ANGLEZËT E DINË MË MIRË SE KUSHDO SESI LËVIZEN NGA PRAPASKENA - TopicsExpress



          

ANGLEZËT E DINË MË MIRË SE KUSHDO SESI LËVIZEN NGA PRAPASKENA MARIONETAT E POLITIKËS SHQIPTARE. SHKRIMI I MËPOSHTËM (intevistë e Campbell) ËSHTË ILUSTRIM I KËTIJ FAKTI: INTERVISTA/ Një strategji për të nxjerrë në pension Berishën 9 Korrik, 2013 | Postuar në: Aktualitet,Politika | Shkruar nga: TemA Sélectionner une langue▼ Alastair Campbell, publicisti dhe krahu i djathte i ish-kryeministrit Tony Blair shprehet për JAVA mjaft i kënaqur me fushatën e fundit elektorale të Edi Ramës. “E ndjeja që herët që gjithçka do shkonte mirë”. Campbell konfirmon se Blair do të vijë së afërmi në Shqipëri për një projekt bashkëpunimi me qeverinë e re. Ai rrëfen sesi u kontaktua nga stafi i kreut socialist dhe sesi ndërtuan sëbashku platformën elektorale të “Rilindjes” Nga Skender Minxhozi, JAVA Shumë politikanë shqiptarë, por edhe media, u befasuan nga rezultati i zgjedhjeve. A mund të thuhet se ndodhi kështu edhe me ju? E kam të vështirë të jap një gjykim për këtë fakt. Kisha një ndjesi që relativisht herët, se fushata po shkonte mirë, por ajo që nuk dija ishte nëse kjo tendencë pozitive për Edi Ramën, do të përkthehej në vota. Por fakti që sondazhet ishin ato që ishin, me mjaft diferencë mes palëve, fakti që Edi sa herë që flisja me të, më thoshte që fryma ishte shumë e mirë, më dha të kuptoj se zgjedhjet kishin marrë një drejtim të caktuar. Besoj se kishte një ndjesi se Berisha po fillonte ta humbte fillin. Dhe mesazhi për ndryshimin, është gjithmonë një element shumë i fuqishëm në një proces elektoral. Pra, mendoj se kjo situatë nuk më kapi krejtësisht në befasi. Unë mendoja se Rama do të fitonte dhe se do të ishte një fitore e pastër. Ajo që dua të them, është se edhe kur isha në Angli, kur bëja fushata atje, unë nuk shqetësohesha shumë për numrat, sepse në fakt gjithë çka mund të bësh gjatë një fushate, është të përpiqesh të bësh më të mirën me mesazhin, për strategjinë. Por ajo që më ka pëlqyer nga puna me ta është se socialistët shqiptarë, e mendoj se kjo është arsyeja përse më kërkuan të punoj me ta, është se donin të bënin një fushatë më strategjike se ç’kishin bërë më parë. Pra, kishin një strategji shumë të qartë, kishin mesazhe shumë të thjeshta, shumë prioritete të qarta dhe ishin po ashtu shumë të hapur ndaj ideve të reja, për mënyrën sesi bëhej fushata. Ju besoj e keni ndjekur fushatën e PD. Ç’mendim keni për të? Si ia doli Berisha me fushatën e tij? Mendoj se me përjashtim të ditëve të fundit, ai kishte më shumë energji se sa mendoja unë se do kishte. Pra ai nuk ndalej, ishte i vendosur, çka është e rëndësishme për një fushatë. Por mendoj se ai filloi të duket shumë i lodhur nga fundi. Mendoj se e teproi me punën e rrugëve. Mendoj se u shfaq shumë si një politikan sulmues, në vend që të kishte gjëra pozitive për të thënë për të ardhmen. Atij i shteruan idetë. Mendoj se Edi gjeti ekuilibrin e duhur mes sulmit dhe mbrojtjes. Mendoj se ai shpenzoi shumë kohë duke folur për planet për të ardhmen dhe shpenzoi po ashtu shumë kohë duke sulmuar Berishën. Dhe arriti të gjente ekuilibrin e duhur. A mund të thuhet se Berisha e ndoqi pas Ramën, gjatë fushatës, përsa i përket temave, çështjeve të fushatës? Unë nuk kam qenë këtu gjatë gjithë kohës, por ndjesia që kisha ishte se Edi kishte një strategji më proaktive. Strategjia e Berishës mbështetej tek përpjekja për të minuar besimin e publikut tek Edi, si një kryeministër i besueshëm. Kështu që ata vendosën të sulmojnë Edin personalisht. Këtë e kuptoj. I dedikuan shumë energji kësaj gjëje, por Edi e përballoi mjaft mirë këtë situatë. Sa i lartë është mali që duhet të ngjisë qeveria e re? A jeni dakord me mua, që detyra e qeverisë së re është shumë e vështirë? Është një detyrë shumë e vështirë. Dhe mendoj se bëhet edhe më e vështirë në një situatë si kjo e tanishmja. Shikoni vendim tim, le t’ju jap një shembull. Dihet se ne kemi një sistem disi të ndryshëm elektoral. Në zgjedhjet e 1 majit 1997 dolëm fitimtarë dhe ishim në Downing Street (zyrën e kryeministrit, shën red.) në 2 maj. Nga gara drejt e në qeveri. Aty ti trashëgon një sistem administrate publike me përmasa mjaft të mëdha, që nuk është politik, por që është aty për secilën qeveri. Mendoj se këtu nuk ndodh e njëjta gjë. Ju keni një periudhë tranzicioni dhe mendoj se periudha e tranzicionit është diçka e mirë. Mendoj se i jep Edit kohë për të planifikuar, për të menduar, për të pushuar pak, për t’u fokusuar realisht në strategjinë e ardhme. Është një fjali e mrekullueshme nga Mario Cuomo, i cili thotë “le të bëjmë fushatë në poezi, le të qeverisim në prozë.” Teksa kalon nga fushata në qeverisje, që është diçka krejt e ndryshme, të duhet t’i marrësh të gjitha premtimet që ke bërë dhe t’i zbatosh. Dhe kjo është e vështirë, është e vështirë kur ekonomia është kjo që është. Siç e dini, ekonomia botërore nuk po ecën shumë mirë, ka shumë njerëz të papunë, ndërsa ka pritshmëri të mëdha. Por mendoj se Edi ka treguar shumë cilësi realisht të mira në fushatë, në kohën që unë e kam njohur. Mendoj se ai është strategjik, i fokusuar, cakton prioritetet, mendoj se po ndërton një ekip. Nuk mendoni që lista e premtimeve që ka bërë Rama është paksa e frikshme? Pse e thoni këtë? Sepse është shumë e gjatë. Janë shumë premtime për t’u mbajtur. Varet se çfarë kupton me këtë. Mendoj se premtimet e tij kryesore lidheshin me një sistem të ri taksimi – ky është një premtim i madh; në lidhje me sistemin shëndetësor, arsimin, krimin dhe korrupsionin. Këto janë çështje mjaft të mëdha. Shumë të mëdha. Por mendoj se publiku e di se gjërat nuk ndryshojnë thjesht e vetëm meqë u ndryshua qeveria. Qeverisë i duhet ta implementojë ndryshimin paskëtaj. Dhe do të testohet. Gjëja tjetër e rëndësishme që duhet kuptuar është se zgjedhjet dhe ndryshimi i qeverisë i jep vetë vendit mundësinë të shikojë vetveten dhe të hedhë shikimin jashtë në një mënyrë të ndryshme. Kështu që mendoj për shembull, me aq sa kuptoj, se do të ketë më shumë mundësi për investime të huaja dhe kjo, shpresoj, do t’ju ndihmojë me ekonominë. Jam dakord me ju, që diçka si sistemi shëndetësor është një çështje shumë e madhe, por thelbi i politikës është se mund të sjellë ndryshimin. Dhe për shkak të përmasave të fitores, ai do të ketë shumë energji, shumë mbështetje, për të bërë disa nga gjërat e vështira që në hapat e parë të qeverisjes. Sali Berisha ka mbërritur në fundin e ciklit të tij politik. Si do ta përshkruanit ju karrierën e tij politike gjatë këtyre 20 vjetëve, me aq sa e njihni si politikan? Unë nuk e njoh shumë mirë zotin Berisha dhe …shiko, të jesh kryeministër për 8 vjet është një arritje dhe duket qartë se ai mendon se ka bërë gjëra të mëdha për vendin. Por mendoj se në fund, përfundoi me shumë njerëz që, nëse do të përdorja frazën tënde, që mendonin se i kishte mbaruar koha. Unë nuk di mjaftueshëm për historinë dhe politikën shqiptare, për të parashikuar sesi do ta gjykojë atë historia. Dhe gjëja tjetër që dua të të them – dhe unë përfshihem në fushata si kjo – është e qartë se të duhet të fokusohesh te kundërshtari. Mendoj se nëse flet për shembull me Endri Fugën për ato që unë munda të ndihmoj dhe të bëj, aftësia ime kryesore është t’i bëj njerëzit të fokusohen tek fushata e tyre dhe tek strategjia e tyre. T’i përmbahen strategjisë së tyre. Kjo është ajo që bëj unë. Pra, nuk është se unë rrija duke menduar për kundërshtarin përballë…natyrisht që isha i interesuar për atë që thoshte Berisha dhe për atë që bënte, por nuk është se po e vëzhgoja gjatë gjithë kohës. Unë shihja Edin gjatë gjithë kohës dhe i thoja “ajo që bëre sot, ajo që bëre dje, ajo që the, si po e ndihmon ose jo kjo strategjinë tënde”, e kështu me radhë. Duke i qëndruar pjesës së fundit të përgjigjes tuaj, çfarë ka bërë këtu Alastair Campbell, cila ka qenë eksperienca juaj e punës në Shqipëri, sepse ka shumë kuriozitet në publik në lidhje me raportin tuaj dhe rolin tuaj në fushatën e Ramës dhe po ashtu në strategjinë e PS? Mund të ta them shumë thjeshtë. Ajo që ndodhi ishte se unë kam qenë gjithnjë i interesuar në këtë rajon, kryesisht për shkak të asaj që bëmë dikur në Kosovë. Tashmë unë nuk bëj më aq shumë fushata. Bëj disa, por jo shumë. Dhe Endri Fuga më kontaktoi, më duket se përmes Facebook. Kanë kaluar disa vjet tashmë. Ai m’u prezantua, më tha se kishte lexuar të gjithë librat e mi, se admironte shumë atë që unë kam bërë, se i pëlqente shumë fushata e Laburistëve të Rinj, duke kërkuar nëse mund të vinte të fliste për fushatën e tyre. Ka shumë mundësi që në atë kohë t’i kem thënë që isha pak i zënë. Pastaj ai më shkroi sërish dhe thashë me vete “ky qenka i vendosur”. Më në fund u takuam, pastaj takova Edi Ramën. Më pëlqeu Edi dhe më pëlqeu Endri. Takova Erjon Veliajn dhe në thelb ramë dakord që unë të shërbeja si një lloj këshilltari për strategjinë. Kam qenë këtu ndoshta 8 apo 10 herë, gjithnjë për shumë pak kohë, gjithnjë shumë i zënë…Për shembull, e ke parasysh situatën? Unë kam dikë që punon me mua në Londër, që bënte dokumentarët për laburistët. Ai erdhi me mua dhe praktikisht u ulëm në këtë kafene, atje tek ato karriget, unë, Endri dhe Arbër Mazniku dhe praktikisht folëm shumë dhe dizenjuam pamjen e re që do të kishte fushata e PS. Në atë kohë ata kishin zgjedhur Rilindjen si temë, çka ishte një gjë e mirë, e bukur. Dhe pastaj u morëm me gjëra të tipit “çfarë do të thotë Rilindje”? Dhe zhvilluam këto lloj diskutimesh, cilat janë politikat, dhe pastaj të gjithë gjërat në lidhje me Rrugën e Programit, grupet e zhvillimit të politikave. Kjo është diçka që ne e bëmë edhe në Angli në vitin 1997, një model shumë, shumë i përafërt me këtë të socialistëve shqiptarë. Pas kësaj unë thjesht ndihmoja me fjalimet, ndihmoja për të shkruar gjëra, me spotet…por mendoj se nëse e pyet Endrin se çfarë bëra, i ndihmova të hartojnë një strategji dhe që t’i përmbahen asaj. Kjo është gjëja më e rëndësishme e një fushate: të jesh absolutisht i qartë për strategjinë tënde! Ka pasur shumë zëra në lidhje me përfshirjen e Tony Blair gjatë ditëve që do të vinë. Ç’mund të thoni për këtë? Cili do të ishte roli i Tony Blair në këshillimin e qeverisë së re? Unë jam këtu tani për t’i folur Edit në lidhje me mënyrën sesi i bëmë ne në Angli tranzicionin, kur shkuam nga opozita në qeverisje, disa nga ndryshimet që duhen bërë etj. Siç e thatë edhe ju, është një sistem i ndryshëm, është një politikë ndryshe. Por ne kemi pasur një situatë, që më kujtohet, në natën e zgjedhjeve në 1997, kur John Major që ishte kryeministër, ia pranoi Tony Blair humbjen në telefon. Nuk mendoj se kjo ka ndodhur këtu… …Kjo do të ishte e pamundur për ne. …Dhe pas kësaj duhet të fillosh menjëherë punë, duhet të shkosh tek Mbretëresha, kryeministri duhet të shkojë tek Mbretëresha, caktohet kryeministër dhe pastaj fillon punën. Kur punët shkojnë kështu, të duhet të mësosh shpejt. Prandaj Edi më ka kërkuar që të vij këtu dhe t’i flas ekipit të tij për gjëra si këto. Por siç e dini, Edi u takua me Tonin disa javë përpara dhe Blair i tha se nëse dëshiron, ai mund ta ndihmojë me modernizimin e strukturave të qeverisë, zbatimin e reformave. Pra mendoj se nuk ka ndonjë gjë të vendosur, apo të planifikuar, por mendoj se do të jetë një gjë e këtillë në parim. Duke folur për mësimet, a mendoni se pas dy rotacionesh paqësore, demokracia shqiptare mund të konsiderohet si një demokraci e pjekur? Mendoj se kjo që po ndodh këtu tek ju është diçka shumë e mirë. Çdo vend ka një reputacion dhe një imazh që ndonjëherë është i merituar, e ndonjëherë jo. Për shembull, nëse do të isha në Londër dhe do të thosha se po ndihmoj Partinë Socialiste në Shqipëri, atëherë njerëzit do të thoshin: Në Shqipëri?! Dhe disa njerëz do të thoshin që s’ia vlen të mbash zgjedhje atje, sepse ato sigurisht që do të jenë të korruptuara, do të vidhen, e ku di unë çfarë. Por fakti është se duket se zgjedhjet shkuan shumë shumë mirë. Vëzhguesit e zgjedhjeve duket të jenë shumë të kënaqur me mënyrën sesi u zhvilluan. Dhe pavarësisht faktit se fitoi Edi Rama, ky është një mesazh i mirë për Shqipërinë. Ky është një mesazh që i thotë botës se ky është një vend që po zhvillohet, po maturohet. Pra është diçka e mirë. Unë mendoj se do të kishte qenë diçka e mirë, nëse Rama dhe Berisha do të kishin pasur ndonjë lloj raporti. Është shumë e çuditshme për ne. Siç e patë dje, për shembull, Barack Obama ishte në Afrikë me George Bush. …Edhe Clinton takohet e bashkëpunon me Bush. …Natyrisht, edhe Clinton me Bush, e plot raste të ngjashme. Unë isha së fundmi në Australi. Kishte një aktivitet përkujtimor për Bob Hawkes. Të gjithë kryeministrat australianë ishin atje dhe mund ta shihje që kishte një raport normal komunikimi. Tony Blair dhe Gordon Broën shkuan së bashku në varrimin e Margaret Thatcher. Mendoj se kjo është një gjë e mirë, është e mirë për politikën. Pra, mendoj se kjo që ndodh në Shqipëri është për të ardhur keq. Por unë mund ta kuptoj përse është e vështirë. Është e qartë, kur sheh Sali Berishën në fushatë, për shembull. Ty të duhet të bësh fushatë sikur jeta jote të varej prej saj dhe kjo është ajo që bëri ai. Dhe nëse ai mendon se ka bërë një punë të mirë, ka gjasa që të jetë duke vrarë mendjen përse njerëzit ia bënë këtë. Ky është një reagim i natyrshëm njerëzor. Por mendoj se për vendin është diçka shumë e mirë që ka ndodhur një rotacion paqësor. Ky është një mesazh i mirë. Dhe një pyetje e fundit. Pas fitores, Rama deklaroi se Shqipëria do të hyjë në BE brenda 8 vjetëve. E ndani këtë mendim? Unë nuk e di sepse nuk di mjaftueshëm për procesin. Por mendoj se është interesante që BE ka dërguar sinjale shumë pozitive që pas zgjedhjeve. Mendoj se natyra e zgjedhjeve ishte me rëndësi për këtë. Tani është e qartë se do të ketë disa hapa të caktuara që BE do të presë prej Shqipërisë. Mendoj se është e qartë se ata do të presin prej Edit një sinjal që axhenda e integrimit do të jetë në majë të listës së tij të prioriteteve, çka e di që do të jetë kështu. Por është interesante të vish këtu nga Anglia, ku kemi një debat nëse duhet të jemi në Europë, dhe të kujtosh se BE është një organizatë ku duan të futen pjesa më e madhe e vendeve. Ju folët për axhendën dhe premtimet e mëdha. Qeveria është që të bëjë gjërat e mëdha realitet. Kështu për shembull, kur erdhëm ne në pushtet në 1997, paqja në Irlandën e Veriut, transferimi i sovranitetit tek Skocia, lufta në Kosovë, rrogat minimale, pavarësia e Bankës së Anglisë – të gjitha këto gjëra të mëdha ishin sfidat tona të atij momenti dhe janë këto që kanë rëndësi. Ose për shembull programi më i madh i ndërtimit të spitaleve, ka hyrë në histori…Ne bëmë shumë gjëra të mëdha dhe janë këto gjëra të cilat duhet të bëjë qeveria. Është shumë e vështirë kur ekonomia është e dobët, kur ka shumë papunësi, por unë mendoj se ajo që bëjnë zgjedhjet është se i japin jo vetëm qeverisë, por të gjithë vendit, një energji të re dhe një drejtim të ri. Pra nuk bëhet fjalë vetëm për Edin dhe skuadrën e tij, qeverinë, por për popullin shqiptar, të cilët besojnë se tani kanë një mundësi të re, një energji të re, një momentum të ri. Le t’i shfrytëzojmë!
Posted on: Tue, 09 Jul 2013 10:02:31 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015