Augustin Palokaj:Kosova vetëm ilegalisht mund të hyjë në BE - TopicsExpress



          

Augustin Palokaj:Kosova vetëm ilegalisht mund të hyjë në BE për 5 vjet Edhe pse formalisht është përmbyllur faza e „mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës“, në praktikë Kosova është ende me sovranitet të mbikëqyrur. Bile tash, përpos shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën, funksionimi i brendshëm i saj varet edhe nga Serbia. Në rrethana të tilla, Kosova në vend që të jetë më afër BE-së është larguar edhe më shumë prej saj Kanë mjaftuar disa thirrje të ambasadave të huaja në Kosovë që të gjitha partitë relevante politike në Kosovë, me përjashtim të “Vetëvendosjes”, të rreshtohen prapa tekstit për amnisti të hartuar nga Hajredin Kuçi me kolegun tij nga Serbia, me lehtësimin e këshilltarit të baroneshës Ashton, Fernando Gentilinit. Çfarë thotë zëvendëskryeministri i Kosovës, e që është edhe më me rëndësi ministri i Drejtësisë (sepse zëvendëskryeministra kemi boll) Hajredin Kuçi pak ka rëndësi. Në fakt, pak ka rëndësi se çfarë thotë ai për çfarëdo teme. Nuk e di kush mund ta marrë seriozisht me një politikan të tillë i cili pa fije turpi, pa iu skuqur fare fytyra, thotë se „Kosova brenda pesë vjetësh do të jetë pjesë e BE-së“. I njëjti kishte thënë para zgjedhjeve të kaluara se Kosova „deri në vitin 2014 do të bëhet anëtare e NATO-s“. Kanë mbetur vetëm edhe disa muaj për të realizuar këtë premtim! „Shpresojmë që në atë rast, nëse hyni në BE për 5 vjet, të mos e bllokoni Serbinë, e cila nuk do të mund të mbërrijë deri në atë kohë“, thotë me cinizëm një diplomat evropian duke komentuar fjalët e Kuçit. Kjo deklaratë e zëvendëskryeministrit të Kosovës është vetëm një prej deklaratave të shumta joreale. Por ata e kanë mësuar mirë psikologjinë e popullit. Sa herë që vjen koha për të dhënë llogari për mosrealizimin e premtimeve, japin premtime të reja për t’u harruar ato të vjetrat. Kuçi me siguri e di mirë se Kosova nuk mund të hyjë në BER as për 5 e as për 10 vjet. Por ai e di mirë se asgjë nuk i kushton fjala, prandaj edhe flet në atë mënyrë. Por Kuçin dhe të gjithë anëtarët e tjerë të Qeverisë së Kosovës, sikur edhe liderët e AAK-së dhe LDK-së, duhet marrë seriozisht për një gjë tjetër. Ata, të mirë apo të këqij, marrin vendime në emër të popullit dhe vendimet e tyre kanë ndikim në jetën e secilit. Ata i kanë votat, e kanë fuqinë, i kanë shërbimet e tyre të sigurisë, zyrtare dhe jozyrtare, formale apo paralele, mbi tokë dhe nën tokë, ata e kanë edhe mbështetjen ndërkombëtare. Madje këtë mbështetje ndërkombëtare e kanë edhe kur manipulojnë zgjedhjet, edhe kur amnistojnë krimet serioze, edhe kur duhet bërë presion ndaj mediave dhe shoqërisë civile. Pikërisht kjo „mbështetje ndërkombëtare“ vlen të analizohet mirë. Sot në Kosovë kjo mbështetje mjafton që të arsyetosh çfarëdo veprimi dhe t’ua mbyllësh gojën të gjithë atyre të cilët mendojnë ndryshe. Ishte pikërisht mbështetja ndërkombëtare që e bëri LDK-në, si partinë më të madhe opozitare, të duket aq qyqare në debate dhe në votime për Ligjin për amnistinë, i cili u aprovua në Kuvendin e Kosovës. Problemi qëndron në faktin se kjo bashkësi ndërkombëtare, përfaqësuesit e së cilës u tregojnë kosovarëve se çfarë vendimesh duhet të marrin, nuk mban përgjegjësi për këto vendime. Nëse Kosova do të ketë pasoja në të ardhmen për shkak të Ligjit të amnistisë, kush dhe ku mund të gjejë pas dy vjetësh baroneshën Ashton dhe të kërkojë sqarime nga ajo. Ajo do ta ketë kryer mandatin dhe do të jetë harruar në Bruksel, ku mund të mbahet mend vetëm si njëra ndër zyrtaret më të dështuara të BE-së në histori. Paramendojeni se sa e suksesshme është në politikën e përbashkët të jashtme të BE-së ajo, nëse Kosova është suksesi më i madh i saj. Më mirë do të ishte sikur Kosova të ishte ende me një mbikëqyrje të pavarësisë. Në atë rast së paku ata që mbikëqyrin pavarësinë do të kishin edhe përgjegjësi. Sot ata, siç po shohim, vendosin për Kosovën por nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie. Edhe ashtu faza e mbikëqyrjes së pavarësisë ishte përmbyllur jo për shkak se Kosova u bë e gatshme të qëndrojë në këmbët e veta, por për shkak se vendet që ishin pjesë e „Grupit drejtues ndërkombëtar“ nuk donin më të shpenzonin para për mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës. Edhe pse formalisht është përmbyllur faza e „mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës“, në praktikë Kosova është ende me sovranitet të mbikëqyrur. Bile tash, përpos shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën, funksionimi i brendshëm i saj varet edhe nga Serbia. Asgjë sot në Kosovë nuk bëhet pa pëlqimin e Serbisë, madje nganjëherë edhe me vetë kërkesat e saj. Në të ardhmen edhe procesi i integrimeve evropiane të Kosovës do të varet nga Serbia po ashtu. Ata të cilët mendojnë ndryshe akuzohen se „nuk e kuptojnë procesin“ ose se janë „kundër miqve tanë ndërkombëtarë“. Në rrethana të tilla Kosova në vend që të jetë më afër BE-së është larguar edhe më shumë prej saj. Integrimi i Kosovës në BE është një temë afatgjate, madje shumë, shumë afatgjate. Pikërisht për shkak se Kosova është shumë larg BE-së, zyrtarët e kësaj të fundit edhe tolerojnë një krim të organizuar dhe korrupsion të tillë në Kosovë. Sikur Kosova të ishte më afër BE-së, atëherë edhe BE-ja do të ishte më e ashpër në vlerësimin e Kosovës. Aktualisht edhe BE-ja mund t’ia lejojë vetes të luajë një lojë të dyfishtë në Kosovë. Në njërën anë përmes EULEX-it ajo ndihmon të luftohet krimi i organizuar. Në anën tjetër, përmes stimulimit të amnistisë ndihmon në legjitimimin e të njëjtit krim. BE-ja në njërën anë kërkon që Kuvendi i Kosovës të luajë rolin e mbikëqyrjes së Qeverisë, por mbështet në të njëjtën kohë kontrollin e plotë që Qeveria ushtron mbi Kuvendin. BE-ja në të njëjtën kohë bën thirrje që shoqëria civile të jetë më e zëshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe po në të njëjtën kohë i bashkohet pushtetit për të kritikuar shoqërinë civile kur ajo mendon ndryshe. BE-ja edhe e konsideron kryeministrin Thaçi si një „lider të guximshëm“ dhe si një „burrështetas të vërtetë“ e në të njëjtën kohë ia përgjon telefonin dhe e heton atë me bashkëpunëtorët më të ngushtë për akuzat e rënda të paraqitura në raportin famëkeq të Dick Martit, ndërsa disa bashkëpunëtorë të tjerë ia arreston për krime lufte. Nëse dikush në Kosovë mendon se në Bruksel apo në ndonjë kryeqytet tjetër evropian e kanë prioritet zhvillimin dhe demokratizimin e Kosovës, atëherë mashtrohet. Nuk është që nuk duan ta shohin Kosovën më mirë sesa që është. Nuk është se nuk janë të gatshëm të ndihmojnë. Por prioritet nuk e kanë aq sa mendohet në Kosovë. Prioritet është dialogu e jo Kosova. E kur dialogu është prioritet, atëherë çfarëdo teme tjetër e lidhur me Kosovën duhet t’i nënshtrohet dialogut. Nëse lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do ta rrezikonte dialogun, atëherë ngurrohet në atë luftë kundër korrupsionit. I vetmi prioritet sa u përket kosovarëve për BE-në në këtë moment është se si të parandalohet ardhja e tyre masive në vendet e BE-së. Për këtë arsye kemi situata absurde ku ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës merret më shumë me kthimin e azilkërkuesve sesa me integrime evropiane. Shpresojmë që Kosova në pesë vjetët e ardhshë m të forcohet nga brenda, që qytetarët e saj të jetojnë më mirë dhe që të hapet rruga e integrimeve në BE po ashtu. Por në BE në 5 vjetët e ardhshëm nuk do të hyjë as Kosova e asnjë vend tjetër i rajonit të Ballkanit. „Pjesë e BE-së“ në pesë vjetët e ardhshëm mund të bëhen vetëm ata, të cilët në ndonjë mënyrë të çuditshme ia arrijnë të ikin nga Kosova dhe të gjejnë strehim në ndonjë shtet të BE-së.
Posted on: Thu, 18 Jul 2013 19:00:28 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015