BESIMI NË ALLAH BESIMI NË ALLAH KUPTIMI I FJALËS SË LARTË - TopicsExpress



          

BESIMI NË ALLAH BESIMI NË ALLAH KUPTIMI I FJALËS SË LARTË “ALLAH” Lidhur me fjalën e lartë ‘Allah’, duke marrë për bazë deklaratat e Allahut me të cilat Ai ua ka bërë të njohur veten njerëzve, robve të vet, dijetarët muslimanë kanë thënë kështu: “Allah është emri i qenies më të lartë me ekzistencë në vetvete dhe të denjë për të gjitha lavdërimet dhe falënderimet. Cilësimi kushtëzues “ekzistent në vetvete” në këtë përkufizim shpreh faktin se mosekzistenca e Allahut nuk mund të mendohet, se, për të ekzistuar, Ai s’ka nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e një qenieje tjetër, për rrjedhojë, se Ai është krijuesi, drejtuesi dhe administruesi i gjithësisë. Kurse cilësimi kushtëzues “i denjë për të gjitha lavdërimet dhe falënderimet” tregon se Allahu zotëron emra dhe atribute që shprehin përsosmëri dhe transcendentalitet. Në tekstet islamike, fjala e lartë Allah ka ardhur duke u përdorur qysh në krye të herë si emër i posaçëm dhe i përveçëm i të adhuruarit (qenies që i bëhet falje, lutje e adhurim) të vërtetë dhe i krijuesit të vetëm. Për këtë shkak, ky emër nuk i është dhënë ndonjë qenieje tjetër veç Tij, si dhe në gjuhën e kombeve myslimane nuk është përdorur në ndonjë mënyrë në shumës. KUPTIMI I BESIMIT TE ALLAHU Besimi te Allahu, qenia e vetme dhe më e lartë që e ka krijuar gjithësinë, që e administron dhe të Cilit i bëhet falje, lutje e adhurim, është e para dhe themelorja e bazave të besimit. Në të gjitha fetë hyjnore, ekzistenca dhe uniteti i Allahut është bërë baza besimore më e rëndësishme, sepse të gjitha bazat fetare mbështeten mbi besimin te Allahu dhe parimin e unitetit të Tij. Kuptimi i besimit te Allahu do të thotë: - besim se Ai ekziston dhe është një; - besim se Ai zotëron atribute të larta dhe transcendentale; - besim se Ai s’ka të bëjë me asnjë cilësi dhe ngjashmëri që bën aluzion për mangësi dhe të metë. Njohja e Allahut është synimi i krijimit tonë dhe qëllimi final i natyrës sonë. “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Rum, 30/30) Njeriu është krijuar për ta njohur Zotin e tij që e ka krijuar, për ta besuar dhe për ta adhuruar Atë. Në ajetin Kuranor, për këtë specifikë është tërhequr vëmendja në këtë mënyrë: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit që të më njohin vetëm Mua si Zot dhe vetëm Mua të më falen e të më adhurojnë!” (Dharijat, 51/56) Këtu Allahu, duke ua tërhequr vëmendjen njerëzve dhe xhindëve që i quajnë për Zot gjërat veç Allahut, thotë: “Unë i krijova ata jo për t’iu falur të tjerëve, por për të më adhuruar mua!” Shkaku që këtu flitet vetëm për njerëzit dhe xhindët ndërsa Allahu ka krijuar tërë gjithësinë, është ky: të gjitha qeniet në gjithësi janë vazhdimisht në gjendje faljeje, lutjeje dhe adhurimi ndaj Allahut. Kjo gjendje nuk është për ta e zgjedhshme dhe e vullnetshme, kurse njerëzve dhe xhindëve u është dhënë e drejta e zgjedhjes dhe e vullnetit. Ata duhen parandaluar që të mos drejtohen nga sendet e tjera duke rënë, kështu, në politeizëm. NJERËZIMI DHE BESIMI NË ZOT Është pothuaj e pamundur të gjesh në histori ndonjë popull jobesimtar. Çdo popull apo shoqëri ka besuar në një fuqi të lartë. Fundja, besimi në një fuqi të lartë përmbahet në natyrën e njeriut. Sot, studimeve antropologjike të kryera vazhdimisht qysh herët nga ana e specialistëve të historisë së feve për çështjen e besimeve të para mbështetur mbi fetishizmin, totemizmin dhe animizmin, i është shtuar edhe një e re. Studimet e fundit të kryera mbi fiset primitive në juglindje të Australisë, që i takojnë formës më të thjeshtë të jetës njerëzore, kanë parashtruar faktin se ata i besojnë një qenieje të lartë. Studimet e reja të kryera në fushën e historisë së feve, dokumentojnë se edhe në shoqëritë primitive ekziston një konsideratë e mbështetur mbi ekzistencën dhe unitetin e Zotit, se politeizmi ka dalë më vonë si një deviacion. Nga dita e ekzistencës së parë të njeriut e gjer më sot, ky shpjegim dhe përshkrim besimi ka ekzistuar gjithmonë edhe pse në forma të ndryshme. Prania ose, të paktën, dukja e këtij besimi në të gjitha sistemet e mendimit të djeshme e të sotme, brenda të cilave ndodhet njeriu, tregon se në asnjë periudhë njerëzimi s’është privuar nga ky mesazh. Kurani na njofton se njeriu qysh nga fillimi nuk është lënë i paorientuar e pa qëllim: “… dhe nuk ka asnjë bashkësi që të mos i ketë ardhur një i Dërguar për ta paralajmëruar.” (Fatir, 35/24) Dhe përsëri lidhur me këtë specifikë, në një ajet tjetër thuhet kështu: “Dikur, të gjithë njerëzit përbënin një bashkësi të vetme. Pastaj Allahu u dërgoi profetët me lajme të mira dhe paralajmërime. Bashkë me ata, Ai zbriti edhe Librin me të vërtetën, për t’i gjykuar njerëzit në çështjet për të cilat nuk pajtoheshin.” (Bekare, 2/213) Edhe ky ajet na njofton se nga Profeti Adem, njeriu i parë dhe Profeti i parë mbi tokë, e gjer më sot, njerëzit kanë pasur vazhdimisht mundësinë për t’u ndodhur dhe zhvilluar nën vëzhgimin e një Profeti. Njerëzit e parë qenë një bashkësi në sajë të Profetëve të parë. Me ndikimin që linte në ndërgjegjjet e tyre fakti që vinin prej një origjine e prej një rrënje, ata qenë një e tërë dhe një bashkësi, nuk qenë të pafe, të egër e agresorë. Por më vonë, për një sërë shkaqesh simptomatike, ranë në mosmarrëveshje e në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe e prishën bashkimin. Fuqia e Pafundme që nuk e ka lënë milingonën pa kryetar dhe bletën pa mbretëreshë, edhe njerëzimin kurrë nuk e ka lënë pa Profet. Profetët, si njerëz të pajisur në mënyrë të posaçme u kanë kumtuar njerëzve se si mund të jetohet një jetë në përputhje me pëlqimin e Allahut. Dhe të vërtetat që kumtuan, i jetuan thellësisht dhe para gjithë të tjerëve, gjë që quhet përfaqësim me anë të shembullit personal. Duke u dhënë njerëzve shpresë me rezultatin e të mirës dhe duke ua treguar fundin e të keqes, Profetët u kanë treguar atyre rrugët që shkojnë për tek pëlqimi i Allahut. Allahu ka dërguar Profetë njëri pas tjetrit me qëllim që ta përshtatin ndaj origjinales natyrën njerëzore të programuar në themel të pastër e të orientuar dhe për të eliminuar pengesat mes zemrës së tij dhe të vërtetave dhe e ka mbushur njeriun me shpresë me anë të rezultateve të të mirës dhe e ka ftuar për maturi dhe syçelësi duke i treguar fundin e të keqes. Por ç’e do se ngaqë disa nuk kanë shpëtuar dot nga robëria e dëshirave dhe pasioneve të veta, kurse disa të tjerë, nga rënia në rrjedhat e mendjemadhësisë, padrejtësisë dhe dhunës, në çdo periudhë të re, duke i ndryshuar pak mosmarrëveshjet dhe kontradiktat mes tyre, por me siguri duke i shumëfishuar, kanë ecur në rrugë të veçanta. A ËSHTË I MUNDUR MOHIMI I ALLAHUT? Njeriu që nuk mundet ta mendojë as fshatin, vendbanimin më të vogël, pa kryeplak, si mund ta mendojë gjithë këtë gjithësi pa drejtues? Njeriu që e di se edhe një shtëpi-barakë nuk mund të bëhet pa një plan dhe projekt, a mund ta mendojë se si është formuar pa plan, në mënyrë spontane, arkitektura e kësaj gjithësie pa anë e pa fund? Vetëm se është një e vërtetë se nga krijimi i njeriut gjer më sot, krahas atyre që e kanë besuar Zotin, ka pasur edhe mosbesimtarë dhe nga ata që e kanë mohuar Atë. Siç ka ndodhur dje, ashtu edhe sot, të dyja këto pole kanë përfaqësuesit e vet. Ç’mund të jetë, vallë, shkaku që madje edhe njerëz në dukje shumë të zgjuar zënë vend në radhët e mosbesimit? Na duhet të qëndrojmë mbi këtë pikë. Faktorët që e çojnë njeriun në mohim mund t’i trajtojmë nën katër nëntituj: a. Vështrimi sipërfaqësor: Njeriu i krijuar në themel me një konstitucion të përshtatshëm për t’i kuptuar të vërtetat lidhur me qëllimin e ekzistencës, disa herë, si rezultat i një vështrimi sipërfaqësor, nuk tregon lëkundje për ta pranuar një gjë të pamundur. Ai e sheh të pamundurën të mundur, të shtrembrën, të vërtetë. Por po qe se i njëjti njeri do ta vështronte thellësisht të njëjtën gjë, ndoshta nuk do të tregonte lëkundje për ta hedhur poshtë pohimin që pati bërë pak më parë. Për shembull, në botën fizike, njohuritë që mund të fitojë mbi diametrin e diellit njeriu që s’ka asnjë njohuri mbi këtë, që nuk ndjen nevojën për të pyetur ndonjë që di dhe duke e vëzhguar diellin nga larg me sy të lirë, janë të qarta; për të, dielli do të jetë një trup qiellor i ndritshëm në madhësinë e një topi. Si kjo, edhe njeriu që e sheh gjithësinë me vështrime sipërfaqësore, të pavëmendshme dhe indiferente, nuk mund ta dallojë se gjithësia funksionon me një regjim më të ndjeshëm dhe të përpiktë se një fabrikë ose makineri dhe se ka një bukuri magjepsëse. Ai nuk e sheh dot diturinë dhe fuqinë që e ka krijuar këtë gjithësi që ka një rregullsi të mrekullueshme dhe bie në mohim. b. Sjellja imituese që buron nga nënvleftësimi i mendimit: Një tjetër specifikë që i shtyn njerëzit në mohim është imitimi. Shumë njerëz i pranojnë gjërat që shohin nga etërit e nga mjedisi pa u bërë asnjë kritikë, kurse do të duhej që zakonet dhe traditat si dhe pikëpamjet e personave që u dëgjohet fjala, të testoheshin duke marrë për bazë kriteret hyjnore. Po qe se këta njerëz do të arrinin të mendonin se çdo thënie e çdo njeriu nuk mund të jetë e drejtë dhe e besueshme, se mendja e njeriut është e paaftë për ta konceptuar e vetme çdo gjë të drejtë, nuk do të binin në këtë gabim. Me të vërtetë, a nuk është një argument i hapur i këtij fakti që, gjatë gjithë historisë, veçanërisht filozofët kanë bërë deklarata të tilla që e kanë hedhur poshtë njëri-tjetrin, që asaj që dikush i ka thënë e bardhë, tjetri i ka thënë e zezë? Ja pra, Zoti ka dërguar udhëzues (Profetë) të pajisur me kritere hyjnore me qëllim që njerëzit të mos e humbin toruan, që ta gjejnë të drejtën, të mirën e të bukurën. c. Qëndrimi me paramendim ose i kushtëzuar: Ata që, duke e trajtuar shfaqjen e ekzistencës, i kanë ngritur apo i ngrenë teoritë e tyre duke thënë se “dimensioni transcendental nuk është racional”, i mbyllin qysh në fillim të gjitha rrugët e mundshme që çojnë në një dimension të tillë, me pretendimin se “nuk është racional”. Në të përgjithshmen e botëkuptimit shkencor materialist, ekzistenca e një krijuesi të padukshëm kundërshtohet dhe hidhet poshtë në mënyrë paraprake. Pra, qysh në krye, zhvillohet një metodë e ashtuquajtur “shkencore” (!), sipas së cilës, “nuk ka krijues, nuk ka dimension transcendental, çdo gjë duhet zgjidhur brenda marrëdhënies shkak-pasojë”. Më qartë, mendësia materialiste e fillon punën duke thënë “nuk ka Zot”. Ç’ndodh pastaj? Meqë materialistët ua zënë shtegun të gjitha pyetjeve me mundësi për të kaluar në çështjen e dimensionit transcendental duke thënë “nuk është shkencore”, vërtiten brenda një rrethi vicioz në kornizën e kufijve të përvijuar nga vetë ata pa i gjetur përgjigje përfundimtare asnjë pyetjeje. Në themel, këta njerëz nuk kanë bërë ndonjë përpjekje për ta dëgjuar zërin e arsyes. Si rrjedhojë e faktit që janë pozicionuar qysh në fillim kundër besimit, kanë shpikur këllëfë të tillë si “shkencor – joshkencor” dhe “racional – joracional”. Meqë kanë vështruar të kushtëzuar nga paragjykimi se arsyeja nuk e pranon ekzistencën dhe domosdoshmërinë e një fuqie transcendentale, nuk e kanë parë dot të vërtetën. Duke u nisur nga këto, mund të themi se shqetësimi i vërtetë i mendësisë së kushtëzuar në mohimin e Zotit nuk është ta përdorë arsyen për ta gjetur të vërtetën, por ta përdorë arsyen kundër të vërtetës së fesë hyjnore. E thënë ndryshe, arsyeja në duart e tyre është mjet që e përdorin për të kundërshtuar të vërtetat e njoftuara nga shpallja hyjnore. Sa herë që të shfaqet domosdoshmëria për ta shpjeguar me dimension transcendental çështjen që e kanë marrë për ta trajtuar, përgjigjen e kanë gati: “Por kjo nuk është shkencore!” “Ky nuk është qëndrim racional!” Shihet se ata që e kanë vendosur paraprakisht të mohojnë, kanë përgatitur një metodë shkencore sipas tyre për një qëllim të paracaktuar dhe pastaj, çdo lloj qëndrimi apo trajtimi që e përgënjeshtron këtë qëllim të paracaktuar, e kundërshtojnë dhe e hedhin poshtë duke thënë se “s’është shkencore”! Materialistët, të cilët, duke ia mbyllur qysh në krye zemrën të vërtetës së ekzistencës së një Krijuesi të padukshëm, të fshehtë, përpiqen ta shohin çështjen vetëm nga një këndvështrim, në fund të këtij qëndrimi të tyre mbeten të detyruar ta kërkojnë “Krijuesin” mes gjërave ose materies së krijuar. Për shembull, një shkencëtar materialist vëzhgon gjithësinë dhe ekzistencën, vëzhgon ngjarjet dhe dukuritë dhe fillon interpretimin duke vendosur që më parë me anë të parapranimit “nuk ka gjë tjetër veç këtyre që po shoh”. Ai nuk jep vetëm informacion mbi gjërat që ka vëzhguar. Bie fjala, sheh një qelizë dhe, lidhur me strukturën e ADN-së në bërthamën e asaj qelize, nxjerr një “konkluzion” të përgjithshëm, sipas të cilit, “në kushte të caktuara, ADN-ja kopjon vetveten”, gjë që, më shumë se një dhënie njohurie lidhur me situatën në fjalë, është interpretim i lindur nga një kushtëzim ideor, një konkluzion i dhënë para kohe. Ky konkluzion është një pandehmë. Duke mos qenë një mundësi e fuqishme e arritur nga arsyeja e shëndoshë si përfundim i një përpjekjeje teorike të saj, kjo pandehmë është një dëshirë e formësuar nën trysninë e paragjykimeve dhe e dobishme për të mbrojtur pasionet e atyre paragjykimeve. Kështu, në vende të ndryshme, Kurani thotë kështu: “… Në të vërtetë, ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendjes dhe vetëm gënjejnë.…” (Junus, 10/66) “…Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi…” (Nexhm, 53/23) Duke e dënuar arsyen për të menduar dhe gjykuar qysh në krye me këmbëngulje në një drejtim, arrihet në një gjendje të tillë që personi të mos i dëgjojë më fjalët (revelacionin) që janë në pozitën e udhëzuesit të mendimit dhe gjykimit dhe pse s’i dëgjon, nuk është në gjendje të mendojë e gjykojë. Shikimi i kushtëzuar i vlerave besimore dhe islame, duke nisur me të vërtetën e teuhidit, është pengesë për orientimin. Ky është edhe njëri prej mesazheve të faktit që Kurani është udhëzues i rrugës së drejtë për ata që ruhen nga gabimet, të këqijat dhe mëkatet. Nga ana tjetër, mendja dhe arsyeja janë vetëm një mjet. Kur këto ndriçohen me dritën e revelacionit hyjnor, e kryejnë funksionin e tyre të vërtetë nën shoqërimin e zemrës. Ndryshe, njeriu që del në rrugë duke i besuar vetëm mendjes/arsyes, mbetet në gjysmë të rrugës. d. Frika nga humbja e kënaqësive të jetuara. Kokat që me një sërë motivesh egoiste nuk duan ta pranojnë ekzistencën e Allahut, përpiqen që, pasi ta mohojnë Allahun, t’i gjejnë vetes argument qetësues, sepse ata mendojnë se, po t’i besojnë Allahut dhe ringjalljes, do të privohen nga të gjitha kënaqësitë që përjetojnë. E thënë ndryshe, meqë e dinë se besimi te një autoritet (ose fuqi) i lartë që do t’u kërkonte llogari, kërkon shmangien dhe veçimin nga kënaqësitë jolegjitime me të cilat janë lidhur ngushtë, e shohin mohimin si strehim. Sepse ata kërkojnë t’i vazhdojnë kërkesat dhe dëshirat sipas qejfit të vet pa u marrë në llogari. Dhe për këtë bëjnë sikur s’e shohin çdo të vërtetë që nuk u përshtatet këtyre dëshirave ose kërkojnë – me këllëfë gjoja shkencore – rrugë për t’i eliminuar ato të vërteta. Ja, ky është motivi më i fuqishëm që shtrihet në themelin e të gjitha mendësive mohuese. Me të vërtetë, në Kuran thuhet kështu: “E nëse ata nuk i përgjigjen ftesës tënde, dije se ata janë skllevër të dëshirave dhe pasioneve të veta. E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat dhe pasionet e veta, pa udhëzim prej Allahut?” (Kasas, 28/50) Ky dhe ajete të ngjashëm portretizojnë njerëzit të cilët, ashtu siç ka ndodhur në të shkuarën, edhe në ditët tona, në vend të të vërtetës, e lidhin zemrën pas një sërë fantazish dhe utopish. Në të vërtetë, në themelin e të gjitha konsideratave materialiste ka një kërkim me bazë ikjen nga feja. E thënë ndryshe, është fjala për një pasion materialist mbështetur mbi dëshirën për të bërë një jetë të pakushtëzuar dhe sipas vetes, duke ikur nga përgjegjësia e dhënies llogari për jetën e jetuar.
Posted on: Sun, 29 Sep 2013 10:27:30 +0000

Trending Topics



topicsexpress.com/1-Corinthians-10-13-New-King-James-Version-NKJV-13-No-topic-10152102412114531">1 Corinthians 10:13 New King James Version (NKJV) 13 No
Black Friday Warn (92000) 2000 DC Utility Winch Cyber
I wanna smash your fears And get drunken off your tears Don’t
Cant explain how ws my day today becx ov you Nabeeha Alisha
Anubrata Mondal has been slapped with ROPA 125 notice
What is the goal, ideally, of policing? Are we doing everything
ier-League-topic-216317151862486">KẾT QUẢ BÓNG ĐÁ NGÀY 28/09 *** England - Premier League
This is a list of the 10 highest paid actors last year! Where did

Recently Viewed Topics




© 2015