Anastasi! Durrsaku që u bë Perandor i Bizantit Nga Ilirjan - TopicsExpress



          

Anastasi! Durrsaku që u bë Perandor i Bizantit Nga Ilirjan Gjika 1. ‘’Bota’’ Iliro-Arbërore bashkëjetoi rreth 800 vjet me ‘’Qytetërimin Bizantin’’, pothuajse gjatë gjithë mesjetës. Bizanti, jo vetëm ushtroi një ndikim të jashtëzakonshëm, si vazhdim i qytetërimit romak, por pati aftësinë që të “thithte” dhe të përfshinte në “kozmosin” e tij edhe vlerat më të arrira, që vinin nga provincat dhe themat perëndimore Iliro-Arbërore. Ndërkohë që Perandoria e Bizantit si pjesë e një prej qytetërimeve të mëdha botërore veçohet për arritjet e saj në aspektet politike, diplomatike, ushtarake, ekonomike dhe kulturore. Pikërisht në këtë realitet kozmopolit një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe paraardhësit e Shqiptarëve të sotëm. I pari midis këtyr të shumtëve ishte edhe Anastasi, perandori, që bashkëqytetarët e tij nuk e donin, sepse e lidhi qytetin e tyre, Durrësin, me Kostandinopolisin dhe Lindjen. Pikërisht Durrësi, qendra e provincës Romako-Bizantine të Epirit të Ri, ishte porti kryesor i Bizantit në kufijte perendimorë të tij. i quajtur edhe ‘’Taverna e Adriatikut, apo ‘’Metropoli i Ilirikut’’, ai shërbente fillim i rrugës Egnatia, arteries që lidhte Perëndimin me Lindjen, por edhe si bazë kryesore e Flotës Perandorake. Nga ky qytet, Perandorise Bizantine do ti vinin të gjitha rreziqet nga Perëndimi, siç ishin sulmet normane, kryqtare apo anzhuine, si dhe pretendentët e shumtë që synonin fronin. Ndërkohë që nga ‘’gjiri’’ i elitës politike, ushtarake dhe kishtare të tij, dolën mjaft personalitete të fuqishme, midis tëe cilëve edhe Anastasi, i pari perandor i Bizantit. 2 Anastasi i cili sundoi në vitet 491-518, ishte i shta ti perandor bizantin, pas Arkadit, Teodosit II, Marcianit, Leonit I, Leonit II dhe Zenonit ( Georg Ostrogorski. Historia e Perandorisë Bizantine. SH. B. Dituria. Tiranë 1997. Fq 38 ) Ai lindi në Durrës rreth vitit 430, në një familje të varfër ( Zhan Klod Faverial. Historia e Shqipërisë. Plejad. Tiranë 2004. Fq 99 ). Pasi u bë nëpunës oborri ai u prezantua si një administrator energjik ai u zgjodh si perandor në vitin 491, duke zëvendësuar paraardhësin e tij, perandorin Zenon, pasi u martua me të venë e tij Ariadnën (Georg Ostrogorski. Historia….fq.39). Anastasi qeverisi për 20 vjet dhe u tregua një administrator dhe shtetar i zoti. Ndër reformat e para të tij ishte riorganizimi i sistemit financiar të Perandorisë Bizantine, ku paraja fiksoi një kurs stabël. Ai emetoi monedhat e reja prej bronzi, në vend të atyre prej bakri që qarkullonin më parë. Në vijim të kësaj politike ai riorganizoi edhe sistemin e mbledhjes së taksave që fuqizoi financat shtetërore. Tashmë në province ato do të mblidheshin nga nëpunës financiarë që emëroheshin nga prefektet pretorianë ( Tajar Zavalani. Histori e Shqipnis, Phoenix e Shtëpia e Librit. Tirane 1998. Fq 63-64 ). Në fund të qeverisjes së tij Anastasi, i la arkës së shtetit një shumë prej 320 000 librash ari (G. Ostrogorski, Po aty. Fq. 40). Ndërkohë sundimi i Perandorit me origjinë Ilire u shoqërua me revolta dhe luftëra civile, të cilat nxiteshin nga partia e të kaltërve në vitin 521. Vetë perandori ishte përkrahës i partisë të së gjelbërve, armike deri në vdekje e partisë tjetër të kostandinopojës, të kaltërtve. Po kështu Anastasi ishte përkrahës i rrymës kristiane të Monofizizmit, e cila I kundërvihej rrumës tjetër të Ortodoksisëë. Të tilla ishin revoltat e grupeve të ndryshme kristiane kundërshtarë të ideologjisë së tij ose revolta e Vitalianit kryekomandantit të Trakës, i cili e rrethoi tre herë Kostandinopolisin ( Po aty. Fq 41 ). Po kështu edhe grupi i fuqishëm i Izaurëve të Azisë së Vogël, që kishte qernë në pushtet me Leonin e II dhe Zenonin, u luftua nga Anastasi ( Po aty. Fq 40 ) Ashtu si paraardhësit e tij, Anastasi, konsiderojet si ‘’Burrë Shteti’’, sepse riorganizimi i ushtrisë dhe reformimi i administratës ishin masa të rëndësishme të vazhdimësisë s ë Perandorisë Bizantine ( Ferdinant Schevill. Histori e Ballkanit. SH. B. ‘’Uegen’’. Tiranë 2002. Fq 52 ). Reformat e tij, nënvizon historiani Ferdinant Schevill: ‘’Sollën ndryshime në fushën ekonomike dhe financiare. Duke ulur taksat mbi tregtinë, ai e gjallëroi atë duke reduktuar kështu difiçitin, si rezultat i parë i reformës. Përveç kësaj, ai ndërmori reformat ë rëndësishme administrative, të bazuara në vjeljen e rregullt të taksave dhe nëmoskorruptimin e personave përgjegjës për to. Me reformat inteligjente, Anastasi jo vetëm që shpëtoi vendin nga borxhet, por krijoi një thesar me qindra mijëra dukatë ari. Një ushtri e armatosur mirë dhe një financë të sigurtë…’’ ( Po aty. Fq 53 ). Si durrsak, Anastasi, tregoi kujdes të veçantë për qytetin e tij të lindjes. Ai rindërtoi sistemin mbrojtës të Durrësit, gjatësia e mureve te te cilit arrinte gjatësinë 4400 m. Ato kishin gjerësi prej 3.5 m dhe ishin të larta 12 m dhe u ndërtuan me tulla të kuqe ashtu siç i shohin dhe sot (A. Meksi, Arkitektura Mesjetare në Shqipëri. SH. B. ‘’8 Nëntori’’. Titanë 1983. Fq.13 ). Përveç tyre Anastasi ndërtoi edhe kështjellën dhe hipodromin, si dhe një kishë, atë të Shën Anargjireve ( A.Meksi. Revista Monumente II. Tiranë 1985. Ffq.15). Në kohën e tij u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe u ndërtuan një pjese e mureve rrethuese të Kostandinopolisit ( Tajar Zavalani. Histori e Shqipnis, Phoenix e Shtëpia e Librit. Tirane 1998. Fq 63-64 ). Ndoshta që nga kjo kohë doli jashtë funksionit dhe u përdor për qëllime të tjera edhe amfiteatri i Durrësit, një nga monumentet më të rëndësishme të këtij qyteti, ndërtuar gjatë periudhës romake, diku në shekullin e-II të, në kohën e sundimit të perandorit Adrian ( Vangjel Toçi. Amfiteatri i Dyrrahit. Revista Monumentet. II. Tiranë 1971. Fq 37-40 ). Interesant është fakti se, Anastasi kishte edhe një portret të çuditshëm. Ai gjysmën e kokës e kishte me flokë të verdhë dhe gjysmën gështenjë, ndërsa njërin sy e kishte bojëqielli dhe tjetrin të zi. (Aristidh Kola, Arvanitasit dhe Prejardhja e Grekëve. SH. B. ‘’55’’. Tiranë 2002. Fq.209). Perandori Anastas vdiq në 1 korrik të vitit 518 dhe u zëvendësua nga Justini, një tjetër bashkëkombas i tij. Ky perandor Ilir nga Dardania u pasua në vitin 527 nga i nipi, perandori Justinian. Gjatë sundimit të Justinianit, në vitin 532, kur kundër sundimit të Justinianit shpërtheu kryengritja e njohur ‘’Nika-Fitore’’, në të morën pjesë edhe dy nipërit e Anastasit; Pompeu dhe Ipati. Ata u ftuan nga partia e të gjelbërtve, përkrahës i së cilës kishte qenë dikur Anastasi. Qëllimi i tyre ishte për të marrë pushtetin që u takonte si trashëgimtarë te perandorit me origjinë nga Durrësi. Me të drejtë, Ferdinant Schevill, thekson se “Kjo revoltë përbënte një përpjekje për të larguar perandorin Justinian nga froni’’ ( F. Schevill. Ballkani…fq 55 ). Megjithëse ata arritën deri në prag të suksesit, sepse Justiniani mendoi se gjendja e tij ishte e pashpresë dhe u bë gati te largohej nga Kostandinopolisi. Por do të ishte Teodora, e shoqja që e pengoi në momentin e fundit. Kështu perandori vendosi të qëndronte dhe dihet tashmë fati i keq i kryengritjes, e cila u shtyp nga strategu i Justinianit, Belizari, i cili i masakroi kryengritësit në hipodrom. Ky fat pasoi edhe dy nipërit e perandorit Anastas. Kështu Pompeu dhe Ipati u vranë dhe trupat e masakruar te tyre u hodhën në detin Marmara. Një luftë e denjë brenda llojit, ku anëtarët e dy familjeve Ilire luftuan në Kostandinopojë për fronin e Bizantit. Duhet theksuar se qytetarët e tij Durrsakë nuk e donin Anastasin. ‘’Populli I Durrësit, thotë Edëin Jacques, e përbuzi atë. Kjo erdhi për shkak se ai e shkëputi Durrësin nga Perëndimi dhe e lidhi me Lindjen. Ekzistojnë arkefakte të gjetura në Durrrës me fjalë fyese ndaj tij ( Edëin Jacques. Shqiptarët. Kartë e Pendë. Tiranë 1995. Fq 172 ). Ndoshta kjo vjen se ai ishte përkrahës i rrymës lindore të kristianizmit monofizist, e cila lindi dhe i kishte përkrahësit në Siri dhe Egjipt ( Ogyst Baji. Perandorija e Bizantit. SH. B. Arbri. Fq 28 ). Kështu edhe orientimi i Anastasit ishte krejt i kundërt me ‘’durrskaët’’ të cilët siç duket ushqenin ndjenja të forta ndaj Romës. Ndërkohë të gjithë autorët që kanë shkruar rreth tij e përmendin si një administrator të mirë që ripërtëriu finamcat dhe nëpërmjet tyre forcoi ushtrinë dhe bëri fortifikime. Të tillë mund të përmendim me radhe Edëin Jacques, Ogust Bajin, Averil Cameron, Ferdinant Schevill, etj. Ndërkohë që Faveriali e akuzon Anastasin se dogji aktet e njërit prej koncileve më të rëndësishëm kishtarë, atë të Kalcedonit (Zh. K. Faverial. Historia…fq 99 ), ndërsa Cameron, thekson se Anastasi erdhi në fron si rezultat I zgjedhjes së së vesë së perandorit të vdekur Zenon ( A. Cameron. Bizantinët fq 55 ). 3 Ndërkohë që për këtë figurë sistorike si Anastasi i I-rë, historografia e vendeve fqinje do të bënte çmos që ta bënte pjesë të sajin, tekstet tona, si ato akademike por edhe ato shkollore flasin fare pak. Gjithsesi për Anastasin, disa tekste shkollore përmbajnën vetëm disa rreshta. Kështu nga katër të tillë që kishte për të teksti i klasës së XII, të gjimnazit në vitin 2010, me reformën arsimore, ai i vitit 2011 e në vazhdim është reduktuar vetëm në dy rreshta. Ndëra perandori Justin, themeluesi i dinastisë ilire të Bizantit nuk përmendet fare. Kurse për Justinianin, perandorin e shquar që konsiderohet ‘’I fundit perandor i Romës dhe i pari i Bizantin’’, është i mjaftueshëm vetëm një rresht. Si duket na duhet për të mësuar historinë tonë të pasur, të cilën fqinjët dhe të tjerët na e kanë zili.
Posted on: Sat, 14 Sep 2013 11:25:52 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015