Artikull interesant - KEYNES Portrete nga një - TopicsExpress



          

Artikull interesant - KEYNES Portrete nga një ekonomist-profet Më 27 qershor 1919, pak muaj nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore, u nënshkrua në Versajë Traktati i Paqes midis Gjermanisë dhe vendeve fituese. Gjashtë muaj më pas, në dhjetor të 1919, John Maynard Keynes botonte “Pasojat ekonomike të paqes”. Libri pati një sukses të bujshëm. Në harkun e pak muajve u shitën më shumë se 100 mijë kopje, u përkthye menjëherë në shumë gjuhë dhe i siguroi autorit një famë të veçantë ndërkombëtare që formoi më pak premisën e vëmendjes që do të përfitonin shkrimet e tij të mëparshme dhe në veçanti “Teoria e përgjithshme e punësimit, interesit dhe monedhës” e vitit 1936, libri më i rëndësishëm i ekonomisë i shekullit të njëzet. Në vitin 1919, Keynes ishte 36 vjeç, ishte bashkëpunëtor i King’s College dhe ishte pothuajse i panjohur jashtë rrethit të ekonomistëve të Camnridge University. Gjatë luftës kish bashkëpunuar me Thesarin anglez dhe me këtë cilësi mori pjesë në Konferencën e Paqes si përfaqësues kryesor u qeverisë për çështjet financiare. Qysh nga fillimi i shoqëruar nga bindja e thellë se imponimi ndëshkues i aleatëve kundrejt Gjermanisë ishte krejtësisht i gabuar dhe se ai nuk do të kish prodhuar gjë tjetër përveçse katastrofave. Mikut të tij Duncan Grant i kish shkruar më 14 maj: “Prej shumë javësh janë absolutisht i depresuar nga e keqja që më rrethon. Paqja është e turpshme, e pamundur dhe nuk ka sesi të mos prodhojë gjë tjetër përveçse probleme… Falë Zotit do të jem jashtë shpejt, pasi i kam kërkuar Thesarit që të më lërë të lirë në fund të majit ose maksimumi brenda 15 qershorit”. Së jëmës i kish shkruar në të njëjtën periudhë duke ju ankuar se i ishte dashur që të jetë “bashkëpunëtor i të gjithë kësaj keqdashësie dhe çmendurie” dhe më 5 qershor, në dhënien e dorëhqejes nga posti, i kish shkruar Kryeministrit të tij Lloyd George: “Më duhet t’Ju informoj se të shtunën zhdukem nga skena e këtij ankthi… Kam shpresuar edhe në këto javë të fundit të tmerrshme që Ju të mund të arrinit ta bënit Traktatin një dokument të drejtë dhe të dobishëm… Por tani, me sa duket, është vonë. Beteja është humbur. Ua lë binjakëve (i referohet Wilson dhe Clemenceau, shënimi im.) që të gëzojnë shkatërrimin e Evropës…”. Me këto premisa Keynes vendosi që të shkruajë një koment të Traktatit të Paqes. Rezultoi një esé jashtëzakonisht polemike kundër çmendurisë së paqes “kartagjenase” që fitimtarët kishin dashur t’i vendosnin Gjermanisë. Shkruan Keynes: “Nuk mund të kthehet prapa ora. Nuk mund të çohet Evropa qëndrore në vitin 1870 pa krijuar në strukturën evropiane tensione të tilla dhe të shpërthejë forca të tilla njerëzore dhe shpirtërore sa për të shkatërruar, duke tejkaluar kufij e racam jo vetëm ne dhe “garancitë” tona, por edhe institucionet ekzistuese dhe rendin ekzistues të shoqërisë sonë” (fq. 44). Në esé afirmohej se reparacionet e konsiderueshme për dëmet e luftës të vëna Gjermanisë nga Traktati i Paqes përbënin një dhunim trashanik si të termave të armëpushimit, ashtu dhe të 14 Pikave që Presidenti i Shteteve të Bashkuara Wilson kish shpallur solemnisht përpara Kongresit amerikan përpara fillimit të Konferencës. Reparacionet, theksonte Keynes nëpërmjet një shqyrtimi të vëmendshëm të potencialit ekonomik të Gjermanisë pas humbjes, kishin një barrë ekonomike që shkonte përtej mundësive të këtij vendi. Nga kjo analizë rezultonte një konkluzion që kish formën e një profecie të tmerrshme: “Në qoftë se do të synojmë qëllimisht për ta varfëruar Evropën qëndrore, hakmarrja – guxoj të parashikoj – nuk do të vonojë. Atëherë asgjë nuk mund ta vonojë gjatë këtë luftë civile midis forcave të reagimit dhe konvulsioneve të dëshpëruara të revolucionit, respektivisht së cilës tmerret e luftës së kaluar gjermane do të zhduken në hiç”. Pjesa finale e esésë ravijëzonte një imponim të ndryshëm të sistemimit të pasluftës. Keynes theksonte se ishte e nevojshme të kënaqeshin nevojat ushqimore më imediate të Gjermanisë, se vëllimi i reparacioneve duhet të përcaktohej në masë shumë më modeste dhe, së fundi, se Shtetet e Bashkuara duhej t’i falnin kreditë e mëdha të maturuara gjatë luftës ndaj aleatëve me mundësinë vijuese për këta të fundit që t’i reduktonin pretendimet e tyre kundrejt Gjermanisë. Që bëhej fjalë për një vizion largpamës është demostruar jo vetëm nga realizimi i profecisë së Keynes, por edhe nga fakti që rruga që u zgjodh në përfundim të Luftës së Dytë Botërore – duke filluar nga krijimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe i Bankës Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe lançimi i Planit Marshall nga ana e Shteteve të Bashkuara – ka pasur saktësisht efektet pozitive që Keynes kish konceptuar në librin e tij. “Pasojat ekonomike të paqes” meritojnë kështu që akoma sot të lexohet e të meditohet dhe jo vetëm si manifestimi i një force të jashtëzakonshme mendimi e kurajoje për të shprehur opinione pastërtisht kundërrrymë respektivisht ideve predominuese, por edhe për një stil letrar me një gjallëri të habitshme. E dëshmojnë portretet që Keynes u kushton tri protagonistëve kryesorë të Konferencës, domethënë Clemenceau, Lloyd George dhe Wilson. Të katërtit, domethënë italianit Vittorio Emanuele Orlando, Keynes nuk i kushton veçse pak rreshta të shoqëruara nga përshkrimi, në një esé që botoi disa vjet më vonë, i një seance të Këshillit të Paqes të nesërmen e vendimit italian për ta braktisur (përkohësisht) tryezën e Konferencës, të përzierjes së ironisë dhe bezdisë me të cilën të tre të mbeturit i referohen Kryeministrit italian. “Vetëm mund ta mendonte ndryshe” Portreti më i ashpër është ai që Keynes i kushton francezit Clemenceau, më i pamëshirëshmi është ai i Wilson, më sarkastiku ai i Lloyd George, pjesërisht i fshirë nga teksti dhe i ribotuar tërësisht ndonjë vit më vonë. Për Clemenceau lexohet: “Clemenceau ishte anëtari më i shquar i Këshillit të të Katërve dhe i kish matur kolegët. Vetëm ai kishte një ide dhe së bashku ia kish konsideruar të gjitha pasojat. Mosha, karakteri, truri, paraqitja e tij kombinoheshin në dhënien objektivitet dhe një profil të përcaktuar në një mjedis konfuzioni. Nuk mund as ta përbuzje, as ta urreje Clemenceau, por vetëm ta mendoje ndryshe rreth natyrës së njeriut civil ose, të paktën, të ushqeje një shpresë të ndryshme. Pamja dhe sjellja e Clemenceau janë të njohura botërisht. Në Këshillin e të Katërve ai mbante një jelek leshi të ri dhe në duar, që nuk qëndronin asnjëherë të zbuluara, doreza gri me lëkurë kamoshi; këpucët i kishte prej lëkure të zezë, të shkëlqyera, por me formë fshatareske dhe nganjëherë të mbyllura përpara, në mënyrë kurioze, nga një tokëz në vend të lidhëseve. Në sallën e shtëpisë të Presidentit Wilson ku mbaheshin mbledhjet e rregullta të Këshillit të të Katërve (të dalluara nga konferencat private, pa ndihmësa, në një sallë më të vogël në katin poshtë), Clemenceau ulej në një karrike katrore, të veshur me damask, në mes të gjysëmrrethit përpara oxhakut, me Kryeministrin italian Orlando nga e majta dhe, në krah të oxhakut, Presidentin Wilson dhe në të djathtë të tij, përballë me Wilson, Kryeministrin britanik Lloyd George. Nuk mbante me vete as letra, as dosje dhe nuk asistohej nga një sekretar personal, por ministra dhe funksionarë francezë të përshtatshëm ndaj argumentit në shqyrtim qenë të pranishëm përreth tij. Hapi, dora dhe zëri i tij nuk i mungonte energjia; jo më pak, sidomos pas atentatit i të cilit kish qenë objekt, kish pamjen e një njeriu shumë të plakur, që i rezervonte forcat e tij për rastet e rëndësishme. Fliste rrallë, duke ua lënë ekspozimin fillestar të pikëpamjes franceze ministrave apo funksionarëve të tij; shpesh i mbyllte sytë dhe rrinte i relaksuar në karrike me një fytyrë që nuk tregon asnjë emocion, duart me doreza të mbledhura në bark. Një shprehje e shkurtër, e prerë apo cinike, ishte përgjithësisht e mjaftueshme, një pyetje, një refuzim i prerë i ministrave të tij pa i shpëtuar fytyrën apo një saktësim i fuqishëm i forcuar me ndonjë fjalë në anglish me shqiptim të tharët. Por elokuenca dhe pasioni nuk i mungonin kur ishte nevoja dhe shpërthimi i papritur verbal, shpesh i pasuar nga një kollë e thellë, prodhonte efektin e saj më deridiku me energji dhe surprizë sesa me bindje” (fq. 38-40). “Clemenceau mendonte për Francën atë që Perikliu mendonte për Athinën: ajo ishte për një vlerë e pashoqe dhe asgjë tjetër nuk i interesonte. Por teoria e tij e politikës ishte ajo e Bismarck. Kishte një iluzion të vetëm, Francën, dhe një zhgënjim të vetëm, njerëzimin, përfshi francezët dhe, jo të fundit, kolegët e tij. Të paraqesë parimet e tij për paqet është mjaft e thjeshtë. Mbi të gjitha ai, në fushën e psikologjisë gjermane, aderonte fuqimisht ndaj opinionit sipas të cilit gjermani kupton dhe është në gjendje të kuptojë vetëm frikësimin; është i privuar nga bujaria dhe skrupujt për të negociiuar, i gatshëm të përfitojë nga ndonjë avantazh i çfarëdoshëm kundër teje, i gatshëm për çdo meskinitet që i kthehet e dobishme; pa nder, pa krenari, pa mëshirë. Kështu që nuk duhet të negociosh me një gjerman apo ta marrësh me të mira: duhet ta komandosh. Asnjë pakt nuk do të respektojë ose do ta pengosh që të të mashtrojë. Por është e dyshimtë se deri në çfarë pike Clemenceau i mendonte këto karakteristika të veçanta të Gjermanisë dhe nëse opinioni i tij i hapur ndaj disa vendeve të tjera ishte thelbësisht ndryshe. Për pasojë, filozofia e tij nuk pranonte “sentimentalizma” në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kombet janë entitete reale: dashuron një dhe për të tjerët provon indiferencë ose urrejtje” (fq. 41). “Kështu, për sa e mundur, ishte synimi i politikës që ta kthente prapa orën dhe të anulonte përparimet e kryera nga Gjermania pas vitit 1870. Me humbjet territoriale dhe masa të tjera duhej të reduktohej popullsia e saj, por sidomos duhej shkatërruar sistemi ekonomik mbi të cilin bazohej forca e re e saj, struktura e gjerë e ndërtuar mbi hekurin, qymyrin dhe transportet. Në qoftë se Franca mund të fuste në dorë, qoftë edhe pjesërisht, atë që Gjermania ishte e detyruar të cedonte, pabarazisë së forcave midis dy vendeve rivalizuese për hegjemoninë europiane do t’i jepej ilaçi për shumë breza” (fq.43). “Çfarë njeriu i madh arriti në Evropë” Po aq i pamëshirshëm është portreti që Keynes i kushton Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson: “Çfarë vendi kishte Presidenti në zemrat dhe në shpresat e botës kur u ngjit drejt nesh mbi George Washington! Çfarë njeriu i madh arriti në Evropë në ato ditë të para të fitores tonë! Në nëndor të 1918 armatat e Foch dhe fjalët e Wilson na kishin sjellë një rrugëdalje të papritur nga një konflikt që po gllabëronte gjithçka që na ishte e dashur. Rrethanat dukeshin të favorshme përtej çdo shprese. Fitorja ishte aq e plotë sa të mos kërkonte që frika të kishte ndonjë pjesë në sistemimin final. Armiku i kish dorëzuar armët duke besuar në një pakt solemn rreth karakterit të paqes, një pakt termat e të cilit dukej se garantonin një zgjidhje të drejtë e shpirtmadhe dhe shpresa të mira të rivendosjes të rrjedhës së prishur të jetës. Për garanci më të madhe, Presidenti vinte personalisht për ta vulosur veprën e tij. Kur ishte nisur nga Washington, Presidenti Wilson gëzonte në të gjithë botën një prestigj dhe një influencë morale të pashoqe në histori. Fjalët e tij kurajoze dhe të matura u vinin popujve europianë mbi dhe përtej zërave të politikanëve të tyre. Popujt armiq besonin se ai do ta përmbushte paktin që kish shtrënguar me ta dhe popujt aleatë i njihnin jo vetëm si fitues, por pothuajse si profet” (fq. 44-45). “Kurrë një filozof nuk kish pasur armë të tilla për të detyruar parimet e kësaj bote. Si mblidheshin rreth veturës së Presidentit turmat e kryeqyteteve evropiane! Me sa kuriozitet, ankth, shpresë, kërkonim që të kapnim një rreze të atributeve dhe të sjelljes të njeriut të fatit, të ardhur nga perëndimi, që do të shëronte plagët e prindit të lashtë të qytetërimit të tij dhe do të hidhte themelet e të ardhmes tonë! Zhgënjimi qe aq total sa që disa prej atyre që kishih ushqyer besim pothuajse nuk guxonin të flisnin. Ka mundësi që të jetë e vërtetë? pyesnin atë që kthehej nga Parisi. Traktati ishte tamam aq i keq sa dukej? Çfarë i kish ndodhur Presidentit? Çfarë dobësie apo çfarë fatkeqësie kish çuar në një tradhëtim kaq të jashtëzakonshëm, kaq të papritur? Megjithatë, shkaqe qenë shumë të rëndomta, shumë njerëzore. Presidenti nuk ishte hero apo profet; nuk ishte as filozof, por një njeri me synime bujare, me shumë prej dobësive të qënieve të tjera njerëzore dhe i privuar nga mjetet dominuese intelektuale që do të kishin qenë të nevojshme për të kundërshtuar ballë për ballë në Këshill tërheqësit dinakë e të rrezikshëm që një përplasje e tmerrshme forcash dhe personalitetesh i kish sjellë në majë si mjeshtër triumfues të lojës së zgjuar të koncensioneve reciproke: një lojë për të cilën ai nuk kishte asnjë përvojë. Rastësisht për Presidentin kishim një ide krejtësisht të gabuar. E dinim vetmitar e të rezervuar dhe e besonim njeri me vullnet e këmbëngulje të hekurt. Nuk e mendonim të vëmendshëm ndaj detajeve të imta, por qartësia me të cilën zotëronte disa ide të caktuara thelbësore, bashkuar me durimin e tij, do ta kishin vënë në gjendje, mendonim, që të shkatërronte kurthe dhe mashtrime. Përveç këtyre cilësive kishte sigurisht objektivitetin, kulturën, dijen e gjerë të studiuesit. Finesa e madhe e gjuhës që kish shënuar notat e tij të famshme dukej se nënvizonte një imagjinatë të lartë dhe të fuqishme” (fq. 45-46). “Përshtypja e parë e Wilson parë nga afër i dëmtonte disa prej këtyre iluzioneve, por jo të gjitha. Koka dhe tiparet qenë të mirëmodeluara dhe u korrespondonin përsosshmërisht fotografive; muskujt e qafës dhe mbajtja e kokës qenë shumë të dallueshme, por, ashtu si Odiseu, Presidenti dukej më i zgjuar kur ishte ulur dhe duarve të tij, megjithëse të afta dhe shumë të forta, i mungonin ndjeshmëria dhe finesa. Një sy i parë sugjeronte jo vetëm se temperamenti i Presidentit, cilido të ishte, nuk ishte kryesisht ai i studiuesit apo i njeriut të mendimit, por se atij i mungonte edhe ajo kulturë mondane që dallon një Clemenceau dhe një Balfour si ekzemplarë të rrallë të klasës dhe të brezit të tyre” (fq. 46). “Por në qoftë se Presidenti nuk ishte mbreti filozof atëherë çfarë ishte?… Zgjidhja, njëherë e gjetur, ishte ndriçuese. Presidenti i ngjante një pastori jonkonformist, të themi një presbiterian. Mendimi dhe temperamenti i tij qenë thelbësisht teologjikë, jo intelektualë, me të gjithë forcën dhe dobësinë e kësaj mënyre të menduari, të ndjeri dhe të shprehuri. Është një tip njerëzor, të cilit sot nuk i gjenden në Angli dhe në Skoci ekzemplarët e dikurshëm; ky përcakti, jo më pak, do t’i japë lexuesit anglez një ide mjaft të qartë për Presidentin” (fq.47). “Në realitet Presidenti nuk kish përpunuar asgjë prej gjëje: duke ardhur në aktin praktik, idetë e tij qenë të mjegullta dhe defektoze. Ai nuk kish asnjë plan, asnjë projekt, jo ide konstruktive për të veshur me mish të gjallë urdhërimet që kish lëshuar nga Shtëpia e Bardhë. Mund të kish bërë një predikim mbi secilin prej tyre ose t’i drejtohej të Plotfuqishmit një lutje solemne për përmbushjen e tyre, por nuk ishte në gjendje të formulonte zbatimin konkret të tyre ndaj gjendjes praktike të Evropës” (fq. 48). “Element femëror i intrigës trekëndore” Siç është thënë, për sa i përket Lloyd George, Keynes hoqi nga libri i tij gjykimet më të ashpra, edhe pse ndonjë vit më vonë i përfshiu tek “Esé në biografi” të vitit 1933 (Mr.Lloyd George a Fragment in The Collected Writings of John Maynard Keynes, vol. X, Macmillan, Cambridge, 1972, fq 20-26). Ky është portreti: “Presidenti, Tigri dhe Shtriga uellsiane mbylleshin së bashku në një dhomë për gjashtë muaj dhe qe nga kjo që ka dalë Traktati. Po, shtriga uellsiane, sepse Kryeministri anglez përbënte elementin femëror në këtë intrigë trekëndore. E kam quajtur zotin Wilson një pastor jokonformist. Lexuesi ta imagjinojë Lloyd George si një femme fatale. Një njeri i vjetër i botës, një femme fatale dhe një pastor jonkonformist janë protagonistët e kësaj drame. Do të doja të përshkruaja tani fshesën ( e shtrigës), ndërsa fluturonte në gjysëmhijen e Parisit… Përkushtimi i Lloyd George ndaj detyrës në Konferencën e Parisit ishte një shembull për të gjithë… Por në këtë testim të karakterit që ofronte Parisi, instiktet e mira natyrore të Kryeministrit, karakteri punëtore e tij, vitaliteti i tij i pashtershëm nervor nuk shërbenin aspak. Në atë furrë qenë të nevojshme cilësi të tjera… Sikur Lloyd George të mos kishte cilësi, sharm dhe vizione të mira, nuk do të ishte i rrezikshëm. Sikur të mos ishte sirenë nuk duhet t’ju frikësoheshim vorbullave të ujit. Por nuk është e drejtë t’i zbatosh atij standardet e zakonshme. Si mund t’i bëj lexuesit, i cili nuk e njeh, një përshtypje të vërtetë për këtë figurë të jashtëzakonshme të kohës tonë, kësaj sirene, këtij bardi më këmbë dhije, këtij vizitori gjysëmnjerëzor të kohërave tona të ardhur nga magjia e plotë e shtrigave dhe nga pyjet e magjepsur të lashtësisë keltike? Në shoqërinë e tij shijohet era e papërgjegjshmërisë absolute, e ekzistencës së huaj ndaj konceptimeve tona saksone të së mirës e të së keqes, bashkuar me dinakërinë, mungesën e skrupujve, papërgjegjshmërinë intime, dashurinë e pushtetit nëpërmjet të cilave magjistarët e folklorit nordik magjepsin, nënshtrojnë dhe terrorizojnë”. “Një grup tejet i trishtuar qenë ata” Në këtë seri portretesh të pamëshirshëm në një moment të caktuar shfaqet një figurë pozitive dhe kjo, për çudi, është ajo e njërit prej të mundurve, Dr. Melchior, me të cilin Keyens bashkëpunoi ngushtësisht për të kërkuar që të xhironte ndalimin francez për t’i dhënë ndihma ushqimore Gjermanisë. Portreti, edhe ai i ndodhur tek “Esé në biografi” (fq. 389-429), është shumë i ndryshëm nga ai i tre fituesve. Keynes përshkruan kështu një takim në Trevi të aleatëve me përfaqësuesit financiarë gjermanë: “Një grup tejet i trishtuar qenë ata gjatë atyre ditëve, me fytyra të tendosura, të vrara dhe sy të shqyer, me njerëz të goditur nga një fshikullimë në bursë. Por në mes të tyre doli përpara një njeri shumë i vogël, shumë i patër, i veshur mirë e në mënyrë shumë të kujdesshme, me një jakë të fortë që dukej më shumë e pastër dhe më shumë e bardhë se një jakë normale. Koka e rrumbullakët e mbulur nga flokë të dredhura të prera shkurt deri në pikën sa të dukej materiali i një tapeti, linja ku përfundonin flokët që shënonte ballim me një kurbë të prerë dhe fisnike, sytë e ndritshëm të drejtuara nga ne plot me dhimbje të jashtëzakonshme, si një kafshë në kafaz ky qe një prej atyre më të cilët në muajt në vazhdim do të kisha një prej intimiteteve më kurioze dhe disa pëvoja të çuditshme doktori Melchior” (fq. 395). Siç shkruan Robert Skidelsky në vëllimin e parë të biografisë shumë të bukur të Keynes (Hopes Betrayed 1883-1920, Macmillan, Londra 1983): “Nga perspektiva e sotme mund të duket se (tek “Pasoja ekonomike të paqes”, shënimi im.) Keynes ishte tepër pesimist. Elementët e përkohshmërisë të rendit kapitalist qenë tejet të theksuara, rezistenca e sistemit e nënvlerësuar. Megjithatë, duhet kujtuar se një ndjenjë përkohshmërie ishte gjithmonë e pranishme në brezin e Keynes… Frika e Keynes në periudhën e pasluftës rreth fatit të kapitalizmit ishte e ndikuara thellësisht nga frika e epokës viktoriane për një shoqëri pa Zot… Pjesa tjetër e jetës së tij u harxhua në përpjekjen për të mbrojtur perspektivën dhe rindërtuar bazat e qytetërimit” (fq. 402).
Posted on: Sun, 24 Nov 2013 13:17:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015