Basha: PD, opozitë e fortë, moderne, profesionale, - TopicsExpress



          

Basha: PD, opozitë e fortë, moderne, profesionale, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit Basha: PD, mbrojtëse e vendosur e lirive, të drejtave dhe gjithë arritjeve demokratike në vend Basha: PD, monitorim të rreptë premtimeve të mazhorancës, kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike! Në vigjilje të çeljes së legjislaturës së re parlamentare, dëshiroj t’ju përshëndes të gjithëve dhe t’ju uroj punë të mbarë në Kuvendin e ri të Shqipërisë që fillon punimet sot pasdite. I dashur dhe i nderuar, zoti kryeministër, Berisha! Të dashur miq, ministra! E ndiej si një obligim timin, t’ju shpreh sot, me rastin e paraqitjes së dorëheqjes së qeverisë Berisha, falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë, në emër të Partisë Demokratike dhe gjithë anëtarësisë së saj, për kontributin tuaj të shquar në qeverisjen e vendit, në periudhën 2005-2013. Jam i bindur se me këtë falënderim dhe mirënjohje tonën, bashkohen sot të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, të gjithë mbështetësit e saj, të cilët kanë arsye të ndihen krenarë për arritjet historike të qeverisë “Berisha”. Por besoj se sot, falë një kulture të re demokratike që po përhapet çdo ditë në Shqipëri, mirënjohjes dhe falënderimeve tona u bashkohen edhe ata që për arsye të ndryshme, e panë të arsyeshme t’i jepnin një mundësi alternativës së kundërshtarëve tanë. Askush nuk mund të harrojë se qeveria “Berisha” është qeveria që anëtarësoi vendin në NATO, qeveria që hoqi vizat dhe bëri realitet ëndrrën e lëvizjes së lirë, që hoqi vendin nga lista e rekordeve të zeza të korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar, që rriti rrogat dhe pensionet, që evitoi reçensionin në kohën e krizës globale, që shtroi trasenë e Shqipërisë së zhvilluar, moderne dhe europiane, me rrugë që nuk i ka njohur historia e këtij vendi, me 24 orë energji, shkolla, ujësjellës dhe spitale të reja, që futi Shqipërinë në moshën dixhitale, që u përkushtua si kurrë më parë në zgjidhjen e çështjes kombëtare, pavarësimin e Kosovës dhe njohjes së saj, që përafroi më shumë se asnjë tjetër, integrimin e vendit në BE, që nënshkroi MSA, që e zbatoi atë dhe reformat shoqëruese, që aplikoi për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE dhe që meritoi rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për marrjen e statusit kandidat, që udhëhoqi me vizion, kurajo dhe vendosmëri procesin e vështirë të konfirmimit të gazsjellësit Trans - Adriatik. Qeveria “Berisha” është e do të mbetet një histori e pakrahasueshme suksesi, në historinë njëqind vjeçare të shtetit shqiptar. Qeveria “Berisha” është e do të mbetet gjithashtu një vlerë dhe një trashëgimi shumë e çmuar e Partisë Demokratike. Ata që kanë ardhur sot në pushtet dhe qeveritë demokratike që do të vijnë nesër, do të duhet t’i bëjnë llogaritë me bilancin e saj. Unë jam krenar që kam qenë për gjashtë vjet me radhë, pjesë e kësaj qeverie. Arritjet e saj janë sot pjesë e përgjegjësisë sime, pjesë e përgjegjësisë së mbarë Partisë Demokratike, për një fillim të ri drejt një suksesi të ri. Në këtë sfidë të rëndësishme, ju dhe gjithë zyrtarët e tjerë të lartë të Partisë Demokratike që përmbushën detyra të rëndësishme publike dhe shtetërore këto tetë vjet, do të jenë pa dyshim pararoja e një opozite të fortë, ballore dhe moderne, në radhë të parë në Parlament, por edhe jashtë Parlamentit. Ne vijmë nga një përvojë e çmuar e qeverisjes, që na ka mësuar shumë të gjithëve. Ne i kemi potencialet të bëjmë opozitën më efikase që ka njohur vendi. Ne jemi demokratë. Ne i përkulemi pa apelim, votës së lirë të popullit. Ne e dimë se rrotacioni i pushtetit është një dhunti dhe atribut jetëdhënës i demokracisë. Për këto arsye dhe për faktin tjetër të gjithëpranuar, se zgjedhjet e lira janë mjeti për ta lënë dhe jo vetëm për ta marrë pushtetin, ne e kemi pranuar dhe përjetuar si demokratë, këtë zhvillim në jetën e vendit. Ne shpalosim legjitimisht meritat e qeverisë sonë, në përmbushjen e detyrave që ka qeveria, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve më të mira që ka njohur vendi. Ne shpalosim legjitimisht vlerat e kalimit të rregullt e të përgjegjshëm të pushtetit. E gjithë kjo nuk na pengon aspak, të shohim drejt në sy, sot dhe në ditët në vijim, parregullsitë dhe interferimet antiligjore të ish–opozitës, në procesin ligjor. Për herë të parë, kemi parë një opozitë që ka vjedhur e blerë vota, për të tjetërsuar rezultate. E gjithë kjo nuk do të na pengojë gjithashtu, të shohim me realizëm, në funksion të reflektimeve pozitive dhe korrigjimeve të domosdoshme, defektet, të metat dhe gabimet tona, shkaqet subjektive të rezultatit, përtej konsumimit objektiv prej pushtetit dhe përtej deformimeve nga vjedhja dhe blerja e votës prej kundërshtarëve tanë. Së bashku do t’i bëjmë këto detyra. Me gjithë demokratët dhe me ata që po vijnë e do të duan të vijnë në partinë tonë të madhe. Unë kam kënaqësinë, t’ju uroj sot të gjithëve mirëseardhjen në selinë e re, prej nga do të nisë sfida jonë e re. Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike! Ky është Grupi i ri Parlamentar i Partisë Demokratike. Bashkë me aleatët tanë, kjo këtu është opozita parlamentare e Shqipërisë. Unë besoj se kjo fjalë thotë shumë, për çdo shqiptar. Ajo ka një tingëllim të veçantë, epik dhe heroik do të thosha, në historinë e shtetit shqiptar. Në periudha të caktuara të kësaj historie, opozita parlamentare ka qenë kultura dhe klasi i Shqipërisë. Me ardhjen e komunizimit, opozita parlamentare u bë simbol i martirizimit dhe persekutimit më të egër. Me hapjen e vendit, pas vitit 1991, opozita parlamentare ka qenë në momentet më të mira, simbol i shpresës dhe rojtare e pazëvendësueshme e demokracisë. Gjithë kjo histori, është sot pjesë e vetëdijes dhe përgjegjësisë sonë, për misionin e ri që po marrim si opozitë, mision i cili në shoqërinë e hapur, është po aq i lartë, i rëndësishëm dhe jetik, sa edhe qeverisja. Ne jemi krenarë, sepse jemi partia që e ka themeluar opozitën parlamentare në Shqipërinë postkomuniste, pluraliste. Në periudhën 1991-1992, ishte grupi parlamentar i partisë sonë, që me guxim, vendosmëri dhe vizion të ri demokratik udhëhoqi përpjekjet, për t’i dhënë shprehje në rrafshin kushtetues e ligjor, përmbysjes së madhe të dhjetorit 1990, duke përgatitur terrenin për fitoren e madhe të 22 marsit 1992. Nga viti 1997 deri në vitin 2005, grupit parlamantar demokrat i ra barra të mbante gjallë dhe ndezur pishtarin e opozitarizmit, në një periudhë të karakterizuar nga revanshizmi i egër neokomunist, me një qeverisje të rekordeve të zeza, ku ngritja e korrupsionit në sistem dhe kapja e shtetit nga krimi i organizuar kishin njollosur imazhin e vendit dhe dërrmuar shpresën për zhvillim dhe integrim. Opozita parlamentare e Partisë Demokratike mbijetoi dhe doli fuqishëm në rolin e saj, duke ndezur shpresën për ndryshim. Sot, në një Shqipëri të zhvilluar dhe të përgatitur për shpërthime të reja zhvillimore, falë qeverisjes sonë tetëvjeçare dhe reformave liberale në veprim, ne fillojmë një opozitë të re, përballë një shumice që është votuar me një program antireformist, populist dhe etatist, tipik për të majtat e vjetra asistencialiste të viteve gjashtëdhjetë, të tejkaluara prej kohësh nga të majtat e reja europiane. Ne duam ta njoftojmë sot këtë shumicë dhe qeverinë e saj, dhe ky është një lajm i mirë, në mos për ta, për publikun shqiptar, se duke filluar nga sot e deri në ditën e fundit të Kuvendit që ka dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, ata do të kenë përballë grupin parlamentar të Partisë Demokratike; do të kenë përballë një opozitë të fortë, moderne; profesionale, bashkëpunuese për çështje madhore të vendit; kontrolluese e përditshme e akteve të qeverisë; verifikuese e rreptë e premtimeve të saj; kritikuese e të metave dhe gabimeve të saj; denoncuese e korrupsionit; abuzimeve dhe shkeljeve eventuale të saj; mbrojtëse e vendosur e lirive, të drejtave dhe gjithë arritjeve demokratike në vend; një opozitë propozuese dhe shpresëdhënëse që do të avancojë vazhdimisht alternativën e saj të qendrës dhe qendrës së djathtë. Ne kujtojmë sot, se Partia Demokratike lindi si parti e vokacionit perëndimor të shqiptarëve. Në koherencë me këtë vokacion, që është adn-ja jonë politike, ne nuk do të bllokojmë siç mjerisht dhe botërisht bëri Edi Rama e të tijët, me bllokimin e statusit. Përkundrazi, ne do të jemi protagonistë, për të gjithë çëshjet e integrimit europian të Shqipërisë, duke filluar me marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti e duke vazhduar me tërë procesin e anëtarsimit, me titull të plotë të vendit në BE. Qytetarëve shqiptarë u deklarojmë sot, konsensusin tonë pa kushte, për çdo ligj dhe akt që shkon në favor të integrimit europian të Shqipërisë. Ne njoftojmë gjithashtu bashkëpunim konstant dhe mbështetje nga deputetët tanë, në komisionet përkatëse dhe në aulën e Kuvendit, për të gjitha obligimet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për marrëdhëniet e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, për politikat e paqes në rajon, për bashkëpunimin e veçantë, në dritën e politikave të reja integruese me Kosovën, etj. Përvojën e fituar në qeverisje, e konsiderojme një anvantazh të madh të grupit tonë parlamentar. Deputetët tanë do të garantojnë shqyrtimin profesional dhe ekspertizën me të thellë të çdo ligji dhe akti të qeverisë, të çdo dokumenti parlamentar. Ne do të jemi të hapur, për çdo nismë verifikuese të akteve të qeverisë sonë nga shumica e re. Ministrat tanë na kanë dhënë të parët, shembullin e kësaj gatishmërie domethënëse, gjë që tregon se nuk kemi asnjë shqetësim nga trasparenca, përkundrazi, kush do të ketë nevojë dhe kohë të merret me konçensionet e qeverisë sonë fjala vjen, e para dhe e fundit gjë që do të zbulojë, do të jenë akuzat e pabaza, spekullimet dhe shpifjet e parreshtuara që ish - opozita ka adresuar kundër ministrave të Partisë Demokratike. Duke ofruar këtë gadishmëri, grupi ynë parlamentar dhe Partia Demokratike do të përdorin të gjitha mjetet demokratike, për të mos lejuar zhbërjen e produktit të reformave që janë ndërmarrë gjatë viteve të qeverisjes sonë, në ekonomi, arsim, administrim, etj. Një prioritet i grupit tonë do të jetë monitorimi ditë për ditë i premtimeve që shumica e re u ka bërë zgjedhësve, kundrejt votës që u ka kërkuar. Dëshiroj ta garantoj në emrin tuaj qeverinë e re, se ne nuk do t’i japim paqe asnjë minutë, për sa u takon mbajtjes prej saj të premtimeve. Këtë e konsiderojmë jetike, për të mos lejuar nëpërkëmbjen e dinjitetit të qytetarëve si dhe për kulturën e seriozitetit dhe përgjegjësisë që duhet të kultivojmë në raportet e politikës me publikun. Kush tërhiqet nga premtimet, duhet të përballet me pasojat. Dua të theksoj me këtë rast, se nuk do të jemi opozita e baltës, e spekullimeve, shpifjeve apo dhunës verbale. Do të jemi opozita e fakteve, opozita e gjykimeve të shëndosha, opozita e arsyes. Ne do t’i përmbahemi vlerave të guximit, etikës dhe klasit që karakterizon kulturën politike të qendrës së djathtë. Ndërkaq, të nderuar miq, ne nuk do të jemi një opozitë akademike apo libreske që vepron vetëm në aulat dhe anekset e Kuvendit të Shqipërisë. Opozita jonë parlamentare do të jetë popullore dhe publike. Deputetët tanë do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit, jo vetëm me ata që na kanë votuar, por me të gjithë zgjedhësit pa përjashtim, që do të duan të qajnë një hall, të ngrenë një shqetësim, të propozojnë një zgjidhje. Grupi ynë parlamentar do të jetë në çdo seancë, zëri i drejtë, realist dhe i fuqishëm i Shqipërisë opozitare në Kuvendin e Shqipërisë. Ne duam të bëhemi një shkollë e opozitarizmit në vend, me synimin që kultura e mospajtimit me të keqen në një anë dhe ajo e solidaritetit dhe pozitivizmit në anën tjetër, të bëhen gjithnjë e më shumë një zakon i mirë i komunitetit dhe mbarë popullit shqiptar. Jo vetëm në këtë aspekt, por para së gjithash në fushën e politikave të zhvillimit, që janë pasioni ynë i madh, ne do të jemi gjithashtu një opozitë alternative, propozuese, ndërtuese. Për këtë, departamentet e Partisë Demokratike do të jenë në dispozicion të grupit parlamentar, në bashkëpunim të ngushtë me të. Të dashur miq! Koha ka treguar se opozitarizmi dhe qeverisja janë dy talentet e spikatura të Partisë Demokratike. Pas tetë vjetësh në qeverisje të suksesshme, kthehemi të fillojmë sot opozitën e tretë në harkun e pak më shumë se dy dekadave në demokraci. Në këtë edicion, Kuvendi do të jetë arenë primare e opozitarizmit tonë. Grupi parlamentar do të jetë pararoja e udhëtimit që fillojmë sot, për tu bërë sërish shumicë qeverisëse nesër. Edhe një herë, punë të mbarë të gjithëve! Punë të mbarë Kuvendit të ri të Shqipërisë!
Posted on: Mon, 09 Sep 2013 12:58:50 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015