Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes” i poetit te - TopicsExpress



          

Dhimbjes i rrinë të vogëla këpucët e heshtjes” i poetit te njohur Vasil Tabaku LIRIKA TË NDJENJËS DHE TË KUJDESIT ESTETIK NJOHJA ME JETËN DHE POETIN: Poetin Vasil Tabaku e kam takuar për të parën herë me një tufë poezish, botuar diku në gazetën “Drita”, organi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ishin vite të hershme, aq të hershme sa unë nuk dija se diktatura komuniste në Shqipëri kishte futur krijuesin në karantinë dhe çdo fjalë e tyre kontrollohej me piketë. Me kalimin e kohës mësova se autori kishte lindur në Lushnje, në një familje me origjinë nga Gramshi e cila sipas “urdhrave të diktaturës”, pas disa muajsh do të zhvendoset në zonën e Mallakastrës dhe do të vendosën në qytetin e Ballshit. Vasil Tabaku, shkollimin fillor dhe atë të mesëm e ndoqi në Ballsh, kurse studimet për letërsi do t’i mbaron në Tiranë. Pas diplomimit do të detyrohet të punojë si mësimdhënës në zonat e Mallakastrës. E theksuam këtë shënim sipërfaqësor biografik për të parë se jeta e Vasilit ishte përplot përpjekje e peripeci që kanë ndikuar drejtpërdrejt ose tërthorazi në personalitetin e tij intelektual dhe krijues. SIMBIOZA DHE SIMBOLIKA: Që atëherë më patën bërë përshtypje dy elemente dalluese dhe mbase mjaftë interesante në krijimtarinë letrare të Vasil Tabakut: 1. Tema e Kosovës, (poezitë: “Monologu i luftëtarit të shek. XV”, “Mic Sokoli” e “Idriz Seferi”, (diku në njërin nga vëllimet e para), e deri te poezia “EPOSI SHQIPTAR”, ku “Tokë e Dardanisë/ Stuhitë të puthin fytyrën prej drite dhe bore”, ose te poema “SHËN VALENTINI”, (që bashkë me “EPOSIN…”, janë në këtë vëllim), ku në pjesën e gjashtë do të shprehet se: “Dashuria ime/ E ka emrin KOSOVË”. Temë kjo që do të bëhet obsesive për këtë poet e që nuk do t’i shqitet kurrë nga krijimtaria e tij letrare dhe 2. Simbolika e drerit dhe e drenushës që zënë vend meritor në të gjitha publikimet e hershme dhe të mëvonshmet, qofshin ato në fushën e poezisë, të tregimit dhe së fundi edhe të romanit që e botoi vite më parë, ku pikërisht “Dreri dhe Kosova” janë simbolikat qendrore të atij romani. Autori si duket me melankolinë, urtësinë dhe bukurinë e sorkadhes e cila “Në rrugën prej ulërimash ujqërish” pëson vazhdimisht nga speciet tjera të kësaj natyre, dhe jo rrallë bie pre edhe e gjahtarëve të cilët e përdornin jo vetëm për mishin e shijshëm por edhe për stolisje(?!), siç e ndeshim te poezia “MOMENT”, ku ka arritur të ekuilibroj simbiozën në mes realitetit dhe krijimit poetik: MOMENT… Ndërsa sorkadhja vdes Në rrugën prej ulërimash ujqërish Një tufë dhelprash Tërheqin zvarrë kufomën e saj Apo dhimbjen e saj prej kristale lotësh Duke e mbushur botën Me rruaza shndritëse trishtimi P. s. Gjithmonë Është dikush Që përfiton nga kjo vdekje Për të zbukuruar vetveten Me gjerdanin tragjik të lotëve të sorkadhes… Ndoshta janë këto elemente tejet të dukshme, ndoshta motive të tjera që mund t’i dijë vetëm autori, por “sorkadhja-drenusha-kaprollja” apo “dreri-kaprolli-sorkadhi” etj, në të gjitha variantet e trajtimit duket sikur një “simbol tragjizmi” siç e ndeshim edhe në dy strofat e fundit të poezisë “DASHURI E DASHURUAR”, në të cilën poeti shprehet: “Tej në fushë/ ujku rend/ me sorkadhen/ hedhur hajdutërisht/ mbi shpinën e murrme leshtore…// Anës rrugës/ dashuri e dashuruar/ dhe një varr lotësh/ mbuluar në rënkime// Ujku me prehën e vet rend fushës së ngrirë…”. Edhe në rastin tjetër kjo “simbolikë tragjizmi” bëhet vetëm më e dhimbshme, kurse pësimin dhe pasojat dihet si i takojnë kësaj specie siç e ndeshim edhe te poezia “DRERI”, ku “Baleti i bukur i hapave te drerit/ e shndërron pyllin/ në teatër…” aty, në pyll, në teatrin tragjik “Dreri/ humb tej nëpër mjegull/ balerinë lotuese/ e heshtur/ mbështjellë/ me ulërima ujqërish…” ku “Koka e kaprollit/ këputet mbi supe si meteor…”, (poezia “REALITET”). Do të doja të mos lajthitem, por simbioza e këtyre dy fragmenteve sikur pa dashje më rikthyen në tragjiken e Kosovës, sepse në mënyrë simbolike “Drenusha” më përafrohet me fatin e Kosovës “nëpër pyllin e egër Ballkanik”, ku gjahtarë të paudhë edhe atje do të bëjnë llahtari, duke përflakur e përcëlluar jo vetëm hapësirën tokësore, po më shumë atë njerëzore. Nga kjo metaforë shihet se “tragjizmi i drenushës, apo simbolikisht të themi Dardanisë” në luftërat e fundit që ndodhën në këto hapësira, (veçmas në Kosovë) është identike, elemente këto që i hasim në formë të kësaj simbolike, (për një pjesë tjetër të dhembjes etnike), tek poezia “BALADË KALABREZE”, në të cilën poeti shprehet: “Kalabri/ kaprollja e bukur e Mesdheut/ për ty/ dhe tërë errësirën tënde/ kam në dorë/ një qiri të ndezur”. KONTINUITETI LETRAR: Me kalimin e viteve krijimtaria e Vasil Tabakut do të bëhet edhe më e njohur, kurse kërshëritë e mia plotësoheshin dita – ditës me përmbledhjet poetike që nga “Hyrja e Pranverës“, (1976), “Në të gjitha ditët“, (1981), “Me këngën time dhe jetën“, (1987), „Klithmë drite“, (1998), “Vështrim i ngrirë”, (2000), e deri te romani ”Baleti i drerit të plagosur“, (2007), që ua kushton “miqve të tij poet nga Kosova”. Përveç këtyre përmbledhjeve poetike dhe romanit që e cituam më lartë Vasil Tabaku ka botuar edhe një varg librash të tjerë të natyrës studiuese, eseistike apo monografike duke e kompletuar edhe më tej portretin e tij krijues, por si poet e përfaqësojnë denjësisht librat e theksuar më lart. Tashmë ky autor në vazhdën e krijimeve letrare po i prezantohet lexuesit me lirika të shumta, ku ka sjellë vlerat më të mira të kësaj fushe, madje duke krijuar përshtypjen sikur vëllimi në fjalë na qenka një poezi e përzgjedhur e këtij autori. Lirikat e përfshira në vëllimin poetik “KRAHËT E THYER TË FLUTURIMIT”, nuk vijnë vetëm si volum, por më shumë vijnë si cilësi, si vlerë e përpunuar e këtij autori. Vëllimi në fjalë sublimon eksperiencën dhe përvojën në fushën e poezisë, ku brenda kapakëve të librit janë koncentruar vlera të mirëfillta poetike që nga botimi i parë në vitin e largët 1976 e gjer më sot. SIMBIOZA SI REFREN LIRIK: Vasil Tabaku ka arritur me mjaftë sukses të përafroj jetën e tij publike me poezinë që duket sikur “Mbi shpinën e një zogu”, i “Fluturon brenga e tij (jonë) prej ajri dhe drite”. Pastaj dinamizmin që ia ndeshim në jetë e gjejmë edhe në poezi. Shqetësimin e tij po ashtu. Gjejmë brengën, dënesën dhe hapin e nxituar. Me një fjalë e tërë poezia është jeta, është bota e tij reale, janë supet e tij përplot halle, kurse refreni “mbi shpinë” e “mbi supe” që janë përmendur dendur nëpër këtë vëllim poetik, jo vetëm që kanë ndërtuar një metaforë të qëndrueshme, por ka ndërtuar kujdesshëm “simbiozën si refren lirik” duke i bërë poezitë edhe më magjepse. Për të qartësuar idenë e këtij refreni lirik po i citojmë disa shembuj të simbiozës “mbi shpinë” dhe “mbi supe”: “Tej në horizont/ mbi shpinën e murrëtyer të muzgut/ si mbi supet e egra te bishës/ bie pluhur drite”; “rruzulli i tokës/ nuk ka si të lidhet/ mbi shpinë t’ia hedhim kuajve”; “kam hedhur mbi shpinë/ një lum trazavcaç/ ca të qeshura të pafajshme/ fëmijërinë time krejt lakuriq”; “nuk di pse kisha aq shumë ftohtë/ nga ato të qeshura që mbi shpinë/ më derdheshin si gurë”; “guri mbi shpinë/ nuk është më i rëndë/ ai është bërë pjesë e imja”; “lërmani gurin mbi shpinë/ nuk ka rëndësi/ vetëm të mos bëjë gjithë jetën/ të njëjtën rrugë”; “vërmëni po deshët mbi shpinë/ edhe globin”, etj. Kurse në anën tjetër refreni “mbi supe” e ka sforcuar edhe më shumë “simbiozën” si dukuri e bashkëjetesës së këtyre dy nocioneve metaforike: “Dhe kjo ditë e ftohtë/ hedhur mbi supet e mi/ si një xhaketë heshtjeje”; “veshur me buzëqeshje/ sikur mbi supe/ të kishe hedhur/ pelerinën e argjendtë të hënës”; “mbi supet tanë të brishtë/ bije breshër fjalësh të ashpra/ shkruar nga duar të pasigurta analfabetësh/ kultura e dyshimtë e të cilëve/ prezanton qytetin dhe vendin tim të sfilitur”; “hëna/ vdes mbi shkëmbinjtë e dhimbjes/ si fytyra/ e trishtuar e gruas/ mbi supet katror të burrit”; “diku/ në një skaj të botës/ një femër e vetmuar/ me pelerinën e heshtjes mbi supe/ laget në lot”; “një erë e çmendur/ i rrëmben në vorbullën e egër/ dhe i shpërndan/ mbi supet e zhveshur të botës”; “nga mungesa e puthjes/ krejt të bardha/ ku mbi supe/ si xhaketë e vjetër/ do të na varet pleqëria”; “pluhuri i ëndrrave/ shpërndahet mbi supet tanë”; “mbi supet e tyre/ lëvrijnë vrapimet”; “me çfarë brenge/ e mbaj mbi supe këtë thes të vjetër”; “të gjithë nxitojnë/ me nga një rrugë mbi supe/ dhe shumë fytyra, sa shumë fytyra”; “emrat e djemve shqiptarë që mbajnë mbi supe/ historinë dhe të vërtetat e mëdha”; “dhe të mbanin mbi supe/ peshën e vështrimeve të djemve të huaj”; “ti më hodhe dorën mbi supe”; “me këngët të varur mbi supe/ si flokë të thinjur nga ngrica e brengës”; “më mirë të mbaj një det mbi supe”, etj. etj, dhe pa i llogaritur nocionet negative që lidhen me “pas”, kanë bërë për të kuptuar se autori “simbiozën si refren lirik”, e ka ndërtuar duke u mbështetur edhe në aspektin fiziologjik të ndërtimit të trupit ku “shpina” e “supet” bashkërendojnë njëra me tjetrën, ashtu sikurse edhe nocionet letrare që i kemi theksuar, alternojnë njëra nga tjetra. Jo vetëm aspektin e “simbiozës”, por edhe të imagjinatës poetike, Vasil Tabaku i ka sendërtuar si vlera letrare me një estetikë të përpunuar, por lirikat e këtij libri mbeten përsëri: jeta, hallet, përpjekja dhe triumfi i tij. Prandaj mund të shprehemi se Vasil Tabaku ka luftuar prandaj ka fituar, ai ka punuar prandaj ka edhe rezultate. Janë disa nga këto veçori pse themi se në mes poezisë dhe autorit (në rastin konkret), nuk ka vija dalluese. Dalluese mund të jetë jeta reale e autorit dhe përbërja e tij si qenie njerëzore në njërën anë, kurse në anën tjetër është poezia e cila i takon imagjinares, fantazmës që në mënyrë estetike është sajuar si një krijim i mirë lirik për të portretizuar më mirë vetën, në kohë pasi siç shprehet ai “Ecjes sime/ i paskan vënë pranga”, përkatësisht poetin në hapësirë siç duket nga poezia “ECJE”: Rrugët ende nuk mund të rrugëtohen megjithatë unë jam nisur… Tani për tani jam tepër i zënë me punë ndaj nuk mund të vrapoj pas… lavdisë Pikërisht tani më duhet të hap një tjetër rrugë… PORTRETET E NJËJTËSUARA: Por, në mes karakterit qytetar dhe karakterit artistik që lexohet në poezi nuk ka aq dallime. Këtu kemi të bëjmë me një tip krijuesi që ka portretizuar me sukses jetën dhe botën e tij, ka përshkruar ngjarje dhe rrethana shoqërore e politike me mjaftë saktësi që për njohësit e rrethanave në Shqipëri nuk është zor për t’i dalluar vitet, kohërat dhe figurat artistike me të cilat e ndërton ai poezinë: “Shqipëri/ dhimbje e dimërt e shpirtit tim/ Dimërzuar dimërisht/ hesht në cep të shekullit të ri/ Nëpër zërin tim/ rrokullisen gurë/ si tragjedi të ngurtësuara/ nën një qiell klithmash…”. Gjithsesi protagonisti kryesor mbetet vet poeti. Nga këto vlera dalluese mund të shprehemi se Vasil Tabaku ka bërë një përparim të dukshëm në mendimin poetik, në gjetjen figurative dhe e ka avancuar edhe më tej mendimin filozofik, botën e brendshme, konceptin lirik dhe në aspektin estetik ka nxjerr një poezi për lakminë e Zotit. TË DUASH SHQIPËRINË: Vasil Tabaku në jetë është person që komunikon, reagon, arsyeton dhe që mëson nga përvojat e të tjerëve. Këto fenomene i ndeshim edhe në poezinë e tij, ai është bashkëbisedues, jo rrallë temperament dhe gjithmonë i papajtueshëm me të keqën dhe me të shëmtuarën, elemente këto që e plotësojnë edhe më tej këtë poezi të cilën e ka skalitur me kujdes duke u shndërruar në një figurë emblematike, si përfaqësues dinjitoz i krijuesit që e do atdheun, që sakrifikon shumë për të ardhmen e tij, madje që mund të flijohet sa herë që i do nevoja siç mund të kuptohet nga këto dy vargje të një poezie më të gjatë: “Puth dhimbjen tënde SHQIPËRI/ dhe nisem drejt teje…”. Ky motiv, përkatësisht dhimbja dhe krenaria për Shqipërinë, përpunohet ku më shumë e ku më pakë edhe te poezitë: “PUTH DHIMBJEN TËNDE SHQIPËRI”; “TRAGJEDI TË NGURTËSUARA”; “EPOSI SHQIPTAR” dhe pak a shumë edhe tek poezia “REALITET SHQIPTAR”. TË DUASH FAMILJEN: Të jesh poet do të thotë të duash familjen, gruan, fëmijët, prindërit. Mbase familja është burimi i frymëzimit, një gurrë e pashtershme, ku poeti kthehet e bie në gjunjë për të thithur motivin, për t’i gjetur idetë e fshehura në gjirin familjar. Në të kundërtën mund të thuhet se gratë dhe fëmijët e poetëve janë me fat, pasi portreti i tyre shkëlqen nëpër lirika poetike, ashtu siç mund të lexohen edhe në këtë vëllim poetik. Në këtë pikë Vasil Tabaku e ka kryer borxhin, nëse mund të thuhet se ai ka pasur një gjë të tillë ndaj dikujt, po më shumë ndaj familjes, veçmas ndaj gruas që e ka mbarësuar me fëmijë dhe që është kujdesur të mos ia trazoj lirikat. Si shpërblim poeti i kthen asaj (Resmës) me dhjetëra e dhjetëra vargje lirike dhe ia kushton edhe poezinë “ME Ç’ DHIMBJE TË DUA”, ndërsa lirika ballore “SHËN VALENTINI…”, hap siparin e këtij libri me përkushtimin vajzave “JONIDES dhe RENATOS” që mbetet një përfaqësuese e thuktë e një lirike moderne e cila për kah përmbajtja shtrinë krahët e përqaf tërë hapësirën gjeografike të dhembjes dhe etnisë. E një niveli artistik dhe motivor mund të llogaritet edhe poezia “VARRI I NËNËS” që ka një ndjeshmëri dhe mall të pazakontë. LIRIKAT POETIKE: Lirikat poetike, ose poezitë me motiv dashurie i ndeshim kudo, në secilën poezi dhe gati në secilin varg. Libri si tërësi organike është lirikë më vete, kudo ka ndjenjë dashurie, erë luleje, fluturim zogu, dhe shpresë për fitore. Me këtë rast, vetëm sa për ilustrim po citojmë disa vargje të shkëputura nga poezi të ndryshme në të cilat dëshmohet se poeti e ka ndërtuar lirikën e dashurisë me mjaftë kujdes dhe me një brishtësi specifike: “Ndërsa ndër duar/ Mbaj një lule/ Më dukët sikur të mbaj ty”; “Ti je frymë e puthjes/ Dritë e shikimit/ Mbi fytyrën e ditës që po ikën”; “Pres të zgjohen/ Ëndrrat e një nate nudo”; “frynë erë/ shkunden dashurit/ dhe bien farërat e luleve/ sikur të ishin lot”; “Pëllumbat e gjinjve fërfëritës/ qajnë nga mungesa e dashurisë”; “Këngët/ janë shndërruar në sy/ përmbytur në dashuri”; “dashuritë e dikurshme/ janë bërë heshtja ime e blertë”; “dhe rrugën/ ta shtroja me cicërima zogjsh/ bulevard shndritës për dashurinë”; “Poshtë urave madhështore/ Dashuri të vogla/ Puthje vajzash të rastësishme” etj. Megjithatë, për shumë arsye, po më shumë për motivin interesant e shohë të udhës që këtë motiv ta ilustroj me pjesën e parë të poemës e vënë në fillim që duket si tabelë rrëfyese për motivin lirik që do ta përshkon librin si tërësi. SHËN VALENTINI Me përkushtim JONIDES dhe RENATOS Ne ishim puthja, Dhe shikimi, Sy të ndezur si yje… Ishim heshtja… Një qiell i madh dashurie… Unë isha ajri Puhizë e lehtë, Mbi buzët e tua… Ti ishe Petale e lules Rënë mbi kraharorin tim… Dhe ishte aq qetësi Sa dëgjonim zhurmën E flatrave të zogjve Në çastin kur hapeshin për fluturim… PËRVOJA PUBLIKE: Si poet, Tabaku duket mjaftë i brishtë, në raste të tjera mjaftë stabil dhe i pa kompromis, madje shpesh edhe me një temperament, aty ku duhet të bëhet i tillë siç bëhet me “të të ashtuquajturit opinionist” te poezia “ATA…”, të cilët “ndanë tij (meje)/ kalojnë pa vënë re/ silueta të zeza copëza fjalësh/ Tabaku ashtu e Tabaku kështu…”, e ai shpërfillshëm e madje në mënyrë ironizuese do të shprehet: “Varfëria ime/ është tepër personale/ Kur nuk ju hynë në punë/ pse vallë më kafshoni me ato vështrime/ Nëse është e kundërta/ atëherë mjerimi im është dhe i juaj”. Puna e tij publike nëpër mediet elektronike dhe të shkruara, nëpër gazeta, në radio e televizion, sikur e kanë bërë autorin më vizionar, më largpamës, më të saktë dhe mjaftë të qëndrueshëm në pikëpamjet e koncepteve letrare ndonëse siç e pohon edhe vet ai “rend në pakohë të kërkoj kohën”. Shikuar në përgjithësi përvoja e tij në mediume e podiume publike u kanë dhënë atribute filozofike edhe pikëpamjeve dhe koncepteve poetike, sado që janë veshur me petkun lirik, prapëseprapë nuancomi nga një koncept filozofik që shkon përtej leximit real të tre vargshit të një strofe që përsëritet si refren brenda të të njëjtës poezi: “Më mungon ti/ kjo nuk është e gjitha/ është koha e mungesave të mëdha”, (poezia “KRIZË”). Lirikat e këtij libri nuancojnë, përkatësisht synojnë vlera të arrira që shoqërohen me saktësi në trajtimin e proceseve shoqërore e politike, por që janë veshur me një petk estetik duke e bërë këtë krijim si vlerë më të stërholluar dhe si poezi më të pranuar. “Statuja/ e lirisë sime të vrarë/ bërë prej dhimbjes/ riformohet nga e para” ose “Egërsia/ Hynte dhe dilte/ Dyerve të shtetit/ Krahë për krahë me vdekjen”. Qartë poezitë e këtij libri janë rezultat i një refleksioni mbi realitetin ose në të kundërtën është ndikim i një refleksioni nga realiteti i gjithëmbarshëm shoqëror e politik që kaloi vendi ynë në përgjithësi, apo nga situata të caktuara siç e gjejmë te poezia “VËSHTRIM MBI TIRANË”, poezi kjo që ka një motiv social dhe përshkruan në mënyrë të saktë një realitet të trishtët: “Dikush/ Në vend të ombrellës/ Ka vënë mbi kokë/ Trishtimin e vet/… / Mbi hapësirën gri të Tiranës/ Rri nderur/ Një qiell prej psherëtimash”. Autori e ka jetuar sistemin i cili njeriun tonë e izoloi dhe ia degradoi të gjitha vlerat morale e nacionale, kulturore e fetare dhe mbase ky proces është bartur nënvetëdijen e autorit i cili edhe nëse nuk ka marrë pallën për t’i prirë turmës, në shumë elemente duket sikur është vet PRIJËSI, ku predikon, më shumë rikujton dhe sugjeron. Këtë gjë ai e materializon te poezia “ERRËSIRË”, me përkushtimin “rekuiem për diktaturën”, ku “Në këtë vend/ edhe vështrimi/ ishte i komanduar nga ligji/ Rebelëve/ ua shkulnin sytë/ për t’ua pranguar vështrimin”. D.m.th. refleksioni i ngjarjeve që e kanë shoqëruar kanë rritur potencën e vrojtimit, ndërsa përvoja profesionale ia ka shtuar vlerën estetike, ia ka nxit idetë të cilat i ka artikuluar me një fond fjalëformimesh e botëkuptimesh poetike që ia rrisin vlerën poezisë në përgjithësi: “Kalin e Drunjtë për fat të keq/ Nuk e shpikën grekët/ Kali i Drunjtë/ Është brenda nesh/ Është ajo pjesa e drunjtë e shpirtit/ Lëndë e parë jo vetëm për tradhti/ Por për gjithë ligësitë brenda njeriut”. SEMANTIKA E IDEVE: Vasil Tabaku mbi këto vlera dhe mbi këto refleksione e ka ndërtuar poezinë e tij, e cila siç theksuam më lart është rezultat i ndikimeve të rrethit dhe rrethanave të gjithëmbarshme. Semantika, përkatësisht kuptimi i këtyre ideve, nocioneve dhe i metaforave të shumta është një krijim mjaftë kompleks, sepse ky poet me një konsekuencë i ka ndjekur dhe u ka ndenjur besnik parimeve dhe ideve për të ndërtuar konceptin poetik në njërën anë, kurse në anën tjetër i ka artikuluar fuqishëm zhvillimet e realitetit jetësor që duket se është vet jeta e poetit. Pasi indikacionet e shumta që ndeshen nëpër vargjet e këtij libri janë rrëfimi i një ngjarje a ndjenje të përjetuar në momente kyçe, të krizave a situatave të caktuara, ose thjesht janë indikacione të përjetuara nëpër udhëtimet e shumta, në mesin e të cilave po veçojmë poezinë “STAMBOLLI” nga e cila po shkëpusim këto vargje: “Një botë në lëvizje/ Dy kontinente/ Në një rrip toke/ Dhe aq shumë jetë njerëzore/ Fate dhe gjuhë të përziera/ Si gërshetat e vajzave aziatike/ E vetmja fjalë e kuptueshme për të gjithë/ Emri magjik Stamboll”. Kjo poezi kështu siç është prezantuar është një indikativ, përkatësisht një dëftim i përjetimit të një fenomeni a mrekullie që ndeshet me objektin që i referohet duke e portretizuar me mënyrën e vet të krijimit poetik që do të jetoj gjatë. Në këtë planë dallojnë edhe poezitë: “VIZITË TEK AZIS NESIM”; “XHAMIA BLU”; “MONUMENTI I NASTRADINIT NË ANKARA”; “VALSI BLU”; “NËPËR RRUGËT E SOFJES”; “MBI BOSFOR”; “MESDHEU”; e ndonjë tjetër. SHUMËLLOJSHMËRI MOTIVESH: Motive të tjera që përfaqësojnë tipare të veçanta a të përgjithshme të shprehjeve dhe ideve që artikulojnë mendimet dhe pikëpamjet e tij mund të veçohen edhe poezitë: “PËRTEJ VDEKJES”; “JAM I VONUAR”; “KY DET BRENDA NESH”; TË JESH LARG”; “LUAJ DRAMËN TIME”; “ZHURMË”; “NATA E NJERËZIMIT”, dhe sigurisht edhe një varg poezish të tjera që nuk kemi arritur për t’i regjistruar. Padyshim Vasil Tabaku me këtë libër dëshmohet si një mjeshtër i gdhendjes së fjalës artistike, i stërhollimit të idesë dhe i ndërtimit të imazhit poetik. Ta zëmë: MOSHA E LULES Lulja e kaltër Veshur me vështrimin tonë Ngadalë po vyshkej në gotë. Ime bijë Me sytë të përlotur Më thotë se ç’moshë ka lulja e plakur? Poezia e shkurtër që e ka preferuar dukshëm është një tipar tjetër dallues i këtij libri, në të cilin autori me mjaftë sukses ka sjell tablo konkrete qoftë të një realiteti të përjetuar a të një koncepti të imagjinuar, por që ka arritur ta përshkruaj mendimin pa pasur nevojë të stërzgjatet më tej. NJOHJET Ujku Njihet nga ulërimat Qeni Nga lehjet Po njerëzit?… Tipi i poezisë së shkurtër është një tipar dallues të cilin e ka përpunuar me sukses, gjë që jep për të besuar për një perfeksionim të arrirë të mendimit poetik. Poezi të shkurtra dhe po aq te realizuara sa poezia e cituar më lart janë edhe poezitë: “RRETHRROTULLIM”; “PËR SOT”; “KOHË”; “SHIRAT”; “TRILL”; “PEJZAZH”; “PENG”; “NDRYSHIM”; “DJEPI I LUMIT” e ndonjë tjetër që mund të kenë dy – tre rreshta më shumë. ASPEKTI HUMAN I POEZISË: Bota poetike e Vasil Tabakut shprehë ndjenjën e brendshme, shprehë atmosferën dhe ndijimet e tija në një fshehtësi të thellë ku përmes poezive ai shpalos edhe një botë të panjohur, dhe jep një dimension mendimesh të cilat do t’i shërbejnë lexuesit e shoqërisë sonë në këto kohë ndryshimesh marramendëse jo vetëm në aspektin politik por përgjithësisht edhe në aspektin human, social e kulturor: Pleqtë Fëmijët mbajnë për dore Me ecjen Prej muzgjesh të rëndë Të vegjlit Prijnë drejt ditës tjetër… Aspekti human i kësaj poezie dallohet veçmas te poezia “KY DET BRENDA NESH”; kur poeti “Fut dorën në kraharor/ Dhe shkul prej aty detin/ Me të mbyturit e shumtë” se mbase ishin “Udhëtime që nuk mbaruan kurrë/ Nisje, që nuk mbërritën kurrë/ Në bregun tjetër/… / Nëpër emra rrëqethës/ Emra klithësh/ OTRANTO/ SAZAN/ BARI/ Emra që shqyejnë gjoksin tonë”, (poezia: “KY DET BRENDA NESH”). LIRIKAT RRËFYESE: Në përgjithësi poezia e këtij vëllimi është një rrëfyes, është një udhëzues për të dalë nga amullia e reformave që sikur nuk kanë fund, prandaj poezia si mjet për të shprehur ndjenjën e brendshme sikur është bërë tipar dallues për të prezantuar një mënyrë, një formë të çiltër të shprehjes artistike: “Ta duash veten/ Edhe atëherë/ Kur të tjerët mendojnë se ke humbur”, kryekreje është një motiv pozitiv i cili në vëllimin poetik “KRAHËT E THYER TË FLUTURIMIT”, qartëson dhe ravijëzon më mirë sferën poetike, me që rast i ka dhënë emër poezisë në njërën anë, kurse në anën tjetër e ka bërë autorin edhe më të pranueshëm. SKICË Sa herë Kam dashur të skicoj Portretin e vjeshtës Pena Më ka rënë nga dora Si gjethe… Shikuar si strukturë dhe si renditje libri duket si një kronologji ngjarjesh dhe si rrjedhim ka përshkruar me sukses dramën jetësore, bile me mjaftë saktësi, bëma dhe devijime të shoqërisë, pa harruar ta stolis vargun e poezisë me ironi e sarkazëm, që e karakterizojnë nëpër shumë vargje të këtij libri, madje edhe atëherë kur “Bota/ Ka ndalur frymën”, duke parë ngjarje me përmasa shkatërruese që ndodhnin në Shqipëri, kurse “Diku/ Një femër e çmendur/ Ulet në gjunjë dhe pi gjak njeriu”, është një refren i ndjeshëm, i përjetuar thellë nga ajo që ka ndodhur në këtë vend të bekuar nga Zoti, e të shëmtuar nga Njeriu. Prandaj themi se poezia e këtij libri ka elemente konkrete mjaftë të vlefshme për shoqërinë me porosi për të mos harruar se dikur “ishte viti i zi l997…”. LIRIKA JETËSORE: Vasil Tabaku me librin “KRAHËT E THYER TË FLUTURIMIT”, dëshmohet edhe një herë se është një poet i zellshëm, një intelektual i formuar, që përpos angazhimeve të ditës gjen kohë dhe motive për të shkruar lirika kaq të bukura. Këtë do ta vërej secili lexues, prandaj përshtypjet e mia ishin impresione të rastit, në çastin e leximit dhe të përimtimit të ideve që kanë breshëruar me bollëk gjatë tërë librit që tashmë nuk mbetet vetëm pronë e autorit, por po bëhet pjesë edhe e lexuesit dhe e kulturës kombëtare në përgjithësi. Maksima e njohur se “autori në jetën e tij shkruan vetëm një libër”, më duket është konkretizuar me këtë libër, pasi pjesë jetësore të lirikave, lexuesi do t’i gjej brenda këtij vëllimi poetik, dhe kam bindjen se pa këto poezi kaq lirike, e tërë krijimtaria e Vasil Tabakut do të mbetej më e pakt, dhe gjithsesi me deficite të shumta të vlerave estetike që tashmë janë të realizuara në këtë përmbledhje lirike. PËRFUNDIM: Duke përmbyllur këtë shënim po sintetizojmë një përkufizim: Poezia e Vasil Tabakut mbetet një poezi e ndjenjave të thella dhe e kujdesit estetik, poezi e vlerave dhe e kërkimeve të vazhdueshme për një shprehje më të bukur, më të avancuar dhe një poezi me vlerë të qëndrueshme pasi në masë të madhe poeti ia ka arritur qëllimit. Zvicër/St. Gallen Shefqet DIBRANI Disa vleresime per krijimtarine e Peotit FATOS ARAPI Vasil Tabaku, mbetet poeti i befasisë poetike, një shpërthim i mrekulleshem metaforash plot dritë dhe ndjenja të fuqishme. Ai udhëton nëpër hapsirat e lirikës si një këngëtar magjik dhe tejet spontan. Vargu i poezisë së Tabakut vërtet nuk ka ritëm, por ka një kadencë të brendëshme plot tingëllim dhe muzikalitet.Tabaku është poet i ndjenjës dhe i mendimit të thellë. Ai i shpërthen të gjithë kornizat dhe deklamon jetën, trillet e saj dhe shpresën me një varg sa të fuqishem aq dhe modern… GJERGJ ZHEJI Vasil Tabaku, është liriku shqiptar që ka brenda shpirtit të trazuar stuhinë dhe në vargje zgjon dhimbjen e dashurinë, duke i gërshetuar mjeshtërisht në një simbiozë magjike…Poet me permasa, që të rrënqeth por dhe që të bën të jetosh dashurinë me gjithë përmasat e saj… DHORI QIRIAZI Poezia e Vasil Tabakut është nektar i lirikës, plot limf jetësore dhe dritë…Një poezi që të mban gjatë me ndikimet e saj në shpirt… Poet i shpirtit të trazuar dhe rrebel, sa lirik aq dhe melankolik, sa i dashuruar aq dhe i trishtuar. I trishtuar ndaj ngjarjeve të realitetit ku ai jeton e krijon si nje poet i fuqishëm… PREND BUZHALA ( PRISHITNE – KOSOVE ) Posa poeti hedh vështrimin brenda vetes (për gjërat që i janë shkërmoqur në jetë), ai e tejkalon sfidën e jetës (dhe të vargut poetik) Vasil Tabaku është një poet i ndjenjës dhe mendimit ku më tepër se kurrë në poezitë e tij shfaqet filozofia e jetës dhe sfidat e saj nga një pendë e sprovuar…. DEMIR GJERGJI Vasil Tabaku hyn në radhën e atyre poetëve, krijimtaria e te cilëve, ka pasur si klorofilë, që në fillimet e saj, koherencën deri në modernitet. Këtë e ka shfaqur dhe e shfaq, kryesisht, nepërmjet metaforës elegante dhe struktures interesante. botimetada/krijimtari/libra/item/118-dhimbjes-i-rrin Per”Alba – Dansk” Shkodrani Posted in Letersi, Te tjera Twitter • Facebook • Delicious • StumbleUpon • E-mail • Pure Line theme by Theme4Press • Powered by WordPress ALBA-DANSK AMBASADORJA E KULTURES SHQIPTARE NE DANIMARKE
Posted on: Mon, 28 Oct 2013 08:02:39 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015