15 hadithe mbi Ramazanin e bekuar Meqë muaji i shenjtë i - TopicsExpress



          

15 hadithe mbi Ramazanin e bekuar Meqë muaji i shenjtë i Ramazanit është shumë afër, atëherë është koha që të përgatitemi në maksimum për të. Të lexuarit e haditheve të Pejgamberit s.a.v.s. rreth Ramazanit dhe begative të tij e pastron shpirtin e besimtarëve dhe i bën më të etur që të shijojnë eksperiencën jashtëzakonisht shpirtërore dhe shpirtushqyese të tij. Më poshtë është një përmbledhje e haditheve që përshkruajnë statusin e këtij muaji të bekuar, meritat e tij, shpërblimet dhe ofertat speciale të tij, si edhe shembullin profetik gjatë këtij muaji. Mjedis i favorshëm Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kur hyn Ramazani, hapen dyert e Xhennetit, ndërsa mbyllen ato të Xhehennemit, si dhe prangosen djajtë.” (Buhariu dhe Muslimi) Shpërblim i pakrahasueshëm Ummi Selimi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Umreja gjatë Ramazanit është e barabartë (në shpërblim) me kryerjen e haxhit së bashku me mua.” (i bërë autentik nga Albani) Ebu Hurejre r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Çdo vepër që biri i Ademit e bën do të shumfishohet, një vepër e mirë në dhjetë deri në shtatëqind herë. Allahu thotë: Përveç agjërimit, i cili më takon Mua dhe unë e shpërblejë atë në përputhje me rrethanat, sepse për Mua robi i braktisë dëshirat dhe ushqimin.” “Ekzistojnë dy gëzime për personin që agjeron; njëra kur ha iftar dhe e dyta kur ta takojë Zotin e tij. Era (e keqe) e personit që agjeron është më e mirë për Allahun sesa aroma e miskut” (Buhariu) Ebu Ejjubi r.a. tregon se Pejgamberi s.a.v.s ka thënë: “Secili që agjeron Ramazanin dhe pastaj e pason atë me agjerimin e gjashtë ditëve të Shevvalit, është sikurse të agjërojë gjatë gjithë jetës së tij.” (Muslimi) Trajnim morali dhe vetëdiciplinim Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Agjërimi është mburojë; kështu që kur ndonjëri nga ju agjeron, ai nuk duhet të përdorë as gjuhë të pahijshme as që të ngrisë zërin kur hidhërohet. Nëse dikush e sulmon atë ose e ofendon, le t’i thotë: Unë jam agjerueshëm.” (Muslimi) Shanset për falje Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Pesë kohët e namazit, e xhumaja në xhuma, si dhe Ramazani në Ramazan, janë shlyerje mëkatesh të bëra mes tyre, po që se rrihet larg mëkateve të mëdha.” (Buhariu) Ebu Hurejre r.a. transmeton se Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: “Secili që agjëron gjatë muajit të Ramazanit me besim të sinqertë dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, atëherë të gjitha mëkatet e kaluara do t’i falen atij.” (Buhariu dhe Muslimi) Ebu Hurejre r.a. transmeton nga Pejgamberi s.a.v.s. që ka thënë: “Secili që falë namaz vullnetar nate në Ramazan nga besimi dhe me shpresë për shpërblim, do t’i falen mëkatet e kaluara.” (Buhariu dhe Muslimi) Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Secili që falë namaz vullnetar nate gjatë Lejlet’ul-Kadrit nga besimi dhe me shpresë për shpërblim, do t’i falen mëkatet e kaluara.” (Buhariu) Mbrojtje nga zjarri i Xhehennemit Ebu Se’id El-Hudri r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Secili që agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu do t’ia mbajë fytyrën larg nga zjarri i Xhehennemit për 70 vite (d.m.th. në distancë udhëtimi)” (Buhariu dhe Muslimi) Uthman ibn Ebi’l-As transmeton se i Dërguari s.a.v.s. ka thënë: “Agjërimi shërben si mburojë nga zjarri i Xhehennemit.” (En-Nesaiu dhe i bërë autentik nga Albani) Abdullah ibn Amri transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë në dobi të robit të Allahut në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zoti im! Unë e pengova atë nga ushqimi dhe dëshirat gjatë ditës, andaj pranoma ndërmjetësimin tim për të! Kur’ani do të thotë: O Zoti im! Unë e pengova që ai të flinte natën, andaj pranoma ndërmjetësimin tim për të! Kështu që ndërmjetësimi i të dyve do të pranohet.” (Ahmedi dhe i bërë autentik nga Albani) Veprimet flasin hapur Ibn Abbasi r.a. transmeton: “Pejgamberi ishte më bujari nga të gjithë njerëzit dhe gjatë Ramazanit bëhej edhe më bujar kur Xhibrili e takonte atë. Xhibrili e takonte çdo natë gjatë Ramazanit për ta përsëritur Kur’anin me të. Atëherë Pejgamberi i Allahut s.a.v.s. bëhej më bujar sesa era e shpejtë.” (Buhariu) Aishja r.a. transmeton: “Pejgamberi i Allahut gjatë Ramazanit e shtonte ibadetin (adhurimin) e tij më shumë sesa në ndonjë kohë tjetër të vitit; dhe ai bënte më shumë ibadet (ndaj Allahut) gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit sesa gjatë pjesës së parë të tij.” (Muslimi) Ebu Hurejre r.a. transmeton: “Pejgamberi s.a.v.s. e bënte i’tikafin (tërheqjen shpirtërore në xhami) në çdo Ramazan për dhjetë ditë me radhë; në vitin në të cilin ndërroi jetë, ai bëri i’tikaf njëzetë ditë.” (Buhariu) O Allah i Madhërishëm! Mundësona që ta presim këtë Ramazan si është më së miri dhe mundësona që ta shfrytëzojmë çdo mirësi dhe begati të tij, si dhe na i falë mëkatet tona të shumta që i kemi, duke na mundësuar që të presim edhe Ramazanë të tjerë, insha Allah, dhe në botën tjetër na bashko me më të dashurin tënd, Muhammedin s.a.v.s., dhe të gjithë njerëzit tjerë të mirë, Amin! Autor: Muhammed Fet’hi Përktheu dhe përshtati: Breziiri (Breziiri) breziiri/2013/07/06/15-hadithe-mbi-ramazanin-e-bekuar/
Posted on: Sun, 07 Jul 2013 19:05:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015