[Përshkrimi] Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, - TopicsExpress



          

[Përshkrimi] Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe kandidati për Kryetar Komune në Prishtinë, Shpend Ahmeti, do të jenë në Tiranë për të bashkëbiseduar me qytetarët lidhur me situatën ekonomike dhe politike në Kosovë, për t’u ndalur në veçanti në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013. Kjo është hera e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! merr pjesë në zgjedhjet lokale, gjë që ka çuar në zbërthimin e programit politik dhe alternativës qeverisëse qendrore të Lëvizjes deri në nivelin komunal. Në këto zgjedhje Lëvizja VETËVENDSOJE! garon me 881 kandidatë në 32 komuna (rrethe) të Kosovës. Ndërkohë, për të siguruar mbrojtjen e votës anembanë vendit janë angazhuar mbi 7,500 komisionerë dhe vëzhgues. Gjatë diskutimit do të analizohen pasojat e rënda që marrëveshja Kosovë – Serbi ka shkaktuar në lidhje me zgjedhjet dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Si dhe do të analizohet mundësia për t’i ndaluar këto pasoja pikërisht duke ia nisur nga niveli i pushtetit lokal, përmes një modeli dhe një alternative të re qeverisëse. Fitorja në zgjedhjet lokale në Kosovë do të jetë hapi më i sigurt përpara drejt realizimit të aspiratave kombëtare. Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje aktivistëve në Republikën e Shqipërisë që t’i bashkohen fushatës zgjedhore duke ardhur në Kosovë për të punuar në mënyrë vullnetare krah-për-krah me aktivistët në shtabet lokale që janë ngritur në secilën Qendër të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Diskutimi do të mbahet ditën e martë, data 1 tetor, ora 18:00, pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, në sallën “Black Box”.
Posted on: Wed, 25 Sep 2013 21:57:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015