DnV: Pak probleme : Foto: Driton - TopicsExpress



          

DnV: Pak probleme : Foto: Driton Bublaku Arrestohen 4 komisionerë të AAK-së Katër komisionerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë shoqëruar në stacionin policor të Podujevës me dyshimin se i kanë falsifikuar kartat e identitetit. Policia nuk ka ofruar ndonjë detaj tjetër. Ndërkohë Shtabi Qendror Zgjedhor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas komunikimit me Shtabin Lokal të AAK-së në Podujevë, demanton informatën e dhënë para pak çaste për kinse “arrestimin” e tre komisionerëve të AAK-së në Batllavë. “SHQZ i AAK-së bën të ditur se nuk është arrestuar askush nga komisionerët apo vëzhguesit e AAK-së në Batllavë dhe në asnjë vend tjetër, por bëhet fjalë vetëm për konfuzion teknik në shpërndarjen e dinstinktivëve të vëzhguesve, ndërkohë që raportimi paraprak i disa medieve për ngjarjen ishte i pasaktë dhe tendencioz”, thuhet në reagimin e AAK-së. *** Demokracia në Veprim, në konferencën e parë për media të mbajtur sot, procesin zgjedhor të deritanishëm e ka vlerësuar procesin në përgjithësi të qetë. Nga 1600 vëzhgues sa i ka terren, DnV ka evidentuar vetëm një qendër votimi në Prishtinë ku është vonuar hapja e saj për disa minuta. Ndërkaq në një qendër votimi, 1907/02, në Prishtinë, një votues ka nënshkruar dy herë, ndërkaq është evidentuar edhe mungesa e llampave. Sipas DnV, në Rahovec ka pasur mungesë të dy komisionarëve, sikurse edhe në Mitrovicë. DnV thekson gjithashtu se në Malishevë ka pasur raste të vulosjes së dyfishtë të fletëvotimeve, ndërkaq në Gjakovë ka pasur materiale propaganduese të AAK-së afër qendrave të votimit. Në Kaçanik një qytetar e ka shkelmuar kutinë e votimit, dhe i njëjti është arrestuar menjëherë nga policia. Situata në veri, sipas DNV, është e qetë, duke shtuar se të gjitha vendvotimet janë hapur, ndërkaq janë parë njerëz të dyshimtë rreth vendvotimeve. Në Voto dhe Vëzhgo janë lajmëruar rreth 1000 raste të keqpërdorimeve të vogla. Fadil Sertolli *** Materiali zgjedhor shpërndahet me vonesë (video) Në shkollën fillore “Emin Duraku” te Tregu i Gjelbër, materiali i ndjeshëm zgjedhor ka shkuar pak pas orës 6, ndonëse në zgjedhjet e mëparshme materialet e njëjta janë shpërndarë në orët e para të mëngjesit. Ndonëse vendvotimet në përgjithësi në këtë shkollë ishin të gatshme, pas orës 7 të mëngjesit ka pasur qytetarë që janë ankuar se nuk mund të votonin për shkak se klasa ku duhej të votonin nuk ishte e gatshme. Shkolla Fillore “Emin Duraku” ka shtatë vendvotime, me gjithsejtë 6194 votues. Votuesi i parë në këtë qendër votimi, Agim Sheqiri megjithatë u shpreh i kënaqur me procesin, duke thënë se ata që janë të interesuar, janë informuar me kohë ku duhet dhe si duhet të votojnë. Sidoqoftë, vota e parë e Sheqirit është hedhur në kutinë e gabuar, diçka që është vërejtur edhe nga shefi i vëzhguesve të BE-së, i cili e kishte zgjedhur këtë qendër votimi për inspektimin e parë. Roberto Gualtieri, shef i këtij misioni, tha se raporti i parë për këto zgjedhje do të dal të martën. Përkthimi: Ne jemi të pranishëm në të gjithë territorin e Kosovës dhe do të shikojmë me kujdes në të gjitha komunat. Ne do t’i pranojmë informatat dhe do t’i verifikojmë ato dhe do t’i diskutojmë të gjitha problemet që na janë thënë neve në raportin tonë. *** Votimi ka filluar me kohë në komunën e Pejës Enver Ulaj Votimet në të 23 qendrat e votimit në Komunën e Pejës kanë filluar dhe qytetarët iu kanë drejtuar kutive të votimit në 125 vendvotime të komunës. Në dy orët e para të votimeve, qytetarët e parë tashmë kanë hedhur votat e tyre nëpër kuti, ndërsa gjithçka ka funksionuar në këshillat e vendvotimeve. Qendra e votimit në fshatin Gorazhdec të Pejës, ku voton pjesa më e madhe e komunitetit serb, është hapur me një vonesë prej gati një orë, për shkak të vonesës së ardhjes së materialeve, por edhe aty tashmë janë hedhur votat e para, kurse në qendrat tjera votimi ka filluar me kohë. Sipas vëzhguesve të pavarur nga Demokracia në veprim (DV), deri më tani nuk ka ndonjë vërejte më të madhe pos ndonjë vonese disa minutëshe. Veton Mujaj, koordinator rajonal i DV thotë se nga vëzhguesit janë raportuar disa raste të mungesës së informacionit për vendvotimin ku duhet votuar qytetarët, si dhe në disa raste kur numri i fletëvotimeve që kanë marrë këshillat e vendvotimeve është më i vogël sesa numri i votuesve që janë në lista. Në listat e votuesve në komunën e Pejës janë të regjistruar 103078 votues. *** Daka: Një vendvotim në Veri nuk është hapur Kryetarja e KQZ, Valdete Daka, në konferencën e parë për media të këtij institucioni, ka konfirmuar se janë hapur të gjitha qendrat e votimit në Kosovë janë hapur. “Vetëm një vendvotim në Mitrovicën veriore nuk është hapur për shkaqe teknike”, ka theksuar kryetarja Daka. Ajo ka sqaruar se në atë vendvotim nuk është shpërndarë materiali zgjedhor. “Nuk ka raportime për incidente a parregullsi eventuale”, ka thënë Daka. Ndërkaq, sa i përket daljes së qytetarëve, Daka ka thënë se ende është herët të thuhet diçka. /Zëri/ *** Testi i Kosovës Pas përfundimit të fushatës tridhjetëditëshe parazgjedhore, sot (e diel) qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur kryetarët e komunave ku ata jetojnë. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), pa i llogaritur qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, rreth 1.8 milion kosovarë kanë të drejtë vote, ndërsa, zgjedhjet do të zhvillohen në 798 qendra të votimit, ose në 2366 vendvotime. Gjithnjë sipas KQZ-së zgjedhjet e sivjetme komunale do të vëzhgohen nga mbi 30 mijë vëzhgues të akredituar, përkatësisht 30 mijë e 173 vëzhgues, ku janë të përfshirë vëzhguesit e partive politike, të nismave qytetare, të koalicioneve, të kandidatëve të pavarur, të ambasadave ndërkombëtare dhe zyrave ndërlidhëse, të organizatave ndërkombëtare, të institucioneve të ndryshme, të organizatave joqeveritare vendore, si dhe të medieve. Përveç Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili pothuajse gjatë tërë ditës së sotshme do të japë rezultatet për pjesëmarrjen në zgjedhje, për problemet e mundshme, si dhe në fund të ditës për rezultatin preliminar, pak a shumë të njëjtën gjë do ta bëjë edhe “Demokracia në Veprim”, që është një asociacion i OJQ-ve vendore. Si asnjëherë më parë, këto zgjedhje do të vëzhgohen maksimalisht nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, si dhe nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, përkatësisht, zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të BE-së. Në 38 komuna të Kosovës sa janë gjithsej, votën do ta kërkojnë 224 kandidatë që synojnë të bëhen kryetar komune, pjesa më e madhe e të cilëve parashikohet të shkojnë në balotazh. Megjithatë, një ditë para zgjedhjeve, në Skenderaj është vrarë me armë zjarri kandidati i AAK-së për asamble komunale të kësaj komune, Bekim Birinxhiku. Zgjedhjet lokale, udhëtregues për Kosovën Organizata të ndryshme joqeveritare gjatë fushatës parazgjedhore kanë vëzhguar me kujdes këtë proces, ndërsa kandidatët e partive politike, si dhe programet e tyre janë shikuar “me llupë”. Drejtori i organizatës D4D, Leon Malazogu, thotë se procesi i sivjetmë zgjedhor do të jetë shumë më i rregullt sesa ai i zgjedhjeve të kaluara, të cilat u patën bërë “model” se si nuk duhet të mbahen zgjedhjet. “Nuk jam i sigurt se do të jetë aq në rregull sa pret Evropa nga ne, sepse Evropa nuk pret nga ne një proces pak më të mirë, por një proces shumëfish më të mirë, dhe nuk jam i sigurt nëse do ta arrijmë këtë, ose nëse do të marrim notë pozitive nga bashkësia ndërkombëtare në këtë rast. Pasojat, i kanë thënë shumë qartë edhe ambasadorja amerikane edhe përfaqësuesi i BE-së, se do të jenë shumë të mëdha, dhe kam frikë se zyrtarët e ndryshëm të partive dhe individë do ta shikojnë interesin e tyre personal përpara atij të Kosovës dhe do të mundohen të gjejnë mënyra për ta keqpërdorur votën”, thotë ai. Sipas tij, sivjet qytetarët e Kosovës kanë pasur rastin të shohin nivel më të lartë të kandidatëve për kryetar të komunave, dhe gjithashtu programe më të mira sesa ato që ishin prezantuar në zgjedhjet e fundit lokale. “Sa i përket programeve, hyrja e Vetëvendosjes në garë i ka shtyrë edhe partitë tjera që të nxjerrin programe më të detajuara. Mendojë se kjo ka qenë një përmirësim, një plus mjaftë i mirë”, thotë Malazogu. Legjitimiteti i zgjedhjeve në veri Siç dihet, pas më shumë se një dekade nga përfundimi i luftës dhe më shumë e pesë vjetëve nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në zgjedhjet e sivjetme do të votojnë edhe qytetarët e veriut, duke i zgjedhur kështu drejtuesit legjitimë të tyre. Por, pyetja që është parashtruar tash e sa muaj është ajo se sa në të vërtetë do të jenë legjitimë të zgjedhurit e veriut dhe sa do të lejohen qytetarët e veriut nga bandat serbe që të votojnë lirshëm. Dy ditë më parë, përkatësisht, në ditën e fundit të fushatës, rreth orës 22:00 në veri është sulmuar fizikisht, kandidati i listës “Srpska” për kryetar të Mitrovicës veriore, Kërstimir Pantiq, i cili pasi është trajtuar nga mjekët ka deklaruar se sulmi pranë banesës së tij ishte përpjekje për ta eliminuar fizikisht. Analisti politik, Shpend Kursani, i cili ka hartuar dhjetëra hulumtime për gjendjen në veri, integrimin e kësaj zone, dhe sigurinë në të, thotë se ka pak gjasa që qytetarët që jetojnë në veri të votojnë pa u penguar nga askush. “Duke i marrë parasysh presionet e vazhdueshme që i ka popullata në veri nga grupet e ndryshme të serbëve, normalisht që do të ndikojë në daljen e një numri të vogël në zgjedhje, që njëfarë mënyre ndikon në legjitimitetin e atyre që zgjidhen nga qytetarët”, thotë ai. Kursani thekson se megjithatë jo në tërë veriun ekziston klimë “anti-zgjedhje”. Siç thotë ai, në Komunën e Mitrovicës së Veriut gjithnjë bëhet propagandë më e madhe për bojkot të zgjedhjeve për dallim prej Komunës së Leposaviçit ku nuk ka propagandë të mëdha. “Pra, përpos që kemi ndarje të grupacioneve në mes të serbëve, kemi ndarje edhe në mes të komunave. Por, përgjithësisht ndarja ka me qenë e vogël dhe legjitimiteti i atyre që zgjidhen do të jetë po ashtu i vogël”, nënvizon ai. Policia premton siguri në vendvotime Drejtuesit e Policisë së Kosovës kanë paralajmëruar se prej mëngjesit kur do të hapen qendrat e votimeve, e deri kur të përfundon ky proces do të jenë aktiv, duke ofruar siguri maksimale që zgjedhjet lokale të zhvillohen sa më mirë. Gjatë një konference për medie që e kanë pasur disa ditë para zgjedhjeve, drejtuesit e Policisë së Kosovës kanë thënë se nuk do të lejojë grumbullimin e qytetarëve afër qendrave të votimeve, dhe do të kujdeset për transportin e materialit zgjedhor. “Policia e Kosovës do të kujdeset për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në tërë Kosovën, ndërsa në veri do ta kemi asistencën e pjesëtareve të EULEX-it. Asnjë zyrtar nga Serbia dhe askush tjetër nuk do të jetë afër vendvotimeve dhe kryesisht do të menaxhohen nga policët lokal. Policia është përgjegjëse ta sjellë materialin sensitiv (të ndjeshëm) zgjedhor deri në vendvotime, por nuk ka të drejtë të hyjë në vendvotime, dhe përgjegjësia kalon tek kryesuesi i vendvotimit. Nuk do të lejojmë që të qëndrojnë njerëz të grumbulluar afër pikave të votimit”, ka thënë drejtori i Operativës në Policinë e Kosovës, Rashit Qalaj. Ndërkaq në mbledhjen e fundit të Komisionit Qendror Zgjedhor para zgjedhjeve lokale, që është mbajtur të shtunën në mbrëmje, anëtarët e këtij komisioni e kanë miratuar Udhëzuesin për Identifikimin e Votuesve. Sipas, këtij udhëzuesi në vendvotime do të lejohen të votojnë vetëm ata qytetar që kanë të drejtë vote dhe që posedojnë dokumente identifi kuese, si letërnjoftimi, patentshoferi apo pasaporta valide. Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, ka bërë të ditur se të premten ka filluar shpërndarja e materialeve zgjedhore dhe se janë në pritje konfirmimit nëse mungon ndonjë material. Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në katër komunat veriore. Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, dhe ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e procesit.
Posted on: Sun, 03 Nov 2013 10:53:16 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015