TRIESHI MUZE QE FLET ME HISTORINE 250 VJECARE Popujt e - TopicsExpress



          

TRIESHI MUZE QE FLET ME HISTORINE 250 VJECARE Popujt e qytetëruar i kujtojnë me respekt datat historike dhe përvjetorët e mëdhenj. Përkujtimi i datave të tilla nuk ka munguar as ndër shqiptarët. Në fillim të gushtit Trieshi kremton 250-vjetorin e themelimit të Famullisë, që në ato rrethana ishte një vepër e madhe. Pushtuesit e huaj dhe diktaturat e ndryshme penguan përpjekjet dhe punën e shkencave shoqërore dhe arkeologjike në ndriçimin e të kaluarës, mbase edhe parahistorike sipas dijetarit të njohur italian At.Giulio shënuar në veprën “Nel paese del Cem” (Ne trevën e Cemit) te Antonio Baldaccit. Trieshi mbijetoi. Nënë Tereza ka thënë: ”Ata që mbijetojnë janë të mëdhenj”. Këto ditë Trieshi në bashkëpunim me Arqipeshkevinë e Tivarit po përgatitet për kremtimin e 250-vjetorit të themelimit të Famullisë së parë. Në fund të javës së parë të gushtit do të kujtohen dy shekuj e gjysmë histori fetare e kombëtare, pavarësisht se iliro-shqiptarët dhe Kisha kanë ekzistuar aty edhe më përpara, por jo në atë nivel. Emigrimet nga kjo trevë kanë qenë të vazhdueshme. Natyra e vështirë e vendit i bënte emigrimet të detyrueshme, ndërsa imigrimet në Triesh mund të ishin vetëm pasojë e ndonjë fatkeqësie. Diaspora e Trieshit është e vjetër dhe shumë e madhe. Përveç Shqipërisë e Kosovës, ata u zhvendosën edhe në Plavë e Guci dhe pas një kohe ndryshuan fenë e gjuhën. Këtu në New York kam takuar pasardhës të atyre familjeve boshnjake, që para disa shekujsh kishin emigruar nga Trieshi. Njërin nga ata e pyeta njëherë në lidhje me prejardhjen. Ai m’u përgjigj: “Te parët e mi kanë ardhur nga Delajt e Trieshit”. Pas do kohe u bëmë shokë dhe më nderonin si të fisit të tyre. Ata ishin larguar nga Trieshi si pasojë e varfërisë e ndonjëherë edhe të gjaqeve, siç kishte ndodhur me Dedë Curanin. Shumë kishin shkuar në Kosovë, por pjesa më e madhe në Shqipëri. Amerika është vendi i imigrimeve dhe shkrirjeve të mëdha. Imigrantët kishin qenë edhe të parët e George Washingtonit. Amerikanët, duke përfshirë këtu edhe personalitetet më të larta të kësaj shoqërie, ishin kuriozë për origjinën e tyre. Gjyshërit e presidentit John F.Kennedy kishin imigruar nga Irlanda, kështu edhe të presidentit Ronald Reagan dhe të presidentit Bill Clinton. Edhe presidenti Barack Obama është irlandez nga nëna. Presidenti John Kennedy e quajti një prej ditëve më të lumtura vizitën e parë në Irlandë. Historianët amerikanë gjetën vështirësi në zbulimin e lidhjeve fisnore të presidentit Ronald Reagan në Irlandë. Por pas shumë kërkimesh ata zbuluan fshatin irlandez Bjellapurin, prej ku ishin larguar të parët e tij para 200 vjetësh. Ky fshat irlandez ishte shumë i njohur për cilësinë e patateve, siç është edhe Trieshi. Në varret dhe në kishën e fshatit në Irlandë historianët dhe etnografët kishin zbuluar lidhjet e tij me atë vend. Kjo përvojë e madhërishme e presidentëve amerikanë mund të shërbejë për mërgimtarët e botës dhe në këtë rast për mërgimtarët e Trieshit. Varret dhe kisha e Trieshit janë dëshmi historike dhe arkeologjike të padiskutueshme. Arkivi i kishës në Triesh mbase nuk është aq i pasur, sepse mund të jetë transferuar në Tivarë, në Shkodër, në Dubrovnik ose edhe në qytetet e tjera mesdhetare. Diaspora e Trieshit është e kahershme. Ky “gjak i shprishur”, siç thoshte De Rada, gjendet në Australi, në Evropë dhe një pjesë e madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy shekuj e gjysmë të kësaj famullie paraqesin datë me rëndësi për rikthimin dhe bashkimin e diasporës së Trieshit. Është karakteristike se të gjitha varret e Trieshit, përveç atyre të fshatit Muzheck, gjenden pranë rrugës kryesore. Edhe kisha e Trieshit gjendet në qendër të lokalitetit. Ato ditë mërgimtarët mund të mësojnë shumë për të kaluarën e tyre, sidomos në konferencën shkencore, në të cilën do të ligjërojnë dijetarë shqiptarë dhe të huaj. Është njoftuar se meshën solemne për 250-vjetorin e kësaj Famullie do ta celebrojë Arqipeshkevi i mirënjohur i Tivarit, Imzot Zef Gashi. Natyrisht se do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera. Pastaj këngëtarët dhe rapsodët nga Trieshi shkëlqejnë sot nëpër skenat shqiptare të këngës, siç ishte shkëlqimi i Nikollë Nikprelës në Parlamentin shqiptar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Një yll tjetër është Malësori, dhe yje si këta janë Maria Lajçaj e Hanë & Kolë Nikprelaj, ku bën pjesë edhe Paulin Trieshi. Këto yje të folklorit shqiptarë do të shkëlqejnë ato ditë në skenën e madhe të asaj rrafshnalte. Diaspora e Trieshit do të ketë mundësi të ringjallë kujtimet e shekujve dhe dekadave. Të parët tonë u pagëzuan në atë kishë, e cila feston 250-vjetorin. Aty u krezmuan, u martuan dhe u bekuan për në rrugën e amshimit. Aty si foshnje dëgjuam për herë të parë formulën e famshme të Pal Ëngjëllit: “Të pagezoj në ëmën të Atit, të Birit dhe të Shpirtit Shëjtë”. Aty dëgjuam predikimet e para të Ungjillit. Në oborrin e asaj kishe pamë gjithë ata burra e gra shqiptarë dhe rininë vendit. Aty pamë logje e panagjyre. Aty u predikua dashuria e respekti midis njerëzve. Ky përvjetor historik është rast i veçantë për të vizituar shumë shtëpi të braktisura gjysmë të rrënuara qe mund të shndërrohen në gërmadha. Ato ditë mund të flasim uratë e t’u kushtojmë meshë prindërve tonë të dashur që i patëm lënë të vetmuar në ditët më të vështira të pleqërisë. Të hutuar e të rraskapitur shikonin horizontin e atyre maleve të larta dhe diellin që perëndonte bashkë me djemtë e vajzat e tyre. Ata shkuan në amshim, por lotët e tyre nuk u terën kurrë. Vdiqën të vetmuar e të pikëlluar për dashurinë tonë. Në atë kohë nuk kishte internet. Këto ditë mërgimtarët do të kenë mundësinë të vendosin lule mbi varret e tyre. Ai tempull në qendër të Trieshit do të jetë epiqendër e diasporës dhe më gjerë, ashtu siç do të jenë edhe bukuritë natyrore dhe pamjet e mrekullueshme të Luginës së Cemit. Nga pika strategjike e Grykës së Delajve, ku është ndërtuar një Kryq i Madh, mund të vështroni brigjet piktoreske të atyre maleve legjendare. Pronat e patundshme të Trieshit fillojnë në fushë të Podgoricës dhe vazhdojnë deri në Majet e Komit. Bjeshkët dhe vërrini i Trieshit janë të pasura me florë e faunë të larmishme. Ne Koritë dhe në Koshticë do të kremtoni Ditën e Shtjefnit, festën tradicionale të bjeshkatarëve dhe pas atij ekskurioni në ato alpe shqiptare pranë Bjeshkëve të Nëmuna, për një kohë të shkurtër mund të prekni rërën e ngrohtë në plazhet e Ulqinit dhe të Tivarit. Të gjithë ata që janë angazhuar për organizimin e 250-vjetorit të famullisë së Trieshit meritojnë respektin e shoqërisë në përgjithësi dhe të diasporës në veçanti. Por At.Mirash Marinaj meriton respekt të jashtëzakonshëm për angazhimin e tij maksimal. Ky meshtar i ri nga Kastrati po vazhdon rrugën e At. Leonard Gojanit, të Imzot Simon Filipajt dhe të Patër Zefit Jankaj. Ai po bën kërkime të vazhdueshme nëpër arkivat kishtare ku zbuloi se Famullia e Trieshit ishte themeluar 250-vjet më parë. At.Marinaj është një gjurmues serioz dhe zbulimet e tij po bëhen libra. Të gjitha këto janë fryte të respektit e dashurisë që ky meshtar i dedikuar gëzon për Famullin e tij të Trieshit. Patër Mirashi meriton mbështetje të gjithanshme të hierarkisë kishtare dhe të besimtarëve në përgjithësi. Para 250-vjtetësh Prenkë Lepuri i Trieshit kishte dhuruar tokën e tij për ndërtimin e asaj kishe. Kjo mund të cilësohet si vepra më fisnike në historinë e këtij vendi, nëse merret parasysh mungesa e madhe e tokës pjellore në Triesh. Prenkë Lepuri meriton një pllakë përkujtimore në ambientet e asaj kishe. Një bukuri tjetër e përvjetorëve të mëdha është se ato ringjallin frymën e bashkimit dhe të dashurisë mes njerëzve. Përvjetorët historikë ringjallin dëshirën për riorganizim dhe rindërtim të vendit, dhe sot kjo trevë ka më shumë nevojë se asnjëherë më parë për një lloj rilindjeje, sepse gjatë dekadave të fundit është braktisur më shumë se asnjëherë në histori. Shpresojmë dhe lusim Zotin që ky përvjetor i madh të ringjallë dashurinë për tokën tonë të shenjtë. Në Triesh është muzeu i historisë sonë. Urime për 250-vjetorin e Famullisë. Gjekë Gjonlekaj
Posted on: Thu, 08 Aug 2013 19:17:31 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015