Agjërimi, hapi i parë tek vetja, i fundit tek Zoti Thotë - TopicsExpress



          

Agjërimi, hapi i parë tek vetja, i fundit tek Zoti Thotë Profeti a.s:”Kur vjen Ramazani, hapen portat e xhenetit, mbyllen portat e xhehenemit dhe prangosen shejtanët.” (Buhari dhe Muslim) Nga: Dr. Muhamed Mehdij Unë bashkë me shokët e mi të vegjël, sa herë që vinte muaji i Ramazanit, përfshihemi nga një ngazëllim, gaz dhe hare e madhe për disa shkaqe. Por, një nga shkaqet më të mëdha dhe më të rëndësishme për ne, ishte fakti se gjatë Ramazanit, të gjithë lugetërit, xhindet dhe shejtanët prangoseshin. Prandaj, gjatë këtij muaji ne nuk linim qoshk dhe vend pa shkelur e pa qëndruar, e pse jo, tashmë nuk kishim frikë. E përse duhej të kishim? A nuk ishin prangosur të gjitha lugetërit, xhindet dhe shejtanët? Të gjithë pa përjashtim uronim që i gjithë viti të ishte Ramazan, pikërisht për këtë shkak. E si të ishte ndryshe, ndërkohë që na ishte mbushur koka me histori të frikshme nga më të ndryshmet rreth xhindeve. Me të përfunduar Ramazani, frika dhe paralajmërimet ktheheshin sërish duke pllakosur zemrat tona të vogla. Pasi u rrita, i hoqa qafe lugetërit por nuk munda të heq qafe plogështinë dhe rutinën që më mbërthente çdo vit në ditët që i paraprinin muajit të madhëruar të Ramazanit. Ndjeja që pirgje të tëra trishtimi, frike e stresi më gozhdonin, sakaq Ramazani afrohej çdo ditë e më shumë. Për mua, ai ishte muaji i katarsit, i pastrimit të shpirtit nga mbetjet që i ishin ngjitur përgjatë një viti, të cilat sigurisht që ishin të konsiderueshme. Ramazani ishte një muaj gëzimi dhe lumturie. Nuk e kuptoja shkakun e vërtetë, ndoshta për shkak të përvojave vjetore të fëmijërisë së lumtur që kam përjetuar gjatë këtij muaji. Për këtë, më merr shpesh herë malli për muajin e Ramazanit, në të cilin i mundësoj vetes dhe shpirtit tim një shërbim dhe restaurim të plotë, duke hequr mënjanë ndryshkun, hidhërimin dhe mërzitë e një viti. Bazuar në këtë këndvështrim, Ramazani shndërrohet në një shpërblim vjetor, diçka që mezi pritet, diçka që na ripërtërin jetën dhe largon rutinën e përditshme. Uni (nefsi) e përjeton këtë ndjenjë më shumë dhe më qartë teksa fillon muaji Rexheb. Intensiteti i kësaj ndjenje fillon e shtohet me kalimin e çdo dite derisa të fillojë muaji Shaban. Mallin dhe nostalgjinë për Ramazanin, mund ta shoqërojë dhe një emocion tjetër, ai i frikës dhe ankthit. Ne po presim një mik goxha të shtrenjtë dhe të dashur, duke i ngritur vetes një sërë pyetjesh dhe paqartësish rreth mënyrës si do e përjetojmë këtë muaj, nëse do e presim siç duhet, aftësisë për t’u bërë ballë ndryshimeve që lips etj... Por këto ndjesi ankthi nuk e turbullojnë gazin dhe harenë e pritjes së Ramazanit të dashur, në fakt, ajo thjesht e zgjon më shumë dëshirën dhe pasionin për ta pritur sa më mirë, zbon plogështinë dhe indiferentizmin e ngurtë, pasi Ramazani do të ndryshojë shumë gjëra në jetë. Gëzimet e Ramazanit Le të përmendim në mënyrë të përmbledhur disa nga gëzimet që përjetojmë para dhe gjatë Ramazanit. E para: Shikimi i hënës së re. Secilit prej nesh mund ti duket më e logjikshme që lindja e hënës së re të muajit të madhëruar tw pwrcaktohet me mjetet astronomike, të cilat janë më të sakta. Por kjo metodë na privon nga gjëra të tjera të cilat unë i konsideroj shumë të rëndësishme nga aspekti shpirtëror dhe psikologjik. Pritja e lindjes së hënës së re dhe konstatimi i këtij fenomeni me sy të lirë, është një shans për vrojtimin e qiellit dhe një rast për tu rilidhur me të, pas një periudhë të gjatë harrese dhe fokusimi pas tokës. Veç kësaj, gëzimi dhe hareja që na kaplon në momentin e konstatimit të lindjes së hënës së re, ka një ëmbëlsi dhe shije të papërshkrueshme. Unë do të doja që njerëzve t’u bëhej ves ngjitja mbi tarracat e shtëpive, kodra e male dhe vrojtimi i qiellit në pritje të hënës së re. Kjo është diçka e mundur për të gjithë njerëzit dhe të mos mjaftohen me njoftimin e Ramazanit nëpërmjet mjeteve astronomike apo duke e dëgjuar nga televizori. Ndoshta ky është dhe shkaku që disa shtete vazhdojnë traditën e vjetër, duke e njoftuar fillimin e Ramazanit pasi të vërtetohet lindja e hënës së re nëpërmjet shikimit të lirë me sy. Madje, këto shtete i motivojnë dhe nxisin qytetarët e tyre që ta vrojtojnë hënën, duke dhënë dhe shpërblime për ata që e shohin të parët dhe e provojnë lindjen e saj. Vrojtimi i hënës dhe pritja e saj me kaq mall e nostalgji, përbën një ripërtëritje të konceptit të kohës dhe ndërgjegjësim për të. Në asnjë muaj tjetër si gjatë Ramazanit, njerëzit nuk mund ta ndjejnë vlerën e kohës, duke përjetuar me saktësi çdo orë e çast. Hëna e Ramazanit nuk mund të kufizohet vetëm në lindjen e hënës së re në qiell, në fakt ajo është një lindje e re e shpirtit, ashtu siç është një lindje e re e ndërgjegjes së njeriut. E dyta: Ndryshimi i rutinës së jetës së përditshme. Përgjatë një viti njerëzit i ka kapluar rutina e jetës dhe monotonia e saj. Ramazani është një shans i papërsëritshëm në të cilin njerëzit mund ta thyejnë këtë rutinë. E treta: Gëzimi në dynja dhe ahiret. Thotë profeti Muhamed a.s:”Agjëruesi përjeton dy gëzime; njërin në momentin kur çel iftar dhe tjetrin kur të takohet me Zotin e tij.” Sigurisht që çasti i uljes për të ngrënë iftar, pas një dite të lodhshme ku uria dhe etja kanë bërë të vetën, është një çast i gëzueshëm dhe plot hare. Aty mblidhet e gjithë familja dhe i gëzohen faktit që e mbyllën agjërimin e një dite. E katërta: Gëzimi për shpërblimin e agjërimit, gjë të cilën Zoti e ka rezervuar si një surprizë të këndshme për besimtarin, Ditën e Kiametit. Në një hadith të shenjtë, citohet se Zoti ka thënë:”Çdo vepër që bën besimtari e bën për vete, përveç agjërimit, të cilin e bën për Mua dhe vetëm Unë do e shpërblej.” (Buhari dhe Muslim) Thotë profeti Muhamed a.s:”Në xhenet ndodhet një portë e cila mban emrin “Rejjan”. Në atë portë do të hyjnë agjëruesit Ditën e Kiametit. Askush tjetër nuk mund të hyjë përveç tyre.” (Buhari dhe Muslim) Lidhur me ajetin:” (Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!” (Hakka, 24) Vekiu ka thënë se bëhet fjalë për ditët e agjërimit. Por, mesa duket gëzimi dhe ngazëllimi nuk janë vetëm për besimtarin agjërues në këtë muaj, pasi edhe vetë Zoti gëzohet me ata që e agjërojnë këtë muaj. Aq shumë gëzohet Zoti me agjërimin e besimtarëve dhe robërve të Tij, saqë aroma e gojës së tyre është më e mirë se aroma e miskut. Kjo është një gradë e lartë dashurie dhe simpatie, e cila e bën të dashur edhe diçka që zakonisht është e neveritshme dhe e urryer. Thotë profeti Muhamed a.s:”Betohem në Atë që ka jetën time në dorë, aroma e gojës së agjëruesit është më e dashur tek Zoti sesa aroma e miskut.” (Buhari dhe Muslim) E pesta: Ramazani ofron një atmosferë krejt të ndryshme në mbarë universin, pasi në këtë muaj hapen portat e xhenetit, mbyllen portat e xhehenemit dhe prangosen shejtanët. Thotë Profeti a.s:”Kur vjen Ramazani, hapen portat e xhenetit, mbyllen portat e xhehenemit dhe prangosen shejtanët.” (Buhari dhe Muslim) Çlirim dhe energji Në aspektin psikologjik, Ramazani karakterizohet nga një vrull dhe energji e re, duke e ndryshuar statiken dhe të ngurtën. Ai shkund plogështinë vrasëse e cila është bërë një me baltën njerëzore, duke i dhënë një hov të ri shpirtit për të çarë udhën drejt botës së sipërme, asaj qiellore, duke ndjerë prezencën e Zotit në çdo orë e çast. Që atje, ai – shpirti – kthehet me rreze drite të cilat e ndihmojnë të ndriçojë errësirat e tokës dhe të kësaj jete. Kjo i fal kënaqësi të cilën shqisat e tij se kanë shijuar kurrë më parë, lumturi që nuk ka stres, frikë, dhimbje, turp dhe ndjenjë faji që ia cenon. Ajo është lumturi absolute e cila nuk mund të realizohet dhe përjetohet veçse në rrethana dhe çaste të tilla. Ajo përjetohet vetëm nëpërmjet ndryshimit gjithëpërfshirës të zakoneve në të ngrënë, pirë, gjumë, zgjim dhe cilësinë e marrëdhënieve sociale, në atë formë që e thyen normalen dhe e nxjerr nga tradicionalja. E këtu ndalet mendja në kufijtë e saj, për ti lënë vendin zemrës të ndjekë rrugëtimin e qiejve të sigurisë shpirtërore. Lidershipi i dorëzohet shpirtit i cili niset me vrull dhe noton në dritën e pafund të qiellit dhe të tokës, duke i kapërcyer kufijtë gjuhësorë. Atje takohet urtësia hyjnore me dritën hyjnore, pa asnjë ndërmjetës. Janë këto rreze dhe jo mendja, ato që i pajisin gjymtyrët me energji që të falen gjatë natës duke braktisur gjumin. Janë këto rreze ato të cilat na bëjmë të brofim edhe në mes të dimrit, duke i dhënë jetë trupit tonë të rraskapitur. Janë ato që na bëjnë të ngrihemi e të furnizohemi me dritën e besimit, para se të furnizohemi me dritën e agimit. Vetëm kështu ritualet tona shndërrohen në vepra besimi dhe jo thjesht zakone e tradita shoqërore, apo ushtrime fizike me të cilat dikush synon ti shërbejë trupit. Disiplinë dhe qetësi Makina jote mund të jetë e re, e fuqishme dhe mund të arrijë shpejtësi tepër të lartë. Megjithatë, ti nuk ndihesh i sigurt dhe i qetë veçse nëse sistemin e frenave e ke në gjendje të mirë, i cili të lejon të kontrollosh shpejtësinë sipas rrethanave. Uni i njeriut (nefsi) lëngon nga epshe, pasione dhe dëshira të cilat jo pak herë i shkaktojnë stres dhe frikë nëse shpërthejnë plot vrull e shpejtësi. Qetësia shpirtërore nuk mund të arrihet veçse duke pasur një sistem disiplinimi të përshtatshëm. Zakonisht, epshet dhe pasionet ushqehen dhe fuqizohen me ushqim dhe disiplinohen e mbahen nën kontroll nëpërmjet agjërimit. Lidhur me këtë, profeti Muhamed a.s thotë:”Shejtani lëviz me qarkullimin e gjakut të birit të Ademit, prandaj ia ngushtoni shtigjet me uri.” Një ditë, ai i tha gruas së tij Aishes:”Gjithmonë trokit në portën e xhenetit!” Ajo e pyeti:”E si ta bëj këtë?!” Profeti a.s i tha:”Duke qëndruar e uritur.” Ndonjëherë, agjëruesin mund ta kaplojnë momente zemërate dhe nervozizmi për shkak të gjumit të pakët, etjes, urisë, privimit nga gota e çajit, filxhani i kafesë, cigarja, trafiku i rëndë, i nxehti përvëlues dhe mbytës etj... por menjëherë atij i vjen ndërmend fakti që agjëron. Atë mund t’ia kujtojë dikush faktin që është agjërues, e për rrjedhojë, i kthehet sërish aftësisë për vetëkontroll dhe vetë disiplinë, gjë e cila i fal qetësi dhe prehje. Prandaj, themi që agjërimi është disiplinë e shëndetshme kundër revoltës së epsheve dhe vesveseve të shejtanit. Rezultati i natyrshëm i kësaj është ulja e intensitetit të konfliktit të brendshëm mes epsheve të ndezura dhe ndërgjegjes, gjë e cila e mbush njeriun me qetësi dhe prehje aq shumë të dëshiruar. Ramazani dhe disiplinimi i gjuhës Kushedi sa orë, netë e ditë kemi kaluar duke debatuar me të tjerët, kushedi sa herë jemi përplasur e jemi hallakatur në debate e polemika pafund, duke u rrekur ta bindim tjetrin për vërtetësinë e këndvështrimit tonë dhe gabimin e këndvështrimit të tyre. Kushedi sa herë kemi bërë çmos që t’ia mbyllim gojën, duke besuar se po e bëjmë për hir të vërtetës. Kur ia kemi arritur të thyejmë tjetrin dhe të triumfojmë, kemi besuar se ia kemi dalë mbanë, se tashmë gjërat do të rrjedhin vaj. Në fakt, thjesht kemi fituar urrejtjen dhe armiqësinë e tyre ndaj nesh dhe ndaj ideve e mendimeve tona. Teksa jemi agjërueshëm, normalisht që ndjejmë uri dhe etje, e për rrjedhojë, gjuhët tona heshtin së foluri e debatuari. Por para gjuhëve, heshtin dhe pushojnë mendjet tona. Gjatë ditëve të Ramazanit, ne orvatemi me ç’të mundim, të përdorim një gjuhë tjetër, atë të zemrës. Në fakt, ajo është gjuha më e ëmbël dhe më e ngrohtë, gjuha më e thjeshtë dhe më tolerantja. Ajo nuk bën dallim mes një të pasuri dhe një të varfri. Ajo i kapërcen kufijtë krahinorë dhe kulturorë, asaj nuk i lipsen përkthyes. Ajo është një gjuhë që flitet nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë askush nuk mund ta përshkruajë. Ajo, është ashtu siç e etiketoi dikush “një sekret dhe mister publik”. Teksa falim namaz nate në një qoshk të shtëpisë, pasi të kemi fikur dritat, televizorin, telefonin dhe kompjuterin, fillojmë të kuptojmë se jemi angazhuar me njerëzit më shumë sesa e meritojnë, u kemi kushtuar kohë më shumë se ç’duhet. Në fakt, u jemi përkushtuar atyre dhe kemi lënë mënjanë Zotin dhe Krijuesin tonë. Këtu, shpirtin kapërcen kornizën e trupit për tu ngjitur në botën e përjetësisë, të qetësisë dhe të kënaqësisë. Ai bredh në hapësirat hyjnore të pafund, duke kapërcyer çdo kufi të njerëzores, të jetës së përditshme, gjuhëve, konflikteve dhe marrëdhënieve. Shërbim sezonal i ndërgjegjes Askush nuk e di vendndodhjen e ndërgjegjes tek njeriu, nëse është në tru, mendje, zemër apo shpirt. Madje, askush nuk ofron një përkufizim të detajuar dhe të saktë. Gjithçka që mund të thuhet është se ndërgjegjja është gjithçka që e mban të fshehtë brenda vetes dhe që nuk mund të preket. Ajo është diçka e fshehtë, e ngjashme me radarin i cili merr dhe përcjell valë, të cilat i dallon nëse janë pozitive apo negative. Pra, është aftësia e secilit për ta perceptuar dhe dalluar të mirën dhe të keqen, vepër, fjalë apo mendim qoftë. Ndërgjegjja bën dallimin mes të mirës dhe të keqes, mes të bukurës dhe të shëmtuarës. Edhe pse ajo është diçka e fshehtë dhe e padukshme, mbetet një forcë perceptuese e madhe e njeriut. Ajo shoshit fjalët, idetë dhe veprat duke depërtuar gjer në thelbin e tyre, pasi ti ketë kapërcyer ngjyrat vezulluese dhe format mashtruese. Në kushte dhe rrethana të caktuara, njeriu mund të orvatet ta mashtrojë dhe t’ia hedhë dhe ndërgjegjes së tij, duke pwrdorur justifikime të rrejshme. Për disa kohë, ai mund dhe t’ia dalë, por shumë shpejt, ndërgjegjja ngrihet sërish pas shkarjes, del nga strofka e thellë dhe deklaron të vërtetën, duke ushtruar profesionin e saj të brejtjes me qëllim që ta zgjojë njeriun nga indiferentizmi dhe neglizhenca. Ajo kërkon ta largojë nga çdo formë mashtrimin ndaj vetes apo ndaj dikujt tjetër. Në një rast të tillë, njeriut mund ti vijë në majë të hundës nga kjo brejtje e ndërgjegjes së tij dhe kërkon ta vrasë përfundimisht, duke e zhytur në mashtrim, duke u zhytur në kënaqësi, duke i shtuar gjynahet e rënda. E për rrjedhojë, ndërgjegjja mund dhe të vdesë realisht, por merr me vete dhe zemrën, duke e humbur përfundimisht busullën e orientimit. Ndoshta, i dërguari i Zotit a.s ka synuar pikërisht këtë potencial të natyrshëm brenda njeriut, i cili në mënyrë enigmatike arrin të dallojë të mirën nga e keqja sado të ndërthurura të jenë, kur thotë:”Pyet veten tënde, sado që të japin mendime e ide të tjerët!” Pra, pyet ndërgjegjen tënde, atë barometër të fshehtë i cili gjendet në thellësitë e botës së brendshme të secilit prej nesh. Por ndërgjegjja mund të rrethohet nga mbeturinat dhe ndryshku, të cilat orvaten t’ia ndryshojnë tiparet, madje do të thosha orvaten ta varrosin një herë e mirë. Me qëllim që ndërgjegjja jonë të jetë në gjendje pune dhe të kryejë funksionin e saj në formën më të mirë, i lipset shërbim sezonal, siç është agjërimi, por dhe ditor siç është namazi. Thotë Profeti a.s lidhur me namazin:”Nëse pranë derës së shtëpisë tuaj do të gjendej një lum dhe ju do të laheshit pesë herë në ditë, a do të mbeteshin papastërti në trupin tuaj?” “Jo” u përgjigjën të pranishmit. Profeti a.s shtoi:”Kështu janë dhe pesë namazet.” Agjërimi është një shërbim vjetor që i bëhet ndërgjegjes së njeriut. Thotë Profeti a.s:”Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe për hir të Zotit, do i falen gjynahet që ka vepruar më parë.” Haxhi është një shërbim një herë në jetë për ndërgjegjen. Thotë Profeti a.s:”Kush kryen haxhin dhe ruhet nga fjalët e veprat e liga, kthehet që andej si ditën që e ka lindur nëna.” Kështu, shohim që kemi shërbime të ndryshme për ndërgjegjen, ku çdo shërbim ka karakteristikat e tij. Namazi është një shërbim që përsëritet shpesh dhe i shpejtë. Agjërimi është një shërbim afatgjatë dhe intensiv. Haxhi është një shërbim me ndikim të thellë. Deklarimi i shehadetit është një shërbim tjetër që bëhet para njerëzve. Namazi kryhet me njerëz, zeqati u jepet njerëzve, ftesa në islam u drejtohet njerëzve. Sakaq, agjërimi është rituali i vetëm të cilin e kryejmë vetëm para Zotit, për Zotin dhe ia adresojmë Zotit. Prandaj Profeti a.s pohon se Zoti thotw:”Çdo vepër që bën biri i Ademit e bën për vete, përveç agjërimit të cilin e bën për Mua dhe Unë do ia shpërblej.” Pastrimi i ndërgjegjes është një objektiv themeltar i agjërimit, i cili manifestohet qartë në ajetin:”O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Bekare, 183) Devotshmëria është rikthim i busullës së brendshme në koordinatat e saj të duhura, është pastrim i saj nga mbetjet e jashtme dhe ndryshku që i janë ngjitur përgjatë vitit. E nëse kjo nuk arrihet, agjëruesi nuk fiton nga agjërimi i tij asgjë tjetër përveç rraskapitjes, urisë, etjes dhe lodhjes. Thotë profeti Muhamed a.s:”Ka agjërues të cilët nuk përfitojnë nga agjërimi asgjë tjetër përveç urisë dhe etjes.” Ngurtësia e shpirtit Për shkak të disa sëmundjeve kronike, trupi mund të fitojë rezistencë dhe imunitet ndaj ndikimit të ilaçeve. Prandaj, ose duhet ndryshuar trajtimi me ilaçe, ose terapia duhet ndërprerë për një farë kohe për ta filluar më pas. Kjo, me qëllim që të aktivizohen receptorët e ilaçeve. Edhe bota psikologjike e njeriut mund të përfshihet nga një gjendje e tillë patologjike, për shkak të monotonisë dhe rutinës. Që këtu lind nevoja për ta thyer këtë ngurtësi të shpirtit dhe për ta nxjerrë atë nga rutina vrasëse, gjë e cila mund të arrihet vetëm nëpërmjet një ndryshimi gjithëpërfshirës të regjimit të ushqyerit, si dhe regjimit të gjumit, riteve të natës si dhe atyre sociale. Alternimi mes urisë dhe ngopjes, etjes dhe shuarjes së saj, është diçka biologjike e cila ndikon në të gjitha funksionet e mendjes, zemrës dhe shpirtit. Të mësuarit me ushqimin, bën të harrohet ndjesia e vlerës së tij, po ashtu dhe e kënaqësive të tjera të lejueshme. Prandaj lipset një ndryshim, pra një privim nga këto kënaqësi, me qëllim që ti vlerësojmë dhe t’ua dimë kimetin. Veç kësaj, ndjesia e të ngopurit të vazhdueshëm me ushqime, pije dhe kënaqësi seksuale brenda kuadrit martesor, shndërrohet në një re të zezë për rrezet e mendjes, pulset e zemrës dhe pishtarët e shpirtit. Këto gjëra nuk mund të shfaqen sërish në ekranin e vetëdijes, vetëm se duke u privuar prej tyre dhe duke e alternuar urinë me ngopjen dhe etjen me shuarjen e saj. Kështu, të privuarit për një farë kohe nga këto kënaqësi dhe shijimi i tyre më pas në kohën e iftarit dhe pas ezanit të akshamit, është një kënaqësi në miniaturë e asaj kënaqësie të amshuar që do i jepet agjëruesit Ditën e Kiametit. Thotë profeti Muhamed a.s:”Agjëruesi ka dy gëzime, njërin kur çel iftarin dhe tjetrin kur të takojë Zotin e tij.” Mes këtyre dy shpërblimeve, agjëruesi përjeton një flash kënaqësie qiellore në zemër dhe shpirt, i cili arrin kulmin natën e Kadrit kur harmonia e tij fizike ndërthuret me harmoninë qiellore. Kjo manifestohet në lotët e syrit, përhumbjen e zemrës, dridhmat e gjymtyrëve dhe freskinë e shpirtit. Realisht ajo është një rilindje dhe një faqe e bardhë e cila na ofrohet për ta mbushur me vepra të reja vitin e ardhshëm. Burrat e urtë kanë thënë qëmoti se:”Çdo gjë që e ligështon trupin, e forcon zemrën.” Po sa më i shëndetshëm të jetë trupi, aq më shumë gëlojnë epshet dhe pasionet. Prandaj dhe Zoti në Kuran thotë:” Kur vendosim ta shkatërrojmë një qytet, Ne i urdhërojmë (për mirë) të pasurit e tij dhe, kur ata bëjnë mbrapshti në të, atëherë përmbushet Vendimi (i dënimit) kundër tyre dhe Ne i shkatërrojmë gjer në themel.” (Isra, 16) Psikologu i njohur Maslou, i ka renditur në mënyrë të mrekullueshme nevojat e njeriut duke i radhitur në formën e një piramide. Vendin e parë të nevojave e zënë ato biologjike (ushqimi, pija, strehimi, seksi), i ndjekur nga nevoja për siguri, më pas nevoja për dashuri, nevoja për vlerësim dhe nevoja për vetërealizim. Nëse njeriu do e kalonte të gjithë jetën e tij dhe jetë të tjera, nuk do arrinte ti plotësojë këto nevoja. Por në të njëjtën kohë, ndjesia e të qenit i kënaqur me ato që të ka dhënë Zoti, mund të plotësojë shumë mangësi të tjera duke të falur lumturi e kënaqësi të papërshkrueshme. Këtë e hasim tek zahidët nga kjo botë, të cilët në gjithçka që bëjnë kërkojnë kënaqësinë e Zotit, e për rrjedhojë Ai – Zoti – ua mbushi jetën plot kënaqësi e lumturi. Ata të lënë përshtypjen se nuk kanë asnjë nevojë, se nuk u lipset asgjë. Ambicia e tyre për kënaqësinë e Zotit, u bë shkak për lartësimin e tyre mbi gjithçka tjetër për të cilën njerëzit vriten dhe garojnë. Agjërimi na konfirmon se mund t’ia dalim pa asgjë tjetër, përveç Zotit, se lidhja jonë me ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet seksuale, nuk janë lidhje vendimtare. Në fakt, ato janë thjesht mekanizma që duhet ti shërbejnë objektivave madhorë. Shumë njerëz i dëgjon teksa pëshpëritin: Nuk heq dot dorë nga duhani, nuk duroj dot pa pirë ujë, nuk vetëpërmbahem dot para një femre të bukur etj... Këta e kanë ndërtuar dhe i kanë dhënë formë jetës duke u bazuar në këto determinizma. Ata e justifikojnë zhytjen në këto vese mbi hipotezën e pamundësisë. Por vjen agjërimi dhe ua konfirmon dhe një herë pasaktësinë e këtyre hipotezave, duke u pohuar mundësinë e lartësimit dhe kapërcimit të këtyre veseve. E gjitha kjo kërkon vetëm një kusht dhe kriter: Që gjithçka të bëhet për hatër të Zotit dhe në kërkim të kënaqësisë së Tij. Asokohe do të shohësh se gjithçka mbi tokë, zvogëlohet dhe i humbet vlerat. Qëmoti, poeti arab qe shprehur: Unin sa më shumë ta nxitësh, aq më shumë harbon Por “jo” po ti thuash, ul kokën dhe asnjë zë nuk lëshon Koncepti i hallallit dhe haramit... rikthim në mësimin e parë të eksperiencës njerëzore. Nëse hallalli dhe harami do të përcaktoheshin nga arsyeja njerëzore, logjika dhe pasioni, ndërprerja e ushqimit dhe marrëdhënieve seksuale gjatë ditës së Ramazanit, nuk do të kishte asnjë kuptim. Arsyeja dhe logjika njerëzore do të kërkonin vazhdimësinë e të ushqyerit, pasi e pajisin njeriun me energji për të punuar dhe adhuruar Zotin. Logjika jonë mund të na imponohej duke na thënë se s’ka asnjë kuptim të heqim dorë nga të mirat për një kohë e ti shijojmë në kohët e tjera. Ky është një problem të cilin e përjetoi dhe babai ynë Ademi a.s, kur iu lejua gjithçka në xhenet, përveç një peme të vetme. Pasioni dhe kureshtja e shtyu pikërisht drejt pemës së ndaluar, duke harruar besën që i kishte dhënë Zotit. Në ato çaste, atij iu ndezën sinjalet e pasionit, sytë ia zbukuronin të ndaluarën dhe zemra e shtynte drejt saj, e për rrjedhojë u zgjatën dhe duart. Kur e ëndërroi dhe dëshiroi “përjetësinë” dhe “pushtetin” dhe hodhi hapin drejt tyre, Ademi a.s kuptoi se sapo kishte humbur gjithçka, madje edhe veshjen që i mbulonte pjesët e turpshme. Asokohe ai kuptoi se pema nuk ishte haram në vetvete, por ishte bërë haram nga Zoti i saj dhe Zoti i tij (Ademit a.s). Ademi a.s u prezantua me këtë urë transparente e cila ndan hallallin nga harami. Ne vazhdojmë të kemi nevojë të ndërgjegjësohemi lidhur me këtë mësim universal, mësimin e parë me të cilin u prezantua babai ynë Ademi a.s. Por Zoti nuk e la Ademin a.s të bjerë viktimë e një harrese dhe një shkarje momentale. Ai ia plotësoi mësimin, duke i mësuar disa fjalë me të cilat ai do të shfaqte pendesën e tij, si mjet për tu pastruar nga gjynahu i cili është pjesë e natyrës njerëzore, e cila është e prirur si për mirë ashtu dhe për ligësi. Agjërimi është ndër ritualet më të fuqishme i cili zgjon vetëdijen rreth kësaj ure transparente mes hallallit dhe haramit. Edhe pse para teje qëndrojnë kushedi sa ushqime e pije të shijshme, bashkëshorten e ke përbri teje, dhe të gjitha këto renditen tek të mirat dhe kënaqësitë e lejueshme, gjatë agjërimit ti refuzon t’u afrohesh, sepse dallon pikërisht atë urën transparente, e cila të bën të heqësh dorë dhe ti refuzosh. Këtë mësim, ne e harrojmë shpesh për shkak të jetës plot probleme e telashe, për shkak të un-it tonë lakmitar, për shkak të vesveseve të shejtanit i cili na shtyn dhe na tundon drejt gjynaheve. Riprogramim Bota e brendshme e njeriut, shpesh herë sulmohet nga viruse të shumtë të cilët depërtojnë në programet e tij themeltare dhe dytësore. Ndonjëherë, imuniteti – antivirusi - arrin ti eleminojë këto viruse, por disa të tjerë depërtojnë thellë e më thellë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në program. Madje, këto viruse mund ta orientojnë aktivitetin psikologjik të njeriut në shërbim të tyre, duke e bërë njeriun që të gjitha potencialet dhe energjitë t’i vërë në shërbim të armikut i cili synon shkatërrimin e tij. Për këtë, psikologjisë së njeriut i lipset një disiplinë riorganizuese, aktive dhe rezistente ndaj viruseve. Ndoshta për këtë dhe shkaqe të tjera, janë obliguar dhe ritualet e ndryshme. Kështu namazi pesë herë në ditë është pastrim fizik dhe shpirtëror. Kësaj forme pastrimi mund ti shtohen dhe namazet vullnetare (nafilet), të cilat përbëjnë një linjë defensive të dytë, e cila kap viruset që kanë arritur të depërtojnë pasi diçka ka çaluar tek namazet farze. Po ashtu, agjërimi është pastrim vjetor i viruseve kronikë, të cilët tashmë kanë hedhur rrënjë në shpirtin e njeriut. Një program specifik pastrimi është dhe zekati, i cili sulmon dhe lufton viruset e makutërisë, kopracisë dhe lakmisë ekstreme për të poseduar pa kufi. Haxhi është një ritual gjithëpërfshirës, i cili fshin të gjithë programet e prishura dhe e përgatit shpirtin për instalimin e programeve të reja. Pastrimi dhe riprogramimi kalojnë përgjatë një udhe e cila përbëhet nga pagjumësia, namazet, leximi i Kuranit, namazi i natës, lëmoshat, lutjet etj... Kjo vazhdon për një periudhë relativisht të konsiderueshme, gjatë të cilës shpirti pajiset me energji reale të cilat i mundësojnë ndryshimin. Kur pastërtia dhe dëlirësia arrijnë maksimumin e tyre dhe arrihet korrigjimi i gabimeve të programimit, shpirti është më në gjendje se kurrë më parë për komunikim me linjën qiellore. Ai është më i përgatitur se kurrë për dhjetë netët e fundit të Ramazanit si dhe për përjetimin maksimal të natës së Kadrit, pra për ti pritur frekuencat e qiellit në mënyrë sa më të qartë dhe të pastër. Bashkimi mes shpirtërores dhe sociales Për shkak të konfliktit mes nevojave, interesave dhe dëshirave, ndodh një çarje në marrëdhëniet mes vetes dhe shoqërisë. Ramazani, me gjithë shanset për ndryshim brenda vetes, që përmendëm më lart, vjen dhe si një shans për të trajtuar ato plagë dhe sëmundje sociale të një viti. Vetë ritualet e Ramazanit, si iftari së bashku, syfyri, vajtja në xhami dhe agjërimi kolektiv e bëjnë më të mundur harmoninë dhe përmirësimin e marrëdhënieve sociale. Kushdo që është në mëri dhe konflikt me dikë, ka shansin më të mirë për ta riparuar dhe restauruar dëmin e shkaktuar. Po, tani unë mundem: Shpesh herë, njeriun e dëgjojmë të thotë: Jo, nuk mundem... nuk ia dal dot... nuk qëndroj dot pa ngrënë qoftë dhe një vakt... nuk e përballoj dot etjen... nuk rri dot pa e ndezur një cigare... Por me të filluar Ramazani dhe agjërimi, shohim që të gjithë këta i përballojnë të gjitha. Kjo na sjell dhe një herë në mendje sa të pabaza janë pretendimet për paaftësi, dobësi dhe ligështi. Ramazani na konfirmon dhe një herë se gjithçka është e mundur dhe çdo pengesë dhe barrierë mund të kapërcehet. Madje shohim që gjatë Ramazanit, myslimanët kanë korrur fitore ushtarake të cilat kanë hyrë në histori, edhe pse kanë qenë agjërueshëm. Ky është tregues se njeriu posedon energji kolosale të brendshme të cilat e ndihmojnë të përballojë etjen, urinë dhe çdo privim tjetër. Që këtu, shprehje si: Nuk mundem, nuk di, nuk ia dal dot... e humbasin vlerën. Përktheu: Elmaz Fida
Posted on: Fri, 02 Aug 2013 21:43:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015