Demokracia, problem I saj dhe antropologjia - TopicsExpress



          

Demokracia, problem I saj dhe antropologjia demokratike Demokracia dhe komunikimi politik Thelbi i sistemit demokratik nuk është pushteti, as monologu, por qytetari dhe dialogu i qytetarit me të ngjashmit e tij. Pushteti në demokraci ka një status të veçantë, është i definuar qartë, dhe sa më i kufizuar që është ai probabiliteti për të abuzuar me të është ma i vogël. Dialogu është thelbi ekspozues i demokracisë, përkatësisht përmes tij konvertohet pushteti në autoritet dialogues, ku qytetarët realizojnë vetveten e tyre dhe të tjerët në komunitet. Derisa dialogu është pjesa thelbësore, jo çdo dialog dhe komunikim shtrohet si duhet. Reklama politike është njëra prej formave komunikuese dhe, në të njëjtën kohë, manipuluese masive e qytetarëve. Demokracia Demokracia do të duhej të siguronte (funksioni normativ) disa kushte që vet konceptualizmi i saj të mos shtrembërohej. Një prej këtyre kushteve që demokracia siguron, dhe do të duhej të siguronte, që shekullarizmi i politikës e bëri të mundur atë, është konvertimi i statusit të pushtetit. Pra, siç thotë Claude Lefort, në demokraci pushteti del si një vend i zbrazët: atë s’mund ta mishëroj më asnjë individ,organ apo parti,askush s’mund të jetë bashkesubstancial me të. Pushteti,sipas kësaj pikëpamje shihet qartë se është një “tokë e askujt”. Pra, kjo nënkupton se demokracia nuk i jep askujt një pushtet premordial-hyjnor në aspektin kohor. Ata që janë aty, përkohësisht (pushtetarët), janë sepse i janë nënshtruar një procedure periodike, përndryshe nuk do të ishin ose nuk do të ishte vet demokracia. Kjo lidhet me atë që thotë Talcott Parsons se: pushteti në politikë është si paraja në ekonomi, ata që e kanë pushtetin e kanë për një periodë të shkurtër dhe qëndrimi i tyre aty (aludohet posti) varet nga rezultatet e punës së tyre dhe vlerësimi që do t’u bëhet këtyre rezultateve nga zgjedhësit. Në këtë linje argumentimi,sikurse ekomomistët që konkurrojnë dhe pushtojnë tregje per te fituar para, ashtu edhe politikanet konkurrojne per pushtet ne “tregjet politike”apo te quajtura ndryshe zgjedhje periodike. Pra,qeverisja demokratike është e kufizuar në planin kohor nëpërmjet zgjedhjeve periodike demokratike dhe mundëson shpëtimin e pushtetit nga monopoli .Kjo realizohet si rezultat i reflektimit të dialogut në mes të dy subjekteve pronare të të drejtave dhe detyrave politike. Dialogu është kushti sine qua non nëpërmjet të cilit njerëzit e realizojnë esencën e tyre ne demokraci. Kjo do të thotë që njerezit nuk mund të qeverisen para se të debatojnë lidhur me formatin dhe rregullat e lojës së qeverisjes. Ky dialog vice-versa, pra ka të bëjë me justifikimin e aktivitetit politik dhe, në planin koheziv, lidhet me një kontekst më të gjerë. Pra, konteksti në fjalë siguron që politika në vetvete të mbart një infuzion demokratik dhe në mënyrë permanente të justifikohet para nje opinioni publik real, e jo fiktiv apo sic njihet ndryshe publik fantazem. Për të qenë e realizuar kjo në rrafshin horizontal-praktik, më tej, shtron nevojën e krijimit të një opinioni të edukuar që gjykon politikën dhe që është i aftë të dekodojë fjalorin politikë. Më saktësisht, kjo lidhet me domosdonë e një telepubliku aktiv që është barometri kryesor i legjitimitetit. Demokracia e shpreh ekzistencën e vet përmes një teknike të përsosur, pra teknikës së arsyetimit të aktveprimeve politike. Arsyetimi i aktveprimeve politike në raport me qytetarin ordianar është pazgjishmërisht i lidhur me legjitimitetin e atyre veprimeve. Ky legjitimitet ka të bëjë me kapacitetin e sistemit politik në fjalë për të prodhuar veprime ,të cilat qytetarët do t’i konsideronin legjitime dhe të drejta. Premisa parësore në këtë linjë diskursi është se, në demokraci e drejta është jashtë sferës së pushtetit dhe nuk del e dhëne njëherë e përgjithmonë. Pra, në këtë proces kërkimi, akterët politikë të këtij sistemi (politikanët, partitë politike) kërkojnë legjitimitet përmes debatit, përkatësisht komunikimit. .Fusha (hapësira) ku kërkohet ky legjitimitet është publiku ,kurse koha më e përshtatshme për aktorët e skenës politike (telepolitikanët) në kërkim të këtij legjitimitetit është fushata parazgjedhore. Megjithëse politikanët reduktojnë kërkimin e legjitimitetit në një akt elektoral. Legjimiteti nuk duhet të shihet në këtë prizëm, si një akt, sepse edhe si i tillë nuk është. Legjitimiteti nuk paraqet një akt kërkim që e gjejmë njëherë e përgjithmonë. Ai duhet, dhe do te duhej të kërkohej vazhdimisht për faktin e thjeshtë se, veprimi politik (veçanërisht sot) është veprim i komunikuar, e për më tepër, i mediatizuar. Në këtë kontekst, pushteti (që është synim i aktereve politike) për të qenë legjitim duhet ,ose do te duhej qe vet pushteti të krijon kushte, siç thote LEFORT, ku do të debatohej përkundrejt tij mbi legjitimen dhe jolegjitimen. Komunikimi politik Për ta kuptuar komunikimin politik (gjuhën e pushtetit ose gjuhën e atyre që e synojnë atë), që është një komunikim veprimi dhe që lidhet drejtpërdrejt me atë që Edellman e quan politikë simbolike, duhet ta shqyrtojmë realitetin politik. Realiteti politik ,sipas tij, është një realitet i dyfishtë. Pra, të gjitha veprimet politike ndahen në mes të dimesionit instrumental dhe dimesionit ekspresiv. Dimensioni intrumental (vlera nominale) i realitetit politik karakterizohet përmes efekteve të vërteta të veprimeve politike, kurse dimensioni ekspresiv-shprehës (vlera simbolike) karakterizohet me simbole që iu servohen publikut në mënyre të fabrikuar. Pjesë e këtij komunikimi ,që është karakteristikë e politikës simbolike, janë p.sh: stemat partiake,himnet ,flamujt, karizma e politikanit, buzëqeshjet koinciduese, shtrëngimi i duarve etj. Dimensioni ekspresiv i veprimit politik është i lidhur pazgjidhshmërisht me politikën simbolike dhe është sine qua non për ta kuptuar komunikimin politik në rrethanat konkrete. Dhe, për më tepër, të dyja këto dimensione lidhen me mediat dhe rolin e tyre. Në këtë sens, ne jemi te prirë të pyesim: a është politika simbolike produkt i nënshtrimit mediatik, pra a bëhet fjalë për një politike të “mediatizuar”, të nënshtruar nga mediat, që gjithnjë e më shumë po e humbë kuptimin e saj (sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku rregullat vendosen nga mediatorët)? Pra,pyetja e mësipërme sikur ofron edhe gjysmën e përgjigjës. Politika simbolike ,se pari, është realitet i çdo shoqërie politike që nga fillimi i veprimit politik. Së dyti,politika simbolike bashkëkohore ka marrë një proporcionalitet të zhdrejtë në tërësinë e realitetit politik sot, pra ka një proporcionalitet të zhdrejtë në raport me dimensionin instrumental (veprimet konkrete politike) dhe, për më tepër, janë krijuar simbole të reja për shkak të veprimit të instrumenteve mediatike , që shpesh quhet edhe pushtet masmediatik. Në realitetin faktik, simbolet përdoren për ndërmjetësimin politik ndërmjet akterëve politik (politikanëve,partive politike etj) dhe telepublikut përmes reklamave mediale. Këto reklama mund të pasqyrohen si manipuluese, ku qytetari mund të humbë aftësinë e tij dalluese në këtë konfuzion të mjegullt dhe, pse jo, manipulues në përcaktimin e nevojave të tij. Metaforën e reklames e përdor edhe J.Schumpeter, përfaqësues i demokracisë minimaliste, ku politikanët i vendos në te njëjtën paralele me tregtarët dhe, sipas tij, që të dy e përdorin reklamën për të prekur indin emocional , emotiv, impulsiv te qytetarit përkatësisht konsumuesit te politikës. Qytetari/konsumuesi politik posa hynë në fushën e politikës, për shkak të mungesës së analizës së tij politike, gjykon ne mënyre fëmijërore. Kjo më sipër lidhet me një performancë të ulët mendore të qytetareve në raport me politikën , thote Schumpeter. Pra, shikuar në këtë linjë diskursi mund të afirmohet se politika dhe telepolitikanët (pra, këtu bëhet fjalë për prezentuesit e politikës, jo politikbërësit) janë shumë të shkëputur nga realiteti esencial, duke substituar agjendat politike me inskenime mediatike (apo bashkërënduar ato), dhe duke krijuar imazhe të paqena dhe identitete fiktive (sidomos gjatë fushatave parazgjedhore) ,e që e tëra akordohet me një telepublik politikisht pasiv dhe që e kupton pakë apo aspak politikën. Pra, shikuar në total, këto agjenda të bashkrënduara me inskenime politike ngjasojnë si një katalog, recept, kod apo plan hyjnor që zbatohen ose synohet të zbatohen në tokë. Parë si tërësi këto agjenda premtimesh përmbajnë: fjalë, intelektualizma, simbole, fraza josubstanciale, premtime, supozime, dispozime për një botë tjetër, pra që ndoshta në intezitet ka të bejë me “maninë e përsosshmërise” së Sartorit apo utopinë e Tomas Morit. Megjithkëtë, mund te konkludohet se politika simbolike është e pashmangshme për çdo realitet politik, nëpërmjet së cilës telepolitikanët janë në gjendje të socializojnë dhe formojnë një vullnet politik. Akterët politikë me anë të kësaj politike simbolike reflektojnë emocionet e publikut, e që e tëra vis a vis ngërthen atraktivitet, pse jo shpesh herë, edhe zbavitje, edhe pse nga politika kërkohet pergjegjësi, seriozitet, e jo zbavitje. Meqenëse politika është komplekse për shumicën e qytetarëve, pra një sistem me shumë të panjohura, themi ne, prezentimi i politikës para opinionit publik bëhet në formë ritualesh, stereotipesh, skemash, simbolesh që përgjithësisht janë të pranuara nga publiku. Përderisa politika simbolike paraqitet si politikë simbolesh, ritualesh, pak a shumë të kuptueshme, thotë Jens Tenschner, simbole që janë publikisht të pranuara nga realiteti publik, veprimi politik mbetet në terr prapa skenës së mediave. Pra,demokracia është një teknikë politike që kërkon një tërësi kushtesh. Konvertimi i statusit të pushtetit, ose formula gjithë pushteti askujt, minon mundësinë për të abuzuar me pushtet, dhe është thembra e Akilit në një shoqëri politike parademokratike. Dialogu ekspozon kushtin thelbësor që ushqen demokracinë me legjitimitet, dhe fusha ku kërkohet ky i fundit është opinioni publik, kurse koha më përshtatshme është fushata parazgjedhore. Telepolitikanët reklamojnë produktet e tyre me ane te komunikimit simbolik ose instrumental, dhe ky komunikim mund të jetë sa manipulues, për shkak te mosveprimit politik (ose veprimit retorik) aq edhe produktiv, për shkak se ata iniciojnë pjesëmarrjen aktive të qytetareve në procesin vendimmarrës. Ekzistimi i një opioni real që do te kontrollonte “produktet’’e telepolitikanëve mbetet, si duket, detyrë permanente e shoqërive demokratike. Kushtet që favorizojnë demokracinë Shekulli i XX ka qenë i mbushur plot me dështime për demokracinë, në më shumë se 70 raste regjimet totalitare kane sunduar mbi demokracinë. Por gjithashtu shek. XX ka shënuar dhe atë që quhet ngadhënjimi i demokracisë. Që në vitet e para të shekullit te njëzetë regjimet që shiheshin si rivale të demokracisë dështuan përballë saj. Monarkia, aristokracia, oligarkia etj. ranë në mënyre fatale dhe duke humbur çfarëdo lloj legjitimiteti ideologjik përballe demokracisë. Gjithashtu është e vërtete qe këto regjime me pas u zëvendësuan nga regjime te tjerë antidemokratike si ishte fashizmi apo nazizmi e leninizmi por këto regjime zgjaten pak. Fashizmi dhe nazizmi u goditen forte gjate luftës se dyte botërore, regjime te tjera te tipit ushtarako-diktatorial sic ishin p.sh regjimet ne vendet e Amerikës latine, shume shpejte ranë viktima te krizave te mëdha ekonomike, ideologjike e diplomatike te shkaktuara nga ata vete. Ndërsa rivali i fundit i demokracisë leninizmi i shndërruar ne komunizmin e tipit sovjetik u shemb pa pritur si shkak i presioneve te mëdha nga brenda dhe jashtë ne vitet e fundit te shekullit te njëzet. Por pavarësisht qe këto rivale te regjimit demokratike nuk ekzistojnë me sot përsëri nuk mund te thuhet qe demokracia ndodhet e sigurte ne te gjithë planetin, fitorja e fundit e demokracisë ende nuk ka ardhur dhe as nuk është afër. Një superfuqi tjetër botërore, KINA, ende nuk është demokratizuar, madje ky vend me popullsinë me te madhe ne bote as nuk ka eksperimentuar qofte dhe një here demokracinë dhe duket te jete disi larg një perspektive te tille. Por përveç Kinës dhe shume vende te tjera jo demokratike si vendet e Afrikës ato te lindjes se mesme, një pjese e ish republikave sovjetike si dhe shume vende te jug-lindjes aziatike. Ne një pjese te mire te këtyre shteteve kushtet nuk janë aspak te favorshme për të zhvilluar demokracinë. Por cilat janë këto kushtet qe favorizojnë demokracinë? Studiues e politologë të ndryshëm si Huntington, Linz, Sartori, Walter, Bobbio janë përpjekur qe t’i japin një përgjigje kësaj pyetjeje dhe për këtë kanë publikuar dhe shume studime te tyre, por me sa duket studimi i cili është me koherent është ai i bere nga shkencëtari i politikes Robert Dahl i cili i ndan faktorët qe ndikojnë ne zhvillimin e demokracisë në dy grupe: (1) Në faktorët e domosdoshëm për zhvillimin e demokracisë dhe (2) Në kushtet që favorizojnë demokracinë. 1. Në faktorët që janë të domosdoshëm për demokracinë ai përmend: a) Zgjedhjen në mënyrë demokratike të funksionareve që drejtojnë forcat e armatosura. Kjo është një pikë shume e rëndësishme, thekson Dahl, pasi emërimi i krerëve të forcave te armatosura jashtë procedurave demokratike dhe drejtpërdrejt nga liderët politikë do të thotë që këta liderë kontrollojnë drejtpërdrejt mjetet e dhunës dhe të shtypjes duke pasur ne dore kështu mundësinë për te shtypur çfarëdo lloj opozicioni te kundrejt. b) Prania e ideve dhe e kulturës demokratike. Dhe ky faktor vlen për tu theksuar sipas Dahl pasi shpesh here shtetet dhe ato me institucione demokratike gjenden përballe krizave te ndryshme dhe është e rëndësishme qe ne këto raste jo vetëm udhëheqësit politike po dhe vete populli duhet te japin ide dhe te mendoje qe fare do lloj zgjidhje këtyre problemeve duhet te dali brenda parametrave te demokracisë dhe jo te formave te tjera sic janë dhe ato te dhunës, te cilat dëmtojnë rendin, sistemin dhe institucionet. Gjate shekullit te njëzete kemi pare qe zgjidhje te tipit radikal te problemeve sollën ne pushtet dy regjime diktatoriale si Nazizmin dhe Fashizmin. c) Mungesa e ndikimit të jashtëm nga ana e shteteve te tjera antidemokratike. Është vene re qe është shume here me lehte qe institucionet demokratike te zhvillohen normalisht ne ato vende ku influenca e shteteve te tjera antidemokratike nuk ekziston ose është e papërfillshme. Kështu p.sh nëse Bashkimi Sovjetik nuk do te kishte ushtruar influencën e tij ne vendet e lindjes shume shtete si Polonia, Çekosllovakia apo Hungaria sot do te bënin pjese ne ato vende qe quhen me demokraci te vjetër. 2. Kushtet që favorizojnë demokracinë: a) Ekonomia e tregut dhe shoqëria moderne Historikisht zhvillimi i demokracisë është lidhur ngushte dhe me atë forme regjimi ekonomike qe gjerësisht mund te quhet Ekonomi e tregut. Kjo lloj forme ekonomie ka treguar qe e ndihmon me tepër individin te jete i lire dhe te kërkoje vete mirëqenien e tij, megjithëse ka dhe shume kundërshtime qe thonë se ekonomia e tregut shkakton dhe shume pabarazi politike por ky është një argument i cili mund te trajtohet me mire ne një katedër tjetër. b) Mosprania ose prania shume e vogël e konflikteve etniko-kulturore Është vënë re që institucionet demokratike kanë perspektivë më të mirë për t’u zhvilluar në shoqëritë homogjene. Në këto shoqëri individët duke qenë se kanë të njëjtat karakteristika etnik-kulturore, pra bëjnë pjesë në të njëjtin grup, kanë mundësi për të zhvilluar më mirë raportet e tyre miqësore. Ndërsa në shoqëritë heterogjene ku ndodhen më shumë se një grup, secili nga këto grupe do të përpiqet të sundojë mbi tjetrin apo të ruajë karakteristikat e tij ku në këtë mënyrë do të gjeneroheshin dhe konfliktet e dhunshme, elementet më të rrezikshëm të demokracisë. Sfidat dhe mundësitë e demokracisë Nuk është aspak e pazakontë që demokracive Europiane u duhet të përballen me sfida dhe mundësi, që vijnë si pasojë e ndryshimeve te rëndësishme në mjediset e tyre të jashtme. Kjo ka ndodhur në mënyrë të përsëritur në të shkuarën dhe, pavarësisht nga kthimet mbrapa te rastësishme (këtu kujtojmë menjëherë periudhën midis dy luftërave botërore), ato kanë qenë shumë më të suksesshme se autokracitë në përballjen me kërcënime të tilla ndaj ekzistencës së tyre. Arsyet për këtë superioritet relativ, studiuesit bashkëkohorë te demokracisë Philippe C. Schmitter dhe Alexander H. Trechsel ne një studim te bere kohet e fundit e shpjegojnë përgjithësisht ne dy pika. E para, demokracitë gjenerojnë informacion më të saktë rreth interesave dhe pasioneve të qytetarëve të tyre. Ato mund të duken si më të diskutueshme dhe më pak efeciente në plan afatshkurtër – më saktë për shkak të lirive të tyre të të shprehurit, tubimin dhe peticionin - por ato do të jenë më të përgatitura për t’u përballur me ndryshime në preferencat dhe intensitetet individuale, kur u duhet të reformojnë institucionet dhe praktikat e tyre. E dyta, demokracitë kanë mekanizma të brendshëm të përgjegjshmërisë dhe gatishmërisë, çka nuk i lejon qeveritarët të reagojnë dobët apo në mënyrë të ekzagjeruar ndaj kërcënimeve të tilla të jashtme. Pavarësisht nga rreziku, shpesh i parë negativisht, i “populizmit”, interesat dhe pasionet e qytetarëve - të filtruara nëpërmjet konkurrencës dhe bashkëpunimit të politikanëve / përfaqësuesve të tyre - zakonisht rezultojnë në përgjigje më të matura dhe më të përshtatshme. Me kalimin e kohës, dhe me shmangie të rastësishme, ata tentojnë të marrin vendime kolektive, të cilat konsiderohen legjitime, edhe prej atyre, që ndikohen negativisht prej këtyre vendimeve. Qytetarët mund të ankohen ndaj qeveritarëve të pavëmendshëm dhe joaktivë, por ata përgjigjen më me lehtësi ndaj asaj çka kërkohet prej tyre, në qoftë se do ta krahasonim me rastet më të përkryera të diktaturave dhe teknokracive, sepse të drejtat e tyre politike janë më të mbrojtura dhe, prandaj, ata kanë më shumë besim se do të jenë në anën e fituesve në të ardhmen. Dikush mund të thotë se sfidat dhe mundësitë e inkorporuara në kontekstin e sotëm europian janë jashtëzakonisht të ndryshme dhe të forta. Sigurisht që ne jemi të destinuar të jetojmë në “kohëra interesante”, në të cilat norma, shkalla dhe gjerësia e ndryshimit duken te paprecendentë dhe, çka është më e rëndësishmja, përtej kufijve të njësive tradicionale, që kanë dominuar derimëtani peisazhin e saj politik. Shumica e problemeve të sotme janë ose shumë të mëdha ose shumë të vogla për shtetet sovrane kombëtare të së shkuarës, dhe prandaj brenda Europës janë bërë një numër i pafund eksperimentimesh me krijimin e njësive më të vogla politike apo me integrimin në njësi më të mëdha. Për herë të parë, njohja e nivelit të bashkimit, në të cilin duhet të kryhen reformat, është bërë pothuaj po aq e rëndësishme sa edhe njohja e përmbajtjes së vetë reformave. Pyetja klasike Que faire? duhet të plotësohet me pyetjen Ou faire? Për më tepër, për arsye se ato vijnë nga një “mjedis relativisht i paqtuar”, demokracitë në fjalë do të hasin vështirësi të mbështeten në masat e “emergjencës” apo në pezullimet “e përkohshme” me qëllim që të realizojë reforma, të cilat hasin në opozitë të fortë. Duke supozuar që qeveritarët do të jenë të tunduar të rrisin sensin e urgjencës duke nxjerrë në pah kërcënime të reja mbi sigurinë dhe përgjigjet ndaj tyre (të tilla si “lufta kundër drogës”, “lufta kundër terrorizmit”, apo “frika ndaj të huajve”), si dhe t’i shfrytëzojnë ato për të zbatuar reforma antidemokratike. Por shumëllojshmëria e burimeve të informacionit dhe konkurrenca ndërmjet politikanëve duhet ta kufizojnë këtë mundësi në demokracitë, të cilat funksionojnë mirë. Problemi kyç është gjetja e vullnetit për të reformuar rregullat ekzistuese pikërisht me qeveritarët, të cilët kanë përfituar prej tyre dhe që zakonisht nuk mund të detyrohen për të vepruar kështu për shkak të një kërcënimi të jashtëm të fuqishëm në lidhje me sigurinë e tyre apo mbajtjen e postit. Rebeka Naqi Gjika Fakulteti i Shkencave të Edukimit
Posted on: Fri, 18 Oct 2013 17:12:40 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015