BARBA LIGUA Ishte një burrë plak. Mbante një kapele - TopicsExpress



          

BARBA LIGUA Ishte një burrë plak. Mbante një kapele republike ngjyrë kafe të cilën s’e ndante asnjëherë. Me fytyrë të fisme e mustaqe të bardha. Rrudhat mbi ballin dhe rreshkat mbi fytyrë i jipnin madhështi. Kushdo që e shikonte kuptonte se në sytë e tij të blujtë shpreheshin, të përziera bashkë, dëshpërimi e krenaria. Ai qe shpallur kulak dhe së bashku me familjen e kishin shpërngulur prej Qeparoit si të padëshirueshëm për pushte­tin. Isha fare i ri kur fillova Pedagogjiken në Vlorë. Barba Ligon e takoja pothuaj çdo ditë, në të njëjtën orë, aty në luli­shten e madhe të Vlorës, afër Ushtarit të Panjohur, ulur në një stol me gazetën në dorë. Ishte ajo kohë kur atij e fëmijëve të tij të mrekullueshëm nuk u fliste njeri në rrugë. Ai survejohej dhe ishte në shënjestër të sigurimit. Pa bërë as më të voglin faj!... Në kujtesën time e të çdo qeparotasi ai ka mbetur si një njeri që gëzonte respekt. Ai binte kudo në sy edhe aty, midis pleqve të lulishtes së qytetit. Ishte më i pashmi, më i mbajturi në veshje e më i “kënduari”. Ai nuk linte një ditë pa lexuar gazetën dhe pleqërinë e kaloi me libër në dorë, gjer ditën kur vdiq në duart e vajzave dhe djalit të tij të vetëm... Konviktor në shkollën Pedagogjike “Jani Minga”, unë në ko­hën e pushimit, mbasditeve, shpesh kaloja jo pa qëllim nga Mura­dia e nga lulishtja, se mos shikoja ndonjë pjesëtar të kësaj familje: nënë Athinanë, Katinën, Aliqen ose barba Ligon. Thjesht per t’u dhënë nga një buzëqeshje. Më kënaqej shpirti kur bëja këtë gjest!... E dija respektin dhe miqësinë e të dy familjeve tona me ta. - Barba Ligo! Mirë je? - i flisja shpesh, duke kaluar para këmbëve të tij në stolin ku ish ulur. - Mirë Petraqo! Po ikë, largohu se kush e di kush të shikon! - më thoshte. - E di, por ama dhe njeri nuk më ka thënë të mos të të flas! - shtoja unë. - Mirë, mirë!.. Shko, xhano, se do të marrësh veten në qafë për qejfin tim!... Ikë të keqen, se këta të rrjepin të gjallë, qofsh edhe fëmijë... Mund të të përjashtojnë edhe nga shkolla, pse takohesh me mua... - më këshillonte ai plot dhimbje. Tërë jetën Barba Ligua ishte mik dhe shumë i afërt me tim atë, si dy vëllezër të mirë, por jeta i ndau përfundimisht. Ai kishte pesë vajza, njëra më yll se tjetra, të bukura, të zgjuara, të pastra dhe, mbi të gjitha, të ndershme e të fisme. Ato kishin edhe një vëlla, Kiçon. Në atë kohë ato, vajzat e Barba Ligos ndri­çonin, visheshin mirë e me plot hijeshi, ishin nxënëse të shkëlqyera. Në oborrin e shtëpisë së tyre ishte një lulishte me lloj-lloj trëndafi­lash e karafilash, manzuranash dhe trëndelinash. Çdo shkallë, çdo cep ishte mbuluar me lule. Në çdo anë të oborrit vinte era e gëlqeres dhe e pastërisë. Por më pas u shkatërrua çdo gjë... Barba Ligua, para se të shpallej i deklasuar, kishte qënë tregtar dhe me punë e nder kish vënë ullinj, portokalle vreshta. Dyqani i vogël i tij pat furnizuar në vite qeparotasit e, për çudi, kur i sekue­struan mallin dhe i shpërngulën, doli se shumë qeparotas ishin borxhlinj tek ai! Sepse ai jepte dhe ndihmonte ata fshatarë që ishin të varfër. Pra jepte “veresie”. Ishte njeri tepër humanist... Natyrisht, gjëndja ekonomike e tyre kishte ndryshim nga i gjithë fshati. Ata kishin dekada me dyqane e me atë tregti të vogël e të ndershme. Mallrat i sillnin nga Korfuzi e nga Evro­pa. Në kujte­sën time, edhe pse isha i vogël, kanë mbetur mjaft skena nga dhuni­mi i pasurisë së tyre. Ditën e dëbimit të tyre pashë të nxirrnin sendet e tyre shtëpiake. Krevate, syndykë, sepete, makina qepëse, bufera, jorgane atllasi, dushekë, kuverta, batanie, orendi e sende shtëpiake të tilla si qelqurina e servise të vyer, relike të ndryshme, një biblio­tekë e madhe, gramafonë, disqe me qindra, (mamaja e vajzave, nënë Athinaja, gruaja e barba Ligos ishte njëkohësisht edhe motra e këngëtarit të këngëtarit të shquar himarojt, Neço Mukos). Ai mall i rrallë i asaj familje u bë pre e çakenjve... Familja u largua nga fshati dhunshëm e me nga një torbë me ndërresa në dorë. Kjo familje si edhe ajo e Polajve, Lamajve e Lekajve patën po të njëjtin fat. Dëbim me dhunë. Shtëpitë, magazi­nat, dyqanet, gjithë pasuria e tyre u sekruestuan pa asnjë lloj vendimi gjyqësor. Një largim i tillë nga fshati qe një lloj vrasje. Barba Ligua dhe e shoqja, Athinaja, ishin të mo­shuar. Vajzat të gjitha në rritje, i biri, Kiçua, s’arrinte t’i ngopte as me bukë me rrogën e tij prej punëtori. Megjithatë, ata luftuan për të jetuar dhe nuk e lanë veten të hiqeshin zvarrë. Kur shkoja në shtëpinë e tyre përdhese në Vlorë (një dhomë 4.5x4 + një kuzhinë e vogël 2x2.5), pa diell gjithë jetën, në një rrugicë të ngushte ( ata jetuan 50 vjet pa diell) më dukej vetja se po hyja në një shtëpi “moderne”! Çdo send në vend të vet. Pastërti. Ndihej dora e nikoqires dhe e vajzave. Dy krevate, një sënduk me tesha gjumi vënë në stivë si në fshat, e mbuluar me një mbulesë të linjtë që ndriçonte.. Një tavolinë, tre karrige, dy-tre frona druri dhe, në një cep, makina qepëse e Marikës, e cila e gdhinte duke qepur fustanat e gjimna­zisteve si një rrobaqepëse me zë. Ajo ishte një “mudhistre” e mire, si u thoshnim ne stilisteve në anët tona. Unë nganjëherë çoja tek ajo edhe ndonjë konviktor, për të qepur pantallona në mënyrë që ajo të merrte ndonjë njëqind lekshe, me të cilat mbante shtëpinë. Me frikën e policisë që ndalonte katego­rikisht artizanatin privat, Marika kishte pasur shumë provo­kime nga gra të ndryshme, prandaj bënte kujdes në klientelë. Kur përsoni që paraqitej ishte i panjohur, nënë Athinaja i thoshte që te pragu i shtëpisë: - Jo, o bijo!... Ne nuk qepim në shtëpi... Ju e dini që pushteti nuk të lejon... E si mund ta shkelim ne ligjin? Provokatoret raportonin se atje nuk qepej, por megjithatë, njëra nga vajzat detyrimisht përgjonte në dritare, ndërkohë që portën kryesore të shtëpisë e mbështillnin me jorgan që të mos ndihej zhurma e makinës qepëse. Por në atë shtëpi nuk hynin shu­më qe­parotas që banonin a gjendeshin në Vlorë. Jo se nuk ushqenin sim­pati e respekt për ta, por nga frika se mos e pësonin nga Partia dhe spiunët. Ndër ta bënte përjashtim Jani, mësues i muzikës dhe nip i Barba Ligos si edhe unë, kur isha nxënës e më vonë kur u martova sepse, përveç të tjerave, ime shoqe është bijë nga fisi i Pole. ...Por dëshiroj të rikthehem edhe njëherë tek shembulli i vajza­ve së kësaj familje. Ato jo vetëm mbijetuan mbi varfërinë, dhunën e përbuzjen e regjimit, por ndoqën edhe gjimnazet, ku u shquan për rezultate të shkëlqyera dhe sjellje shëmbullore. Dy prej tyre, Aliqi dhe Katina u bënë shembull e model në fshatrat e Labërisë, aty ku pushteti, deshi s’deshi, nga nevoja për kuadro, i emëroi si mësuese. Kudo ku punuan Aliqi e Katina Polo, në çdo shkollë ku dhanë mësim edhe sot e kësaj dite ka mbetur kujtimi i punës së tyre të palodhur, të ndershme e me cilësi. Ato punuan në zonat më të vështira të Labërisë e, kudo ku shërbyen, e prezantuan veten si vajza inteligjente, të fisme e të edukuara. Ato dhanë ndihmesën e tyre të vyer për zhdu­kjen e analfabetizmit, të injorancës së rrënjosur thellë në ato treva duke çuar atje dijet, edukatën, mirësinë njerëzore dhe dashurinë për librin. Imagjinoni, ato dy motra!... Aq të hije­shme e mbresëlënëse, të cilat ktheheshin vetëm një herë në muaj në shtëpi, aty tek prindërit e tyre. Vajza që e shkuan rininë e tyre të bukur fshatrave për të shpërndarë dituri e që regjimi u dha vetëm vuajtje dhe vrer duke u shkatërruar jetën... Vuajtjet e kësaj familje nga Qeparoi ( por edhe të tjerave, si bie fjala, ajo e Lamajve, e Lekajve etj.) nuk kanë të treguar e janë një “kalvar” i gjatë e tepër tragjik. Si i gjithë atyre mijëra e mijëra familjeve shqiptare të cilat pa asnjë shkak, por thjesht sepse kishin ndonjë pronë të vënë me djersë, u bënë pré e egërsisë së dhunës së diktaturës së proletariatit, e cila u piu egërsisht gjakun dhe u mori jetën e tyre aq fisnike dhe humane... PROLOGU: Hodha këtu mbresa e aspekte nga një gjëmë mbi jetën e një fshati. Ndjej dhimbje e trishtim mbi ato fate e për ato vite. Por gjëmat e mëdha nuk ndodhën vetëm në Qeparonë tim. Gjëmë ishte e gjithë Shqipëria dhe jeta e saj për afro pesë dekada. Një histori që mbeti “pas”. Por ato vuajtje, ato fate njerëzish, ato uhe e ahe që dilnin nga gjokset e të vuajturve pa faj për dekada me radhë, nuk mund të mbeten “pas”, nuk mund të harrohen. Ato na vijnë në mend e në zemër, na rru­dhin ballin e shpirtin, na shoqërojnë hap pas hapi si një makth i një kohe që s’mund të harrohet. Duke shkruar të vërtetën mbi to mendoj se bëj një homazh për tërë ata që vuajtën padrejtëisht. Lehtësoj disi shpirtin tim dhe shpresoj e dëshiroj të lehtësoj diçka edhe shpirtin e tyre që hoqën e vuajtën. USA, shtator 2003-janar 2004. =Mare nga Libri GJEMA E MDHE e Petraq J.PALIT
Posted on: Wed, 16 Oct 2013 00:01:35 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015