Basha: Çdo ndërtim pa leje do të prishet, nuk do të ketë - TopicsExpress



          

Basha: Çdo ndërtim pa leje do të prishet, nuk do të ketë legalizim Ashtu siç ishte angazhuar kryebashkiaku Basha, për t’u deleguar më shumë kompetenca njësive vendore, nga sot 11 njësitë e Tiranës do të ushtrojnë pjesërisht funksionet e sigurimit, të rendit e qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit përkatës, funksionet e kontrollit dhe zbatimit të ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e ndërtimit. Për të kryer këto funksione, njësive bashkiake u delegohen 50 punonjës të Policisë Bashkiake dhe 50 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimorë Urbanistik Vendor si dhe një fond financiar prej 32 milionë lekësh, për shpenzimet operative. Në një takim me drejtues të njësive vendore dhe punonjës të Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit Ndërtimorë, kryebashkiaku Basha ka qenë i prerë në qëndrimin e tij për të mos toleruar asnjë ndërtim pa leje në Bashkinë e Tiranës. Delegimi i kompetencave edhe pranë njësive bashkiake sipas Bashës është një kontribut më i madh në këtë drejtim. Zoti Basha ka sqaruar gjithashtu se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj ushtrimit të këtyre funksioneve nga inspektorët dhe njësitë bashkiake që do t’i kenë që sot në varësi. “Do të ketë një kompetencë të plotë vendimmarrjeje dhe ndërhyrje të plotë në ato raste kur konstatohet se ju nuk po veproni në kohë apo nuk po veproni siç duhet. Natyrisht kjo do të sjellë pasoja si për ju, si për njësitë bashkiake, por unë dua ta nisë sot me mirëbesim se kjo masë do të japë efektet e dëshiruara, pikësëpari me një problem madhorë që është konstatuar këto muaj që rëndon në periudha elektorale, që janë ndërtimet pa leje në qytetin e Tiranës, ku toleranca do të jetë zero, larg çdo tentative për ta politizuar, larg çdo presioni të çfarë do pale për të përdorur lidhje kontakte, emra për të kryer veprimtari të paligjshme ndërtimore në qytetin e Tiranës”- tha Basha. Kryebashkiaku Basha ka qenë i prerë në qëndrimin e tij për të prishur ndërtimet pa leje të ndërtuara në territorin e Tiranës, sikundër ka bërë sërisht të ditur se kushtet kur Tirana ka një plan urbanistik dhe marrja e një leje ndërtimi është sot më e thjeshtë, asnjë ndërtim i tillë nuk mund të përfitojë legalizim. “Sot në prani të një plani urbanistik që e bën marrjen e lejes më të thjeshtë se kurrë më parë është detyra juaj e parë më kryesore dhe e prerë të veproni në mënyrë energjike nën drejtimin e kryetarëve të njësive bashkiake për të identifikuar çdo proces, shkelje ligji që fillon apo vazhdon me ndërtimet pa leje, për të marrë hapat ligjore qoftë nga vendosja e gjobave dhe masave të tjera administrative deri tek prishja në flagrancë, prishja totale e këtyre objekteve. Çdo objekt i nisur në këtë formë e pret një dhe vetëm një fat, ai që i rezervon ligji, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë procedurë legalizimi në raport me këto ndërtime. Kjo të jetë e qartë “si drita e diellit” dhe t’i bëhet e qartë qytetarëve”- u shpreh kryebashkiaku Basha. Hyrja në fuqi e vendimit të Këshillit Bashkiak për decentralizimin e këtyre kompetencave është vetëm hapi i parë sipas Bashës. Krybashkiaku Basha ka bërë të ditur se të tjera kompetenca do t’u kalojnë njësive të qeverisjes vendore në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak. “Së shpejti në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të paraqitet një tjetër projekt-vendim, i cili do t’u bëj të mundur atyre të ushtrojnë kompetenca të tjera për sa i përket çështjeve që ju vinë në ndihmë qytetarëve, riparime, mure oborresh, taracash apo çatish, hapja apo jo e një dritareje, vënia e një pompe uji, nuk kanë pse të jenë më atribute që trajtohen vetëm në Bashkinë e Tiranës, por do të decentralizohen në mënyrë të plotë dhe do të jenë kompetenca që do të trajtohen nga kryetarët e njësive vendore. Bashkëpunimi me kryetarët e njësive vendore do të shtrihet edhe në fusha të tjera, ndaj ne duhet të forcojmë dhe aty ku nuk e kemi, të nisim një kulturë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi, ku në objektiv dhe në fokus ka vetëm një qëllim: shërbimi sa më i mirë ndaj interesave të qytetarëve të Tiranës. Çdo axhendë, çdo objektiv, çdo prioritet apo falsoprioritet tjetër të harrohet dhe mos të vij në konflikt me këtë imperativ të jashtëzakonshëm për të cilin sot jemi këtu, jemi zotuar para qytetarëve të Tiranës dhe paguhemi nga taksat e tyre”- ka përfunduar Basha. Fjala e plotë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha “Të nderuar kryetarë të njësive vendore të Bashkisë së Tiranës, të nderuar drejtues dhe anëtarë të Policisë Bashkiake të Tiranës, të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Tiranës. Takimi i sotëm ka për qëllim qartësimin e detyrave dhe nisjen pa vonesë të veprimeve në terren në përputhje me vendimin e Këshilli Bashkiakë, i cili decentralizon kompetencat e kontrollit të territorit në Njësitë Bashkiake të qytetit të Tiranës duke bërë të mundur pikë së pari materializimin e një objektivi të Bashkisë së Tiranës dhe timin personalisht, për decentralizimin si një instrument që u shërben qytetarëve. Jo një qëllim në vetvete por si një proces që është faktuar se sa herë është bërë në mënyrë të vërtetë dhe të bindshme ka rezultuar në efekte pozitive për qytetarët, për qytetin, shërbimi ndaj të cilëve është dhe mbetet detyra jonë kryesore dhe arsyeja jonë për të ekzistuar. Në këtë kuptim ndonëse vendimi u mor në mars, me konsensus, vendim unanim ky në Këshillin Bashkiakë të Tiranës, u vendos që hyrja në fuqi e këtij vendimi të shtyhet deri në korrik. Tashmë ky vendim ka hyrë në fuqi dhe secili prej Kryetarëve të Njësive Bashkiake të Bashkisë së Tiranës është njoftuar me vendimin përkatës të kryetarit të Bashkisë së Tiranës që bënë të mundur operacionalizimin e këtij vendimi. Operacionalizimi i vendimit do të thotë që pranë çdo njësie bashkiake atashohet një trup Policësh Bashkiakë dhe Inspektorësh Ndërtimi, të cilët nën drejtimin dhe udhëzimet e Kryetarëve të Njësive Bashkiake bëjnë kontrollin e plotë të territorit në njësitë përkatëse bashkiake. Mos të kemi asnjë dilemë zonja dhe zotërinj, urdhrat për veprimtarinë tuaj të përditshme, do t’i merrni në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kryetarët e njësive vendore dhe sipas rasteve të parashikuara në ligj, nga të deleguarit prej tyre. Do të përgjigjeni para tyre për kryerjen e detyrave tuaja në mënyrë të përditshme, drejtorët e Policisë Bashkiake të Tiranës, Inspektorët e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Tiranës do të jenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e njësive bashkiake për të monitoruar performancën tuaj, si kundër do të jetë atribut i kryetarëve të njësive bashkiake të ndjekin këtë performancë me të gjitha elementët e saj, promovimin, propozimin për promovim, disiplinim dhe masa të tjera të cilat kanë të bëjnë me mos performancën, të cilat shpresoj dhe uroj të mos jenë në rend të ditës. Ky instrument mund dhe duhet të funksionojë vetëm nëse ju e keni fare të qartë këtë ligj, varësie, komande, dhe kontrolli në raport me detyrat tuaja të përditshme. Si kryetar i Bashkisë së Tiranës, unë do të jem tërësisht i përkushtuar dhe i vendosur që kjo mënyrë veprimi të funksionojë dhe të fillojë të japë rezultatet e saj në terren. Paralelisht me veprimin tuaj dhe pavarësisht nga veprimet tuaja, Policia Bashkiake e Tiranës dhe Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i qytetit të Tiranës do të vazhdojë veprimtarinë e tyre. Nuk do të ketë asnjë përplasje, do të funksionojë një parim subsidiariteti që është edhe parim në themel të çdo organizate të suksesshme demokratike me dhjetëra vite dhe dekada, që do të thotë detyra do të fillojë nga ju, është detyra juaj të konstatoni dhe të kryeni të gjitha hapat që parashikon ligji në kontrollin e territorit dhe në të gjitha aspektet e tij për kontrollin e territorit, duke përfshirë me theks të veçantë ndërtimet e paligjshme. Por do të ketë një kompetence të plotë, vendimmarrjeje të plotë dhe ndërhyrje të plotë në ato raste kur konstatohet se ju nuk po veproni në kohë apo nuk po veproni siç duhet. Natyrisht kjo do të sjellë pasoja si për ju, si për njësitë bashkiake, por unë dua ta nisë sot me mirëbesim se kjo masë do të japë efekte të dëshiruara, pikësëpari me një problem madhorë që është konstatuar këto muaj që rëndon në periudha elektorale që janë ndërtimet pa leje në qytetin e Tiranës, ku toleranca do të jetë zero, larg çdo tentative për ta politizuar, larg çdo presioni të çfarë do pale për të përdorur lidhje kontakte, emra për të kryer veprimtari të paligjshme ndërtimore në qytetin e Tiranës. Sot në prani të një plani urbanistik që e bën marrjen e lejes më të thjeshtë se kurrë më parë është detyra juaj e parë më kryesore dhe e prerë të veproni në mënyrë energjike nën drejtimin e kryetarëve të njësive bashkiake për të identifikuar çdo proces, shkelje ligji që fillon apo vazhdon me ndërtimet pa leje, për të marrë hapat ligjore qoftë nga vendosja e gjobave dhe masave të tjera administrative deri tek prishja në flagrancë, prishja totale e këtyre objekteve. Çdo objekt i nisur në këtë formë e pret një dhe vetëm një fat, ai që i rezervon ligji, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë procedurë legalizimi në raport me këto ndërtime. Kjo të jetë e qartë “si drita e diellit” dhe t’i bëhet e qartë qytetarëve. Pra kërkohet nga ju vendosmëri, kërkohet një sens komunikimi i përditshëm me qytetarët dhe për këtë padyshim do të keni mbështetjen totale si të Bashkisë së Tiranës ashtu edhe të njësive bashkiake, pranë të cilave do të atashoheni duke filluar nga dita e sotme. Procesi i decentralizimit do të vazhdojë, siç kemi diskutuar edhe me të 11 kryetarët e njësive vendore të Bashkisë së Tiranës, së shpejti në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të paraqitet një tjetër projekt-vendim, i cili do t’u bëj të mundur atyre të ushtrojnë kompetenca të tjera për sa i përket çështjeve që ju vinë në ndihmë qytetarëve, riparime, mure oborresh, taracash apo çatish, hapja apo jo e një dritareje, vënia e një pompe uji, nuk kanë pse të jenë më atribute që trajtohen vetëm në Bashkinë e Tiranës, por do të decentralizohen në mënyrë të plotë dhe do të jenë kompetenca që do të trajtohen nga kryetarët e njësive vendore. Por natyrisht ky është hapi që i paraprinë kompetencave për sa i përket dhënieve të lejeve për rikonstruksione, apo për ndërtime me volume të vogla dhe është shkalla e suksesit me të cilën zbatohet ky hap që do të përcaktojë ecurinë tonë drejt hapave të tjerë të decentralizimit. Decentralizimi i pushtetit është i suksesshëm vetëm kur kontrollohet çdo hap, çdo kompetencë e decentralizuar apo e deleguar, zbatohet me sukses të plotë për ndryshe kthehet në një fiasko dhe në një dobësim të zbatimit të ligjit, që natyrisht nuk është synimi ynë. Synimi ynë është pikërisht forcimi i zbatimit të ligjit, duke krijuar tashmë dy shtresa brenda qytetit të Tiranës dhe tre përfshirë edhe shtresën e qeverisjes qendrore, detyra e të cilëve është që të kenë sytë, veshët, fuqinë, muskulin ligjorë për të marrë në mënyrë të plotë, të përditshme dhe totale me çështje dhe problematika të kontrollit të territorit. Këtu në këtë sallë besoj janë të gjithë efektivat të cilët kanë marrë detyrat përkatëse për territoret përkatëse. Janë po kështu përfaqësuesit e njësive vendore. Puna fillon që sot, raportimi juaj i përditshëm, 24 orë sipas turneve që do të përcaktohen nga kryetarët e njësive vendore dhe kontrolli i territorit në mënyrë fizike, pra shtrirja e patrullimit dhe e prezencës tuaj në të gjithë territorin është detyrë ekskluzive e juaja. Nuk do të ketë një ndarje që këtë pjesë e kontrollon Policia Bashkiake e bashkisë së madhe, këtë pjesë e kontrollon inspektorati Ndërtimor i bashkisë së madhe. Territori fillon të kontrollohet nga ju, si hallka më afër qytetarit, më afër problematikës së qytetarit. Në krah të kryetarëve të njësive vendore, të cilët janë kryetarë të zgjedhur me votë drejtpërdrejt nga qytetarët e asaj njësie vendore dhe ka të gjithë legjimitetin për të drejtuar veprimtarinë tuaj në terren. Paralelisht me këtë, pa paragjykuar këtë por në forcim të kësaj, Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të ushtrojnë kompetencat e saj në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës. Nuk do të pranojë asnjë alibi dhe do të ketë konseguenca të drejtpërdrejta në qoftë se ka tentative për të pasur alibi (që nuk e pamë këtë, se këtu u fut ky apo veproi ai apo e menduam që do shkonte apo kujtuam që do shkonte ). Ju do të keni detyrën e parë dhe më kryesoren të bëni kontrollin e territorit bashkë me këta zonja dhe zotërinj që i kemi këtu në krah sot dhe vetëm duke ushtruar këtë në mënyrë të plotë dhe të përditshme ne do të mund të arrijmë atë objektiv në raport me një kontroll efiçent, të strukturuar dhe me standarde të territorit të qytetit të Tiranës. Ky është mesazhi që kam për secilin prej jush. Bashkëpunimi me kryetarët e njësive vendore do të shtrihet edhe në fusha të tjera, ndaj ne duhet të forcojmë dhe aty ku nuk e kemi të nisim një kulturë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi, ku në objektiv dhe në fokus ka vetëm një qëllim: shërbimi sa më i mirë ndaj interesave të qytetarëve të Tiranës. Çdo axhendë, çdo objektiv, çdo prioritet apo falsoprioritet tjetër të harrohet dhe mos të vij në konflikt me këtë imperativ të jashtëzakonshëm për të cilin sot jemi këtu, jemi zotuar para qytetarëve të Tiranës dhe paguhemi nga taksat e tyre. Do ta nisni veprimtarinë tuaj me një energji të jashtëzakonshme dhe me një përkushtim të madh për të evidentuar dhe dhënë çdo shkelësi të ligjit atë që meriton. Komunikimi do të jetë qytetar, s’ka vend për harbutëri, as për arrogancë, as për prepotencë por nuk ka vend për asnjë ndryshim në raport me ligjin. Ligji udhëheq punën tuaj në çdo çast, në çdo moment dhe ligji dhe sensi i detyrës ndaj qytetarëve të Tiranës jam i sigurt që do të jenë dy vektorët që sëbashku me bashkëpunimin e kryetarëve të njësive vendore do ta çojnë këtë ndërmarrje drejt një suksesi, sukses i cili do të matet vetëm në terren nga shkalla e përmirësimit të kontrollit të qytetit të Tiranës. Këto ishin mesazhet që kisha për t’iu dhënë sot në prani dhe të kryetarëve të njësive vendore. Sa i përket performancës tuaj dhe instrumentit të kontrollit të saj, ndonëse jeni dhe vazhdoni të jeni pjesë funksionale e dy organizatave të Bashkisë së Tiranës, Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, komunikimi midis dy drejtuesve dhe strukturave drejtuese të këtyre dy trupave të Bashkisë së Tiranës dhe kryetarëve të njësive vendore nën mbikëqyrjen dhe monitorimin tim sipas rregullave të nxjerra dhe rregullave të tjera që mund të nxjerrim në vazhdim, do të bëjmë të mundur që gjithsecili prej jush të jetë pjesë e disiplinës dhe kodeve të punës dhe të performancës tuaj sipas organizatave përkatëse, por nga ana tjetër pa asnjë hezitim, pa hezitimin më të vogël jeni dhe do të jeni pjesë intergrale e përpjekjes së kryetarëve të njësive vendore dhe njësive vendore në tërësi për të kontrolluar territorin, asnjë alibi në këtë drejtim. Kjo ishte porosia ime e parë, kjo është dhe porosia ime e fundit në këtë takim të sotëm. Ju uroj punë të mbarë dhe suksese. Sfida është e madhe por me përkushtimin tuaj jam i sigurt që do të shënojmë sukses që në ditët dhe javët në vazhdim. Faleminderit.”
Posted on: Tue, 30 Jul 2013 12:52:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015