AKTUALITETI I SHKRIMEVE DHE I MENDIMEVE TË ARTA TË TË MADHIT - TopicsExpress



          

AKTUALITETI I SHKRIMEVE DHE I MENDIMEVE TË ARTA TË TË MADHIT PATRIOT MIDHAT FRASHËRI PLAGËT TONA Çë na mungon? Çë duhet të kemi? IDEALI Një popull nukë rron dot pa ideal, pa një shtytkë, pa një qëllim që e bën të ecënj, të punojë, të përpiqetë dhe të përparojë. Njeriu lind natyrisht aktif : lëvizja dhe tundja i janë të nevojë-shme: i sëmuri që mbërthehetë në shtrat, i burgosuri që dënohet me të mos dalë jashtë odës, bien në mërzitje dhe në melankoli. Burgimi në vetësirë është një nga më të rëndët e mundimevet. Njeriu i duhet të ecnjë, të lodhetë, të punojë, të flasë. Po puna dhe aktiviteti i njeriut si individ, i një njeriu të vetëm, veç e veç, janë të humburë po që njerëzit nukë ditnë të bashkojnë punimin dhe aktivitetin e tyre, t’a drejtojnë në një qëllim, në një drejtim. Ahere dhjetë njerës bëhenë sa një qint njerëz, mbase dhe sa një mijë. Ky qok që dinë të ndjekin njerëzit e një kombi, behetë ideali i ati kombi, bëhet fuqija e tij morale. Pa një fuqi morale, pa një pikë drejt së cilës duhet të rendin së bashku, njerëzit dhe popujt vdirenë, shuhenë. Vini re popujt e tjerë: Englezi ka për ideal të rrojë mirë, i lirë, dhe të sunojë botën: Ky ideal i jep bashkim dhe forcë, e bën me të vërtet të zotin, se drejt këti qëllimi venë fuqi e njerëzvet, e shkrimtarëve, e gazetarëvet, e qeverisë, e gjithpolitikanëvet, e çdo Englezi që nga më i madhi gjer ne më i vogli, që nga foshnjeja ne djep gjer ne plaku që jep frymën e fundit, brënda në Ingliterë ose në Pol të Jugut. Tyrqit nisnë si një çetë ushtare; ishin të bindurë se islamisma kishte nevojë për krahun dhe shpatën e tyre. Edhe asgjë nuk’ u qëndroj dot përpara, që nga lumi Volga e ne lumi Tunë, nga stepet e Rusisë e në shkretinë të Suharës, nga mënga e Persisë e në Marok. Kur humbet ideali, besimi ne fati, kur venitetë qëllimi dhe çduketë qoku, atëherë trupi bëhetë si kufomë, i ka ikurë shpirti, rrëzohet si thesi që është derdhurë mielli. Historija na rrëfen një tok shëmbëlla. Po le të vimë më afrë nesh: Greqia u-ngjall nga robëri e Tyrqisë, pse populli grek besoj me të vërtet se është stërnip i Elinëvet, se kryqi orthodhoks do të luftojë me krahun e tyre fuqin’ e Muhamedit, se Perëndia i thëriste të ringjallin Bizansin, të bëhenë të lirë dhe fatbardhë. Lufta e grekëvet që më 1770 gjer më 1829 janë shembëlla plot mësim për forcën që munt t’i jap njeriut ideali, puna plot shpresë dhe vullnet, besimi ne fati i tij. Sërbija u-rit dhe u-madhua kur vërtet poetët dhe shkrimtarët e saj i inspiruanë se do të ketë i tërë kombi fatin e një pasaniku të lumturë të Dushmanit. Kjo fe i bëri të shohin shesh të lirë përpara sy vet të tyre, të kenë kurajo përpara çdo reziku, si kalorësi i zoti që hipën një kalë të mirë dhe s’i trëmbet syri, as nga hendeku, as nga ledhi. Shpresa mbahetë me punë dhe me ideal. Ay që s’ka një qok, s’ka as fuqi, ësht’ i sëmurë. Entusiasma vjen prej dëshirës së fortë, prej amorit, prej vullnetit dhe dëshirësë. Ajo na bën që të duamë të rrojmë, të gëzojmë jetën.. Ajo na bë, prapë që të therorësojmë jetën tënë për ëndrrën dhe qokun. Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëri dhe nderi i Shqipëtarit, njësi dhe bashkimi i kombit, lumtëri dhe përparim i përgjithshëm. Në qoftë se bindemi që duhet të jemi një faktor qytetërimi në Ballkanët, që do t’a bëjmë vëndin tënë një kënt toke të lulëzuarë, të pajuarë me gjithë bukuritë morale edhe materiale, se do t’a bëjmë kombin që të përmendetë me nderim dhe lëvdatë, atëhere, padyshim, do të ecim, do të përparojmë, të bashkuarë, të fuqisuarë, se do të kemi një dritë, drita që na jep dëshira e nderi dhe e madhërisë së përbashkët, dëshira që të zëmë një vënt në histori, një vënt nderi me një qytetëri tënë, me një literaturë, me një art, me një prosperitet lëndor tënë. Fuqija e shpirtet, ideali kombiar, do ta na jap hov edhe për lumturinë materiale. Mos reusitja personale nukë do të na dishprojë me, se do të mejtojmë sukcesin e përgjithshëm, do të kemi durim dhe metodë në punë, lark dishprimit dhe zemërimit. Ahere, kur të jetë ndezurë në zëmrët tënë ky zjarr i ngrohtë, do të shohim se bashkimi i dëshiravet dhe i fuqivet, është një nevojë për neve, si therorësi e egoismësë vetiake është një qejf për neve, se ne të gjithë do të shikohemi si vëllezrit e shokëruarë për veprën e përbashkët, për të ngrehurë godin’ e shëndoshë të madhërisë sënë. Demagogjija është të gënjyerët e popullit, me shpresa dhe premtime të remë, me qëllim intrige, për të nxierë trubullime. Një shkrimtar i math ka quajturë demagogun armiku i popullit.Miku i popullit nukë mbiell grindë midis vëllezrëvet, po siell afërim; nukë përpiqetë të ulnjë dhe të rëzojë të madhin, po kujdesetë si të lartësojë dhe të forcojë të voglin; nuk diek dhe prish, po ngreh dhe forcon. Barasimi, egaliteti, s’do kërkuarë në baltë, po në sferat e larta. Mos ja pshih kurrë të vërtetën popullit, sado e hidhurë, e papëlqyerë që të jetë kjo e vërtetë. Mos lajko llauzin, mos u-bë demagog duke i bërë qejfin, t’a bësh mik me gënjeshtra. Më mirë të të bëhet armik duke i thënë të drejtën dhe të vërtetën, se nesrë të ka për të çmuarë, kur t’i zgjuhetë kujtimi, dhe armiku i sotmë do të të duketë mik i vërtetë. Mos shikoni të fitoni miqësin’ e botësë duke i thëne fjalë që i pëlqejnë, po të rema. Përpiqemi të tërhiqni nderimin dhe respektin e tij duke i dhënë këshilla pozitife, makar dhe të këqija sikur të jenë. Kombit tonë më teprë se nga çdo sendi i mungon durimi. Kërkon që një punë të bëhetë me një ditë, dëshëron që drurin t’a mbjellë në mëngjes dhe pemën t’ja hajë në drekë. Nuk i pëlqen të presë, të bëjë llogari për kohë të gjatë, të punojë për vitet që do të vijnë, të vuajë shumë kohë duke priturë ditë gëzimi. Jo. Ay thotë “më mirë një ve sot, sa një pulë në mot” dhe kështu kurdoherë ka mbeturë dhe mbetetë pa ve. MIDHAT FRASHËRI (1880-1949) Midhat Frashëri ka lindur më 25 mars 1880 në Janinë. Është djali I Abdyl Frashërit. Më 1883 bashkë me familjen vendoset në Stamboll ku shkollohet dhe e kalon rininë. Ka punuar në administratën turke në Stamboll e gjetiu deri më 1910. Duke qenë i rritur e i edukuar në familjen e Frashërve ai mori dhe kultivoi idetë e tyre të shqiptarizmit dhe gjithë si trashigimtar shpirtëror i babait dhe i Naimit e Samiut, ai u bë për brezin e vet ideatori i Shqiperisë etnike e të qytetëruar. Ishte njëri ndër organizatorët e Kongresit të Manastirit më 1908 ku u zgjodh kryetar i Kuvendit dhe anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të shqipes. Më 1912 ishte përfaqsues në Vlorë, ku u shpall pavarësia e Shqipërisë, madje u emërua Ministër i Punëve Botore në Qeverinë e parë. Ka pasur funksione të ndryshme në qeveritë shqiptare. Si delegat i Stambollit dhe i “Vatrës” ka qenë pjesëmarrës në Konferencën e Paqes në Paris, më 1920. Midhati ka qenë prijës i Ballit Kombëtar. Dekalogu(programi) duket të jetë vepër e tij. Ka qenë pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes më 1943 kur u arrit një marrëveshje ndërmjet forcave politike shqiptare, e cila u prish dhe krijoi tragjedi të mëvonshme. I arratisur, Midhat Frashëri vdiq në Njujork, më 3 tetor 1949. Midhat Frashëri ka qenë njeri i dijshëm dhe i kulturuar, një nga më të dijshmit të brezit të tij shqiptarë. Faik Konica në fund të shekullit XIX (më 1899, Parashtresa) e quan atdhetar dhe njërin nga më të diturit në mesin e të rinjve. Në botëm letrare Midhat Frashëri shfaqet si autor me pseudonimin Lumo Skendo dhe Mali Kokojka. Veprimtaria publicistike: Kalendari Kombiar, Lirija, Diturija Vepra letrare: Naim Be Frashëri, Hi dhe Shpuzë, Pritmi i Shqipërisë, Plagët tona Preshevë, më 3 mars 2010 Zgjodhi dhe e përgatiti për shtyp, Prof. Xhemaledin Salihu
Posted on: Wed, 18 Sep 2013 16:40:11 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015