BIBLA - SHKRIMI I SHENJTË Që prej shumë kohësh miliona - TopicsExpress



          

BIBLA - SHKRIMI I SHENJTË Që prej shumë kohësh miliona njerëz e kanë konsideruar Biblën si librin më të madh të botuar ndonjëherë. Deri tani Bibla është "best seller-i" NUMËR NJË në tërë rrjedhën e historisë Me nocionin e përgjithshëm “Bibël” nënkuptojmë librin e frymëzuar për hebrenjtë dhe për të krishterët. Muslimanët e nderojnë po ashtu dhe disa pjesë të saj i gjejmë edhe në Kuran. Fjala Bibël rrjedh nga fjala greke biblia që do të thotë “librat” (e shenjtë), që rrjedh nga fjala biblos (papirus – libër) sipas qytetit Biblos që mbikqyrte shitjen e tij. E shkruar gradualisht Bibla përfshin libra me stile dhe lloje shumë të ndryshme nga të cilët disa janë të nënshkruar ndërsa të tjerë janë nga autorë anonimë, ndërsa koha e hartimit të saj shtrihet në dhjetë shekuj. Për hebrenjtë ajo përbëhet nga tre pjesë: Torah (apo Ligji që quhet edhe Peselibersh apo Pentateuku, sepse është i përbërë nga pesë librat e parë te Biblës) Neviim – “profetët”, por ky emër përfshin edhe librat e tjerë që të krishterët i quajne Librat historikë Ketuvim – “shkrimet”. Besëlidhja e Vjetër në fillim është shkruar hebraisht, përmban edhe disa pjesë në gjuhën aramaike. Disa libra te cilat i pranon vetëm judaizmi aleksandrin, janë mbartur vetëm në greqisht. Katolikët dhe ortodoksët i konsiderojnë deuterokanonik ndërsa hebrenjtë dhe protestantët apokrif (quhen kështu librat e Biblës nga Besëlidhja e Vjetër, që janë pranuar nga Kisha latine dhe Kisha greke, por janë refuzuar krejtësisht ose pjesërisht nga Kisha anglikane dhe nga Kisha protestane). Natyrisht dorëshkrimet origjinale nuk ekzistojnë, por vetëm kopjet e tyre. Dorëshkrimet më të hershme te Besëlidhjes së Vjetër janë gjetur në vitin 1948 në Kumran, në bregdetin e Detit të Vdekur (një rrotull pothuajse e plotë e librit te Isaisë dhe shumë fragmente të tjera). Këto dëshmojne për punën jashtëzakonisht të mirë të kopjuesve sepse dallimet në mes dorëshkrimeve (me gjithë dallimin kohor të disa shekujve) janë në të vërtetë shumë të vogla. Padyshim se Bibla është libri më i përhapur në botë, e përkthyer pjesërisht apo tërësisht, në rreth 1.800 gjuhë dhe dialekte. Besëlidhja e Vjetër përbëhet nga 46 libra, ndërsa Besëlidhja e Re përbëhet nga 27 libra që kanë qenë të shkruar në greqisht. Nga këto 39 prej librave janë në origjinal: në gjuhën hebraike dhe pjesërisht në gjuhën aramaike, si psh. Ezdra (nga 4,8 – 6,18; 7,12-26) dhe Danieli (2,4-7,28 ). Ndërsa 7 librat e tjerë (Tobia, Judita, Libri i parë dhe i dyte i Makabenjve, Libri i Urtësisë, Baruku, Estera dhe Danieli – këto dy të fundit pjesërisht) i kemi në gjuhën greke. Ndërsa Bibla Protestante pranon Besëlidhjen e Vjetër sipas Biblës Hebraike, për këtë arsye nuk i përmbajnë pjesët që vijojnë: Tobia, Juditam 1 dhe 2 Makabenjve, Baruku, Libri i Urëtisë, Siracidi, Estera (nga 10,4-16,24), Danieli (nga 3,24-90; kapitujt 13 dhe 14). Termi Besëlidhje (rrjedh nga hebraishtja ″berit″), ose Dhiatë (rrjedh nga greqishtja ″diateke″), ose Testament (rrjedh nga latinishtja ″testamentum″), do të thotë marrëveshje që lidh dy a më shumë palë në një bashkësi dhe nënkupton të drejta dhe detyrime, që zakonisht shënohen me një gjest zyrtar ose me dokumente të nënshkruara nga të dy palët. Prishja e një marrëveshje të tillë konsiderohet si krim. Në qoftë se njëra nga palët gëzon pozitë të privilegjuar shoqërore, ajo më e dobëta, nëse i qëndron besnike besëlidhjes, fiton prej saj mbrojtjen dhe sigurinë. Besëlidhja e Vjetër Këtu janë besëlidhjet që Hyji ka lidhur me popullin e Izraelit dhe që përcaktojnë përgjithmonë fenë dhe popullin e Zotit si dhe e ndajnë popullin e Izraelit nga të gjithë popujt e tjerë: • Besëlidhja me Noen (pas përmbytjes me ujë); • Besëlidhja me Abrahamin • Besëlidhja me Moisiun dhe popullin e zgjedhur, e vërtetuar në Sinai (apo malin Horeb) • Besëlidhja me Davidin • Besëlidhja sipas profetëve: Për shkak të mëkatit populli i Izraelit e ka shkelur besëlidhjen e lidhur me Hyjin në malin Sinai. Megjithatë Hyji nuk do të asgjësojë Izraelin, por me pjesën që ka mbetur besnikë dëshiron të kryej një Besëlidhje të Re, që do të jetë e amshuar dhe do përhapet ndër paganë. Besëlidhja e Re Për të krishterët kjo besëlidhje e re ndërmjet Hyjit dhe njerëzimit realizohet plotësisht me Jezusin. Ajo vërtetohet me gjakun e tij. Nëpër të plotësohet besëlidhja e Sinait. Gjatë Darkës së Fundit, pasi mori kelkun e verës, Jezusi tha: “Merrni e pini të gjithë prej tij, sepse ky është gjaku im – gjaku i Besëlidhjes” (Mateu 26: 27-28 ). Prandaj nëse në Besëlidhjen e Vjetër Hyji ka vendosur një pakt, një marrëveshje me popullin e zgjedhur (pra me popullin e Izraelit), në Besëlidhjen e Re nëpërmjet Jezu Krishtit ka vendosur një marrëveshje të re me mbarë njerëzimin, pra me të gjithë popujt. SI KA LINDUR BIBLA? Bibla - libri i popullit te Hyjit Më përpara jetohet e pastaj shkruhet duke kujtuar atë se ç’farë është përjetuar. Librat janë kujtesë e popujve. Populli i Izraelit dhe të krishterët që nga fillimi kanë trashëguar përvojën e besimit (fesë) në një libër që është Bibla. Librat e Besëlidhjes së Vjetër formohen gjatë historisë së popullit të Izraelit, që nga epoka e Abrahamit (rreth 1.800 para Krishtit) deri në ardhjen e Jezu Krishtit. Librat e Besëlidhjes së Re tregojnë jetën e besimit tek Zoti të bashkësisë së parë. Besëlidhja e Vjetër është e përbërë prej 46 librash, që ndahen në: Pentateuku (5 libra), librat Historikë (16 libra), librat Poetikë dhe të Diturisë apo Urtësisë (7 libra) dhe librat Profetikë (18 libra). Besëlidhja e Re është i përbërë prej 27 librash: Ungjijtë (sipas Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit), Veprat e Apostujve, Letrat e Apostujve (14 të apostullit Pal, 3 letra të Gjonit; 2 të dishepullit Pjetër; 1 letër e Jakobit, 1 letër e Judës) dhe Zbulesa (Apokalipsi). Mesazhi i Biblës përmbledh mësime të kremtuara me dëshmi të gjallë. Kjo vepër e dendur letrare është përmbushur nën veprimin e Shpirtit të Shenjtë. Ai është Autori i vërtetë i Shkrimit të Shenjtë. Autorët e librave kanë qenë të ndikuar nga frymëzimi i Shpirtit të Shenjtë. Nën dritën e Shpirtit, besimtarët e pranojnë shkrimin si Fjalën e vërtetë të Zotit dhe si burimin e Zbulesave të Hyjit bërë njerëzve. GJUHËT NË SHKRIMIN E SHENJTË Fillimisht Shkrimi i Shenjtë ka qenë shkruar në tre gjuhë të ndryshme, dy prej të cilave në gjuhën semantike: gjuha hebreje, gjuha aramaike dhe e treta gjuha greke. • Besëlidhja e Vjetër: pjesa më e madhe është shkruar në gjuhën hebreje, edhe pse përmban pjesë në gjuhën aramaike, kryesisht në librat e Esdres dhe Danielit. Greqishtja është përdorur për ti shkruajtur librat e ashtuquajtur deuterokanonik, edhe pse disa prej tyre në fillim kanë qenë të shkruajtura në gjuhën hebreje. • Besëlidhja e Re: ka qenë shkruajtur në gjuhën greke helenistike ose koinè. Kjo gjuhë greke popullore është përdorur gjatë shekujve 4 para Krishtit dhe shekujve 6 pas Krishtit. Mendohet të ketë qenë gjuha më e popullarizuar e më e kuptueshme e asaj epoke, që shërbente si "urë" ndërmjet shumë popujve dhe kulturave që lageshin nga deti Mesdhe. Kështu që nuk na habit fakti që Besëlidhja e Vjetër të ketë qenë përkthyer shumë shpejt edhe në gjuhën greke: lloji më i përhapur është quajtur Septaguinta (ose i Shtatëdhjetave). Sipas legjendës shtatëdhjetë njerëz të urtë kanë përkthyer Pentateukun nga hebraishtja në greqisht. Latinishtja do të përdoret në periudhat kohore që vijojnë për të përkthyer Shkrimin e Shenjtë në tërësi. Përkthimi bëhet nga Jeronimi (nga Dalmacia) ndërmjet shekujve 4 dhe 5. Ky përkthim ka marrë emrin Vulgata. BESËLIDHJA E VJETËR Pentateuku përfshin pesë Librat e parë të Biblës që i përkasin Besëlidhjes së Vjetër. Ato përbëjnë një përmbledhje që judenjtë e quajnë "LIGJI" (hebraisht: Torah). Ndërtimi i kësaj përmbledhje të gjerë i është bashkangjitur Moisiut të paktën që në fillim të erës sonë dhe Jezu Krishti e Apostujt iu përmbajtën këtij opinioni (Gjeneza 1,45; 5,45-47; Romakët 10,5). Por traditat më antike nuk e kishin shpallur asnjëherë qarte që Moisiu mund të ketë qenë redaktori i Pentateukut. Vetë Pentateuku thotë se "Moisiu shumë rrallë ka shkruajtur" dhe e shpreh këtë gjë në një pjesë të veçantë. Por në të vërtetë studimi i sotëm i këtyre librave ka bërë të vihen re ndryshime midis stilesh, përsëritje dhe ç’rregullsi në tregime. Kjo gjë na bën të mendojmë që është e vështirë që një vepër të ketë dalë e tëra nga dora e një autori. ZANAFILLA – E shkruar në hebraisht me 50 kapituj, periudha historike e përshkruar rreth 1800-1300 para Krishtit. Origjina e botës, Zanafilla ndahet në dy pjesë jo te barabarta: • Historia primitive (kapitujt 1 deri 11) • Historia patriarkale (kapitujt 12-50) që shtjellon figurën e paraardhësve të mëdhenj: Abrahami, Izaku dhe Jakobi. DALJA (EKSODI) – Dalja nga Egjipti është shkruar në hebraisht me 40 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 1300-1200 para Krishtit: • Lirimi nga skllavëria në Egjipt nëpërmjet Moisiut • Besëlidhja në malin e Sinait. LEVITIKU (KODI PRIFTËROR) – E shkruar në hebraisht me 27 kapituj, periudha historike e përshkruar është reth 1200 para Krishtit. Ligji i priftërinjve të fisit të Levit. Mban rregullat legjislative dhe rituale. NUMRAT (REGJISTRIMET) – E shkruar në hebraisht me 36 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 1200 para Krishtit. Me rastin e numërimit të popullit të Izraelit në kapitujt 1-4, përshkruhet tema e ecjes në shkretëtirë. LIGJI I PËRTËRIRË (BESËLIDHJA E RIPËRTËRIRË) – E shkruar në hebraisht me 34 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 1200 para Krishtit. Ligji i dyte (Ligji i përtërirë 17,18 ), është një Kod ligjesh qytetare e fetare. LIBRAT HISTORIKE Profetët: Jozuehu, Gjyqtarët, Samueli, Mbretërit janë quajtur Profetë të mëparshëm, sepse u paraprijnë Profetëve të Mëvonshëm: Izaia, Jeremia, Ezekieli dhe dymbëdhjetë profetët e vegjël. Besëlidhja e Vjetër përmban një grup të dytë librash historikë, që përsërisin në pjesën më të madhe historinë e ligjit të përtërirë, që shkon nga Jozuehu gjer në fundin e librit të Mbretërve, në të cilin shtohen Ezdra dhe Nehemia. JOZUEHU (JOSHUA) – E shkruar në hebraisht me 24 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 1200-1150 para Krishtit. Jozuehu është ndihmës, pasardhës i Moisiut dhe protagonisti i librit. GJYQTARET – E shkruar në hebraisht me 21 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 1150-1050 para Krishtit. Protagonistët e kohës para mbretërve. Në libër gjëndet përmbledhja e emrave dhe tregimeve mbi shpëtimin e Izraelit. RUTHI – E shkruar në hebraisht me 4 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth shekullit 11 para Krishtit. Tregim popullor i kohës së gjyqtarëve. Redaktimi i fundit i librit duhet të jetë bërë në shekullin 4 para Krishtit. I e SAMUELIT – E shkruar në hebraisht me 31 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 1100-1010 para Krishtit. Në fillim të dy librat e Samuelit përbënin një vepër të vetme dhe quheshin libri i 1-rë dhe libri i 2-të i Mbretërve. Kurse libri i 1-rë dhe libri i 2-të i Mbretërve quheshin përkatësisht libri i 3-të dhe libri i 4-të i Mbretërve. II e SAMUELIT – E shkruar në hebraisht me 24 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 1010-970 para Krishtit. I e MBRETËRVE – E shkruar në hebraisht me 22 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 970-850 para Krishtit. Në fillim përbënin një libër të vetëm, i cili u nda ne versionin grek. Përmbajnë historinë e mbretërve të Judes dhe të Izraelit nga vdekja e Davidit (972 para Krishtit) deri në shkatërrimin e Jeruzalemit (586 para Krishtit). II e MBRETËRVE – E shkruar në hebraisht me 25 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 850- 587 para Krishtit. I e KRONIKAVE – E shkruar në hebraisht me 29 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 970 para Krishtit. Vepra që na ofron një paraqitje të përgjithshme të historisë duke filluar nga Adami. Vepra është shkruar në fillimin e shekullit të 3-të para Krishtit. II e KRONIKAVE – E shkruar në hebraisht me 36 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 970-538 para Krishtit. ESDRA – E shkruar në hebraisht me 10 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 538-515 para Krishtit. Përshkruan kthimin e judenjëve nga mërgimi në Jerusalem dhe Edikti i Ciros (Esdra 1-2), rindërtimin e shenjtërores (tempullit), riatdhesimin e një grupi të dytë mërgimtarësh nën drejtimin e Esdrës (Esdra 7-10). Libri ka qenë shkruar rreth 300 vjet para Krishtit. NEHEMIA – E shkruar në hebraisht me13 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 445-432 para Krishtit. Përshkruan veprën e rindërtimit të mureve të qytetit në Jerusalem nën drejtimin e Nehemisë. Librat e Tobisë, Juditës dhe Esdrës trajtojnë gjerësisht të dhënat e historisë dhe të gjeografisë. Librat e Juditës e te Tobisë nuk janë pranuar në Biblën hebraike dhe nuk janë pranuar nga Protestantët. TOBIA – E shkruar në hebraisht dhe greqisht me 14 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth shekullit VIII-VII para Krishtit. Tregohet ecuria e jetës së një izraeliti (Tobi) të mërguar. Tregimi i ndërtuar në mënyrë artistike me biseda, lutje dhe thënie të ditura. JUDITA – E shkruar në hebraisht dhe greqisht 16 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 605- 562 para Krishtit. Flet për pushtetin e mbretit asirian Nabukodonosor. Ka qenë shkruar rreth shekullit 1-rë para Krishtit. ESTERI – E shkruar në greqisht me 10 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 485- 464 para Krishtit. Tregim mbi përndjekjen dhe shpëtimin e judenjve në mbretërinë persiane të Asuerit. I e MAKABENJEVE – E shkruar në greqisht dhe hebraisht me 16 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 332-180 para Krishtit. Emër i vënë të gjithë familjes dhe lëvizjes së filluar nga Juda. Këtu tregohen bëmat e tyre. Titulli vjen nga mbiemri "Makabe" i dhënë heroit të kësaj historie. II e MAKABENJEVE – E shkruar në greqisht me 15 kapituj, periudha historike e përshkruar është rreth 161-134 para Krishtit. LIBRAT E URTËSISË Janë të quajtur kështu pesë librat e Besëlidhjes së Vjetër: Jobi, Fjalët e Urta, Kishtari, Siracidi dhe Urtësia. Këtyre u shtohen gabimisht Psalmet dhe Kënga e Këngëve. Kryevepra e literaturës së urtësisë është libri i Jobit. Psalmet janë përmbledhja e kengëve fetare të popullit të Izraelit. Libri i Fjalëve të Urta është më tipiku i literaturës së urtësisë së Izraelit. JOBI – E shkruar në hebraisht me 42 kapituj. Protagonist kryesor i librit me të njejtin titull. • Vuajtja konceptohet si dënim për mëkatet; • Edhe të drejtët si Jobi hidhen në vuajtjen më të tmerrshme. Autori i panjohur, përfundoi së shkruari librin rreth vitit 200 para Krishtit. PSALMET – E shkruar në hebraisht, përmbledhje e 150 këngëve fetare. 50 prej tyre mbahen pa autor, ndërsa të tjerat me tepër se 73 janë të Davidit. Me sa duket përmbledhja e psalmeve ka filluar në epokën e mbretërve (Davidi ka qenë i njohur si poet dhe këngëtar) dhe libri ka përfunduar rreth vitit 200 para Krishtit. FJALËT E URTA – E shkruar në hebraisht me 31 fjalë të urta. Fjalët e Urta gjejnë në mënyrat e ndryshme të besimit në Zotin, e konsideruar si parimi themelor i diturisë. Autor i tyre mbahet Salomoni. KISHTARI (PREDIKUESIT) – E shkruar në hebraisht me 12 kapituj. Duke u nisur nga përvoja personale, autori quan të kotë jetën njerëzore së bashku me të gjitha problemet e jetës që sjell njeriu. Libri i shkruar gjatë shekullit 3 para Krishtit. KËNGA E KËNGËVE (KANTIKU I KANTIKËVE) – E shkruar në hebraisht me 8 kapituj. Përmbledhje këngësh të dashurisë dhe martesore, zanafilla e të cilit gjendet nga mesi i shekullit 5 para Krishtit. URTIA – E shkruar në greqisht me 19 kapituj. Sot pranohet nga të gjithë që libri i Urtisë nuk ka qenë shkruar nga Salomoni, por është shkruar nga një judeas (shek. 1-rë para Krishtit.). SIRACIDI – E shkruar në greqisht dhe hebraisht me 51 kapituj. Një përmbledhje me thënie të urta, lutje dhe këngë falenderimi. Libri është shkruar në periudhën ndërmjet viteve 180 dhe 170 para Krishtit. Autori, nipi i Sirakut, i cili ishte mësues i ditur i urtisë dhe jetonte në Palestinë. PROFETET 1. Thenie profetike, që janë "orakuj" në të cilët herë flet Hyji, herë profeti në emër të Hyjit; ose "rreshta poetike" që përmbajnë një mësim, një shpallje, një kërcënim apo një premtim. 2. Tregime në vetën e parë, në të cilat profeti tregon eksperiencën e tij, në mënyrë të veçantë thirrjen e tij. 3. Tregime në vetën e tretë, që tregojnë ngjarje nga jeta e profetit ose rrethanat e shërbesës së tij. ISAIA – E shkruar në hebraisht me 66 kapituj. Është shkruar rreth fillimit të shek. II para Krishtit, deri në fund të vitit 68 para Krishtit. Libri është i ndarë në tre pjesë; kap. 1-39; 40-55; 56-66. JEREMIA – E shkruar në hebraisht me 52 kapituj. Përmbledhje gojëdhënash. Nganjëherë në libër flet vetë Jeremia, nganjëherë shoku i tij Baruku e nganjëherë flasin të tjerët. Përmbledhja e gojëdhënave është bërë në periudha të ndryshme. VAJTIMET – E shkruar në hebraisht me 5 kapituj. Kështu quhet përmbledhja e këngëve, në të cilat vajtohet shkatërrimi i Jerusalemit (587 para Krishtit), gjykimi ndëshkues i Zotit dhe fati i poetit. Përveç kësaj ato ftojnë në pendesë dhe thërrasin ndihmën e Zotit. Libri "Vajtimet" mbahet se është e profetit Jeremia. Përmbledhja e librit me siguri është bërë rreth vitit 515 para Krishtit. BARUKU – E shkruar në greqisht me 5 kapituj, periudha historike e përshkruar rreth 582 para Krishtit. "I bekuari" ose "ardhtë i bekuari". Përmbledhje lutjesh të mërguarve me himne kushtuar Urtësisë dhe këngë ngushëllimi e vajtime. EZEKIELI – E shkruar në hebraisht me 48 kapituj. "Zoti është i fortë". Është libri që përmban më shumë këndvështrime nga të gjithë librat profetikë. DANIELI - E shkruar në hebraisht dhe në gjuhën aramaike me 12 kapituj, periudha historike e përshkruar rreth 587-538 para Krishtit. Autori donte të forconte besimin në Hyjin e Izraelit që i sundon dhe i shpëton në kohën e përndjekjes së judaizmit. PROFETET E VEGJEL – Të shkruara në hebraisht janë gjithsej12 profetë. Profetët e vegjël janë: Osea (14 kapituj), Joeli (3 kapituj), Amosi (9 kapituj), Abdia (1 kapitull), Jona (4 kapituj), Mikea (7 kapituj), Nahumi (3 kapituj), Habakuku (3 kapituj), Sofonia (3 kapituj), Agjeu (2 kapituj), Zakaria (14 kapituj), Malakia (4 kapituj). BESËLIDHJA E RE Nga katër ungjijtë kanonik, tre të parët paraqesin ngjashmëri midis tyre, që mund të vendosen në shtylla paralele mjaft mirë, dhe mund të dallohen mjaft qarte ngjashmëritë. UNGJILLI SIPAS MARKUT – E shkruar në greqisht me 16 kapituj. Është më i vjetri ndër të katër Ungjijtë dhe në të vërtetë përdoret nga Mateu dhe Luka. Autorët janë Gjoni dhe Marku. Qëllimi i Markut është shpallja e besimit tek Jezu Krishtin Mesi. Ështe shkruar rreth viteve 65-70 pas Krishtit. Ndarja e Ungjillit të Markut mund të bëhet në këtë mënyrë: 1, 1-13 Predikimi i Gjon Pagëzuesit, Pagëzimi i Jezusit, Tundimi; 1, 14 - 7, 23 Apostullimi në Galile; 7, 24 - 9, 50 Udhëtimet e Jezusit me Apostujt (në krahinën e Tirit, Sidonit - Dekapoli, Cezaresë së Filipit dhe rikthimi në Galile); 10, 1 - 16, 8 Jerusalem; Vuajtja dhe Ringjallja. UNGJILLI SIPAS MATEUT – E shkruar në greqisht me 28 kapituj. Autori është apostulli Mateo. Qëllimi i Mateut është ai që të dëshmojë se Jezu Krishti është Mesia i premtuar. Është shkruajtur rreth vitit 80-90 pas Krishtit. Ungjilli i Mateut mund të karakterizohet si një dramë në shtatë skena mbi ardhjen e mbretërisë së qiejve: • përgatitja e Mbretërisë në personin e Mesisë femijë (1-2); • shpallja e programit përpara dishepujve dhe turmës në fjalimin e mbajtur në mal (3-7); • predikimi i Mbretërisë së qiejve (8-10); • misteri i Mbretërisë së qiejve. Pengesat që Jezusi takon. Shpjegimi i shëmbëlltyrave (11,1-13,52). • fillimet e tij në grup dishepujsh, me Pjetrin në krye (13,53 - 18,35). • kriza që përgatit ardhjen e tij përfundimtare, krizë e lindur nga opozita në rritje e krerëve të judenjve dhe e shpallur nga fjalimi eskatologjik (në fundin e kohërave) (19-28 ). • së fundi kjo ardhje e dytë, në vuajtje dhe triumf, me dhimbje dhe ringjallje (26-28 ). UNGJILLI SIPAS LUKËS – E shkruar në greqisht me 24 kapituj. Autori është Luka dhe nuk ka si qëllim të shkruajë një "jetë mbi Jezu Krishtin", por një vepër predikimi. Me siguri vepra ka qenë e shkruar rreth vitit 80-90 pas Krishtit. Struktura e ndërtimit nga ana e Lukës merr në vija të përgjithshme nga ungjilli i Markut. Merita e veçantë e ungjillit të tretë rrjedh nga personaliteti shumë tërheqës i autorit të vet, që duket pandërprerë. Luka është një shkrimtar me talent të madh dhe me shpirt shumë delikat. E ka shkruar në mënyrë origjinale, me një shqetësim në informimin dhe rregullsine (1, 3). UNGJILLI SIPAS GJONIT – E shkruar në greqisht me 21 kapituj. Autori është apostulli Gjon, biri i Zebedeut. Tregimet e mrekullive dhe bisedat janë të zhvilluara gjerësisht dhe të lidhura ndërmjet tyre. Me siguri vepra është shkruar rreth vitit 100 pas Krishtit. Është një Ungjill që mund të përmblidhet si një "shpallje e mesianitetit e të bijësisë hyjnore të Jezusit". Çdo Ungjilltar ka një pikësynim themelor mbi Jezusin dhe misionin e tij. Për Gjonin, Jezusi është Fjala që bëhet njeri, që vjen për ti dhënë jetën njerëzimit (1, 14). Misteri i mishërimit drejton gjithë mendimin e tij. Kjo teologji e mishërimit shprehet në gjuhën e misionit të dëshmisë. Jezusi ështe Fjala, Fjala e dërguar nga Hyji në tokë dhe që pasi të mbaroj misionin e tij, duhet të kthehet tek Hyji (1,1). • Hyrja (1, 1-18 ): "në fillim..." Ministeri (shërbesa) i Jezusit: 1. Java e përurimit; ngjarjet që sillen rreth pashkëve të para. 2. Festa e dytë, një të shtunë, në Jerusalem: opozita e parë ndaj zbulimit (5, 1-47). 3. Në Galile, pashkët e dyta: opozita e re ndaj zbulimit (6, 1-71). 4. Festa e tendave: zbulimi i madh mesianik dhe refuzimi i madh (7, 1 - 10, 21). 5. Festa e dedikimit: vendimi i marrë për vrasjen e Jezusit (10, 22 - 11, 54). 6. Fundi i ministerit në publik të Jezusit dhe përurimi i Pashkëve të treta (11, 55 - 12, 50). Ora e Jezusit. Pashkët e qengjit të Hyjit (13, 1-20, 31) 1. Darja e fundit e Jezusit me dishepujt (13, 1 - 17, 26) 2. Vuajtja (18-19) 3. Tregimet e Ringjalljes dhe lumturia e besimit (20, 1-29) 4. Konkluzioni i parë i Ungjillit (20, 30 ). Përfundimi (21, 1-25): shpallja e jetës së Kishës dhe pritja e rikthimit të Jezusit.
Posted on: Sat, 29 Jun 2013 14:30:41 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015