Ahmeti: Në balotazh me LDK-në Jeton Llapashtica Publikuar: - TopicsExpress



          

Ahmeti: Në balotazh me LDK-në Jeton Llapashtica Publikuar: 01.09.2013 - 08:14 Lëvizja “Vetëvendosje” e ka programin konkret për ta ndryshuar rrënjësisht jetën e qytetarëve të Komunës së Prishtinës, dhe ekipin që do ta jetësojë atë program. Kështu ka thënë nënkryetari i kësaj Lëvizjeje, Shpend Ahmeti, i cili të shtunën është zyrtarizuar si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës. Në një intervistë për “Zërin”, vetëm pak kohë pas paraqitjes së parë si kandidat për të parin e kryeqytetit, dhe pas prezantimit të stafit të tij, gjegjësisht, Ahmeti, është shprehur i bindur se 3 nëntori i këtij viti do të jetë datë historike për Kosovën. Ai beson se “Vetëvendosja” do t’i fitojë zgjedhjet, ose së paku do të shkojë në balotazh me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ironizon me kandidatët e partive rivale, të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët nuk i konsideron fare si pjesë e garës. “Kjo do të jetë një garë në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, thotë ai, ndërsa shton se nuk i bën fare përshtypje fakti që Komuna e Prishtinës është tabor i LDK-së dhe nuk ka frikë se përfundimi i zgjedhjeve do ta nxjerrë “të djegur” atë. Edhe nëse në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës garës për t’u bërë kryetar i kryeqytetit i prin Isa Mustafa apo Ismet Beqiri, Shpend Ahmeti thotë se planet konkrete dhe vullneti i mirë i “Vetëvendosjes” do t’i mundë ata. Personi që ka studiuar në Universitetin e Harvardit, e që tani ligjëron lëndën Politikat Publike në Universitetin Amerikan të Kosovës, thotë se të qenit profesor i kësaj lënde i ndihmon shumë që ta drejtojë Komunën e Prishtinës. Zëri: Z. Ahmeti, ndodhi ashtu siç pritej, u zyrtarizuat si kandidat i “Vetëvendosjes” për kryetar të Prishtinës. A do të jetë kjo një sfidë për Ju, kur dihet se kryeqyteti me rrethinë është tabor i LDK-së? Ahmeti: Natyrisht që është sfidë, jo për mua por për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Unë e thashë edhe sot gjatë fjalimit (fjalimit të zyrtarizimit si kandidat për kryeqytetin) me përulje e kam pranuar besimin që ma kanë dhënë anëtarët e Lëvizjes “Vetëvendosje” të Prishtinës për të më kandiduar. Mendoj se nuk do të jetë lehtë, por tashmë janë edhe sondazhet edhe interesimi i qytetarëve që tregon se kjo do të jetë një garë në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes “Vetëvendosje”. Ne synojmë ndryshimin, ne synojmë që ta përmirësojmë jetën e qytetarit duke i sfiduar edhe ata të cilët konsiderohen tradicionalist. Isa Mustafa, ose Ismet Beqiri, humbasin nga unë Zëri: Mbesim edhe pak te kjo temë. Si do t’ia arrini ta mundni, ta zëmë, Isa Mustafën ose Ismet Beqirin, të cilët e përfaqësojnë partinë që tradicionalisht i ka fituar zgjedhjet në Komunën e Prishtinës? Ahmeti: Me plane konkrete, me vullnet të mirë, ato që i potencova disa herë (gjatë fjalimit të zyrtarizimit), ne e synojmë balotazhin, ne e synojmë që të arrihet që të ketë një balotazh në mes të Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa në balotazh dihet se gjithçka është e mundur pastaj. Mendoj se e kemi planin goxha të mirë për ta përmirësuar jetën e qytetarit në të gjitha ato aspekte në të cilat deri më tash janë po aq problematike. Zëri: Dihet se deri më sot secili kandidat që ka garuar kundër LDK-së ka dalë i djegur nga gara. A keni frikë se kjo do t’ju ndodhë edhe juve? Ahmeti: Absolutisht jo. Ne nuk kemi hyrë në politikë që tash të mbajmë një farë sedre personale që tash po ruhemi për diçka tjetër. Unë jam në shërbim të qytetarëve, dhe për shkak se ka pasur interesim që unë të kandidohem, unë jam kandiduar dhe e kam marrë besimin e Lëvizjes “Vetëvendosje”. Për gjithçka ekziston e para, dhe mendoj se edhe qytetarët janë ngopur me situatën e cila mbizotëron në Prishtinë, e cila është një ngufatje e qytetarit do ta quaja, qoftë nga trafiku, qoftë nga mungesa e mundësive, qoftë nga mungesa e çerdheve, e shkollave, të gjitha janë këto probleme me të cilat qytetarët janë ngopur tashmë. Zëri: Cilat janë vërejtjet kryesore që i keni për qeverisjen e Prishtinës dhe çfarë konkretisht do të bëni ndryshe ju? Ahmeti: Ne kësaj radhe do të fokusohemi në atë se çka do të bëjmë ne për Prishtinën. Domethënë, kjo do të jetë baza e fushatës tonë, e planit tonë, që ne përmes asaj se çka ne duam për Prishtinën do të tregojmë se çka nuk ka funksionuar. Domethënë, e përmendën edhe kolegët e mi gjatë fjalimeve që këtu ka shumë probleme, por në vend se vetëm të kritikojmë pushtetin aktual në Komunë, ne do të prezantojmë plane dhe programe që si duhet të ndryshohet kjo. Mendoj se Kosova ka nevojë për një mendje të re, dhe Prishtina posaçërisht do ta quaja një flamurtar në atë drejtim. Kur them mendje të re, nuk mendoj për nga mosha, por mendoj për mënyrën e re të mendimit, e cila është shumë afër qytetarit. Prishtina ka buxhet për t’u zhvilluar më mirë Zëri: Por, çfarë ka punuar mirë për dy mandate kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa? Cila është puna e mirë që është bërë? Ahmeti: Vështirë të gjendem, sepse, po na ndodh që i njëjti shesh të shtrohet dy-tre herë, dhe na tregohet si një projekt i vazhdueshëm. Por, mund të them se ka disa gjëra të cilat janë punuar, natyrisht që me një buxhet gjashtëdhjetë milionësh mund të bësh tepër më shumë sesa që është bërë deri më tani. Pra, unë e potencova që le të vlerësojë qytetari se a është këndshëm të jetohet sot në Prishtinë, apo dëshirojnë ndryshim. Ne mendojmë se qytetarët do të zgjedhin ndryshimin. Zëri: Z. Ahmeti, ju kemi parë teksa keni folur për ekonomi, për politikë, për keqqeverisje, por shumë rrallë për problemet komunale. Po pretendoni të bëheni kryetar i kryeqytetit, prandaj sa jeni i përgatitur dhe i familjarizuar me qeverisjen komunale. Thënë më thjesht, sa e njihni ju qeverisjen komunale? Ahmeti: Jam lindur dhe kam jetuar në Prishtinë tërë kohën. Po ashtu të gjitha studimet dhe po ashtu ligjëroj politikat publike që kanë të bëjnë posaçërisht me pushtetin. A është ai komunal apo qendror bazohet në parimet e njëjta. Nëse i ke parimet e shëndosha, të punës, të planifikimit, të vullnetit për ndryshim, atëherë të gjitha ato do të vijnë dhe do të ketë ndryshim. Unë në këtë garë nuk jam vetë, dhe për këtë gëzohem tepër shumë. Ju i dëgjuat emrat e pesëdhjetegjashtë kandidatëve për asamble komunale, secili më ekspert se tjetri. Pra kur jam në këtë mes të ekspertizës, dhe e di që e kemi një plan, se kemi vullnet, mendoj se ndryshimi do të jetë shumë i lehtë po t’i ketë të gjitha këto gjëra të cilat i përmenda deri më tani. Do t’i rrisim maksimalisht votat në Prishtinë Zëri: Por a e njihni mënyrën se si funksionon Kuvendi Komunal, qeverisja komunale?... Ahmeti: Natyrisht, unë edhe kur kam qenë në Institutin GAP, atëherë kemi bërë shumë punë me Komunat e Kosovës, kur kemi vlerësuar qeverisjen në komunë, gjatë asaj kohe jam marrë shumë edhe me legjislacion, prandaj nuk është ndonjë problematikë që të kuptohet se si funksionon një pushtet. Natyrisht, me ndryshimin tonë, ne tregojmë edhe si mendojmë se duhet të funksionojë komuna, prandaj gjatë qeverisjes tonë do të ketë tepër më shumë transparencë dhe demokraci, ku do të dihet saktësisht se çka ndodh dhe çka bëhet në Komunë. Zëri: Dhe, nëse maksimumi i punës suaj në vjeshtën e këtij viti është fitorja e zgjedhjeve, cili është minimumi që synoni? Ahmeti: Kjo është hera e parë që Lëvizja “Vetëvendosje” merr pjesë në zgjedhjet lokale, domethënë, kësaj here ne synojmë rritjen e votës së Lëvizjes “Vetëvendosje” në gjithë Kosovën. Domethënë, nëse është hera e parë që marrim pjesë ne do të bëhemi opozitë. Prandaj, minimumi, nëse e krahasojmë me tani që kemi vetëm këshilltar të Kuvendit Komunal të cilët na janë bashkangjitur nga subjektet tjera, kësaj radhe ne synojmë të bëhemi opozitë e fuqishme në çdo komunë. Prandaj, për neve minimumi duhet të jetë rritja e votës, sepse këtë po e tregojnë të gjitha sondazhet, kjo duhet të aktualizohet. Zëri: A do të pranoni të bëni koalicion me partinë fituese të zgjedhjeve për të bashkëqeverisur Prishtinën? Ahmeti: Herët është të flitet për koalicione, megjithatë, ne si në nivelin qendror, ashtu edhe në nivelin lokal potencojmë dy gjëra, koalicion me të gjithë ata me të cilët pajtohemi me program dhe me të cilët ka besim të ndërsjellët. Nëse janë të interesuar të tjerët që të zbatojnë një program për të mirën e Prishtinës, dhe ka besim të ndërsjellët në mes nesh, Lëvizja “Vetëvendosje” është subjekt shumë i hapur. Zëri: Dhe për fund, është krijuar një “rregull i pashkruar”, të paktën në dy palë zgjedhjet e fundit që kandidati për kryetar të Prishtinës të jetë i lindur dhe i rritur në Prishtinë. Ju thatë që e plotësoni këtë kriter, por a duhet të jetë kështu? Ahmeti: Unë do të thosha, nuk mendoj se dikush duhet të jetë i lindur dhe i rritur në Prishtinë që të jetë kandidat, sepse ky është një shtet i vogël ku ka lëvizje të shumta, pra, nuk mendoj se duhet të ketë një rregull të tillë. Megjithatë, duhet të jetë dikush që e njeh së paku Prishtinën, prandaj rregullat e tanishme janë të mjaftueshme, pra nëse qytetarët e atij vendi i besojnë një njeriu, nuk mendoj se duhet të ketë rregull të jesh i lindur e i rritur në Prishtinë. Po ashtu shfrytëzoj rastin që të gjithë kandidatëve të subjekteve tjera t’iu uroj një fushatë fer, një fushatë korrekte dhe natyrisht që të respektohet vota e qytetarëve të Prishtinës. Kurti: Ahmeti, njeriu më i mirë për Prishtinën! Sikurse që ka raportuar “Zëri” të shtunën, Lëvizja “Vetëvendosje” dje e ka zyrtarizuar Shpend Ahmetin si kandidat për kryetar të Prishtinës, ndërsa, lideri i kësaj partie, Albin Kurti, ka deklaruar se Ahmeti është personi që i duhet kryeqytetit. “Shpend Ahmeti është qytetari i përgjegjshëm, aktivisti i palodhshëm, profesionisti adekuat, njeriu i mençur e i ditur, i guximshëm e punëtor, që do ta nxjerrë Prishtinën nga kriza, që do ta zhvillojë e përparojë Prishtinën”, ka deklaruar ai.
Posted on: Tue, 01 Oct 2013 20:42:42 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015