ANGAZHIMI YNE NE LUFTE KUNDER DHUNES ME BAZE GJINORE Qendra - TopicsExpress



          

ANGAZHIMI YNE NE LUFTE KUNDER DHUNES ME BAZE GJINORE Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin është një nga 9 organizatat e para që ngritën zërin dhe avokuan për nevojën e hartimit të ligjit kundër dhunës në familje. Ajo ka kontribuar gjithashtu për hartimin e strategjive për barazinë gjinore dhe dhunën në familje. Disa nga objektivat e kësaj Qendre kanë qenë dhe mbeten ndërgjegjësimi i komunitetit për të reaguar lidhur me dhunën me bazë gjinore si çështje e rëndësishme jo vetëm sociale por edhe shëndetësore. Shumë të rinj dhe të reja janë trajnuar për të transmetuar tek bashkëmoshatarët e tyre dhe brenda gjirit të familjeve nevojën për të mos heshtur në rastet e ushtrimit të dhunës . Krahas saj përmes degëve të saj “Qendra Rinore PO” në Tiranë dhe “Qendra Aulona” në Vlorë ajo ka ofruar shërbime psikologjike dhe shëndetësore për gra dhe vajza që përjetojnë dhunë apo jetojnë në mjedise të dhunshme. Po ashtu për të ndërgjegjësuar përfaqësuesit e institucioneve shtetërore mbi pasojat shëndetësore që sjell dhuna si dhe mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me ofruesit e shërbimeve shëndetësore janë realizuar një sërë takimesh në të dy rrethet. Në kuadër të 16 ditëve të Aktivizmit kunder Dhunes ndaj grave (25 Nentor -10 Dhjetor) përmes vullnetarëve të saj kjo qendër realizon cdo vit shpërndarjen e materialeve ndërgjegjësuese. E veçanta e kësaj organizate në raport me shumë të tjera në vend është angazhimi i saj për përgatitjen e personelit shëndetësor për t’ju përgjigjur rasteve të dhunës në familje. Në kuadrin e zbatimit të Ligjit Nr.9669 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” janë miratuar akte nënligjore ku mund të përmendim në mënyrë të veçante tre Urdhrat e Ministrit të Shëndetësisë Nr.13, 14 dhe 15. Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin është një nga organizatat që në zbatim të këtyre urdhrave gjatë periudhës 2009-2013 ka zhvilluar trajnime të personelit shëndetësor dhe studentëve të fakulteteve të Mjekësisë dhe Infermierisë ne rrethet Vlorë, Tiranë, Shkodër , Fier dhe Durrës. Trajnimet janë zhvilluar mbi bazën e udhërrëfyesit për punonjësit e shëndtësisë që u hartua në vitin 2010 i titulluar “ Një qasje praktike ndaj dhunës me bazë gjinore”, nga Ministria e Shëndetësisë , UNFPA dhe Qendra Kombëtare për Studime Sociale. Ky manual së bashku me Programin e trajnimit u certifikuan nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Trajnimet e personelit shëndetësor kanë konsistuar në: njohjen me konceptet bazë mbi Dhunen me Baze Gjinore, legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar për dhunën në familje, sistemet e referimit të rasteve të viktimave të dhunës në familje si dhe plotësimi praktik i protokollit shëndetësor. Megjithatë mbetet ende problem moszbatimi i protokollit dhe referimi i rasteve të dhunës nga personeli shëndetësor gjë që kërkon evidentimin e vështirësive me të cilat përballet personeli shëndetësor për plotësimin e tyre. Në këtë kuadër, del si detyrë e domosdoshme, të përcaktohen masat për përmirësimin në të ardhmen të procedurës dhe protokolleve shëndetësore në mënyrë që sistemi i referimit të jetë më efektiv. Enela Mone- Koordinatore Qendra Aulona Vlore
Posted on: Mon, 25 Nov 2013 08:00:23 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015