Audienca e përgjithshme:Kisha, nëse mbyllet në vetëvete e në - TopicsExpress



          

Audienca e përgjithshme:Kisha, nëse mbyllet në vetëvete e në të kaluarën, tradhton identitetin e vet. “Kisha është apostolike”, por a keni reflektuar ndonjëherë për këtë shprehje, që e shqiptojmë kur themi Besojmën? Ishte kjo, sot paradite, pyetja e parë e Papës Françesku drejtuar turmës së besimtarëve e turistëve, ardhur në Romë nga të pesë kontinentet, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme. Papa i ftoi të pranishmit ta zbulojnë gjithë bukurinë e një Kishe, që e predikon, e ruan dhe e çon Ungjillin deri në skajet më të harruara të botës. I gjatë e tejet i përzemërt, si gjithnjë, takimi i Atit të Shenjtë me njerëzit, para e pas audiencës. Të shpallësh se Kisha është “apostolike”, do të thotë, shpjegoi Papa Françesku, të nënvizosh lidhjen e saj themelore me Apostujt, me ata 12 burra, që Jezusi, një ditë prej ditësh, i thirri me emër, për të ndenjur me Të, për ta ndjekur e për t’i nisur të predikonin. Vetë fjala “Apostull”, na e kujton këtë: në greqisht do të thotë “i dërguar”, “i nisur”. E puna e parë, që duhet të bëjë apostulli, kujtoi Papa, është të lutet; e dyta, të kumtojë Ungjillin: “E kur mendojmë për pasardhësit e Apostujve, ipeshkvijtë, për të gjithë ipeshkvijtë, edhe për Papën, që është ipeshkëv, duhet të pyesim nëse ky pasardhës i apostullit lutet dhe e kumton Ungjillin” . Kjo ka vlerë për ne të gjithë, shtoi Papa. Po të duam të jemi apostuj, nuk kemi si të mos pyesim: “A lutem për shëlbimin e botës e a e kumtoj Ungjillin?”. Kisha apostolike ngrihet mbi themelin e predikimit të Apostujve: “Feja jonë, Kisha, që deshi vetë Krishti, nuk ngrihet mbi bazë të një ideje, mbi një filozofi, por mbi vetë Krishtin. Kisha është si bimë që, në rrjedhë shekujsh, u rrit, hodhi shtat, lidhi e poqi fryte, sepse rrënjët e saj janë të ngulura thellë në Të e në përvojën themelore të Krishtit, që patën Apostujt, të zgjedhur dhe të dërguar nëpër botë nga vetë Jezusi”. Një Kishë apostolike, ruan e transmeton: “Është si lumë, që rrjedh nëpër histori, zhvillohet, vadit e begaton brigjet, por uji është gjithnjë ai, që gurron nga burimi; e burimi është Krishti vetë; Ai është i Ngjalluri, i Gjalli, e fjalët e tij nuk kalojnë kurrë, sepse Ai nuk kalon, është i Gjallë, është mes nesh, këtu; Ai na dëgjon, kur flasim me Të, na dëgjon; Ai është në zemrën tonë: Jezusi është me ne, sot. E kjo është bukuria e Kishës: prania e Jezu Krishtit ndërmjet nesh. Prania e Atij, që është i gjallë, sepse u ngjall”. Kisha është dhurata më e rëndësishme, që na bëri Jezusi: “A mendojmë ndonjë herë se është pikërisht Kisha, në shtegtim nëpër shekuj, pavarësisht nga vështirësitë, problemet, ligështitë, ajo që vijon të na transmetojë mesazhin e vërtetë të Krishtit? Që na fal sigurinë se feja, në të cilën besojmë, është vërtet ajo, që na komunikoi Krishti?”. Kisha niset për t’ia kumtuar Ungjillin mbarë botës, thellësisht e vetëdijshme se është misionare: “Një Kishë, që mbyllet në vetëvete e në të kaluarën, tradhton identitetin e vet. Atëherë, ta rizbulojmë gjithë bukurinë dhe përgjegjësinë e të qenit Kishë apostolike!”. Në përshëndetjet përfundimtare Papa Françesku kujtoi me nderim të thellë Shën Margeritën Maria Alakok. Më pas, Ditën e sotme botërore kushtuar ushqimit, themeluar nga OKB-ja si dhe Ditën e mospranimit të mjerimit, që do të kremtohet nesër, organizuar nga Lëvizja Ndërkombëtare ‘Bota e katërt’. Një përshëndetje e veçantë, agostinianeve misionare, që kremtojnë Kapitullin e tyre të përgjithshëm.
Posted on: Wed, 16 Oct 2013 19:04:04 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015