A keni dëgjuar për Meço trimin e Rrëzës, nga - TopicsExpress



          

A keni dëgjuar për Meço trimin e Rrëzës, nga Biovizhda? Biovizhda është një qendër e banuar në pjerësitë lindore të malit Nemërçkë, mes Zhepës dhe Vllahut të lashtë. Gjurmët e krijimit të saj të çojnë në vitet 1400 (fillimet e pushtimit nga Perandoria Osmane). Thuhet se banorët e parë të saj janë ata të familjes së spahinjve, që erdhën nga Hotova. U kthye në mysliman i pari i tyre, u gradua spahi nga sulltani, iu dha të administronte Biovizhdën dhe diçka më tepër. Nga mbiemri Caci që mbante rrënja e tyre në Hotovë, këta të Biovizhdës e kthyen në Çaçi. Atë mbiemër mbajnë edhe sot shumë nga pinjollët e tyre. Bejlerët e Biovizhdës që kishin miqësi me ata të Frashërit, Podës, Seranit, Vllahut etj, në kohën e Ali pashë Tepelenës i zgjeruan çifligjet, duke kthyer në prona të tyre edhe shumë prona të tjera në Rrëzë (s’ka asnjë dokument që mund t’i kenë blerë, por ka shumë që i kanë shitur në fund të viteve 1800 dhe fillimin e viteve 1900)), bile kishin dy-tre çifligje edhe në rrethinat e Janinës. Për nevojat e tyre e populluan atë vend, thërritën e vendosën disa familje të tjera shqiptare, por edhe greke e vëlleh, në periudha të ndryshme kohore. Një ndër to ishte edhe familja shqiptare e Ismail Beqirit (Ago). Malja, siç e thërrisnin, punonte te bejlerët të cilët nuk e paguanin me lek, por pagën ia kompesonin me qëngja e keca dhe i kishin dhënë pak tokë me të tretën. Ismaili u martua me Mezare Latif Jaçe, nga Stërmbeci, motrën e Plakut të Sqatenikut, komit i çetës Sali Butkës, Muhamet Jaçes. Ata lindën dhe rritën një varg fëmijë, katër vajza dhe 3 djem. Djemtë, Xhemali, Bektashi dhe Mediu, u bënë të zotët e punës dhe të dyfekut. Familja nuk pati ndonjë të mirë nga pushtimi fashist. Skënder Çaçi, Hero i Popullit, bashkëfshatari dhe brezi i djemve, me një mentalitet e ideologji ndryshe nga paraardhësit e tij, punoi edhe në vendlindje për të ngritur popullin në luftë, për një ‘Botë të Re’, siç ëndëronte shumica e njerëzimit në ato vite. Tek djemtë e Males ai gjeti mbeshtetje të plotë. Ata ishin ndër të parët që i dollën në krah për organizimin e luftës, duke u hedhur në aksione konkrete. Ndër ta, ndër më aktivistët që punoi pa u lodhur, nga Vllahu në Stërmbec, ishte edhe Medi Ismail Beqiri (Ago), me pseudnimin e luftës “Meço”. Meçua me të vëllanë krijuan celulën e parë të armatosur në ato fshatra. Mbi atë bërthamë u krijua çeta e Rrëzës në 16 prill 1943, me komandant e komisar Riza Çaçi e Minella Bulka dhe antarë formues Medi Ago, Pilo Kosta, Çome Mandi (dëshmor), Xhemal Ago, Vasil Gjini, Jorgo Qirici, Theofan Naçi etj. Çeta e tyre ishte pjesa më aktive e luftës me armë në dorë në atë zonë. Ajo ishte pjesë aktive, e rëndësishme edhe e pritës dhe luftës që u bë në fushën e Çarshovës. Drejt vendit ku ajo kishte zënë pozicjonin luftarak, te shkëmbi në të majtë të vjosës, thikë me vendin e betejës, fashistët italianë drejtuan goditjen kryesore me armët e rënda, e bombarduan intesivisht me artileri dhe tërë mjetet e blinduara që dispononin. Çeta e Rrëzës ishte prezent edhe kur u çlirua Leskoviku dhe forcat partizane e balliste u futën në qytet. Partizanët e asaj çete u inkuadruan në formacjont e njësitë partizane dhe luftuan me vetmohim. Në ato dit të nxehta lufte murtaja naziste kërkonte me çdo kusht të njihte situatën në luginë edhe në Rrëzë, shkruhet në dokumentet historike të kohës. Ata fusnin grupe të vogla zbulimi, madje hera-herë të veshur edhe me veshjen e zonës ose si barinj. Në një nga ato dit bashkë me vëllanë, Xhemalin, kur Mediu zbriste nga Grehoti, në një vend të zhveshur, u gjendën përball një patrulle gjermane që lëvizte në drejtim të kundërt. Patrulla u foli gjermanisht. Sa hap e mbyll sytë të dy gjermanët ranë për tokë. Xhemali qëlloi menjëherë dhe i la të vrarë. Pas dy dite nga gryka e përroit po zbriste një skuadër gjermane prej 7 vetash, me një aparat në krahë dhe përpara u printe një qen i madh. Mediu zbriti me vrap poshtë dhe te përoi i Nasit u zuri pritë. Mbështetej nga shokët, të cilët qëndronin lartë. Sa i del qeni përpara e qëlloi dhe e vrau. Me një të qëlluar palosi dhe gjermanin e parë. Njëri prej tyre deshte t’i merrte krahët, duke ecur nëpër një kanal me ujë. Mediu nuk e pa dredhinë e tij, por shokët që vrojtonin skenën i thërritën nga lartë, - Meçoooo po të merr krahët. E shpëtuan. Sa kaq hapi zjarr dhe e azgjësoi. Të njëjtin fat pësuan dhe katër të tjerë. Kur po kontrollonin të vrarët dhe po u merrnin armatimin, njëri prej tyre, i shtati, ishte i plagusur, ngriti duart përpjetë duke folur në gjuhën e tij. E kuptuan se ishte austriak dhe pretendonte se e kishin marrë me zor në luftë. E çarmatosën, i prenë ca gjethe dhe e vendosën nënë një hije, të merrte veten dhe të ikte. Mediu mori pjesë aktivisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai u rreshtua në brigadat partizane dhe luftoi deri në tokat jugosllave. U plagos dy herë gjatë betejave partizane. U kthye në vendlindje me lirinë. Nuk shkëputej dot nga vendlindja, luftën e bëri për të çliruar atdheun dhe jo për t’u shpërngulur nga Biovizhda. Sa u kthye në shtëpi iu përvesh punëve në bujqësi dhe blektori. E zgjodhën edhe kryetar pushteti, me modesti e pranoi, pa e ditur se ai funksion do t’i ndryshonte rrjedhën e jetës. Ishte koha kur nga rrethi vinin detyrime taksative për familjet fshatare te paguanin tatimet. Në Biovzhdë atë kohë u shkon tatim të paguanin lesh disa familjeve që nuk kishin asnjë kokë bagëti. I takonte Mediut t’u dilte në krah, të zgjidhte atë ngatëresë në se ishte e atillë, sepse u kërkohej bashkëfshatarëve të jepnin atë që nuk e kishin. Akoma nuk kishte ikur era e barotit nga lugina. Shkoi Mediu në qendër të grumbullimit, në Çarshovë, me atë vrullin, besimin e çiltërsinë partizane, që e karakterizonte. I shkoi në zyrë përgjegjësit të grumbullimit dhe i shtroi shqetsimin e familjeve të fshatit të tij. Po përgjegjësi i grumbullimit këmbëngulte në të vetën. Puna vajti deri te koburja. Drejtuesi që kishte lënë pistoletën mbi tavolinë sikur ia kuptoi mendimin Meços dhe e hoqi pistoletën. – Të mos ta kishte hequr, e vrava – kujtonte Mediu. Atëhere i tha përgjegjësit të sektorit grumbullimit: - Fshatarët e mij do të paguajnë tatimin e leshit, kur të qethim mustaqet e Stalinit. - Gjuha kocka nuk ka po kocka thyen, - tha përgjegjësi i zyrës, që nuk e la me aqë. Të gjithë kundërshtarët e tij me në krye agjentët u hodhën në ofensivë. E çuan çështjen deri në gjykatë. Mediu nuk ishte nga ata që kishte bashkëpunuar me nazifashistët, përkundrazi kishte luftuar dhëmb për dhëmb me ta. Rrënja e tij i dha shumë asaj lufte, familja e tij kishte aqë partizan sa formonin një skuadër, shtëpia e tij por edhe e dajos e hallos në Stërmbec i dhanë gjithçka asaj lufte, ishin baza të Luftës Nacionalçlirimtare, bile tre të plagosur dhe mbi të gjitha Islam Lamçen (djali i hallos) dëshmor të luftës. Por, Mediun e mbyllën pas dritareve me hekura, se dolli në mbrojtje të të vobektëve. Në vitin 1952 u arrestua. Gjatë e mbajtën në hetusi, për të vërtetuar akuzën dhe në fund e dënuan për agjitacjone e propogandë me 12 vjet heqje lirie. Goditja ishte e rëndë, e dyfishtë, po e dënonte pushteti për të cilën kishte luftuar, po e fusnin në burg ata që i kishin e u kishte lidhur plagët dhe po linte në shtëpi, në vetmi, bashkëshorten me një djalë të vogël. Çfar zhgënjimi. Dhe përse? Për mustaqet e “Çelos”, nga injoranca, burokracia dhe zilia e ziliqarëve. I prenë në mes ëndrat, vrullin për të ndërtuar një jetë të begatë. Nuk e lanë t’i gëzohej lirisë, fitores, premtimit që e kishte dëgjuar aq shumë herë gjatë luftës, ‘pushteti është i popullit’. Kur dolli nga burgu shkoi përsëri në vendlindje për ta filluar jeten atje ku e kishte lënë vite më parë, por gjërat kishin marrë më shumë për keq. Familja e tij dhe tërë rrënja kishte pësuar një traum të rrëndë psikologjik, aq sa edhe djali që kish mbaruar shkollën e mesme, nuk i jepnin punë në profesjonin e tij. Njerëzit e këqinjë, përsëri nuk e linin rehat atë patriot të shquar. Ai tashëm shikohej e trajtohej si armik i atij pushteti për të cilin pat luftuar, e kishin hedhur e rreshtuar me krahun e kundërt. Jetonte ditë të vështira. Në ato kushte të rënda ekonomike, por sidomos psikollogjike, se prodhimin e nxirrte edhe nga guri për të mbijetuar, u shtërngua të merrte një vendim, të vinte në pres te briskut jetën e vajzës, foshnjë dhe të djalit, të bashkëshortes Taibesë, bijë në Lapajt e Peratit dhe të tijnë. Mori një vendim: - Ja liri, për të cilën kishte ëndëruar ose një orë e më parë me të shumtët, ashtu nuk durohej më. Në vitin 1968, në një natë të herët vet i katërt ai kaloni kufirin, mes grykave të pushkëve, që vigjilonin për të mos u shkelur kufiri nga të dy krahët. E njihte me pëllëmbë kufirin, shumë më mirë se ata djem të rinj. Atje ishte lindur e rritur. Meqënë se kufiri përball Biovizhdës ishte pothuajse i pakalueshm, ngaqë ishte vendosur kloni prej teli, pa u diktuar nga kufitarët, e kaloi në afërsi të Zhepës. Shteti fqinjë nuk donte ta linte t’i shpëtonte nga dora ky “zog”. I premtuan, e çfar nuk i premtuan, por ai nuk ishte nga ata zogjë që binte kollaj në grackë, nuk gënjehej me dy kokrra misri. – Kam ardhur për të shkuar në SHBA, u tha grekëve, të cilët pas shumë muaj sorollatjesh e nisën ku deshte. Mediu punoi dhe jetoi në botën e lirë qe ëndëronte. Gëzoi ato vite të jetës që i kishin mbetur. Sa u hapën kufijtë, në ’90-ën, u kthye në Shqipëri dhe shkoi në vendlindjen e tij. Takoi miqtë e shokët kudo ku i kishte, mori pjesë edhe në dasma për të cilat e kishte marrë aqë shumë malli, bile edhe kryekrushk, u bë dollibash, ngriti dolli e piu shëndete sipas traditës. Nuk i kishte haruar, ishte tepër i madh kur u shtërngua të linte atdheun. Po në ato vizita që bëri në vendlindje nuk la pa i takuar edhe “miqtë” që i ndryshuan rrjedhën e jetës. Kërkoi me insistim t’i takonte, por kur arriti t’u dilte përballë me vështirësi i përmbajti emocjonet ndaj ndonjë ardhacaku që i kishte mbushur mendjen të dilte në mal, të ecte në udhën e duhur dhe ai i’a shpërbleu duke hedhur aq shumë baltë mbi të, i’a mohoi luften dhe virtutet e tij. Por, Meçua e dinte, kishte rrjedhur shumë ujë nga atëhere, kishin ardhur kohë të tjera, ishte i emancipuar dhe nuk mund të bënte vetëgjyqësi, ndaj atyre që u bënë si pula dhe dridheshin para tij. U shua nga jeta në 21 qershor 1999 në Florida dhe, sipas amanetit që u la fëmijëve, u varros me nderime në Çarshovë, në 6 korrik 1999. sh saliu nentor 2013
Posted on: Mon, 02 Dec 2013 19:44:47 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015