet, Siria sulmon Izraelin” Siria vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e saj zyrtar duke fajësuar rebelët për përdorimin e armëve kimike. Por risia në deklaratën e fundit që mbërrin nga Damasku janë akuzat e hedhura ndaj Francës dhe Britanisë së Madhe. “Franca dhe Britania ndihmuan terroristët në lëshimin e armëve kimike. Të njëjtët terroristë, të vënë tashmë në zotërim të këtyre armëve, së shpejti do t’i hedhin edhe në Londër e Paris dhe në gjithë Europën”, deklaroi zv.ministri i Jashtëm sirian, Faisal Maqdad. Ndërkohë nga Irani mbërrin skenari mbrojtës i Sirisë. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët vendosin të godasin ushtarakisht Sirinë, kundërpërgjigja e regjimit të Damaskut do të jetë një sulm i gjërë kundër Izraelit. Ky është skenari mbrojtës i Bashar Al Assad cituar nga mediat iraniane. Agjencia e lajmeve FARS thotë se një zyrtar i lartë ushtarak në sirian ka bërë publik planin për këtë agjenci. “Një luftë kundër Sirisë do të thotë leje për të sulmuar Izraelin. Nëse Damasku sulmohet, edhe Tel Avivi do të sulmohet. Ne jemi të sigurtë se e njëjta valë sulmi që do të bjerë mbi Sirinë, do të bjerë gjithashtu mbi Izraelin”, citohet nga agjencia iraniane e lajmeve një ushtarak i lartë sirian. Për të njëjtin skenar duket se janë përgatitur edhe militantët Hezballoh në Liban. Të njohur si mbështetës të regjimit të presidentit Bashar al Assad, kjo organizatë ka lëshuar një deklaratë për mediat ku kërcënon “se ndërhyrja me forcë në Siri për të ndryshuar balancën e fuqive në vend, do të pasohet me një rrebesh predhash dhe raketash mbi territoret izraelite”. Ndërkohë, deputeti izraelit, Mansour Haqiqatpour u kërkon Shteteve të Bashkuara të peshojnë mirë vendimin e tyre për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri. Pjesë e pakicës arabe në vend, ai thotë se Uashingtoni duhet të bëhet gati të paguajë një “haraç të madh” nëse sulmon Sirinë. Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se vendi i tij është i përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm. “Nuk jemi pjesë apo palë në luftën civile të Sirisë, por nëse identifikojmë grupe apo forca që na provokojnë, forcat tona ushtarake do të kundërpërgjigjen me fuqinë e tyre maksimale. Rusia nga ana e saj këmbëngul në qëndrimin se një sulm ushtarak kundër Sirisë do të destabilizojë gjithë rajonin. “Çdo përdorim force ushtarake ndaj Sirisë nuk do të bëjë gjë tjetër vecse do të destabilizojë akoma më shumë Sirinë dhe gjithë rajonin”, deklaroi Ministri i Jashtëm rus / Top Channel
Posted on: Wed, 28 Aug 2013 21:53:24 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015