Autoriteti i Konkurrencës: E vërteta e hetimit ndaj - TopicsExpress



          

Autoriteti i Konkurrencës: E vërteta e hetimit ndaj “Vodafone” Një hetim i nisur kohë më parë, nga Autoriteti i Konkurrencës, ka shkaktuar ditët e fundit reagime në media të ndryshme, duke ngritur dyshime mbi procedurat e ndjekura të trajtimit të çështjes. Bëhet fjalë për një proces hetimi paraprak, të filluar në dhjetor të vitit 2012, pasi më herët ishin trajtuar faktet e paraqitura në bazën e ankesave rreth pozitës dominuese të kompanisë “Vodafone”, konfirmuar me shifra zyrtare të vetë shoqërisë dhe të pranuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Sipas raportit të AKEP-it, kompania “Vodafone Albania” ka një pozitë dominuese në treg, në të gjitha drejtimet (të ardhurat, bisedat dhe mesazhet). Pozitat dominuese janë pranuar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, sipas të cilit, “ky treg karakterizohet nga ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun e shërbimeve të telefonisë së lëvizshme me pakicë”. Mjafton të shikosh pozitën dominuese të operatorit kryesor, 52% sipas të ardhurave, në kushtet kur në Bashkimin Europian, pjesa e tregut e një operatori kryesues në BE ishte 38% që në 2009-n. Në fund të vitit 2011, sipas AKEP, “Vodafone” zotëronte 52% të tregut sipas të ardhurave, me një rritje nga 47% që ishte ky tregues në fund të 2010-s. Sipas vlerësimeve paraprake, kjo peshë rezulton të ketë arritur në 58% në fund të 2012-s. Pasi u njoh nga afër me të dhënat e tregut (hetimi paraprak), dhe u bind se ankesa ishte e bazuar mbi fakte, AK nisi në muajin prill 2013 hetimin e thelluar, rezultatet e së cilës pritet të publikohen në ditët e ardhshme. Nga ky raport, konsumatorët do të mësojnë se si vepron kompania me pozitën e saj dominuese në treg dhe nëse ankesa e paraqitur ishte e plotësisht e drejtë. Duhet thënë se një rast i ngjashëm është dënuar ashpër nga Autoriteti francez i Konkurrencës, i cili ka gjobitur “Orange” dhe SFR me një shumë totale prej 183 milionë eurosh për zbatimin e praktikave antikonkurruese në sektorin e telefonisë së lëvizshme. Qëndrimi Në interes të publikut, Autoriteti i Konkurrencës sqaron se zbaton procedurat hetimore të parashikuara në ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, (i ndryshuar) dhe aktualisht është në fazën e procedurës së hetimit të thelluar sipas parashikimeve të nenit 43 të këtij ligji. Autoriteti thotë se i ka bërë transparente të gjitha etapat hetimore duke publikuar vendimet e procedurave hetimore, duke filluar që me vendimin nr. 258, datë 21.12.2012, “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e telefonisë celulare me pakicë”. “Autoriteti i Konkurrencës respekton të drejtën e medias për informimin e publikut dhe çdo lloj komenti lidhur me veprimtarinë e tij, por i shikon si spekulative, pa referenca ligjore ose faktike, insinuatat që synojnë të përdorin hapësirat mediatike për arritjen e qëllimeve të caktuara”, thuhet në reagimin e bërë dy ditë më parë. Autoriteti i Konkurrencës thekson se është i vendosur të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin, duke garantuar publikun se do të respektojë pa ndikime të gjitha procedurat ligjore që parashikon legjislacioni në fushën e konkurrencës dhe do të shprehet me vendim pas dëgjimit të palës nën hetim. Lidhur me sqarimet teknike të sjelljes së operatorëve në tregun përkatës, Autoriteti sqaron mediat se është në fazën e përfundimit të procedurave të hetimit të thelluar dhe qëndrimi përfundimtar i Komisionit të Konkurrencës do të publikohet sipas procedurave që parashikon ligji.
Posted on: Sun, 22 Sep 2013 17:46:35 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015