AS PROVOKIM, AS PRESION. THJESHTË NJË KUJTESË DHE APEL - TopicsExpress



          

AS PROVOKIM, AS PRESION. THJESHTË NJË KUJTESË DHE APEL NJERËZOR. Shumë të nderuar: Edi RAMA dhe Ilir META, Të nderuar ministra të Qeverisë “Rama”, Pa asnjë lloji paramendimi e prapaveprimi kam përshëndetur megjithë zemër kompozimin e kabinetit qeveritar, produkt i zgjedhjeve të 23 qershorit, të cilat para së gjithash refuzuan në mënyrë apsolute qeverisjen obskurantiste të Sali Berishës. Njoh me qindra për t’mos thënë me mijëra Siunë – r, moshatarët të mi, të shkolluar ditën në të vetmin dhe të lavdishmin Universitet të vendit, Universitetin e Tiranës, ndër më cilësorët e brezit të vet, që ngrysën gjysmën më vitale të jetës në Kantieret e ndërtimit të atij Socializmi që nuk u ndërtua kurrë. U përfshimë me dinjtet (siç diti të përfshihet ai brez) në lëvizjen për ndryshimin e Sistemit. Ruajtëm distancën e duhur sociale dhe politike vetëm e vetëm për t’mos ta bërë pis Ëndrrën e bukur të Rinisë studentore të vitit ‘ 90 – të. U spostuam, u denigruam, u lamë mënjanë, se nuk mund të bëheshim “lëndë e parë” për eksperimente qeverisjesh e pushtetesh hakmarrëse. U fyem duke u zevëndësuar me kadetë e kursantë gjithëfarë llojesh. Na zunë ndryshk Diplomat dhe Çertefikatat që i morëm me gjak duke punuar ditën e duke studiuar natën për të mësuar gjuhët e huaja dhe mbajtur të freskëta njohuritë për fillimshekullin e ri. Shtrënguam dhëmbët, bëmë punë mbijetese, dolëm në emigracion, ku mësuam përvoja dhe dituri të reja dhe u kthyem prapë me shpresën se qeveritë e ricikluara do të kishin mësuar nga mbrapshtitë e tyre, ndër të cilat edhe qasja ndjaj “Trurit” të kultivuar me sakrificat e një populli të tërë. Inventarët e Bibliotekave kanë me dhjetra libra që mbajnë firmat tona. Gazetat dhe revistat, jo vetëm shqipe, kanë qindra artikuj e trajtesa se si të bëhet më i mirë e më i jetueshëm e i prosperueshëm ky, Atdheu ynë i përbashkët. Shumica prej nesh, kanë arritur në limitet e jetës aktive dhe, për shkak të “Luftës së re Demokratike të Klasave”, nuk na është dhënë asnjë shans të punësohemi në specialitetet tona të merituara. Ne nuk i plotësojmë vitet e pensionit! Jo pa habi , u dashka të dëgjojmë edhe një kor kukuvajkash, të cilët pasi na hodhën gurët mbi kurriz dhe na spastruan nga punët dhe pozicionet e fituara me meritokraci, shitën çdo pasuri dhe tjetërsuan këtë vend, tani bëjnë presione se po spastrohen ata. Gjithashtu, jo pa habi, po dëgjojmë edhe pretendime dhe orekse studentësh dhe “Rinoshas” kristalas e vitrinarë që duan të mbushin pozicionet e administratës së re, me të vetmin “argument”, se në vitin e fundit, kur panë se po ngordhnin të gjithë kuajt dhe hamshorët e pushtetit te vjetër, iu bashkëngjitën Opozitës, për të kapur frutat e rinj të Pushtetit të ri. Të nderuar zonja dhe zotërinj, ministra! Mos e lini në harresë kontigjentin tonë të specialistëve të Universitetit të Tiranës të para viteve nëntëdhjetë! Nuk kërkojmë mëshirë duam të drejtën dhe meritën tonë! Duam t’u lëmë fëmijëve tanë të vetmen dëshmi: punuam me djersë e ndershmëri për ta fituar vetë Pensionin, u lamë nder dhe nuk u lamë pasuri duke vjedhur Shqipërinë! Ju lutem mos na lini përsëri rrugëve! Kemi duruar katër, tetë, dymbëdhjetë (unë kam duruar plot gjashtëmbëdhjetë vite), kemi parë paradat e dështakëve në pushtet dhe administratë. Jemi prapë të gatshëm ta përballojmë sfidën, të konkurojmë dhe të fitojmë me “ produktin universitar” të tranzicionit. Ju lutem na konsideroni! Në të kundërt, të dashur pushtetarë të rinj, nëse nuk do të na përfillni , të na lini prapë rrugëve do t’i ftoj vërsnikët e mi, në një demonstratë paqësore me dy- tre etapa : do të vijmë para Zyrave dhe Institucioneve tuaja dhe t’u dhurojmë lule çdo ditë kur të shkoni në punë. Më vonë.. uroj t’mos na detyroni.. do të dalim lakuriq dhe t’u dhurojmë prapë lule, … lule,… dhe kurrë gurë! Me shumë respek dhe shpresë, Dedë SHKURTI Tiranë, 14.08.2013
Posted on: Thu, 15 Aug 2013 06:17:47 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015