A - PROCEDURA ADMINISTRATIVE I - VLEFSHMËRIA E LIGJIT 1. Nocioni, - TopicsExpress



          

A - PROCEDURA ADMINISTRATIVE I - VLEFSHMËRIA E LIGJIT 1. Nocioni, qëllimi dhe rëndësia e procedurës administrative Me dispozita (ligje, dekretligje, rregullore, vendime etj.) rregullohen shumë sjellje të personave fizikë dhe juridikë në shoqëri. Që të zbatohen këto dispozita është e nevojshme procedura përkatëse, ndërsa dispozitat të cilat e përmbajnë atë procedurë i quajmë formalo-juridike apo dispozita procedurale, ndërkaq dispozitat në të cilat është e rregulluar përmbajtja e vetë marrëdhënies juridike, që është lëndë e procedurës, i quajmë dispozita materialo-juridike. Edhe pse këto dy lloje të dispozitave (formalo-juridike dhe materialo-juridike) dallohen, prapëseprapë, ato në praktikë zbatohen bashkërisht. Për të vendosur për të drejtën apo detyrimin e caktuar të qytetarit ose të personave të tjerë, si për shembull për të drejtën e ndërtimit të ndërtesës banesore, pagimin e tatimit etj., duhet zbatuar dispozita materialo-juridike, që përmban kushtet sipas të cilave vendoset për të drejtën, përkatësisht detyrimin e caktuar. E tërë kjo procedurë e organeve të administratës zhvillohet në procedurën administrative. Me qëllim të zbatimit të drejtë të dispozitave të tilla materiale, janë përcaktuar rregullat e procedurës administrative, të cilave organet e administratës u përmbahen. Kjo do të thotë se dispozitat e procedurës administrative shërbejnë për realizimin e dispozitave materialo-juridike, ngase zbatimi i dispozitës materialo-juridike nuk mund të bëhet vetvetiu, por atëherë kur organi zhvillon procedurën dhe në bazë të procedurës të zhvilluar, me vendim konfirmon se a kanë qenë të plotësuara kushtet për fitimin e ndonjë të drejte, përkatësisht për përcaktimin e ndonjë detyrimi të përmbajtur në dispozitat materialo-juridike. Duke u nisur nga fushat e caktuara të së drejtës, procedurat ndahen në: gjyqësore (civile, penale etj.), kundravajtëse dhe administrative. Kështu, rendi dhe sistemi juridik i Kosovës përbëhet prej legjislacionit të ri (të UNMIK-ut dhe të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes të Kosovës), por edhe prej legjislacionit të vjetër (të miratuar në periudhën e ish-Jugosllavisë socialiste, si ligje federative, republikane dhe krahinore, si dhe aktet nënligjore), që kanë qenë në fuqi më datën 22 mars 1989, e të cilat me rregulloret e UNMIK-ut nr. 1999/24 dhe 2000/59 konsiderohen ligje të zbatueshme deri në zëvendësimin e tyre me aktet normative juridike të reja. Procedura administrative përmbahet në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative (“Gazeta zyrtare e RSFJ-së”, nr. 47/86), i cili, gjithashtu, sipas rregullores së UNMIK-ut nr. 1999/24 dhe 2000/59 “Për ligjin në fuqi në Kosovë”, konsiderohet ligj në fuqi, që do të thotë se këto rregulla të përgjithshme dhe rregullat e procedurës së veçantë për disa fusha të administratës, 579 E drejta administrative deri në miratimin e legjislacionit të ri, do t’i zbatojnë në punën e tyre edhe institucionet e reja të përkohshme të vetëqeverisjes (lokale dhe qendrore) në Kosovë. Kështu, procedurën administrative e përbëjnë rregullat juridike, me të cilat rregullohet veprimi i detyrueshëm i organeve të administratës kur në çështjet administrative, drejtpërdrejt në zbatimin e dispozitave materiale, vendosin për të drejtat dhe detyrimet e personave fizikë apo juridikë. Me rregullat e kësaj procedure rregullohen: kompetenca, veprimet procesuale, të drejtat dhe detyrat e personave që marrin pjesë në procedurë, forma dhe përmbajtja e akteve me të cilat vendoset për të drejtën apo detyrimin e ndokujt, mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike kundër akteve të tilla dhe ekzekutimi i tyre. 2. Nocioni “çështje administrative” Para se të flasim për detyrimin për të vepruar sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (më tej: Ligji), është e nevojshme të sqarohet kuptimi i “çështjes administrative”. Sipas ligjit në fjalë (paragrafi 1 i nenit 1) procedura administrative zbatohet në çështjet administrative kur vendoset për të drejtat, detyrimet apo interesat e individëve, të personit juridik ose të palës tjetër. Shtrohet pyetja se ç’kuptojmë me shprehjen “çështje administrative”? Kësaj pyetjeje Ligji nuk i jep përgjigje të prerë, andaj në praktikë përdoret nocioni i aktit administrativ, i cili është dhënë në Ligjin për Kontestet Administrative (paragrafi 2 i nenit 6). Ligji për Kontestet Administrative, si akt administrativ e quan atë akt që është nxjerrë nga një organ i administratës në ndonjë çështje administrative dhe me të cilin vendoset mbi ndonjë të drejtë apo detyrim të një individi, të një personi juridik ose të një pale tjetër të caktuar. Nga kjo rrjedh se të gjitha punët administrative, të cilat i kryejnë organet e administratës, nuk janë edhe çështje administrative. Prandaj, për të qenë një punë administrative çështje administrative në kuptim të këtij ligji, duhet t’i ketë tri cilësi: 1) të jetë nxjerrë nga organi i administratës, 2) të jetë nxjerrë në një çështje të caktuar administrative, përkatësisht në një situatë juridike, 3) që me të vendoset për një të drejtë a detyrim të caktuar të një pale të caktuar. Përveç çështjeve administrative, organet e administratës kryejnë edhe shumë punë të tjera administrative, në mesin e të cilave dallohet grupi i madh i punëve, të cilat zakonisht quhen veprime administrative, të cilat dallohen nga çështjet administrative. Me veprime administrative nënkuptohet mbajtja e evidencave të ndryshme (kadastrale, civile, tatimore etj.) dhe lëshimi i certifikatave dhe dokumenteve të tjera (ekstrakte nga librat amë të të lindurve, të të kurorëzuarve, të të vdekurve, ekstrakte për gjendjen e pronësisë së tokës etj.). Veprimet administrative, në shumicën e rasteve, kryhen pavarësisht nga vullneti i disa personave. Kur kemi të bëjmë me dhënien e certifikatave të ndryshme dhe të dokumenteve të tjera në bazë të evidencës publike apo pas zhvillimit të procedurës, si dhe me mbajtjen e evidencave të ndryshme, personi i caktuar nuk fiton të drejta, përkatësisht detyrime. Ky është dallimi qenësor ndërmjet çështjeve administrative dhe të veprimeve administrative. Kështu, p.sh., me veprime administrative, palëve u japim dokumente të 580 DORACAKU PËR PËRGATITJEN E PROVIMIT TË JURISPRUDENCËS ndryshme, të cilat u shërbejnë për të argumentuar fakte në çështjet administrative, sepse në bazë të shikimit në evidencën përkatëse apo në bazë të paraqitjes së ekstraktit nga ajo evidencë, pala dëshmon ekzistimin ose mosekzistimin e ndonjë argumenti të rëndësishëm për vendimmarrje në një çështje të caktuar administrative.
Posted on: Thu, 18 Jul 2013 10:57:58 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015