Diskutim në Kuvendin e Shqipërisë, seanca e datës 27 nëntor - TopicsExpress



          

Diskutim në Kuvendin e Shqipërisë, seanca e datës 27 nëntor 2013 I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit, Zonja dhe zotërinj deputetë, Në mesin e tetorit të këtij viti Komisioni Europian rekomandoi, për herë të dytë, dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat, pa asnjë kusht. Kjo është një arritje e madhe, një vlerësim për progresin që ka bërë Shqipëria. Kjo është meritë e gjithë qytetarëve shqiptar. Ne nuk kemi thënë asnjëherë që kjo është meritë vetëm e qeverisjes së PD. Ne kemi vlerësuar kontributin e gjithë qeverive që kanë qeverisur vendin në këto dy dekada. Në fakt, një rekomandim të tillë e bëri Komisioni Europian edhe vitin e kaluar, por vuri si kusht miratimin me konsensus të tri akteve në Kuvendin e Shqipërisë. Kreu i ish-opozitës, sot Kryeministër i vendit, bëri cdo gjë, që kishte në dorë, për të mos përmbushur kushtet e vëna nga Komisioni Europian dhe Shqipëria nuk e fitoi statusin në dhjetorin e vitit të kaluar. Rama e bllokoi statusin vetëm e vetëm që shqiptarët të mos e konsideronin atë një meritë të PD dhe Sali Berishës. Zoti Rama dha konsensus për miratimin e tri akteve ligjore vetëm tre javë para zgjedhjeve parlamentare, sepse e dinte mirë që Brukseli nuk do të merrte vendim për t´i dhënë statusin një vendi, i cili do të zhvillonte zgjedhje parlamentare vetëm pak javë më vonë. Një nga ligjet që u miratua me konsensus më 30 maj 2013 ishte pikërisht ligji „Për nëpunësin civil“, i cili u bë edhe kurbani i parë i revanshizmit të maxhorancës së re. Me një akt normativ Qeveria e bëri zero edhe konsensusin politik të 30 majit. Dhuna e kartonave të kësaj maxhorance e votoi, për fat të keq, këtë akt në seancë plenare. Ka filluar prej disa javësh zbatimi de facto i këtij akti normativ. Administrata publike po përjeton terror të vërtetë psikologjik. Cdo nëpunës i administratës po paragjykohet si i korruptuar dhe gati po kriminalizohet, thjesht sepse ka punuar gjatë kohës së qeverisjes së PD. Po ushtrohet presion dhe dhunë verbale ndaj nëpunësve që të japin dorëheqje, edhe pse jo pak prej tyre janë diplomuar në universitete perëndimore. Akti tjetër shumë kuptimplotë është shkrirja e menjëhershme e gjithë drejtimit të Policisë së Shtetit. Nën maskën e shtetit ligjor po ndërtohet në fakt shteti policor. Ndërkohë janë vënë në shënjestër institucionet e pavaruara dhe antarët e Bordeve apo Këshillave të zgjedhur nga Kuvendi. Le të presim se deri ku do të shkoj ky marsh në të gjitha institucionet, madje edhe ato të pavaruara! Një nga argumentet që sillte ish-opozita për statusin e vendit kandidat, ishte se mosmarrja e tij vitin e kaluar nuk kishte të bënte me miratimin e tri akteve ligjore në Kuvend, por, para së gjithash, me standardin e zgjedhjeve. Qeverisja e PD e dha provën e saj. Përmbushi të gjitha standardet europiane në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Dhe pikërisht për këtë standard, jetik për një demokraci, themelin e demokracisë, maxhoranca e re dha miniprovën e parë në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të kryetarit të bashkisë së Korces dhe dështoi me turp, në sytë e opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar. Në zgjedhjet e Korcës u organizua një skemë e mirëstrukturuar e blerjes së votës. Kjo skemë përfshiu, për fat të keq, edhe një grup studentësh, pra një grup të pjesës më vitale të shoqërisë sonë, dhe e njollosi rëndë atë. Shoqëria shqiptare i dedikon përmbysjen e diktaturës komuniste Lëvizjes Studentore të Dhjetorit `90! Lëvizja Studentore solli lirinë e individit, votën e lirë dhe demokracinë për shqiptarët. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, para rreth dy javësh, Kryeministri zhvilloi, së bashku me Komisionerin Füle, një takim me studentët e shkëlqyer. Dhe, për ironi të fatit, ky takim zhvillohej menjëherë sapo Komisionieri Füle kishte përfunduar takimin me kryetarin e PD, Zotin Basha dhe kishte marrë të gjithë informacionin mbi blerjen e votës edhe të studentëve në zgjedhjet e Korcës. Komisioneri Füle dhe Zoti Rama u flisnin studentëve si përfaqësues të gjeneratës së Shqipërisë Europiane. Por cilës Shqipëri? Kësaj Shqipërie ku dhunohet vota e studentëve përmes blerjes ? Ngjarja më e rëndë politike e kësaj maxhorance është sjellja e saj arrogante dhe krejtësisht e papërgjegjshme, si ndaj qytetarëve tanë ashtu edhe ndaj aleatit strategjik më të rëndësishëm të shqiptarëve, SHBA, në cështjen e importit dhe asgjësimit në vendin tonë të lëndëve kimike helmuese të Sirisë. Kryeministri Rama, për dy muaj me rradhë, mbajti të fshehur një premtim të bërë për asgjësimin e lëndëve kimike në vendin tonë, duke shpërfillur të gjithë, opinionin publik, Presidentin e vendit, dhe, mesa duket, edhe vetë aletatin bashkëqeverisës, kryetarin e Kuvendit, pa folur pastaj për opozitën që ai e konsideron jo si kundërshtar por si armik. Dëmet që i janë shkaktuar vendit nga ky qendrim i papërgjegjshëm janë të panumërta. Me këtë ngjarje, kjo maxhorancë e humbi besimin në raport me SHBA dhe aleatët tanë të rëndësishëm perëndimor. Ky është më shumë se një diletantizëm në politikën e jashtme. Por kjo ngjarje e rëndë politike nxorri në pah edhe një zhvillim shumë të rëndësishëm të demokracisë shqiptare. Arrogancës së Kryeministrit dhe të kësaj maxhorance, i doli përballë i gjithë populli, jo vetëm 700 mijë votuesit. që më 23 qershor, votuan kundër kësaj maxhorance, por edhe 1 milion të tjerët që votuan pro saj! Shtylla e kësaj proteste ishin të rinjtë, studentët dhe gjimnazistët e vendit. Dhe ky është një lajm i shkëlqyer për Shqipërinë. Rinia jonë është promotorja më e fuqishme e konsolidimit të demokracisë shqiptare. Rinia shqiptare është një rini e vërtetë europiane dhe bartësja e vërtetë e Shqipërisë Europiane. Ne duhet të jemi krenar për rininë tonë! Të nderuar kolegë, Unë u ndala në këtë fjalë vetëm në disa prej veprimeve të shumta, të deritanishme, të kësaj maxhorance, që nuk kanë asgjë të përbashkët me standardet që pret BE nga ne. Dhe që këtu të lind natyrshëm pyetja: Eshtë vërtetë e interesuar kjo maxhorancë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat dhe të filloj negociatat për antarësimin në BE? Kjo maxhorancë, me veprimet që ka bërë deri tani, të krijon bindjen se ajo nuk ka një axhendë të vërtetë europiane. Mos vallë Zoti Rama është trembur nga standardet europiane? Një sinjal ai e dha në takimin e zhvilluar në Londër! Partia Demokratike është forca politike që ka lindur nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit `90, e cila filloi me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”! Kjo forcë politike nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, realizoi pranimin e Shqipërisë në NATO, heqjen e vizave, aplikoi dhe dorëzoi pyetsorin për statusin e vendit kandidat të BE dhe tani, në opozitë, e mbështet fuqishëm marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për antarësimin e vendit tonë në BE. Edhe mocioni e sotëm, i kërkuar nga Grupi Parlamentar i PD si dhe rezoluta e propozuar për miratim në këtë seance, janë shprehje e qartë e vullnetit politik të palëkundur të PD për integrimin e vendit në BE. Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për antarësimin në BE. Kjo është familja e natyrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët historikisht kanë qene të orientuar kah Perëndimit. Prandaj, PD i ka afruar dhe afron maxhorancës bashkëpunimin e saj për cdo reformë, e cila i shërben integrimit europian të Shqipërisë, në mënyrë të vecantë, për përbushjen e pesë prioriteteve, të parashtruar në raportin e progresit 2013 për hapjen e negociatave për antarësimin e vendit në BE. Ju ftoj t’a votojmë unanimisht rezolutën, e cila mishëron aspiratën e kahhershme të qytetarëve shqiptar, të cilët masivisht, si në asnjë komb tjetër, e mbështesin integrimin e Shqipërisë në BE. Faleminderit.
Posted on: Fri, 29 Nov 2013 13:18:29 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015