Djala: Duhen fakte, Kastrioti im nuk ka - TopicsExpress



          

Djala: Duhen fakte, Kastrioti im nuk ka toleruar DjalaPresidenti i skuadrës së Kastriotit, Artan Djala, ka reaguar pas ndeshjes kundër Bylisit. Sipas tij, krutanët kanë luajtur ndershëm dhe nuk kanë toleruar për asnjë moment në përballjen e së shtunës, duke dashur kështu që të largojë çdo dyshim të mundshëm, të ngritur nga “Panorama Sport”, kryesisht për mënyrën sesi u shënua goli i dytë i vendësve, i cili i dha edhe fitoren Kastriotit. Djala është munduar të saktësojë se mban përgjegjësi vetëm për ekipin e tij dhe në deklaratë mundohet të shpjegojë se skuadra që e financon, ka luajtur nga minuta e parë deri në fund pastër. “Unë përgjigjem për skuadrën e Kastriotit dhe mund t’ju them dhe t’ju garantoj se skuadra ime nuk ka toleruar në këtë ndeshje. Për mua kjo ka rëndësi dhe kjo është ajo që na takon ne si klub. Kush ka fakte për skuadrën e Kastriotit, le të m’i sjellë dhe unë do veproj me rreptësinë më të madhe si president ndaj lojtarëve apo ndaj kujtdo që do të jetë fajtor. Por, në lidhje me çfarë flitet për këtë ndeshje, mund t’ju them që me pamje televizive dhe me fotografi nuk mund të hidhen dyshime dhe tymnaja. Kemi parë gola në situata nga më të ndryshme loje, me mbrojtës e pa mbrojtës, e gjithfarësoj, jo vetëm në kampionatin tonë, por edhe në botë. Nuk mund të ngrihen dyshime për çdo gjë, sepse kështu çfarëdo rezultati që të arrihet vihet në diskutim. Në fakt, kjo është situatë që na ka mërzitur, sepse përsëritet pas çdo ndeshjeje. Unë nuk e kuptoj një gjë: telefona kanë të gjithë, kanë futbollistët, kanë trajnerët dhe presidentët. Po arrihet të kapet droga, e jo më të mos gjenden fakte për trukimet në ndeshjet e futbollit. Organet kompetente të veprojnë, të gjejnë faktet dhe ata që do të jenë fajtorë, kushdo qoftë, të vihen përpara përgjegjësisë”, – është shprehur presidenti i Kastriotit. Kujtojmë që skuadra krutane u dënua sezonin e shkuar nga Komisioni i Etikës me 15 milionë lekë (të vjetër) gjobë për tolerimin në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Shkumbinit (4-2). Sheta: Nuk ka shans të dyshohet skuadra jonë Mbrojtësi tiranas i Kastriotit, Arian Sheta, ishte protagonisti i golit të fitores në ndeshjen ndaj Bylisit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, shtatlarti i mbrojtjes sqaroi se skuadra krutane bëri detyrën dhe se nuk ka pse të përgojohet nga opinioni. “Për atë që flitet pas ndeshjes, ju them me bindje se nuk ka shans që të ketë ndonjë rast për të dyshuar për ndonjë gjë për sa i përket skuadrës sonë. Kastrioti ka luajtur ndershëm dhe ka bërë detyrën, duke marrë një fitore të çmuar. Ishte një ndeshje ku jemi lodhur shumë edhe fizikisht, pasi kemi luftuar për 90 minuta për rezultatin. Krijuam një volum të madh loje dhe në fund u shpërblyem. Ka qenë një fitore e vështirë për skuadrën tonë, por e merituar, ku ndonëse e kemi zotëruar ndeshjen, nuk kemi arritur të marrim rezultatin që i përgjigjet volumit të lojës. Gjithsesi, rëndësi ka që morëm tri pikët dhe tashmë duhet të shikojmë përpara, pasi kampionati sa vjen dhe bëhet edhe më i vështirë. Kastrioti i ka mundësitë për të qenë më lart”, – deklaroi Sheta. Dyshimet, “pazar” për kupën Sa i përket ndeshjes Bylis-Kastrioti, është përfolur dje se ka pasur një “pazar” mes dy klubeve që Bylisi të toleronte në kampionat, ndërsa Kastrioti t’i “falë” kualifikimin në Kupën e Shqipërisë, duke qenë se këto dy skuadra do të ndeshen në turin e dytë të këtij kompeticioni. Por, çfarë ndodhi në ndeshjen e së shtunës? Deri në minutën e 80-të, kur takimi ishte në barazim, gjithçka dukej si një ndeshje normale, por më pas vjen topitja e ballshiotëve. Duhet thënë se nga kjo minutë dhe deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit Kridens Meta, Bylisi nuk bëri qoftë edhe një aksion për të qenë, ndërkohë që Kastrioti vijoi me sulme të njëpasnjëshme. Për të ardhur te minuta e 88-të, kur Sheta bën “dribluesin” dhe, natyrisht edhe falë një përgjumjeje dhe hutimi, krejt të pakuptimtë të mbrojtësve të Bylisit, arrin të shkojë deri ballë për ballë me portierin. “Estradë” në këtë moment, teksa gardiani i Bylisit hidhet në njërin krah dhe Sheta me lehtësi gjuan në krahun tjetër. Sakaq, jepen katër minuta shtesë, të cilat natyrisht nuk ndryshojnë asgjë dhe fërshëllima e fundit e Kridens Metës pritet me lehtësim thuajse nga të dyja skuadrat.
Posted on: Mon, 02 Dec 2013 13:36:08 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015