Bajrami, rregulla dhe dispozita Fjala “bajram” është - TopicsExpress



          

Bajrami, rregulla dhe dispozita Fjala “bajram” është përkthim i fjalës “id”, por në gjuhën shqipe ajo ka kuptimin e festës. Fjala “id” rrjedh nga folja “ade-jeudu”, d.m.th. “kthehet dhe përsëritet”. Festat gjenden ndër popuj qysh herët. Për çdo ngjarje madhështore ata caktojnë festë, ku i rikthejnë dhe i përsërisin kujtimet e tyre; dhe shfaqin gëzimin dhe ngazëllimin e tyre. Por, pasi këto festa janë të caktuara nga vetë njerëzit, atëherë e kemi të qartë se ato do të kenë vetëm pamje materiale e jo më shumë. Allahu subhanehu ue teala, e begatoi këtë umet me Fitër bajramin dhe Kurban bajramin, festa në të cilat zgjerohen më tepër sesa në çështjet e dynjasë, por edhe afrohen tek Allahu me adhurime, duke shprehur falënderimin për të gjitha begatitë: që në Fitër bajramin ua mundësoi agjërimin për të cilin luten t’ua bëjë kabull; ndërsa kurban bajramin që ua mundësoi t’i përfundojnë rregullat e haxhit apo therjen e kurbanit. Kur erdhi i Dërguari salAllahu alejhi ue selem, në Medinë vërejti se atje kishin të caktuara dy ditë nga viti për të lozur dhe dëfryer dhe i pyeti për zanafillën e tyre. Ata u përgjigjën se këto ditë i kanë festuar që nga injoranca e hershme. Atëherë Resulullahu, sal-Allahu alejhi ue selem, u tha: “Këto dy ditë Allahu ua ka zëvendësuar me dy ditë më të mira, dita e Kurban bajramit dhe ajo e Fitër bajramit”.1 Këto dy festa, Allahu i zbukuroi me namazin e bajramit, që njerëzit të afrohen dhe të njoftohen, t’i urojnë njëritjetrit bajramin dhe kështu tu shtohet dashuria dhe bashkimi. Këto lloj tubimesh kanë aq mirësi të ahiretit, por edhe të kësaj bote, sa që na shtojnë edhe më bindjen se vetëm Islami është fe e vërtetë, të cilin Allahu e ka zbritur, që nëpërmjet tij njerëzit të arrijnë lumturinë, në këtë botë dhe tjetrën. Dispozita e faljes së bajramit Disa dijetarë kanë thënë se falja e namazit të bajramit është sunet i fortë (sunne muekkede), të tjerë kanë thënë se është farz kifaje, kështu që, nëse një grup besimtarësh e falin këtë namaz, të tjerët lirohen dhe nuk kanë përgjegjësi. Përkrahësit e këtij mendimi mbështeten kryesisht në argumentet e përgjithshme se besimtari ka vetëm pesë namaze të detyruara, jo më tepër, e sikur të themi se edhe bajrami është farz, atëherë ne do të shtojmë edhe një namaz, gjë që është e papranuar. Mirëpo, mendimi më i vërtetë është mendimi i Medhhebit Hanefij, të cilin e ka miratuar edhe shejhul Islam Ibën Tejmije, se falja e namazit të bajramit është farzi ajn, pra, të gjithë besimtarët e kanë detyrë ta falin këtë namaz. Këtë mendim e mbështesin në ajetin: “Falu dhe ther kurban për Zotin tënd” (Keuther 2). Në këtë ajet bëhet fjalë për namazin e bajramit dhe për kurbanin, të cilat me urdhër porositen të kryhen dhe ai urdhër duhet respektuar përderisa nuk ka argument tjetër që do ta ulte peshën e këtij urdhri. Po ashtu, e mbështesin edhe në hadithin e Umu Atije, Nusejba el- Ensarije, e cila rrëfen: “Na ka urdhëruar Resulullahu sal-Allahu alejhi ue selem, që për namazet e bajramit t’i nxjerrim edhe vashat e reja dhe ato të voglat, ndërsa ato që janë në menstruacione të rrinë anash nga vendi i faljes së myslimanëve”. Në transmetim tjetër: “Urdhëroheshim të dilnim për namazin e bajramit, madje t’i nxirrnim edhe beqaret nga shtëpia, e po ashtu edhe ato që janë në menstruacione, të cilat do të bëjnë tekbir me të tjerët, do të bëjnë lutje duke shpresuar bereqetin e kësaj dite dhe pastrimin nga mëkatet”.2 Këto argumente janë të pathyeshme në argumentimin se ky namaz është farz ajn. Forma e namazit të Bajramit Koha e namazit të bajramit fillon pasi ngrihet dielli mirë, përafërsisht 40 minuta pas lindjes së diellit. Duhet theksuar se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, namazin e bajramit e falte në vend të hapur, ku tuboheshin të gjithë besimtarët dhe ky vend quhet musala – vendfalje. Posa arrinte aty dhe tuboheshin besimtarët, ai fillonte faljen e namazit të bajramit, ndërsa pastaj ligjëronte. Pra, hutbeja mbahet pasi të falet namazi. Këtë e mësojmë nga Abdullah b. Omeri, i cili rrëfen: “I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, Ebu Bekri dhe Omeri radijAllahu anhuma, e falnin namazin e bajrameve para hutbes”.3 Dëgjimi i hutbes është i pëlqyer, por nëse ndonjëri nuk qëndron për ta dëgjuar, sidomos nëse ka arsye, nuk ka asnjë përgjegjësi. Për këtë mbështetemi në fjalën e Abdullah b. Saib, njëri prej shokëve të të Dërguarit, salAllahu alejhi ue selem, i cili na rrëfen: “Kam falur namazin e Bajramit me të Dërguarin, i cili, pasi përfundoi namazin, tha: Ne do të kemi ligjëratë (hutbe), kush dëshiron të qëndrojë për ta dëgjuar, le të qëndrojë, e kush dëshiron të shkojë, le të shkojë”.4 Cilat sure lexohen në këtë namaz Namazi i bajramit i ka dy rekate. Ajo që më së tepërmi rrëfehet nga i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, është se ai në rekatin e parë të bajramit ka lexuar suren el-A’la, ndërsa në të dytin lexonte suren el-Gashije. Nu’man b. Beshiri thotë: I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, në bajram dhe në xhuma lexonte suret Sebbihisme rabbikel a’la dhe Hel etake hadithul gashije.5 Mirëpo, ndonjëherë lexonte edhe sure tjera. Kur Omeri radijAllahu anhu, e pyeti Ebu Vakid el-Lejthin se çka lexonte i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, në namazet e bajramit? Ai u përgjigj: Në dy rekatet e bajramit, ai lexonte suren Kaf uel Kuranil mexhid dhe Ikterebetis sa’ah uen shekkal kamer”.6 Sa tekbire ka namazi i bajramit Aisha radijAllahu anha, ka thënë: “Sa u përket tekbireve të kurban dhe fitër bajramit është kështu, në rekatin e parë ka shtatë tekbire, ndërsa në të dytin pesë, pa i llogaritur tekbiret e rukusë”.7 Nëse dikush vonohet dhe nuk i arrin të gjitha tekbiret, ai duhet të vazhdojë namazin me imamin dhe nuk ka nevojë t’i kompensojë këto tekbire, sepse ato janë sunet dhe jo vaxhib. Sa i përket asaj se çka duhet të thuhet në mes tekbireve, do të marrim për bazë atë që tregohet se, kur Abdullah b. Mes’udi u pyet për të njëjtën, u përgjigj: pasi thotë Allahu Ekber, e falënderon dhe lavdëron Allahu dhe dërgon përshëndetje për Resulullahun, salAllahu alejhi ue selem, pastaj thotë Allahu Ekber dhe përsëri e falënderon dhe lavdëron Allahu dhe dërgon përshëndetje për Resulullahun... kështu deri në fund.8 Gjëra të pëlqyera për bajram Larja e trupit Imam Neveviu thotë se të gjithë dijetarët janë të mendimit se larja në këtë ditë, para se të shkohet për ta falë namazin e bajramit është e pëlqyer. Pasi e njëjta gjë porositet drejtpërsëdrejti nga Resulullahu salAllahu alejhi ue selem, për namazin e xhumasë, atëherë për namazin e bajramit kjo porosi me siguri është e dyfishuar. Pra, të kujdesemi që në këtë tubim të rrallë të shkojmë sa më të pastër. Ngrënia para daljes Prej gjërave të pëlqyera në Fitër bajram është të mos dalim nga shtëpia pa ngrënë diçka. Nëse duam të qëllojmë sunetin, atëherë hamë disa hurma, me numër tek, dhe nisemi në vendin e caktuar (musala), ku do ta falim bajramin. Enes b. Malik radijAllahu anhu, na rrëfen se Resulullahu salAllahu alejhi ue selem, nuk nisej në namazin e Fitër bajramit përderisa nuk hante disa hurma dhe atë me numër tek.9 Recitimi i tekbireve Shkurtimisht nga fjalët e Ibën Tejmijes rahimehullah: Mendimi më i vërtetë, të cilin e përkrahin shumica e dijetarëve të selefit por edhe të vonshmit është: tekbiret fillojnë nga sabahu i ditës së arafatit deri në iqindinë e ditës së fundit të bajramit (13 muharem), ndërsa në Fitër bajram, tekbiret fillojnë nga momenti kur nisesh për në xhami. Në këtë mendim janë pajtuar katër imamët. Si thuhet tekbiri: forma më e transmetuar nga sahabët është: Allahu ekber, Allahu ekber, la ilahe il-lAllah, Allahu ekber. Allahu ekber ue lilahil hamd. Disa dijetarë e kanë pëlqyer që pas kësaj të thonë: La ilahe il-lAllah uehdehu la sherike leh, lehul mulku, ue lehul hamdu ue hue ala kuli shej’in kadir. Veshja e rrobave më të bukura Pasi është festë, tubim i rrallë dhe pamje e mrekullueshme, atëherë është e udhës që edhe ne të dukemi më së miri. Duhet të veshim rrobat më të mira që kemi dhe kështu të pastruar dhe zbukuruar të takohemi me vëllezërit tanë. Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, kishte një xhybe të cilën e vishte veçanërisht ditëve të bajramit dhe në ditën e xhuma.10 Ndërrimi i rrugëve Kemi për qëllim shkuarjen në vendin e faljes nga një rrugë ndërsa kthimin nga rrugë tjetër. Xhabir b. Abdullah rrëfen: “Kur ishte ditë e Bajramit, i Dërguari salAllahu alejhi ue selem, ndërronte rrugët”.11 Urtësinë e këtij veprimi një pjesë e dijetarëve e komentojnë duke thënë se këtë e bënte me qëllim që të dy rrugët të dëshmojnë për të në Ditën e Gjykimit, sepse atëherë çdo gjë do të flasë, edhe toka do të flasë se kush dhe çfarë të mire ka bërë mbi të; të tjerë thonë: këtë e ka bërë me qëllim që në çdo rrugë të vërehet kjo ditë; të tjerë thonë: këtë e bëri me qëllim që të shtojë mllefin e armiqve të Islamit; po ashtu kanë dhënë edhe komente tjera, por nuk ka asnjë pengesë që të gjitha ato të jenë të vërteta. Për këto që thamë deri tani dhe të tjera, po sjell edhe fjalën e Ibën Kajjim el-Xheuziut, Allahu e mëshiroftë: “Bajramet i falte çdoherë në musala, ndërsa në xhami e ka falur vetëm njëherë, për shkak të shiut. Kur nisej për të falë këtë namaz, vishte rrobat më të mira që kishte. Në fitër bajram, para se të dilte, hante disa hurma, tek; ndërsa në kurban bajram nuk hante deri sa të kthehej nga musala dhe hante nga kurbani që therte. Ai lahej për këto dy festa dhe shkonte në këmbë. Kur shkonte në musala, fillonte namazin pa ezan, pa ikamet dhe pa thënë: essalatu xhamiah. Pasi përfundonte namazin, kthehej nga njerëzit, të cilët qëndronin ulur, dhe i këshillonte. Fjalimin e tij e niste me falënderime dhe lavdërime për Allahun. Ai bëri lehtësim, duke e lënë besimtarin të zgjedhë, të qëndrojë për ta dëgjuar hutben ose të shkojë. Resulullahu salAllahu alejhi ue selem, praktikonte edhe këtë: kur kthehej prej musalasë, kthehej nga rrugë tjetër nga ajo që kishte ardhur. Ndërsa dijetari Ibën Dekik thotë: Nuk ka divergjencë se namazi i bajramit është nga simbolet e kërkuara fetarisht. Transmetimet lidhur me këtë janë të vërteta dhe nuk lënë asnjë dyshim. Namazi i parë i bajramit që fali i Dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ishte Fitër bajrami në vitin e dytë nga hixhreti. Urimet e Bajramit Shejhul Islam Ibën Tejmiut, i është parashtruar kjo pyetje: Urimi për bajramin, të cilin e përdorin shumica e njerëzve me fjalët: Me fat Bajramin, apo të ngjashme, a ka bazë në sheriat ose jo? Nëse ka bazë, çka duhet të thuhet konkretisht? Ai u përgjigj: Sa i përket urimit që i thuhet njëri-tjetrit në ditën e bajramit, sikurse: “tekabbelAllahu minna ue minkum - Allahu na i bëftë kabull” apo të ngjashme, themi se këtë gjë e kanë bërë edhe disa prej sahabëve, e po ashtu edhe disa prej imamëve të njohur, sikurse Imam Ahmedi dhe të tjerë. Mirëpo Imam Ahmedi ka thënë: Unë personalisht nuk e filloj urimin, por nëse dikush ma uron, atëherë ia kthej urimin, sepse përgjigjja ndaj urimit është vaxhib. Ndërsa, të fillosh urimin nuk është sunet i preferuar, por nuk është as e ndaluar. Kush uron ka ku mbështetet dhe kush nuk uron ka ku mbështetet. Allahu e di më së miri.12 Fjala përfundimtare për urimin do të ishte kjo: Urimi në bazë është më afër traditës sesa adhurimit. Në çështjet e traditës themi se çdo gjë është e lejuar përderisa nuk e kundërshton asnjë tekst i sheriatit, gjë e cila nuk thuhet te adhurimet, sepse adhurimet e lejuara janë vetëm ato që janë sqaruar me tekste të sheriatit, e çdo adhurim tjetër është i refuzuar. Ndërsa tradita dallon nga koha në kohë dhe nga vendi në vend. Ne të trojeve shqiptare e kemi traditë t’i themi njëri-tjetrit: “Me fat bajramin”; “Urime Bajramin”; “Për hair Bajramin”; “E gëzofsh Bajramin” etj. Omer Berisha Www. Albislami. Com
Posted on: Wed, 07 Aug 2013 16:36:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015