Azgan Haklaj: I besoj bashkimit kombëtar, aq sa i besoj jetës - TopicsExpress



          

Azgan Haklaj: I besoj bashkimit kombëtar, aq sa i besoj jetës sime Unioni Artistik i Kombit Shqiptar me president zotin Azgan Haklaj vazhdon të jetë faktoi më kryesor në organizmin e vlerave më brilante të artit dhe të kulturës së kombit shqiptar. Ai është parlamenti shpirtëror i kombit shqiptar, i cili ka organizuar dhe vazhdon të organizojë festivalet dhe spektaklet më kryesore, që kanë në fokus të aktiviteti të tyre traditën dhe kulturën shqiptare. Presidenti i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar zoti Azgan Haklaj, tashmë ka marrë vlerësimin e shqiptarëve kudo që janë për shkak të vlerave të traditës dhe kulturës që prezantohen nën aktivitetet që zhvillon Unioni. Po aq sa kontribut zoti Azgan Haklaj sjell me këtë veprimtari artistike kushtuar vlerave të kombit shqiptar, ai ka dhe një meritë të madhe për librat e tij, të cilët kanë marrë aq shumë vlerësime jo vetëm nga lexuesit por dhe nga kritika. Vetëm disa kohë më parë me rastin e 5 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ai promovoi më 16 shkurt në Gjakovë librin e tij të tretë “Edhe Zoti Po Flet Shqip”. Jehona e këtij libri nuk mbeti vetëm në Gjakovë, pasi edhe Dibra e Madhe e priti politikanin, publicistin dhe artistin me këtë vepër të tij. Por libri i cili ka marrë aq shumë vlerësime kudo që deri më tani është promovuar dhe ndodhet në duart e lexuesve, së shpejti do të ketë promovimin e tij edhe në Pejë, më 20 mars në Durrës dhe më 6 prill në Tuz të Malit të Zi. Për të gjithë të interesuarit po botojmë këtë intervistë me presidentin e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar zotin Azgan Haklaj, e cila është edhe pjesë përbërëse e librit të tij më të fundit “Edhe Zoti Po Flet Shqip”. -“Sofra Dardane” është një event artistik kulturor që mbushi 10 vjet, cili është roli i Azgan Haklajt në këtë manifestim kombëtar të përvitshëm? Unioni Artistik i Kombit Shqiptar (UAKSH), të cilin unë e drejtoj, në mes disa aktiviteteve kulturore-artistike kombëtare shumë të rëndësishme që zhvillohen me kalendar tepër rigoroz, ka plot 10 vite që starton suksesshëm edhe me veprimtarinë ndërkombëtare “Sofra Dardane”. Ky Manifestim Kombëtar, që zhvillohet në Tropojë, natyrisht që është ideuar nga unë për disa arsye esenciale, jo vetëm të karakterit artistik, që në vijim të bashkëbisedimit tonë do t’i nënvizoj. Iniciativën time sa profesionale aq edhe idealiste, si në “Sofra Dardane” dhe në të gjitha aktivitetet e mia për mëse një dekadë në këtë larmi, i janë bashkangjitur personalitetet më eminente të çdo breznie artistësh në Shqipëri, në Kosovë dhe në krejt trevat etnike shqiptare, në Preshevë e në Bujanovc, në Tuz e në Ulqin, në Shkup, në Tetovë e në Gostivar, në Çamëri e në shqiptarët e diasporës. Të jesh rrugëtar me të tilla personalitete me emër në etno-kulturën shqiptare të lehtësohet puna, të stimulohet ambicia, të nxitet fantazia, të përsoset teknika, merr energji e mbi gjithçka ndjen kënaqësi si shqiptar, si artist, si politikan. Gjej rastin të falënderoj të gjithë këta artistë, që përveç vlerës në art e kulturë përçuam sëbashku për 10-vite një mision shumë më të fuqishëm, më fisnik e mëse të domosdoshëm, jo vetëm për sot: atë të bashkimit spiritual të shqiptarëve. “Diplomaci Artistike” do ta përkufizoja rolin tim dhe të atyre që më mbështetën. Besoj të jetë definicion i duhur. -Në “Sofra Dardane” marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat. Kjo të gëzon, se pikërisht ajo zhvillohet në Tropojë, a nuk do të ishte mundësia të bëhet një aktivitet lëvizës? Do të përgjigjem jo gjatë në këtë pyetje për të mos u tej zgjeruar shumë, pasi me këtë pyetje-përgjigje do të intrigohesha së tepërmi dhe pastaj intervista do të fillonte e do të mbaronte me kryefjalën: Tropojë. Ka disa arsye themelore për të cilat 10 vite më parë e zgjodha Tropojën si mikpritëse e “Sofrës Dardane”. Arsyeja e parë është historiko-gjeografike: Tropoja është jo vetëm udhëkryq luftërash dhe mejdani i tyre për Liri e Mëvetësi në shekuj, por dhe qendër e një trekëndëshi të sakatuar etnik, që i lidh trojet kombëtare Iliro-Dardane, të Shqipërisë, të Kosovës e të Malit të Zi. Kjo krahinë etno-historike, Malësia e Gjakovës, ndër shekuj e brezni ishte interpretuesja supreme e Kanunit, kur jo vetëm ne, por edhe Ballkani e më gjerë nuk njihnin nocionin e ligjit e të shtetit. Pra, në Tropojën e kuvendeve e të besëlidhjeve sistematike historike, e cila për 150 vjet u shndërrua në qendër të lëvizjeve të mëdha kombëtare, djep i rezistencës e i qëndresës për Liri e Pavarësi, e gjeta me vend të përjetësoj dhe këtë kuvend të rëndësishëm etno-kulturor shqiptar tashmë të pagëzuar “Sofra Dardane” . Arsyeja e dytë është kulturore: Malësia e Gjakovës është një trevë që pushkës për liri i ka bashkangjitur në shekuj këngën majekrahu, kushtrimin e luftës e ka shoqëruar përherë me atë këndimin epik e elegjik që hershëm thirrej asjerçe, pra “ushtarakçe”. Domethënë, malësori i Tropojës këngën, vallen e folklorin, por dhe rapsodinë e poezinë, nuk i ka pasur si ornament e ritual dasmash, por bashkudhëtarë në sheshe betejash për Liri e Pavarësi. Ky konstatim ilustron më së miri faktin pse në Tropojë gjenden të murosura në bjeshkë e në lisa, në rudina e në fusha, themelet e eposeve tona nacionale si ai i Mujit e i Halilit përkrah Vedave Indiane, të Këngëve të Dioskurëve në Greqi, të Nibelungëve në Gjermani, i këngëve të Rolandit në Francë, të Sidit në Spanjë. Ky konstatim argumenton pa komente se Tropoja ka fertilitetin më të madh kombëtar për numër popullsie me artistë të këngës, të valles, të rapsodisë e të instrumenteve. Përpos çfarë thashë e përmenda organikisht bëhet lidhja dhe me pasurinë poetike që shkëlqeu nga ky vend jo vetëm në trojet tona, por dhe në antologjitë poetike botërore. Arsyeja e tretë dhe jo pak e rëndësishme (sidomos për mua) përse u zgjodh pikërisht Tropoja për ta pagëzuar tre ditë në vit si “Kryeqytet i Kulturës Kombëtare Shqiptare” është si vijon: Nuk duhet të harrojmë se kur unë iniciova aktivitetin në Tropojë, vendlindjes time jo vetëm i qenë privuar aktivitetet, por dasmat ishin zëvendësuar nga morti politik i stimuluar nga qeveritë socialiste. Sa për ilustrim të dhimbshëm po të tregoj se ndërsa rrethet e tjera i drejtoheshin shtetit për investime e sponsorizime në kulturë e në arte, Bashkia e B.Currit jepte alarmin për fonde që të blinte tokë për varre tek privatët. E unë mendova që krismave të kallashit politik t’iu përgjigjesha me këngë, buçimave të shpërthimeve me tritol t’iu kundërvija armën e kënaqësisë me melodi e valle, ndërsa bashkimet mortore si ritual i përditshëm disavjeçar t’i konkurroja me pikëpjekje mbarëshqiptare ngjyrash, veshjesh, me larmi brilante të etnisë të Kombit Shqiptar. Arsyeja e katërt është personale. Kur them personale nuk e kam fjalën tek hobi im dhe as për edukimin tim artistik. Është një arsye sa njerëzore aq dhe politike. Unë ja kisha borxh dhe vazhdoj të ndihem borxhli vendlindjes time trime, fisnike, të zgjuar dhe demokrate, që mua, Azgan Haklajt, si pashembullësi dhe si padëgjueshmëri ndonjëherë në kohët moderne m’i konvertoj prangat e burgut me mandatin legjitim të përfaqësuesit të saj në Kuvendin e Shqipërisë. Kur e përzunë Volterin nga Franca, ai tha: “Mund të më përzini mua nga Franca, por s’mund të përzini Francën nga unë”. Kur e dëbuan Eskilin nga Greqia ai tha: “Ngado që të shkoj e kam Greqinë mbi supet e mia”. Gjatë kohës që kam qëndruar në qeli më kanë shoqëruar këto dy thënie si dhe deklarata e Xhon Kenedit gjatë betimit të tij si president, i cili ju drejtua amerikanëve: “Mos mendoni se ç’bëri Amerika për ju, por ç’bëtë ju për Amerikën”. E pra Tropoja e bëri të sajën e unë në vijim të kthimit të borxhit, shfrytëzova çdo hapësirë që të mund të hap në Tropojën time një korridor shprese lirie e kënaqësie. Besoj se ia kam arritur. -Cilat janë vlerat më të spikatura të kësaj veprimtarie sapo vjen në raport kënga, vallja, folklori i ri me të vjetrin? Si e shihni rigjallërimin e folklorit? Kjo veprimtari përveç intensionit të masivitetit, të kënaqësisë që folku i dhuron publikut është mirëstudiuar edhe shkencërisht duke konsultuar mendjet intelektuale në këtë fushë. Pra veç masivizimit është ruajtja e trajektores së përçueshmërisë mes breznive, sinkronizimi dhe pastrimi i folkut nga papastërtitë e huazimet dhe importimet që rëndomtë vihen re. Mjafton të përmendim që juritë e aktivitetit janë më profesionalet e mundshme që në çdo rast sa stimulojnë origjinalitetin e traditën po aq ndëshkojnë huazimet e panevojshme dhe nxisin kultivimin e të resë. -Ju jeni valltar, artist, diçka për veprimtarinë tuaj, për çmimet që keni marrë? Unë kam sa traditë të familjes, por dhe hobi të marrurit me art, sidomos në fushën e koreografisë, ku jam edukuar e trajnuar me kohë. Kam marrë dhjetëra çmime kombëtare dhe ndërkombëtare si: në festivalet kombëtare në Shqipëri apo në Kosovë, në atë të Dancit Botëror në Izrael, Festivalin Ballkanik në Selanik. Me vendim të Këshillit të Qarkut të Kukësit më kanë dhënë titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut”. Gjithashtu, Bashkia në qytetin B. Curri dhe komuna e Margegajt më kanë dhënë titullin “Qytetar Nderi” të tyre. Nuk është në natyrën time dhe as e arsyeshme të flas për veten. Ajo që mund të them me kënaqësi është se “Sofra Dardane” dhe “Festivali i Këngës dhe Valles Çame” po rrisin shtat e po hedhin rrënjë dhe natyrshëm e m’veshën 100-vjetorin e Pavarësisë me vlera të dukshme dhe të bindshme me karakter kombëtar. Ky është çmimi më i madh që na ofron shqiptarizmi. -Sot po shihet një rigjallërim i dukshëm i iniciativës private në art, sa e ndihmojnë donatorët privat dhe institucionet e shtetit këtë gjë? Personalisht konstatoj se gjithë veprimtaritë e mia në atdhe dhe kudo në trojet shqiptare janë përcjellë e inkurajuar, por dhe ndihmuar nga dashamirës të artit kombëtar. Kurrë nuk jam prirur tek emrat e mëdhenj të bizneseve, që shpesh tregojnë fruta shumë dhe koshin duhet ta marrësh të vogël, siç thotë populli. Suporti im kryesor, sidomos në 8 vitet e fundit, është shteti. Kam parasysh këtu dhe gjej rastin të falenderoj Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve të Shqipërisë, Radio Televizionin Publik Shqiptar, në përgjithësi të gjitha mediat e shkruara e ato vizive, shumë bashki e komuna brenda dhe jashtë kufijve shtetëror. Dua të falenderoj bashkinë e Bajram Currit, bashkinë e Sarandës, qarkun Kukës, komunat Gjakovë, Gjilan, Pejë, Junik, Deçan, Tuz, Strugë, Dibër e Madhe, Preshevë e Bujanovs për mbështetjen e misionit të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar. Po ashtu mirënjohje nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar kanë prijësit dhe shtetarët shqiptar: zoti Sali Berisha, Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Ramush Haredinaj, Ferhat Dinosha, Lulzim Basha, të cilët kanë stimuluar e kujdestaruar aktivitetet tona të rangut kombëtar. Një mirënjohje shumë të veçantë, zotit Bujar Leskaj, që sëbashku ideuam Muajin e Kulturës Kombëtare Shqipëri-Kosovë. Zgjodhëm muajin qershor, i cili flet shumë për shqiptarët që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit deri te Kushtetuta e parë e Kosovës së Lirë. -Atë që bën një veprimtari artistike, efektet që shkakton ajo, nuk mund ta bëj një fjalim politikani e as një propagandë mediatike sado e fortë qoftë ajo. Si i keni parë efektet edukative, estetike, patriotike në mbarë ecurinë e punës kulturore artistike tuajën? Unë personalisht nuk kam dyzime ose më saktë nuk diktoj limite kur mbaron arti e fillon politika dhe anasjelltas. Eksperienca personale e ndërtuar mbi përjetime si politikë po aq artistike më bën të mendoj se ato duhet të plotësojnë njëra-tjetrën. Nëse një mesazh që masa e do dhe e kërkon dhe kornizat politike diplomatike s’e lejojnë, atëherë krejt lehtë atë e lëshon në ajrin e kombit kënga dhe vargjet e saj, lëvizjet koreografike apo fjala poetike. Gjithsesi unë mendoj se shumë më i përceptueshëm e i observueshëm është mesazhi përmes artit. Volteri, Rusoi, Monteskje, Hugoi, Naimi, De Rada, Migjeni e Kadare kanë bërë më shumë politikë me art se mijëra partiakë në botë. Aspak nuk ka më shumë rol Bismarku sesa Gëte në krijimin e shtetit gjerman. Për shembull Mihail Eminesku, i quajtur mjeshtri më i madh i gjuhës rumune, është tipik për ata shkrimtarë ballkanik, që dhanë krijimtari, rreth të cilat u kristalizuan kultura të larta kombëtare. Edhe pse krijimtaria e tij politike është tejet lirike dhe jo haptazi politike, Eminesku shihet më tepër se poet, ai shihet si vizionar. Ky kult i Emineskut është përdorur si pikë bashkimi për ndërtimin e kombit në Rumaninë e shekullit XX. -Ju jeni politikan, publicist, historian, ku e ndjeni veten më mirë midis fushave lëvruese? Eksperienca jetësore politike, artistike e më tutje e çdo njeriu është e pamatur me kufi të qartë. Komplementariteti funksionon. Shumë shkrimtarë, poetë, artistë, sportistë, kanë shkuar drejt politikës se ndoshta nuk iu ka funksionuar mirë e para prirje apo për të qartësuar mesazhet që dëshirojnë të lëshojnë. Po ashtu personalitete të politikës të shkuar dhe sot dëshirojnë t’i kthehen shkrimit, gazetës, etj. Unë nuk e di ku jam më komod. Ndjehem mirë me ato gjëra modeste që kam pasur mundësi të bëj. Krenohem kur takoj demokratët anembanë Shqipërisë e më përqafojnë e urojnë për devacionin. Gjakun që derdha prej trupit tim, humbjen e njeriut më të shtrenjtë, Shotës, provimit të torturave më çnjerëzore për të mbrojtur idealin tim e të tyre. Po ashtu lotët e nënës çame 89 vjeçare në Sarandë m’i përlotën dhe mua sytë tek luaja vallen e Osman Takës veshur me fustanellë. Dy librat e mi: “Dardanët presin Dodonën” dhe “Për Kombin Për Demokracinë” për nga mikpritja anembanë trojeve tona, ku i kam promovuar si: Tiranë, Tropojë, Sarandë, Gjilan, Pejë, Strugë, Shkup më kanë inkurajuar për më tutje. Latinët thonë se e folura fluturon, ndërsa e shkruara mbetet. Në këtë 5-vjetor të Shpalljes së Pavarësisë të Kosovës i dhurova publikut librin tim të tretë: “Edhe Zoti Po Flet Shqip”. -Gjithë kjo veprimtari e shtrirë në kohë dhe intensitetin e saj, a ka nevojë të rritet, të forcohet dhe a po mendoni se tashmë e ka kryer misionin e saj e duhet kapur diçka tjetër? Një komb për më tepër si ky i yni që është në trenin expres të Integrimit Europian duket sikur nuk ka shumë nevoja të tilla për rivlerësim të artit, të kulturës etj. E quaj gabim snobist të rëndë nënvlerësimin e këtij aspekti. Kombet sa më shumë integrohen afrohen dhe bashkohen aq më tepër kanë nevojë të identifikohen kulturalisht e shpirtërisht. Franca, vendi i kulturës, identifikohet akoma me Molierin, Gjermania me Shilerin, Rusia me Dostejevskin, Italia me Danten e Mikelanxhelon, Spanja me servantesin, Anglia me Shekspirin e Dikensin, Greqia me Homerin- edhe pse ai vjen nga shkolla pellazgjike, ndonëse kahmot janë integruar e kanë përparuar. Nëse politika është gëzofi i një populli, kultura është mishi e ashti. Pa mish jemi kavje, pa asht bëhemi butakë. -Si e festuat 100-Vjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë? 100-Vjetori i Pavarësisë për Unionin Artistik të Kombit Shqiptar dhe për mua përveç aktiviteteve sistematike që datojnë çdo vit, ky viti i 100-Vjetorit ka pasur veçantitë e veta nën moton e kahershme që ka dominuar veprimtarinë tonë: “Një Komb Një Histori”, “Një Komb, Një Kulturë”, “Një Komb, Një Qëndrim”. Këtë vit ne udhëtuam me moton: “Maratona e Lirisë”. Aktiviteti nisi në Gjilan të Kosovës. Në janar ishim në Festivalin “Flaka e Janarit” që ju kushtohet vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës, Rexhep Malës e Nuhi Berishës. Me këtë rast promovova librin tim: “Për Kombin, Për Demokracinë”. Ky vit u pasua me varietete të veçanta jubilare historike kulturore në Tuz, Junik, Deçan, Tropojë, Sarandë, Strugë, Shkup, etj. Rrugëtimi historik e kulturor i 100-Vjetorit ishte i njëjtë me atë udhëtim maratonë që mori para një shekulli Flamuri ynë Nacional, që zyrtarisht u nis nga Juniku i Kosovës, më 25 maj 1912, për të shkuar drejt Shkupit, Elbasanit, Tiranës, Durrësit e për të kurorëzuar Mëvetësinë më 28 nëntor në Vlorën e Ismail Qemalit. “Maratona e Lirisë”, përveç masivitetit dhe larmisë, ishte si objektiv një trupëzim historik e kulturor. Natyrisht që kryeqendrat e festimeve ishin Tirana e Vlora, kurse Unioni Artistik i Kombit Shqiptar zgjodhi Tropojën dhe Pejën duke startuar me spektaklet madhështore “Krushqit e Lirisë”. Zgjodhëm këto dy treva për të festuar dhe nëpërmjet këngës dhe valles për të evidentuar kontributin e spikatur të tyre. Për më shumë se 150 vjet këto kanë qenë kryefjala dhe kallëzuesi më autentik i qëndresës shqiptare. Madhështinë e kësaj feste e shtoi lirimi i Simbolit të Luftës Çlirimtare të Kosovës, zoti Ramush Haradinaj, i cili me qëndresën, sfidën e tij personale prej gati një dekade me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, çertifikoi luftën e drejtë të UÇK-së për kauzën e popullit të Kosovës për Liri e Pavarësi. Dua të shtoj se ky 100-Vjetor i gjeti shqiptarët më të bashkuar se kurrë. Shqipëria e anëtarësuar në strukturat euroatlantike. Shqiptarët lëvizin të lirë e pa viza. Kosova po mbush 5 vjet nga Shpallja e Pavarësisë. Faktori Shqiptar është më i fortë se kurrë në Maqedoni. Faktori Shqiptar është më i fortë se kurrë në Mal të Zi. Rezoluta Çame po shkon drejt miratimit në Parlament. Pra çështje shqiptare tashmë është shndërruar në laitmotiv i politikës dhe diplomacisë të kancelarive perëndimore. Pra, vetë Zoti po flet shqip… -Ju keni qenë në shumë kuvende burrash, keni promovuar librat tuaj në qytetet shqipfolëse brenda dhe jashtë kufirit. Arti juaj besoj është një shtysë në bashkimin shpirtëror të shqiptarëve duke u futur edhe në biografinë tuaj si politikan. Si e shikoni bashkimin e mëtutjeshëm të Shqiptarëve ? Është e vërtetë se aktiviteti im politik dha artistik më ka çuar në një udhëtim të gjatë duke shkelur trojet shqiptare, siç thotë populli “pëllëmbë për pëllëmbë”, eksperiencën e përjetimet magjike, edhe pse shpeshherë të zorshme, jam munduar t’i ndaj me të tjerët me shkrime e lobime, me tubime e fjalime. Nuk e di sa kam mundur të futem atje ku dua: në shpirtin e lirë të shqiptarëve. Këtë gjykim e bën koha dhe të tjerët. Por një gjë e them sinqerisht dhe e kam princip bazë të qenësisë dhe veprimtarisë sime të çdo lloj qoftë. Përpara se t’i mbush mendjen apo t’i imponohem dikujt për diçka fillimisht vetëeksperimentoj, vetëgjykoj, pra i mbush mendjen vetes. E pra, për sa i përket bashkimit kombëtar unë jam, jo vetëm idhtar i bindur, por synoj dhe punoj që të jem misionar i çështjes të bashkimit të shqiptareve. Këtë mision kurrë nuk e kam preceptuar si propagandë, si reklamë slloganësh apo paradë flamujsh e simbolesh. E kam parë dhe e shoh bashkimin si një proces të pandalshëm, i cili mund të përshpejtohet jo me demagogji, por me punë e strategji, me ndërgjegje të pastër e diplomaci, me sinqeritet e me fisnikëri. Natyrisht që kjo rrugë s’të jep biznes as në politikë dhe as në ekonomi. Kohët tregojnë se vetëm kështu mbetesh në faqet e historisë që do të shfletohen. Bashkimi më shumë se gjithçka sot kërkon edhe misionarë të vërtetë, që siç thoshte Pashko Vasa kanë për religjon të vetëm Shqiptarinë. Është paradoks të propagandosh Bashkimin Kombëtar nëpër tribuna nën palët dhe hijen e Flamurit Kuqezi dhe nga goja të përhapësh të pavërteta, demagogji për kolltuqe, ligësi e ndasi. Jetojmë në dekadën e tretë të Mileniumit të Tretë, në epokën dixhitale dhe me internet, ku e vërteta përhapet si në farmaciotikë. Kështu që hakun nuk ta jep demagogjia, por puna e sinqertë dhe përkushtueshmëria. Unë i besoj Bashkimit Kombëtar aq sa i besoj jetës. Bashkimi dhe Integrimin tonë s’ka gjë që mund t’i ndalojë në limitet e mundësive dashakeqe. Ai mund të ngadalësohet e vonohet, ndërsa në skajin e mundësive dashamirëse ai përshpejtohet. Bashkimi Kombëtar nuk ka datë fikse dhe nuk arrihet me një tubim. Ai tashmë ka filluar. Organet jetësore të kombit janë duke punuar në unison e të sinkronizuar. Duke përfunduar arsyetimin tim se Bashkimi i Shqiptarëve nuk mund të frenohet, dua të shtoj se kontribuesit e vërtetë, misionarët e bashkimit, i evidenton koha dhe historia. Egjipti, kjo qendër e lashtë e qytetërimit edhe sot përulet përpara ish-mbretit Menes, edhe pse ai jetoi rreth 3.100 vite para erës sonë, sepse ai inicioi dhe e bashkoi Egjiptin. Intervistoi: Julia Vrapi Tuesday, March 5, 2013 - 11:30 - See more at: sot.al/kultura-intervista/azgan-haklaj-i-besoj-bashkimit-komb%C3%ABtar-aq-sa-i-besoj-jet%C3%ABs-sime#sthash.BbTO5YBv.dpuf
Posted on: Mon, 05 Aug 2013 20:17:55 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015