Berisha: Do jem 18 orë në ditë në krah të demokratëve në - TopicsExpress



          

Berisha: Do jem 18 orë në ditë në krah të demokratëve në Parlament dhe kudo I dashur Gentjan, komenti yt në FB, që u vendos dje pasdite edhe si status, u bë me shpejtësi një “bestseller” në rrjetin tonë social. Nga Insight rezulton se ka mbi 23.200 likes, mbi 2220 komente dhe është lexuar nga 360 mijë persona. Unë e kam lexuar dhe rilexuar atë, më shumë kënaqësi dhe interes dhe më ka bërë shumë përshtypje. Vërtet është shumë mbresëlënëse. Së pari dua të theksoj se me pasionin tuaj të jashtëzakonshëm për politikën, që në moshën 11-vjeçare, me rolin aktiv në tri fushatat e fundit elektorale, me vlerësimet e tua për arritjet e Partisë Demokratike, pranimin nga ju të humbjes së PD-së, duke mos dashur kurrë të bëj profetin, por me dukesh si një enfant prodige i PD. Unë si mik po të rrëfej se unë, Sali Berisha, njeriu që ti admiron, në vizitën time të parë në SHBA, me mikun tim Gramoz Pashko, në shkurt të vitit 1991, pyetjes së Sekretarit të Shtetit në detyrë, në zyrën e tij, se si po ecte fushata jonë elektorale, iu përgjigja se pothuaj asgjë nuk dimë ose dimë për fushatat, vetëm çfarë kemi parë në TV-të italiane. Dhe unë isha 46 vjeç. Imagjinoje çfarë përgjigje do të jepje ti sot, 16 vjeç, për fushatën zgjedhore, me eksperiencën e tri betejave elektorale. Unë të uroj një të ardhme të shkëlqyer në politikë. Në rrëfimin tënd të bukur dhe emocionues, me një forcë të brendshme mahnitëse, në çdo fjalë spikat krenaria për arritjet e PD-së si një frymëzim i vërtetë dhe burim i entuziazmit për ty. Vërtet arritjet e këtyre 5 viteve të Partisë Demokratike na bëjnë të ndihemi krenarë me njëri-tjetrin, me Partinë Demokratike, me Shqipërinë. Dhe jo vetëm ne, anëtarëve e simpatizantëve të Partisë Demokratike, por çdo shqiptar. Shqipëria pak vite më parë ishte vendi që thuaj nuk i besonte njeri. Ora e integrimit të saj në BE dhe NATO dhe ora e zhvillimit të saj kishin ndaluar thuajse plotësisht. Në këto 5 vite të qeverisjes sonë, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, hoqi vizat me BE-në, mori rekomandimin për statusin e vendit kandidat, që e bllokoi kundërshtari ynë. Në këto vite, Kosova u bë e pavarur dhe në luajtëm rolin tonë të pazëvendësueshëm në pavarësinë e saj dhe njohjet ndërkombëtare. Sot, historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk është kurrë ajo që ishte pak vite më parë. Ajo tani është krejt tjetër. Po kështu, pak vite më parë, ora e zhvillimit tonë kishte ndalur pothuajse plotësisht. Ne ishim vendi ku mungonin në të shumtën e kohës dritat, uji, udhëtonim në rrugë ndër më të shkatërruarat e planetit. Shqiptarët paguheshin me rroga dhe pensione tejet të ulëta, nxënësit tanë mësonin në shkolla të rrënuara, me rreth 40- 50 nxënës në klasë, ishin pa ngrohje, pa internet, 2/3 e maturanteve nuk lejoheshin të ndiqnin universitetet dhe pranimi në këto të fundit ishte panairi i korrupsionit. Kompjuteri ishte mollë e ndaluar për fëmijët tanë. Interneti kishte shkallën e përdorimit ndër me të ulëtat në botë. Investitorët vendas dhe të huaj largoheshin nga Shqipëria. Në këto pake vite, Shqipëria, bazuar në programin e PD-së, përjetoi në zhvillimin e saj një quantum leap (hop të madh) të vërtetë. Ajo, siç thotë Komisioni Europian, ndërtoi këto vite rrugë më shumë se i gjithë rajoni marrë së bashku. Ne çamë malet, ndërtuam Rrugën e Kombit, bashkuam Shqipërinë me Kosovën, tunelin e Kërrabës, bashkuam Tiranën me Elbasanin, ndërtuam pothuaj gjysmën e Rrugës së Arbrit dhe segmentin më të vështirë të Boshtit të Jugut, si dhe mbi 10 000 mijë kilometra rrugë. Ne ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla, kopshte, korpuse universitare, trefishuam numrin e studenteve, shtrimë internetin dhe kabinetet e informatikës në çdo shkollë, ndërtuam mbi 400 qendra shëndetësore dhe spitale, 360 ujësjellës, 420 sisteme kanalizimesh dhe sisteme moderne të përpunimit të ujërave të ndotura, si dhe qindra e qindra kilometra kanale vaditës dhe kullimi. Ne po ecnim me shpejtësi drejt përfundimit në Shqipëri të një infrastrukture të re, moderne, të denjë për vende të zhvilluara. Me programin tonë të reformave ekonomike, taksën e sheshtë dhe reforma të tjera, ne dyfishuam të ardhurat dhe mbidyfishuam rrogat dhe pensionet, trefishuam eksportet dhe investimet e huaja. Në kulmin e krizës me të thellë të Europës dhe botës së lirë, ekonomia shqiptare ruajti rritjen më të lartë në rajon e me gjerë dhe krijoi vende të reja pune. Shqipëria turistike është zhvillimi tjetër madhor i këtyre pak viteve. Nga një vend inekzistent në hartën e turizmit në botë, ajo sot renditet në dhjetë vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë. Nga një vend i prapambetur i kohës analoge, ne me programin tonë ndërtuam Shqipërinë e moshës dixhitale dhe ti komunikon në Facebook dhe lundron në internet njëlloj si moshataret e tu në disa vende të zhvilluara. Në epiqendër të zhvillimit tonë, ne vendosem energjinë dhe në këto pak vite janë ndërtuar ose janë në ndërtim e sipër mbi 120 hidrocentrale, ndër të cilat kaskada e Devollit, investim prej rreth 1 miliard dollarësh, që ndërtohet nga flamurmbajtësja e kësaj fushe në Europë dhe në botë “Statkraft” e Norvegjisë. Kontrata koncesionare janë firmosur për ndërtimin edhe të 243 HEC-eve të tjera. Rezerva të mëdha nafte janë në zbulim e sipër ne tokën dhe detet tona. Por, këtu, unë do të veçoja si suksesin më të madh strategjik për shqiptarët, pas anëtarësimit në NATO dhe pavarësisë se Kosovës, gazsjellësin transadriatik, që do sjellë gazin nga deti Kaspik në Shqipëri dhe Europë. Ky projekt, me i madhi i këtij lloji në histori ne fushën e energjetikës, është një investim prej 40 miliardë dollarësh dhe sjell për shqiptarët mungestarin e madh në shtëpitë dhe industritë e tyre dhe e sjell atë, nga një vend mik siç është Azerbajxhani dhe në një kuadër solid europian. Me këtë projekt gjigant dhe vendimmarrjen nga qeveria e Azerbajxhanit dhe konsorciumit në favor të tij, në raport me projektet e tjera konkurruese, Shqipëria me besueshmërinë e sidomos me lobimin e fuqishëm dhe qëndrimet e saj të vendosura ka luajtur një rol kyç, të dorës së parë. TAP do ketë ndikim të madh në uljen e kostos së jetesës, rritjen e të ardhurave dhe mirëqenies për shqiptarët. Me këtë projekt, Shqipëria zgjidh në mënyrë përfundimtare problemin e energjisë dhe merr një rol të veçantë në fushën e energjisë për rajonin dhe Europën. Vitet që vijnë, Shqipëria mund të zbulojë në tokë apo dete rezerva të mëdha gazi, por tashmë ka të gatshëm në territorin e saj gazsjellësin, për shpërndarje në mbarë Europën. Miku im i ri në moshë, por jo në politikë, të gjitha këto janë arritur para së gjithash, sepse programi i PD-së, forcës sonë politike të qendrës së djathtë, për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë është i bazuar në vlerat më të larta njerëzore, iniciativën e lirë, të drejtat e individit dhe interesin kombëtar. Ky është një program i shkëlqyer, me të cilin është ndërtuar Europa dhe bota e lirë. Pa mëdyshje, këto arritje u bënë të mundura nga zbatimi me vendosmëri, seriozitet dhe kreativitet i programit tonë, nga qindra e mijëra djem dhe vajza, burra e gra të administratës sonë, me përgatitje profesionale, aftësi, ekspertizë dhe përkushtim të madh. Ne kemi sot ekspertë, specialistët e studiuesit më të mirë të Shqipërisë, pasuria e saj më e madhe për ne, por dhe e vendit në tërësi, që kanë në arritjet tona veprën e tyre të pavdekshme. I dashur Gentian, duke lexuar komentin tënd, sërish dua të theksoj se unë gjej tek ti një politikan të vërtetë. Ju burrërisht pranoni humbjen tonë. Humbjen e pranojnë vetëm ata që kanë besim te vetja dhe kauza që mbrojnë dhe që e konsiderojnë humbjen një sfidë, për të arritur suksesin e radhës. Humbja sigurisht është e dhimbshme dhe kërkon analizë të thelle e të gjithanshme dhe jam i sigurt që PD-ja do ta bëjë këtë analizë dhe do të nxjerrë përgjegjësitë për defektet e qeverisjes sonë. Por përsëri duhet të mos harrojmë se ne humbëm duke i qëndruar besnik programit tonë. Ne nuk pranuam për asnjë çmim të braktisim vlerat dhe parimet e tij. Përkundrazi, ne ramë me dinjitet, duke luftuar për mbrojtjen e tyre. Ne paraqitem para qytetarëve projektin më të mirë në tërë ekzistencën tonë, më realist, më të bazuar, për Shqipërinë e zhvilluar dhe europiane. Në projektin tonë, ne u zotuam për krijimin e 250 mijë vende pune, rritjen e ndjeshme të rrogave dhe pensioneve, përfundimin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit, Boshtit të Jugut dhe të çdo rruge, shkolle, ujësjellësi, kanalizimesh, rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor, arsimit, mbështetje të fuqishme për fermerët. Shqipërinë, vend lider në energjinë e rinovueshme dhe teknologjinë e lartë, në rajon. Ne në asnjë rast nuk premtuam dhe nuk mund të premtojmë gjëra që bien në kundërshtim me parimet e vlerat themelore që ndajmë dhe besojmë. Mirëpo qytetarët kësaj radhe besuan me shumicë premtimet e kundërshtarit, të cilat ne nuk mund dhe nuk do t’i bënim ndonjëherë. Kundërshtari ynë premtoi shërbim shëndetësor falas për të gjithë, legalizime falas, heqjen e TVSH-së për energjinë, ushqimet dhe ilaçet për të gjithë. Ne besojmë se kjo është hipokrizi dhe jo drejtësi sociale. Në filozofinë tonë, qeveria duhet të subvencionojë kujdesin shëndetësor tërësisht vetëm për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë sigurimet shëndetësore dhe ne e kemi bërë këtë. Kurse të tjerët që kanë të ardhura, duhet të paguajnë sigurimet shëndetësore. Përndryshe, padrejtësisht do të barazonim të pasurin me të varfrin dhe kjo nuk është drejtësi, por hipokrizi. Ne kemi vendosur çmime te arsyeshme për legalizimet, por ligjet e vendit, Kushtetuta jonë nuk lejojnë kurrë t’ia marrësh falas tokën një qytetari dhe t’ia japësh atë një tjetri. Ne nuk mund të premtojmë heqjen e TVSH-së për energjinë, ushqimet dhe ilaçet, sepse barazojmë në këtë rast të mjerin me miliarderin, por ne subvencionojmë jo vetëm TVSH-në, por tërësisht energjinë për atë që nuk ka dhe e kemi bërë këtë. Ne nuk besojmë se këto masa ulin çmimet, sepse rritja e parashikuar e tyre është ligjësi e shëndetshme dhe absolute e tregut të lire. Por ne rrisim rrogat dhe pensionet, si dhe i kemi rritur më shumë se të tjerët, për të përballuar rritjen e parashikuar e çmimeve. Ne nuk premtojmë heqjen e plotë të taksës për biznesin e vogël apo uljen e taksave për 95% të shqiptarëve dhe përballimin nga 5% të barrës së madhe fiskale, sepse ky model është tejet i rrezikshëm, nuk ekziston askund në botë, veçse në platformat e antiglobalistëve. Programi i forcës sonë konservatore nuk mund të bjerë dhe nuk do të bjerë kurrë në antiglobalizëm. Alternativa jonë është ajo që ka ndërtuar Shqipërinë, Europën dhe botën e lirë. Antiglobalizmi ndërton kaosin dhe hiçin. Kështu pra, miku im, në humbëm duke mbrojtur vlerat dhe parimet që ne besojmë, liritë ekonomike të individit, konkurrencën e ndershme, drejtësinë e vërtetë sociale dhe, siç thotë Churchill, ata që bien duke luftuar, ngrihen përsëri. Dhe ne ramë duke mbrojtur kauzën tonë të drejtë dhe shumë shpejt do të ngrihemi në një fillim të ri, të fuqishëm. Së fundi, i dashur, si një admirues i flaktë i imi, ju shkruani se mezi prisnit të ndiqnit me shumë admirim mbledhjet e qeverisë apo ato të Grupit Parlamentar, të kryesuara nga unë, si dhe veprimtari të tjera të miat. Dhe, vërtet, tani nuk do të më shohësh në TV të kryesoj me këto mbledhje, mirëpo ti do të më kesh më afër se kurrë, do të më shohësh në krahun tënd dhe të të gjithë demokrateve të tjerë, 18 orë në ditë, në çdo aktivitet në Parlament dhe kudo, duke luftuar së bashku si luanë të vërtetë, gjersa PD-ja të fitojë përsëri dhe ora e integrimit e zhvillimit të Shqipërisë të ecin me shpejtësinë e orës së PD-së. Të përqafoj, Sali Berisha
Posted on: Mon, 01 Jul 2013 08:19:44 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015