A KRAHASOHET VLERA E KËTIJ PATRIOTI E BURR SHQIPËTARI ME ZEMËR. - TopicsExpress



          

A KRAHASOHET VLERA E KËTIJ PATRIOTI E BURR SHQIPËTARI ME ZEMËR. Mut hoxhë Irfanin që e poshtërson gruan shqiptare dhe identitetin SHQIPËTAR për urdhër dhënsit e azisë e të atyre që duan ta dëmtojn Shqipërin etnike. E ne heshtim kur na shan, e nuk ka ligj për te nuk mirren masa për ta ndëshku, serbin e dimë që kemi armik, e kët le ta quajm mikë. Anthony Athanas, “patriarku” i komunitetit “Unë jam i sinqertë dhe i drejtë. Por nuk kënaqem me pak. Nga vetja pres më shumë se sa nga të tjerët”. (Anthony Athanas në gazetën “Boston Globe”, korrik 1984) Ribotohet me rastin e mbylljes së Restorantit “Anthony’s Pier 4″ BOSTON (Massachusetts) – Restoranti “Anthony’s Pier 4” u shfaq që larg, atje ku fillon ura që lidh Bostonin me oazën, ku është ngritur ky restorant madhështor. Së pari u duk kulmi, pastaj, duke u afruar, zbulohej gjithë ndërtesa. Një tren i vjetër binte në sy në hyrje si dëshmi se këtu, dikur, para se të nxirrte kokë objekti, kalonte një hekurudhë, në të djathtë të hyrjes, peshqit futur në akull e, në fund, një kambanë e vjetër mbi derë. Ky është imazhi i parë i restorantit, vështruar nga jashtë. E brenda? Në “Anthony’s Pier 4 “ arrita në kohë. I zoti i restorantit qëndronte si një statujë e mermertë klasike tek dera. Klientët hynin e dilin orë e çast nga restoranti i tij me përshëndetjet: “Si jeni zoti Athanas? Mirupafshim!”. Që në fillim do të theksoj një gjë që më ka bërë shumë përshtypje. Kur zbret në aeroportin e Boston-it ose në stacionin e trenit apo autobusit dhe t’i drejtohesh për të kërkuar një taksi për të vajtur te ky restorant, nuk ke nevojë t’i tregosh adresën e plotë shoferit. Mjafton t’i thuash “Anthony’s Pier Four” dhe ai do t’ia shkelë gazit pa kërkuar shpjegime. Ky është njëri nga restorantet më të njohura në botë. 15 vjet ishte “restoranti i vitit” në gjithë Amerikën. Këtu kanë darkuar, drekuar, kanë pirë konjak, birrë, verë peronalitete të njohura të botës: politikanë, artistë, shkrimtarë, gazetarë, biznesmenë, sportistë…Disa prej tyre kanë lënë “kartvizitat”, kanë dalë në fotografi me Athanasin. Muret e restorantit, afër hyrjes dhe oxhakut, i ngjajnë një fotoekspozite ku duket pronari i restorantit me njerëzit më me emër në Amerikë e në botë. Midis fotografive janë edhe diplomat e nderit që i kanë dhënë pronarit universitetet e institucionet e ndryshme. Për shqiptarët, “Anthony’s Pier 4” është i njohur edhe për faktin se dikur aty kanë buruar nismat e shumë veprimtarive të Federatës “Vatra”. Restoranti vazhdon traditën e shkuar. Përherë në shkëlqim, përherë i kërkuar. Në jubile e festa kombëtare, shqiptarët e Bostonit mblidhen përherë aty. Në “Anthony’s Pier 4” organizohen fushata për të mbledhur ndihma materiale për vendlindjen, përkujtohen figurat e shquara të komunitetit, shumica e të cilave kanë qenë miq të Athanasit… Ngjitemi shkallëve. Pas pesë minutash jemi në katin e tretë, aty ku dy orë në ditë çlodhet i zoti i restorantit. Edhe tani në moshën 85 vjeçare ai vazhdon të punojë çdo ditë, pa pushim. Në verë e fillon punën në orën 7 e gjysmë të mëngjesit. Në shtëpi kthehet në orën 12 e 30 minuta të natës. Në dimër punon diçka më pak. Fillon në 10 e gjysmë dhe kthehet në orën 11 të natës. Në këtë zyrë ka një shtrat, një tavolinë të gjatë e një telefon, libra e piktura, skulptura e Naim Frashërit dhe e Skënderbeut. Ajo ndodhet në katin e sipërm, me dritaret nga deti. Këtu Athanasi ka dhënë shumë intervista për mediat më të fuqishme amerikane. Në këtë zyrë gazetarët i kanë bërë gjithfarë lloj pyetjesh, e kanë fotografuar, e kanë përgëzuar. Athanasi ka pasur përherë respekt për gazetarët që kanë mbushur faqet e gazetave për të e kanë realizuar emisione në radio e televizion. Për asnjë biznesmen shqiptar të Amerikës nuk është shkruar në shtypin amerikan, sa për “patriarkun e komunitetit” që ka magjepsur gazetarët për sukseset në biznes. Me vete kisha një dosje të artikujve për Athanasin, botuar në gazetat shqiptare e amerikane. Kur ai i pa, u befasua: - Ku i keni gjetur? Sa keq që unë nuk i kam ruajtur, – tha e pastaj filloi të lexonte me zë pjesë të tyre. - Ju jeni sot figura më e njohur shqiptare në Amerikë, – i thashë kur ai ndërpreu leximin. Sa kohë kemi në dispozicion për të biseduar? - Sa të doni, – ma ktheu. – Jam mësuar duke pritur miq, duke dhënë intervista. Shihni sa kanë shkruar për mua…M’i fotokopjo këto shkrime, të lutem, e m’i dërgo. Kam dëshirë t’i kem. - Sa herë që vij këtej, ju shoh duke punuar po aq sa kamarierët dhe ndihmësit e tyre. Habitem që në këtë moshë punoni kaq shumë, si të ishit një fillestar, që përpiqet të hyjë në rrugën e suksesit. - Po të mos punoja kështu gjithë jetën, nuk do të isha ai që jam sot, – u përgjigj Athanasi. – Është biznes i vështirë ky. Duhet t’u ndihmoj djemve, që të ecin në rrugën që kam ndjekur unë për kaq vjet. Ua kam dorëzuar atyre me kohë biznesin. Por, kjo nuk mjafton. E ndjej se duhet të jem pranë tyre. Unë çlodhem në atë që bëj. Shkurt, çlodhem duke punuar. Po e le punën, të lë jeta. Kjo është filozofia ime. Anthony Athanasi është pronar i pesë restoranteve të njohura në Boston dhe rreth tij: “Anthony’s Pier 4”, “Anthony’s Hawthorne”, “General Glover House”, “Hawtorne By The Sea” dhe “Anthony’s Cummaquid Inn”. Nga të gjithë këto restorante, sidomos njëri i solli famën: “Anthony’s Pier 4” që u hap më 1963. Ishte pikërisht ky restorant, që u shpall nga gazetat për 15 vjet më i miri në kontinentin e ri. * * * Anthony Athanasi, nga Trebicka e Korçës, erdhi në Amerikë në moshën pesë vjeç. Nga Shqipëria deri në Greqi, bashkë me nënën dhe motrën, udhëtoi me mushkë e karrocë. Prej andej, me anije, arriti në Ellis Island, në kontinentin e ri, vendin ku zbarkuan miliona emigrantë të botës për të kërkuar punë e jetë më të mirë, për të rigjetur shpresën që kishin humbur në atdheun e tyre. Anija iu afrua portit të njohur të New York-ut pas tri javë e gjysmë udhëtimi nëpër detra e oqeane. Në vapor qenë sëmurur të gjithë. Edhe Anthony i vogël me motrën e nënën. Nga vatra e tyre, e ëma e Athanasit dhe fshatarët e tjerë të Trebickës, kishin marrë me vete ca plaçka dhe farën e kosit. Anthony Athanasi në kumtesat që ka mbajtur në shumë universitete të Amerikës, u ka thënë studentëve se nga Shqipëria shqiptarët sollën në këtë tokë të bekuar farën e kosit dhe farën e kulturës së tyre. I ati i Athanasit, Simoni, kishte ardhur në Amerikë disa vjet më parë bashkë me shqiptarë të tjerë nga Jugu. - Përse shpërngulej Jugu i Shqipërisë në kontinentin e largët? – e pyes Athanasin. - Nëpër honet e kohërave, banorët e Shqipërisë së Jugut ikën nga vendlindja për dy arsye: nga varfëria dhe se kërcënoheshin me jetë e shkatërrim të pasurisë nga fqinji i Jugut. …Kur ishte dhjetë vjeç, Athanasi mori pjesë për herë të parë në një mbledhje të “Vatra”-s. Shqiptarët e Amerikës, në atë kohë të organizuar rreth kësaj Federate, sytë i kishin nga mëmëdheu i tyre. Në mesin e tyre ishte edhe i ati i Athanasit, i cili e merrte atë me vete për ta takuar me vatranët. Aty ishte edhe Fan Noli e figura të tjera të shquara të komunitetit shqiptar. Ky takim i Athanasit të vogël me Nolin e anëtarët e tjerë të Federatës, do të përbënte shtysën e bashkimit të tij me vatranët në veprimtarinë e tyre për shpëtimin e atdheut dhe forcimin e shqiptarizmës. Dhjetëra vjet më vonë, Athanasi do të bëhej një nga shtyllat më të forta të “Vatra”-s, njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Fan Nolit, financues i veprimtarive të Federatës “Vatra” dhe gazetës “Dielli”. Më 1981, Biblioteka e Kongresit Amerikan mikrofilmoi gazetën “Dielli” që u botua gjatë viteve 1909 – 1977 dhe, siç shkruan kjo gazetë, një meritë e madhe për këtë i takon Anthony Athanasit. “Sikur ai të mos i kishte mikrofilmuar numrat e kësaj gazete për periudhën 1909 – 1941, koleksioni do të kish mbetur cung. Athanasi ia dhuroi Bibliotekës së Kongresit ato filmime pas shumë vitesh. Është interesant të shënohet se, tri javë pasi mikrofilmet u sollën në bibliotekë, një stuhi e madhe dëmtoi rëndë limanin e Bostonit, duke shkatërruar restorantin ku mbaheshin ato”, shkruan “Dielli” më 16 janar, 1982. Athanasi ka mbajtur për një kohë të gjatë mbi supe peshën e veprimtarisë së Federatës “Vatra” si organizator, anëtar e si kryetar i saj. Nga anëtarët e gjallë që jetojnë akoma mban rekordin për kohën e gjatë që i shërbeu “Vatra”-s, e cila mbajti gjallë frymën e shqiptarizmës edhe në periudhat më të vështira. Biznesmen, veprimtar, filantropist, këto janë tri fusha që e “stolisin” jetën e Anthony Athanasit. Dhe në të tria këto fusha apo fronte ai është dalluar dhe i ka rezervuar vetes një vend të dukshëm. Por, si filloi ngjitja e këtij njeriu nga pika zero në shkallët më të larta të shoqërisë amerikane, e cila e radhit atë ndër figurat më të njohura në botën e afarizmit, të industrisë ushqimore dhe të restoranteve? Në moshën 13 vjeç filloi të fitojë dollarët e parë. Në këtë moshë të njomë, kur fëmijët jetojnë me botën e ëndrrave, Athanasi zuri punë në një fabrikë të pambukut në New Bedford (Massachusetts). Detyra e tij ishte të ndizte stufat, që, kur të vinin shefat në punë, t’i gjenin zyrat e ngrohta. Në atë kohë, amerikanët i ngrohnin shtëpitë dhe zyrat e punës me dru e qymyr. Kur Amerikën e kaploi e ashtuquajtura “kohë e depresionit” në vitet 30-të, Athanasi shkoi në New York, ku zuri punë si kuzhinier në restorantin e njohur “Brass Rail”. Këtu ai fiton përvojën e parë për përgatitjen e ushqimeve. Mësoi disa receta gatimesh, të cilat do t’i përsoste vazhdimisht gjatë gjithë jetës. Shumë prej atyre recetave tepër të kërkuara e të veçanta, nuk i gjen asgjëkundi tjetër, veç në restorantet e tij. Pas tri vjetësh, Athanasi u detyrua të ndërpresë punën. I vdiq i ati dhe duhej të kthehej sërish në Massachusetts. Deri në atë kohë ai kishte mundur të kursente 1800 dollarë, të cilat i investoi në biznes më 1938 duke hapur restorantin e parë “Anthony’s Hawtorne” në qytetin Lynn, afër Bostonit që vazhdon edhe sot të jetë i hapur. 58 vjet më parë ai kishte vetëm 60 karrige, sot ka 400. (“Në moshën 21 vjeçare, kur shiste pemë e perime me kamionin e tij në South Boston, Athanasi kurseu edhe paratë më të imta, madje duke shkuar më këmbë në punë, në vend që të merrte trenin”, shkruan një gazetë amerikane). Restoranti kushtonte 5 mijë dollarë, kështu që pjesën tjetër të parave biznesmeni i mori nga banka. Për Athanasin e ri fillimi ishte shumë i vështirë. Shpeshherë i duhej të bënte në të njejtën kohë punën e kuzhinierit e të kamarierit, se s’kishte mundësi të punësonte aq punëtorë sa i nevojiteshin. Restoranti i solli sukseset e para në biznes. Fitoi aq para, sa më vonë bleu gjithë ndërtesën ku ishte lokali. Pas ca vitesh u bë i njohur, ngaqë bleu shtëpinë e heroit amerikan, gjeneralit John Glover. Në këtë shtëpi me vlerë historike, Athanasi pas ca kohe hapi një restorant tjetër, të cilin e pagëzoi me emrin e heroit. Restorantin e njohur “Anthony’s Pier 4 “ e hapi më 1963, në një vend ku më parë kalonte hekurudha e vjetër e qytetit. “Je në vehte?”, i thanë miqtë kur morën vesh se ai do të ndërtonte një restorant të madh në atë vend si të shkretë ku nuk kalonte këmbë njeriu. “Nuk do të kesh punë, do të fikesh. E sheh se nuk ka njerëz këtu? Do të humbasësh”, – i tha edhe një kushëriri i vet. Një aktvist i “Vatra”-s shkoi edhe më larg e u tregua më i sinqertë me këshillën që i ngjante një akuze: “Jo vetëm që do të humbasësh ti, po do të humbasim edhe ne”. Humbja e Athanasit do të ishte vërtet humbje edhe për Federatën, e cila te biznesmeni ynë shihte njeriun e gatshëm që, në çdo kohë e kishte ndihmuar e do ta ndihmonte atë materialisht. Vendi ku do të ngrihej objekti dukej vërtetë si të ishte i shkretë. S’kishte afër pothuajse asnjë shtëpi, nuk ishte një zonë që premtonte se mund të frekuentohej nga klientët. Por, Athanasi veproi sipas mendjes së vet. Punimet për ngritjen e restorantit filluan në fund të vitit 1961 dhe përfunduan në tetor të vitit 1963. Tonelata mbas tonelatash materiali ndërtimor u harxhua atje, derisa restoranti me madhësi 30 mijë square feet ishte i gatshëm të hapte dyert për klientët. - Isha nervoz, – përkujton Athanasi atë kohë. – Tërë pasurinë e harxhova për të ngritur restorantin. Të gjitha ëndrrat e mia, të gruas dhe katër djemve vareshin nga ky investim. “Me këtë projekt”, siç thotë një gazetë e njohur amerikane, “Athanasi ka dhënë një kontribut të madh për turizmin, jetën dhe kulturën amerikane”. “Athanasi, shkruan një gazetë tjetër, “në atë kohë kur vendosi të ndërtonte restorant në këtë pjesë të qytetit, ishte largpamës, sepse pa atë që të tjerët nuk qenë në gjendje ta shihnin. Ai pa të nesërmen”. “Anthony’s Pier 4”, i cili gjendet në 140 Northern Avenue, në dy katet ka shtatëqind vende. Verës mund t’i shtohen edhe 300 vende jashtë, në anën e pasme. Klientëve u shërbejnë 250 punëtorë, disa prej tyre shqiptarë. Poshtë e lart restorantit gëlojnë klientët çdo ditë. Midis asaj mizërie njerëzish do të gjesh përherë edhe Anthony Athanasin duke ndihmuar, ose, për të qenë më të saktë, është, si thonë, ndihmëskamarier, kamarier, edhe kuzhinier, nëse e do nevoja. Klientët e shikojnë me habi: - Ku i gjen energjitë ky njeri në këtë moshë të heqë pjatat nga tavolina, të marrë porositë e të sjellë ushqimin nga kuzhina? Kur ndonjëri e pyet “a je lodhur”, apo “pse nuk heq dorë nga puna”, në vend të përgjegjes ai u tregon një rrëfenjë: – Kishte qenë një pianist i mrekullueshëm në Poloni, i cili i binte pianos 8 orë në ditë. E pyeti dikush një herë se çfarë do të ndodhte nëse ai do t’i binte vetëm 6 orë. “Nëse do ta bëja këtë, gruaja ime nuk do të dëgjonte dot muzikën time”, ishte përgjegjur polaku. “Po të ushtroje vetëm katër orë?” – e kishin pyetur prapë. “Nëse do ta bëja këtë, atëherë shërbëtori im nuk do të dëgjonte dot muzikën time”. “Po të ushtroje vetëm dy orë në ditë?” – e kishin pyetur në fund. “Atëherë as qeni nuk do të dëgjonte më muzikën time”, – ishte përgjigjur ai. * * * Përtej restorantit duken tufat e zogjve që fluturojnë mbi oqeanin e thellë. Pak më tej është aeroporti. Aeroplanët puthin tokën dhe ndahen nga ajo për t’u kthyer prapë. Janë si dallëndyshet që shkojnë e vijnë. Nga asnjë pikë tjetër, Boston-i nuk duket më mirë se nga ky restorant i ngritur aty në bregdet, me fytyrën nga qyteti e shpinën nga oqeani. Terraca që zgjatet tej restorantit, në oqean, lidh tokën dhe ujin. Në sallën e ngrënies në katin e parë, klientëve u duket se janë duke lundruar në anije. Gjithçka është ndërtuar prej druri: karriget, tavolinat, plafoni, dyrekët, parmakët e dritareve. Muret antike të kombinuara me dru, oxhaku afër hyrjes dhe vatra me flakë e prush, të krijojnë imazhin e një pamjeje magjike të pangjashme me ndonjë ambient tjetër restoranti. Kuzhina është sa kontinentale, aq edhe amerikane. Midis specialiteteve kuzhinierët përgatisin edhe një supë “Lobster Bisque”, njëra nga ato reçetat e Athanasit. Kjo supë nuk gjendet në asnjë restorant tjetër. Këtu serviren edhe gaforret, që janë gjithashtu shumë të preferuara. Athanasi është pronar i një kompanie që merret me shitjen e tyre në Amerikë dhe Evropë. Po ashtu serviren edhe lloje të tjera të peshkut, steka, verëra të vjetra etj. Revista “Restaurant & Hospitality”, më 1981 shkruante: “Ju mund të hani rrjesht një muaj ushqim në ‘Anthony’s Pier 4’ dhe asnjëherë nuk do të keni në pjatë të njejtin lloj peshku”. Tri vjet pasi u hap ky restorant, pragun e tij e shkeli një yll i Hollywood-it, aktorja e famshme, Elezabeth Taylor. Ajo vinte për herë të parë në restorant, por siç thonë, “me këmbë të mbarë”. Gazetarët shpejtuan ta evidentojnë këtë ngjarje: “Taylor sot drekoi në restortantin “ Anthony’s Pier 4”. Kjo vizitë i dha publicitet të madh restorantit dhe pati ndikim të fuqishëm në ngjitjen drejt majës së piramidës. Drekimi i saj ishte, si të thuash, një “reklamë” falas, por që solli fitime të shumta për të zotin e restorantit. - Mikja ime Taylor, është shumë shoqe e mirë, – thotë Athanas. – E shoqërova në dy mbrëmje artistësh. Njëherë në Boston, herën tjetër në New York. Në “Anthony’s Pier 4” kanë drekuar e darkuar shumë presidentë të Amerikës. Miku më i ngushtë i Athanasit nga të gjithë ata ishte i ndjeri, John Kennedy. Athanasi me të shkoi disa herë në lojë “baseball”-i. - Ja sa fotografi kam me të, – thotë ai dhe tregon fotografitë, njëra prej të cilës është e varur në mur. Athanasi, në një rast, i tregoi Kennedy-t se Fan Noli kishte studiuar në “Harvard University” bashkë me babanë e tij. Ai ia bëri atij të njohur Shqipërinë prej nga kishte ardhur edhe vetë biznesmeni ynë, i cili përherë ka deklaruar me mburrje se është shqiptar. Gazetarët janë munduar shpesh t’i veshin nofka, të vejnë në dyshim prejardhjen e tij, por në të gjitha gazetat, në radio e televizion, Athanasi ka deklaruar: – Jam shqiptar dhe ndjehem krenar për prejardhjen time. - Vdekjen e Kennedy-t e përjetova dhimbshëm, – thotë Athanasi. – Kur mora mandatën, u ngjita në katin e dytë. Qëndrova duke qarë e vajtuar dy orë, pa lëvizur nga karriga, për njeriun që u bë simbol i demokracisë amerikane dhe i lirisë së njeriut. Është një fakt tepër domethënës, – vazhdon Athanasi, – kur e pyet cilindo se ku ndodhej në atë moment kur dëgjoi lajmin për vdekjen e Kennedy-t, të gjithëve, pa përjashtim, u kujtohet tamam se ku ishin: duke punuar, duke ngrënë apo duke shëtitur. Vdekja e tij tronditi botën. - Kontaktet e Kennedy-t me shqiptarët kanë qenë të shpeshta, – vazhdon më tej Athanasi, i cili u njoh edhe me presidentët e tjerë amerikanë. Gazeta “Dielli” e datës 1 nëntor, 1977 shkruan: “Athanasi me përpjekjet dhe veprat e tija, ka nderuar lartësisht vehten, komunitetin shqiptar në Amerikë dhe krejt racën shqiptare. Këtë gjë ia tha dikur edhe ish presidenti amerikan, Richard Nixon”. Në restorantin e tij të parë në Lynn, kishte shkuar edhe ish presidenti amerikan, Harry Thruman. Athanasi ka qenë përherë i mirëseardhur në komunitetet e tjera të Amerikës. E kanë ftuar e respektuar si një “ambasador” të Shqipërisë në Amerikë. Ai u ftua dhe kremtoi krah për krah me irlandezët festën “Patrick’s Day” në Boston dy vjet e ca më parë. I kujtohet që, sapo kishte zënë vend në karrige dhe kishte çokitur gotat me miqtë irlandezë, një nga punonjësit e shërbimit i kishte thënë: – Zoti Athanas, keni një telefonatë, dikush kërkon të bisedojë me ju. Athanasi kishte menduar se do të qe ndonjë nga djemtë e tij, apo menaxheri i restorantit. Por, qe gabuar se, kur mori receptorin, në anën tjetër të telefonit dëgjoi: - Jam Bill Clinton, si jeni? - Mirë, faleminderit, ju si jeni? Unë jam Anthony Athanasi nga Shqipëria, – i tha presidentit amerikan. - E dini ku është Shqipëria? – e kishte pyetur pastaj presidentin Clinton. - Si nuk e di? – ishte përgjegjur Bill Clinton. – Shqipëria ka nevojë për ndihmë. Dua t’ju falënderoj që po punoni kaq shumë për atdheun tuaj. Radio, televizioni e gazetat e regjistruan këtë bisedë të presidentit amerikan me biznesmenin e shquar shqiptar. * * * Shumë vjet më parë, Athanasi i deklaroi një gazete: - Biznesi i restorantit është si “show business”. Unë kam rënë në dashuri me industrinë e ushqimit. Restoranti është një eksperiencë që nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin e pijen. Janë edhe lëvizjet, shërbimi që është një lloj arti më vete. Por, puna në restorant ndodh që të kthehet edhe në një dramë. - Dramë e bukur? – e pyeta. - Drama është dramë, konflikt, – tha ai dhe i shkoi buza në gaz. – Kur bën gabim në biznes, nuk është as për të qarë, as për të qeshur. Athanasi dëshpërohet edhe sot për një “gabim” të tillë. Humbi një pjesë të tokës që kushtonte miliona dollarë. Nga 35 hektarë, sa kishte rreth restorantit, i mbetën 10, të tjerat i humbi në gjyq. - Biznesi i ka rreziqet e veta, – pranon ai gabimin që i kushtoi aq shumë. – Po të shkosh në shkollë e të bëhesh mjek, avokat, gazetar apo inxhinier, s’ke rrezik se do të bësh të tilla gabime. Zanatin e ke fituar. Të shumtën mund të humbasësh punën, por gjen një tjetër. Biznesi është ndryshe. Humbe restorantin, humbe paratë! Si të ngrihesh pastaj nga kjo gjendje? - Po, por paratë e mëdha fitohen gjithmonë me rreziqe të tilla, – ia ktheva. Athanasi filloi të qeshë me të madhe. - Mirë e ke, – tha, – por rreziku t’i jep të dyja: edhe shans edhe mundësi për të humbur. Unë, për shembull, humba miliona dollarë. - Edhe humbja është pjesë e biznesit. Njihni ndonjërin që s’ka humbur asnjëherë? – vazhdova pyetjet. Në vend të përgjegjes, Athanasi qesh përsëri. - Mendoj se paratë që keni humbur janë si të ngacmosh ariun me një ferrë. Ndjen gjë ariu nga një ngacmim i tillë?- vazhdova unë. - S’ishte ferrë e vogël, – ma ktheu ai, – por shumë e madhe. Secili do ta ndjente dhembjen. Edhe miliarderi më i madh i Amerikës…Nëna më thoshte: “Unë e di se do të ngjitesh lart. Por, kur të ngjitesh atje, do të zbresësh prapë shkallëve… Gazetarët dhe studentët e kanë pyetur shumë herë Athanasin se ç’e shtyri të merrej me këtë biznes, pyetje që ia bëra dhe unë. Dhe mua më dha të njëjtën përgjigje: - Në vitet e rinisë sime nuk kishim bukë, shkurt isha i vobektë dhe filluam të punojmë në restorante. Nuk kisha rast dhe mundësi të zgjidhja një profesion tjetër. Nuk kisha para as të shkollohesha. Por, vuajtja dhe eksperienca, këto qenë për mua një shkollë e madhe. Në moshën 13 vjeç Athanasi e la shkollën për të punuar me orar të plotë. Sot, pas shumë dekadash, atë e gjejmë me një koleksion të tërë doktoratash, diplomash e titujsh nderi që ia kanë dhënë universitetet më të njohura amerikane. Kapërcime të tilla pindarike ai ka shumë. Shembulli i tij është tepër kuptimplotë. Parafytyrojeni atë fëmijë në Shqipëri, hipur mbi gomar apo mushkë dhe ja, disa dekada më vonë në Amerikë ai çan autostradat me “Jaguar” e “Mercedes”. Më 1939, ai mori borxh 150 dollarë për të shkuar në një mbledhje të Shoqatës Amerikane të Restoranteve, sepse kishte nevojë të mësonte. Disa vjet më vonë Athanasin e gjejmë në krye të kësaj shoqate të njohur. - Amerika është vendi i mrekullive, i mundësive të mëdha për të ecur përpara, – thotë ai dhe shton: – Nuk do t’i kisha arritur këto suksese në asnjë shtet tjetër të botës. - Çfarë i këshillon Athanasi studentët dhe ata që duan të merren me industrinë e ushqimit? - Shfrytëzojeni potencialin tuaj deri në maksimum. Çfarëdo që të bëni, bëjeni mirë. Ushtrohuni, ushtrohuni, ushtrohuni, që të jeni të mirë. Nëse keni një ide, një plan, një ëndërr, apo qëllim për të arritur diçka, mos ngurroni të luftoni me ngulm për t’i realizuar. Kjo është njëra nga këshillat e mia. Këshillën më të mirë ma ka dhënë babai, kur isha fëmijë: “Blije ushqimin që shitet, sa më cilësor. Blerja është mësimi i parë që duhet të mësosh. Të blesh, kur ke nevojë”. Formula e tij e suksesit në këtë lloj biznesi është e thjeshtë: një kombinim i ushqimit të mirë, atmosferës së ngrohtë dhe kujdesit të pakursyer ndaj klientëve. Kur e pyesin miqtë për leksionet që ka mbajtur në shumë universitete të njohura, Athanasit ia ka ënda të flasë sidomos për ata që i dhanë atij mësime. Një mësim shumë të vlefshëm ai e mori nga imzot Fan Noli. Peshkopi ynë i nguliti atij dëshirën për të lexuar libra, që të mësonte nga dijetarët, shkrimtarët e shkencëtarët. - E shihni këtë bibliotekë? – thotë Athanasi dhe ngrihet për t’m’i treguar disa nga librat e vjetra. – Ja ku e kam Kur’anin, ja dhe Ungjillin, afër njëri – tjetrit, – thotë ai duke ngritur zërin: – Nga Noli e nga librat mësova të kem respekt për gjakun tonë, që është i ndarë në fe të ndryshme, po është një gjak. Nuk mohoj asnjë fe. Njeriu mund të ndërrojë fenë, po gjakun s’mund ta ndërrojë, – dhe citon pjesë të Kur’anit e të Biblës. Në atë çast m’u kujtua At Liolini që ka thënë për të: “Anthony citon nga Bibla, por konsulton Kur’anin”. Pasi ulet në karrige, merr në dorë fotografinë e prindërve, Simon e Evagjelia Athanasi. - Ky burrë e kjo grua, – thotë duke vënë gishtin mbi fotografi, – më dhanë mësimet më të mira për jetën. Në shenjë respekti ndaj nënës së vet, Athanasi ka themeluar një fondacion me emrin e saj, për të ndihmuar kurimin e të sëmurëve me kancer. Ai ka ndihmuar shumë financiarisht edhe shoqatat e tjera amerikane që luftojnë këtë sëmundje të tmerrshme. * * * Athanasi hedh vështrimin nga deti. Përtej xhamave, si në një ekran televizori, duken blloqe ndërtesash dhe një pjesë e aeroportit “Logan”. E ftova të pushonim pak, ngaqë pata drojën se ishte lodhur. Por, jo. Ai nuk ndjente aspak lodhje. Duke qenë nga ata pak bashkëkohës të Nolit që jetojnë akoma sot, e për më tepër që ka qenë nga më të afërtit me të, i kërkoj të më tregojë ndonjë kujtim nga takimet me hirësinë e tij. - Pata fat të kem profesorë shumë të mirë si Noli e Konica. Kush kishte profesorë më të mirë se unë? – thotë ai i emocionuar. – Kur bisedoje me ta, të dukej se ishe në një seminar shkencëtarësh. Ata më thonin: “Bravo Anthon, bravo!” Sa më shumë që më rrihnin supet për suksesin në biznes dhe për dedikimin tim ndaj “Vatra”-s, aq më shumë punoja. Restorantet e mia kanë qenë shtëpitë e tyre. Për imzot Nolin, feja dhe kombësia ishin binjake. Kisha jonë punonte me mish e me shpirt për çështjen shqiptare. Atë e kanë ndihmuar shumë edhe shqiptarët e fesë muslimane, se ata e dinin që kisha do të ishte foleja jonë, vendi i bashkimit fetar e kombëtar. - E keni parë Nolin ndonjëherë të zemëruar? A ju kujtohet ndonjëri t’ia ketë plasur shpirtin? Athanasi qesh e pastaj vazhdon: - Njëherë në kishë disa besimtarë sollën fëmijët, të cilët gjatë meshës, po qanin. Noli nuk u përmbajt dhe foli: – Ore, ç’bëhet kështu? Nxirrni fëmijët jashtë! - Në zyrën e tij shkonim si i shkojmë sot te varri. Mbi çdo gjë tjetër, Noli çmonte shqiptarizmën. I thanë për njërin se ishte këngëtar i mirë. “Ore, më tregoni a është shqiptar i mirë apo jo, këtë më tregoni!” – tha imzot Noli. Ai nuk e humbi vetëdijen, deri sa vdiq, – thotë Athanasi. Pastaj ai lexon njërin nga shkrimet e tij për Nolin, botuar në “Dielli” shumë vjet më parë: “Ata që nuk u pajtuan me Nolin, më vonë e panë se ai kishte të drejtë…”. Në gazetën “Liria” të Bostonit, në qershor të vitit 1973, botohet një informatë mbi organizimin e një banketi të Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikës për nder të z. Athanas. Gazeta vë në dukje respektin që imzot Noli kishte për z. Athanas, apo Andonaqin, siç e quante ai. “Në doni të korrni suksesin më të math në çdo punë që është për të bërë, lëreni Andonaqin ta organizojë”, thoshte Noli sipas kësaj gazete. Më 1968 Anthony Athanasi ishte në Itali i ftuar nga arbëreshët, të cilët po përkujtonin pesëqindvjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Një vit më vonë ai dha kontribut të madh për të sjellë arbëreshët në Amerikë në kremtimin e 60 vjetorit të botimit të gazetës “Dielli”. Lidhjet e biznesmenit tonë me arbëreshët kanë qenë të ngushta, që kur ishte i ri. Njëherë kur punonte në New York, në vitet 30-të, takoi boksierin legjendar Sammy Mandell. Athanasi ishte në kuzhinë, kur sportisti iu afrua dhe i foli shqip: “Si jeni?”. Anthony ishte befasuar. Nuk e kishte ditur deri në atë çast se Mandell ishte i një gjaku me të, arbëresh i Italisë. Ngado që ka shkuar, me këdo që është takuar, ka pyetur e është interesuar për shqiptarët, si vëllai i tij, Lazarasi, që vajti në Greqi e Itali të takonte bashkatdhetarët. Kur ishte në Louisiana, Athanasi mori vesh se kryebashkiaku i qytetit ishte arbëresh. I trokiti njëherë në derë e u miqësua me të. Po kështu është takuar edhe me shumë arbëreshë të tjerë anembanë kontinentit të ri. - Ka edhe arbëreshë nga Çamëria në Boston, – thotë Athanasi. – Është njëri që do të hapë këtu një muze për historinë e Çamërisë. Në këtë restorant vijnë edhe shumë çamë e, kur marrin vesh se unë jam shqiptar, gëzohen e më thërrasin të çojmë nga një gotë, – pohon Athanasi. * * * U bënë kushedi sa orë që po bisedojmë. Shihja herë pas here nga ai, por nuk shquaja shenja lodhjeje. Në një çast ai pa orën. - Sa është? Paskan kaluar tri orë, – tha. U ngrit nga karriga e më ftoi që të hanim drekë. Nëse kisha ndonjë pyetje, mund të vazhdonim edhe poshtë, në katin e parë. Dhe ashtu bëmë. Kalojmë sa në një temë në një tjetër. E pyes se si e ka ndihmuar Shqipërinë pas hapjes së saj me botën. - Pas rënies së diktaturës, – thotë ai, – dërgova atje nja 50 mijë dollarë ndihma humanitare. Pas pak kohe dërgova edhe 40 e ca mijë të tjera si ndihma për spitalet. S’do të përfundoj me kaq. Por shqiptarët duhet ta dinë se unë humba miliona dollarë në biznes dhe më duhet edhe ca kohë që ta marr veten. Pas kësaj, do të vazhdoj të ndihmoj, prapë. Në janar të vitit të kaluar Athanasi u emërua konsull nderi i Shqipërisë për Bostonin dhe New England-in. E pyeta se cili do të jetë roli i tij në këtë mision: - Do të bëj ato punë, që kam bërë në vitet e shkuara. Ti e di se kam pritur e përcjellë bashkatdhetarë gjithë jetën. Do të vazhdoj edhe në të ardhmen të veproj po ashtu siç kam bërë prej shumë dekadash më parë. Në ceremoninë e emërimit të tij konsull, para 150 vetave, ai tha: “Unë e pranoj këtë titull si nderim të mijëra miqve të Shqipërisë në këto troje, të cilët kanë punuar besnikërisht, që nga fillimi i këtij shekulli, për të ndihmuar dhe për t’i dhënë zemër atdheut të tyre, të prirë nga bashkëkombësit e mi më të dashur, Noli e Konica”. Pasi më pyeti për gatimin e drekës që sapo hëngrëm së bashku, duke e falënderuar e pyeta se cila ishte menyja që përdorte zakonisht vetë Athanasi. - Reçeta ime ushqimore është shumë e thjeshtë. Në mëngjes ha një banane dhe një mollë apo dardhë. Kur arrij në restorant përgatis një çorbë të vogël. Para orës dhjetë të natës ha zakonisht ushqim peshku. Anthony Athanasin e kemi parë edhe në demonstrata për lirinë e Kosovës. Më 1990 në New York më kujtohet se tha që “duhet të mësojmë nga kosovarët që janë të organizuar për të fituar lirinë”. Ia kujtoj ato fjalë edhe tani këtu. - Nuk i thashë unë ato fjalë i pari, – pohoi ai. – I kanë thënë të tjerët para meje. Nga arbëreshët e kosovarët duhet të marrim mësim. Kosova do ta fitojë lirinë. Ajo ka vuajtur shumë. Pas vuajtjeve do të vijë një ditë e mirë për të. Në Washington, Anthony Athanasi bashkë me bashkatdhetarë të tjerë është pritur disa herë në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka folur për të drejtat e bashkëkombasve, i është lutur Amerikës që të luajë një rol më aktiv për të mirën e Kosovës që po vuan nga regjimi i Beogradit. Më 1990 Athanasi shkeli për herë të parë pas kaq dekadash në tokën e lindjes. U takua me të afërmit, me qeveritarët, me presidentin e atëhershëm Ramiz Alia, fotografia e të cilit qëndron në muret e restorantit, tok me figurat më të njohura të botës që kanë frekuentuar këtë lokal. Pas kësaj vizite, Athanasi e vizitoi Shqipërinë edhe disa herë të tjera. Megjithë dëshirën time për të vazhduar akoma, e ndjej se e “teprova” në kohën që i mora duke biseduar me të. Bëhem gati të ngrihem e për ta falënderuar. - Dhe unë të dhashë gjithë ç’pata, – më thotë ai. – Nuk kam folur kaq gjatë për asnjë gazetë në jetën time. E dua gazetën “Illyria”, e dua se është jona. Mbajeni të gjallë gazetën, se ajo është kujtesa jonë këtu në Amerikë. Ne jemi të përkohshëm, por gazeta mbetet ndër arkiva. Kombi ka nevojë për historinë tonë këtu në kontinentin e largët. Jemi pjesë e atij kombi që flet gjuhën e bukur shqipe, – thotë Athanasi, i cili më përshëndet dhe më lutet të kthej prapë në restorantin e tij. Në atë çast, djali i tij sjell një fotografi të vjetër që daton rreth 60 vjet më parë. Në të shihej Athanasi, përtej banakut, duke u shërbyer klientëve në restorantin e tij të parë në Lynn. Këtë fotografi, e ka kërkuar muzeu i qytetit për ta ekspozuar. Anthony Athanasi u martua më 1940 me Esther Mitchellin, e lindur në Shqipëri. Çifti Athanasi ka katër djem: Anthony Jr., Robert, Paul dhe Michael. Përpara se të linim restorantin, i hodha dhe një sy tablosë që po më shpalosej përpara. Po binte muzgu, çasti më magjik, kur natyrës i shtohet bukuria e papërsëritshme e perëndimit të vagëlluar. Dielli po rrëshqiste mbi sipërfaqen e lëmuar të kaltërsisë së pafund. E kuqërremta e ndezur e horizontit puthte kaltërsinë e oqeanit, duke shpërndarë përreth një ndjesi të pafund lirizmi. Bostoni po lahej nga rrezet e fundit të diellit. Lamtumirë, i madhi Athanas! Shënim: Anthony Athanas ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Swampscott (Massachusetts), në maj 2005. Ky shkrim u mor nga libri “Shqiptarët e Amerikës”, botuar në New York në vitin 2003. Kanë thënë për Anthony Athanasin Përgëzim për Anthony Athanasin Nga At Arthur Liolin Shtëpinë e të parëve e la hipur në gomar, tash miliona njerëz nga të katër anët e botës ia mësyjnë konakut të tij; Gjithë ç’mund të ofronte në rini ishte një bukë dhe shportë frutash, tani sytë të mbesin në gjërat që shtron në tavolinë. Shoqëri mban me shkollarë e shtetarë, por më shumë kënaqet nga meseletë shqiptare. Dramaturgë e yje filmi e përqafojnë me adhurim, por përqafimi i babait mustaqegjemb ishte përqafimi më i ngrohtë që ka pasur në jetë; Ai mirëpret në restorantin e tij diplomatët më elokuentë të Kombeve të Bashkuara, të cilëve u rrëfen fabulat thumbuese të Nastradinit. Këshilli Kombëtar i Krishterëve dhe Hebrenjve e çmon lart për sensin e tolerancës dhe vëllazërinë ekumenike, por zemra i miklohet e fytyra i ndrit kur falet në kishën e farefisit të vet. Ai bashkon kardinalët romanë, prelatët ortodoksë shqiptarë dhe imamët myslimanë për të rrahur problemet e përbashkëta, veç është rabai hebraik ai që i dhuron katedrales së tij cohën ceremoniale. Çdonjërin e pret me buzëqeshje, por zemrën ia kanë prekur nevojtarë të panumërt. Duke synuar ekselencën, nga të tjerët kërkon përsosmëri, por zakonisht më së shumti kërkon nga vetëvetja. Derisa të tjerët, shumë më të rinj, i ikën punës, ai ngrihet që me natë për t’u ndeshur me provokimet e ditës së re. Megjithëse në piedestal të lëmisë së tij, fare s’ka humbur nga thjeshtësia dhe vitaliteti. Zoti ju bekoftë, juve Athanas, gruan tuaj të rrallë Esther dhe të katër djemtë sokola. Lusim Perëndinë të jetoni 100 vjet! Presidenti Richard Nixon për Athanasin Urimet e mia më të ngrohta për shpërbimin “Golden Door” nga Instituti Ndërkombëtar i Boston-it. Kjo është një mirënjohje e merituar për kontributet e shumta që keni dhënë për komunitetin tuaj. Gjithashtu ky shpërblim është një nder për kombin shqiptar dhe traditat shumë të lashta të këtij populli. Unë si mik i juaj për një kohë të gjatë kam admiruar shpirtin tuaj bujar dhe jam veçanërisht krenar t’i bashkangjitem gëzimit për arritjet tuaja dhe më vjen mirë që kam rastin t’ju them, ju lumtë! Athanasi është njeri me vizion të madh. Në qytetin e tij, Bostonin jugor ai pa atë që të tjerët nuk e panë. Duke qenë njeri me kurajo dhe përkushtim, ndërtoi në limanin e vjetër restorantin më të famshëm në botë. (South Boston Tribune) Anthony Athanasi është shqiptar i dalluar, të cilin ne të gjthë e njohim dhe e duam. Ai është një njeri, i cili është në gjendje që armiqësinë dhe humbjen ta shndërrojë në pasuri, një punëtor i palodhur, i cili gjen kohë që t’u dedikohet kauzave të ndryshme dhe të ruajë biznesin e vet dhe integritetin e tij personal të paprekur. Ai për ne është një shkëndijë drite që na tregon rrugën dhe na bën që të gjithë të ndjehemi të mirë. (Dr. Andrew D. Elia) Një aforizëm i Athanasit: janë tri gjëra që e tërheqin një njeri të shkojë në restorant: zjarri, uji dhe gaforrja. Dhe të tria këto i gjejmë rrëzë detit, në Pier 4. (Restaurant & Institutions, shkurt, 1984). Shoqata “Evangeline Athanas American Cancer Society Scholar Award” jo vetëm që i njeh kontributet sinjifikative financiare të Anthony Athanasit për kurimin e kancerit në Massachusetts, por gjithashtu riafirmon devotshmërinë e shoqatës së kancerit amerikan për të inkurajuar hulumtuesit e rinj në këtë vend. (Stanley Shmishkiss, Daily Evening, 1985) Anthony Athanasin e kam njohur që prej ditëve të para që kam ardhur në Amerikë afër 45 vjet të shkuara. Shumë herë më ka vizituar me zonjën dhe djemtë e tij këtu në Michigan dhe unë e kam vizituar shumë herë në shtëpinë e tij. Në shumë raste kam kërkuar prej tij ndihma si për xhaminë e Detroit-it, ashtu edhe për atë të Waterbury-t dhe gjithmonë ka kontribuar bujarisht. Është një patriot i zgjedhur, shqiptar i ndershëm. Është shumë vështirë për të përshkruar karakterin e tij burrëror dhe përvujtësinë e tij shembullore . Është gati gjithmonë të ndihmojë. E ka ndihmuar çdo shqiptar që i është drejtuar atij, pa dallim feje e krahine. Ai e ka përdorur pasurinë që i ka dhënë i madhi Zot me përpjekjet e tij për të mirën e mbarë shqiptarëve. Unë kam një admirim shumë të madh e i lutem Zotit që t’i japë jetë të gjatë e të na rrojë me qindra vjet që t’i shërbejë kombit. (Imam Vehbi Ismaili) Nëse një kishë shqiptare ka nevojë për një piano apo për farë renovimi, Anthony zakonisht e kryen këtë punë. Nëse ai dëgjon për një mik shqiptar që ka nevojë për ndihmë, ai zgjat dorën e ndihmës. Mikpritja e tij nuk njeh kufij kombëtarë dhe ndihma e tij shkon për kauza e institucione të ndryshme. (Qerim Panarity, Dielli, 27 dhjetor, 1972) Kujtime të një ish zyrtari të Vatrës për Anthonyn Për personin dhe punën e Anthony Athanasit, shqiptarët janë shprehur me gojë e me shkrim për shumë vjet. Duke mos dashur të përsëris gjëra për jetën e tij që i di gjithë bota, unë do të kufizohem me disa shënime për marrëdhëniet e mia me Anthonin. Këto marrëdhënie filluan gati 40 vjet të shkuara, kur unë punoja në zyrën e Federatës “Vatra” si redaktor i “Dielli”-t, bashkë me Qerim Panaritin dhe sekretar i Federatës. Në atë kohë (1959), “Vatra” festoi 50 vjetorin e organit të saj “Dielli”. Më kujtohet se Anthony dhe unë punuam së bashku me zell të madh për më se 6 muaj, gjatë përgatitjeve të festimit. Kremtimi i përvjetorit pati sukses të madh. Ishte një ngjarje e shkëlqyeshme që gjallëroi gjithë koloninë shqiptare të Amerikës. Një vit më vonë, më 1960, unë dhe një shqiptar i ri në Boston i propozuam Komisionit Qendror të “Vatra”-s që të mbante një seminar për studimet shqiptare. Kjo ishte një iniciativë e re që ne mendonim se do t’i shërbente kolonisë nga shumë pikëpamje. Mirëpo, për arsye të ndryshme, Kryesia e “Vatra”-s e priti me ftohtësi propozimin tonë. Në të vërtetë, seminari do të kishte dështuar, po të mos ishte Anthony Athanasi. Ndonëse ai nuk bënte pjesë zyrtarisht në Kryesinë e “Vatra”-s, e pëlqeu propozimin dhe më dha mua përkrahjen që më duhej për të organizuar seminarin. Paskëtaj edhe krerët e “Vatra”-s bënë kthesë dhe e pranuan idenë për të mbajtur seminarin. Seminari u mbajt gjatë një jave, me folës të tillë si Fan Noli, Arshi Pipa, prof. Thoma Nasi dhe dr. Carleton Coon nga “Harvard University”. Ai u prit me interes të madh. Pati biseda plot entuziazëm në një ambient të ngrohtë, sikur ishim mbledhur në shtëpinë e një miku të ngushtë. Ç’tregojnë këto dy ngjarje për Athanasin? Ato tregojnë lidhjen e tij të ngushtë me Federatën “Vatra” dhe “Dielli”-n. Tregojnë dashurinë që ka për vendlindjen dhe për kulturën shqiptare. Madje, ato vënë në dukje se ai nuk lejoi që suksesi i madh që arriti në tregti ta largonte nga shoqëria shqiptare dhe të harronte origjinën e tij. Edhe kur u largova nga Boston-i dhe u vendosa në San Diego, Anthony dhe unë nuk i premë marrëdhëniet, as linjat e komunkimit. Vazhduam të bashkëpunojmë kur e donte puna, në lidhje me çështjet shqiptare. Si përfundim, mund të them se në përgjithësi Anthony Athanasi dhe unë kemi pasur marrëdhënie të mira, të ndershme dhe të frytshme. Prandaj, kujtoj me kënaqësi kohën e gjatë që kemi punuar së bashku, për të ruajtur kulturën dhe gjithë trashëgimin shqiptar në Amerikë. (Prof. Peter Prifti) Në ferrparajsën e emigracionit amerikan, Athanasi do të jetë një nga shembujt më të qëndrueshëm të biznesmenit të suksesshëm. Shumë mund ta duartrokasin a ta qortojnë për qëndrimin e tij racional ndaj regjimeve që mbrothësuan apo rrënuan vendlindjen e tij, por që të gjithë bashkohen në mendimin se dashuria e tij për Shqipërinë ka qenë e palëkundur. (Pëllumb Kulla, ish ambasador i Shqipërisë në OKB). Biznesmeni ynë në faqet e një botimi amerikan Po lexoja para pak kohësh librin “Napoleon Hill’s Keys to Positive Thinking” të autorit amerikan Michael J. Ritt, Jr. dhe me nëntitullin “10 Steps to Health, Wealth, and Success”. Është fjala për atë lloj literature që të mësojnë jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht se si të kesh sukses në jetë e në biznes. Diku më zuri syri një emër të njohur: Anthony Athanas. Për të qenë i sinqertë me lexuesin, e mora për ndonjë koincidencë se m’u duk si e pabesueshme që një autor i njohur amerikan të citonte një biznesmen shqiptar. Por qe e vërtetë. Dhe ja se si: Në kapitullin e njëmbëdhjetë, pasi i ka shpalosur tashmë të dhjetë hapat që duhen bërë për shëndet, pasuri e sukses, autori këshillon: “Studio, mendo dhe planifiko përditë”. Gjithmonë të mendojmë e të veprojmë në mënyrë krijuese. Dhe ja, pikërisht në këtë moment kulmor të librit ai sjell shembullin e biznesmenit tonë të suksesshëm: “Kur Anthony Athanasi hapi restorantin “Pier 4” në Boston, kë mendoni ju se ftoi ai si miq të tij atë natë? – pyet autori në formë retorike. – Presidentin, governatorin apo personalitete të televizionit, filmit e teatrit? Jo. Ai pati bujtës çdo shofer taksie që mund të vinte atë natë, bashkë me gruan apo mikeshën e vet”. Arsyeja përse e bëri këtë nuk është e vështirë të merret me mend, megjithatë autori shton: “Kur ju jeni në Boston dhe uleni në ndonjë taksi, siç kam bërë dhe unë, me siguri që i kërkoni shoferit se “kush është restoranti më i mirë në qytet?” dhe ju e merrni me mend përgjigjen”. Duke konkluduar, autori shton: “Anthony është i suksesshëm sepse ai gjeti atë që kërkonte përmes kohës që i kushtoi studimit, të menduarit dhe planifikimit”. Ndonëse për biznesmenin e suksesshëm shqiptar unë kisha dëgjuar aq shumë, citimi i mësipërm më bëri një efekt të veçantë: kemi aq shumë nevojë të dëgjojmë një fjalë të mirë për veten, sidomos nga të tjerët e, për më tepër nga një autor amerikan. Sigurisht që mua do të më qe bërë qejfi akoma më shumë sikur autori të kishte evidentuar në libër edhe origjinën e biznesmenit tonë të suksesshëm, por ja që s’e kishte bërë këtë. Le të përpiqemi ta bëjmë ne atë që nuk e bëri ai e të tjerë si ai. (Andon Dede)
Posted on: Sun, 04 Aug 2013 18:12:23 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015