Dokumenti për Shqipërinë në OKB, Raporti i SHBA në 1955: - TopicsExpress



          

Dokumenti për Shqipërinë në OKB, Raporti i SHBA në 1955: Zyrtarët përdhunojnë të internuarat 26 Specialee Hënë, 5 Gusht, 2013 | 15:21 pm NJË NGA GJYQET E REGJIMIT KOMUNIST NDAJ GRAVE Raport i SHBA në OKB për të drejtat e njeriut në Shqipëri. Kampet e përqendrimit për veriorët në Jug dhe për jugorët në Veri. “Nga viti 1944 deri në vitin 1955, në këto kampe kanë kaluar 80 mijë persona. Nga këta, 16 mijë kanë vdekur” “Koloni të fshehta në Porto Palermo, Fier, Krujë, Burrel, Kamzë e Cërrik” “Zyrtarët përdhunojnë femrat e internuara” “Në 40 burgje politike dhe kampe përqendrimi që kanë funksionuar në Shqipëri nga viti 1944, kanë kaluar 80 mijë qytetarë. 16 mijë syresh kanë vdekur. Aktualisht çmohet se aty jetojnë 15 mijë vetë” Kapitulli i dytë i raportit të qeverisë amerikane për shkeljen e të drejtave të njeriut në vitin 1955, i titulluar “Puna e detyrueshme në kampet e ndërtimit në Shqipëri”, veçon në krye të tij këto shifra tronditëse që, siç pohojnë studiuesit e fushës, i përgjigjen realitetit me saktësi. Përtej kësaj, kjo pjesë e raportit qartëson strukturën dhe profilin e këtyre kolonive “të ngritura rishtas pas çlirimit të vendit për familjarë të të burgosurve politikë, për elementë të cilësuar të rrezikshëm, fshatarë të pabindur, të afërm të atyre që ishin arratisur jashtë vendit”, duke depërtuar deri në detajet e mënyrës së (mbi)jetesës dhe llojet e torturës së ushtruar nga autoritetet e regjimit. Shumë herë, nënvizohet në raport, njerëzit detyrohen të largohen me dhunë nga banesat e tyre në qytet, për t’i liruar ato për zyrtarët e ardhur rishtas nga periferia. Pjesa më interesante e kapitullit “Puna e detyrueshme në kampet e ndërtimit në Shqipëri” hedh dritë në zgjerimin e vrullshëm të kolonive vdekjeprurëse pas divorcit me Titon, ku internimi filloi masivisht, duke marrë persona nga një pjesë e vendit dhe duke i vendosur në kampe përqendrimi në zona të tejskajshme. Si rregull, konstaton raporti i vitit ‘55, njerëzit nga Veriu dërgohen në kampe në Jug, sidomos në Tepelenë, Porto Palermo, Fier, Berat etj. Ndërsa njerëzit e Jugut internohen në Krujë, Burrel, Kamzë, Valias, Cërrik dhe vende të tjera në Veri. Më poshtë botojmë të plotë kapitullin për kampet e përqendrimit, në të cilin ndriçohen edhe detaje të panjohura të represionit të egër ndaj grave dhe vajzave, mjaft prej të cilave binin pre e epsheve monstruoze të zyrtarëve të kolonive të internimit… Kampi në liqenin e Maliqit mund të preket si një shembull tjetër që tregon se si kalojnë të burgosurit politikë në Shqipëri. Të burgosurit në këtë kamp janë organizuar në 12 brigada pune, secila e përbërë nga 120 – 140 burra. Secila përbëhet nga 3 kompani dhe secila prej tyre prej 3 skuadrash. Personeli që komandon njësitë e ndryshme përbëhet nga shokë të tyre që quhen të dëmshëm nga komandanti i kampit, megjithëse çdo brigadë është nën mbikëqyrjen e fortë të një oficeri të policisë. Të burgosurit banojnë në baraka dërrasash, me një brigadë në secilën barakë. Ato nuk janë të ndara në dhoma, gjatë mureve janë dy rreshta koçekësh me dy krevatë, njëri mbi tjetrin ku flenë të burgosurit. Shteti nuk i jep ndonjë mbulesë dhe ata të burgosur që nuk kanë, duhet të flenë ashtu siç janë mbi kotecin e zhveshur. Barakat nuk janë të mbrojtur prej kohësh. Çdo të burgosuri i kanë dhënë vetëm një palë rroba pune të përbërë nga një pallto, pantallona dhe një këmishë, të cilat shpejt grisen se puna e të burgosurve ka të bëjë me tharjen e liqenit të Maliqit dhe duhet që ata shumicën e kohës të punojnë në ujë. Nëse i burgosuri nuk ka rroba të tij për t’u ndërruar pas pune, duhet të mbete me veshjen e punës së lagur. Si rregull punojnë 10 orë punë në ditë, nëse nuk shtohen me urdhër të komandantit të brigadës. Në gërmimin e kanalit për tharjen e liqenit të Maliqit, shumica e të burgosurve janë zakonisht në ujë që arrin deri në gjunjë, e disa herë deri në brez. Në kundërshtim me këtë kusht, puna vazhdon pa marrë parasysh kohën ose stinën e vitit. Një rrezik tjetër i punës, është numri i madh i shushunjave në kanal, që sulmojnë të burgosurit. Si rezultat, shumë të burgosur u sëmuren, dhe shpesh rreth 150 syrsh kishin nevojë mjekësore të përditshme. Vetë doktori i kampit është i burgosur përjetë. Megjithëse është doktor i mirë ai nuk ka as veglat dhe as barnat e nevojshme. KAMPET E NDËRTIMIT Enver Hoxha në një nga daljet publike në vitet 1950 Regjimi i sotëm shqiptar krijoi sistemin e kampeve të përqendrimit menjëherë sa mori pushtetin në fund të 1944-s. Qëllimi fillestar i kampeve ishte të internonte familjet e numrit të madh të të burgosurve politikë dhe të presë familjet e shpërngula të ish-klasave të ulëta për të zënë shtëpitë e tyre dhe të vendosë në to anëtarët e regjimit të ri dhe shokët e tyre komunistë. Më vonë, kur filloi qëndresa kundër regjimit komunist, filluan të iknin jashtë shtetit. Këto kampe u zgjeruan edhe më shumë për të përfshirë të gjithë elementët e cilësuar të rrezikshëm për regjimin, fshatarët e pabindur, familjet ose farefisin e atyre që kishin arritur të iknin jashtë vendit. Kështu, duke filluar pas prishjes me Titon, Byronë Informative në 1948-n, qeveria e Tiranës filloi heqjen e një numri të madh njerëzish, duke marrë persona nga një pjesë e vendit dhe duke i vendosur ata në kampe përqendrimi në një cep tjetër. Si rregull, njerëzit nga Veriu dërgohen në kampe në Jug, sidomos në Tepelenë, Himarë (Porto Palermo), Fier, Berat etj. Ndërsa njerëzit e Jugut internohet në Krujë, Burrel, Kamzë, Valias, Cërrik dhe vende të tjera në Veri. Aty nga 15 shtatori 1947, ish-kryeministri Enver Hoxha pranoi qenien e kampeve të përqendrimit. Në një fjalim të madh të mbajtur në Shkodër, ai deklaroi se elementët kundërshtarë ishin të internuar në kampe të tilla. Nga fundi i 1949-s, pas vrasjes së Bardhok Bibës, ministri i Brendshëm Mehmet Shehu ndërmori një varg të madh internimesh. Në një ekspeditë ndëshkimore, në këtë krahinë ai hoqi rreth 400 veta nga krahina për në kampet e Jugut. Numri i kampeve të përqendrimit dhe numri i banorëve në secilën prej tyre kanë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme që shumë herë varen se ku nevojiteshin pjesëtarët për punë të detyrueshme. Kështu, kampi në Valias gati u boshatis në janar 1952, kur filloi puna në Cërrik për ndërtimin e një rafinerie të madhe nafte. Këtu u vendos një kamp i ri dhe u furnizua nga banorë nga kampi i Valiasit dhe nga krahina të tjera. Për shembull, kur mbaroi hidrocentrali “Lenin”, afër Tiranës në 1951, shumica e 2500 punëtorëve të detyrueshëm u zhvendosën në hidrocentralin “Enver” në Mat, ku puna filloi në janar 1952. Në 1952 – 1953, rreth 1500 punëtorë të detyrueshëm u hoqën nga kampet e ndryshme për tek Ura Vajgurore dhe Berat për të ndihmuar për ndërtimin e një aeroporti të madh të cilin e ndërtuan në atë krahinë autoritetet sovjetike. Kur u plotësua kjo, shumica e punëtorëve të detyrueshëm u zhvendos në një vend afër Vorës, ku tani është në ndërtim e sipër një aeroport i madh. TRAGJEDITË E KOLONIVE Nga 40 burgje politike dhe kampe përqendrimi që kanë qenë në veprim në Shqipëri nga viti 1944, thuhet se mbi 16 mijë njerëz kanë humbur në një kohë prej 10 vjetësh. Mësohet se nga mbarimi i luftës, 80 mijë persona kanë kaluar nga këto burgje dhe kampe përqendrimi. Numri i përgjithshëm i banorëve në to sot çmohet të jetë 10–15 mijë veta, ndërsa numri në burgjet politike çmohet të jetë rreth 10 mijë. Nga mbarimi i luftës, një numër amnistish janë dekretuar në Shqipëri, por ato kanë qenë të shtyra kryesisht nga një dëshirë e autoriteteve të hiqnin qafe elementet joprodhues dhe të bënin vend për arritje të reja. Gjon Pjetri, një djalë 12 vjeç nga Oroshi i Mirditës, i cili kaloi në Jugosllavi më 13 gusht 1951, është një prej banorëve të kampit të përqendrimit në Tepelenë, i cili ka dhënë një dëshmi grafike mbi jetën në kamp, ku ai qe internuar me gjithë familjen e tij. Pak javë para se të ikte në Jugosllavi, policia e kishte lëshuar nga kampi së bashku me vëllanë e tij 8-vjeçar, pasi ishin shumë të rinj, por prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes u mbajtën. Djali i ri tha se ai e dinte se mund të humbiste jetën në orvatje, por ai vendosi të ikte pasi nuk kishte se kush të kujdesej për të, nuk mund të gjente ndonjë punë. Megjithëse fëmijë, ai i provoi në kamp gjithë vështirësitë e një të rrituri. Ai tha se në kamp kish njëmijë njerëz, shumica pleq, gra dhe fëmijë, gjithashtu merrnin si ushqim “një copë të vogël buke misri dhe një lloj supe, në të cilën unë rastësisht gjeja ndonjë fasule”. Ai tha se shumë njerëz flinin mbi çimento, mbasi policët nuk i lejonin të merrnin batanije kur arrestoheshin. Uria, papastërtia dhe keqpërdorimi në kamp shkaktuan vdekjen e shumë njerëzve, njoftoi fëmija. Ai mbante mend me hollësi një dhomë të errët dhe të ngushtë që mbante disa qindra fëmijë dhe të rritur, të cilët ishin të prekur nga tuberkulozi, sëmundjet e lëkurës dhe sëmundje të tjera. Djali tha se policia torturonte shumë nga bashkëjetuesit që ishin të pazotë për punë dhe se njerëzit e sëmurë nuk vinin të kontrolloheshin te doktori i kampit, mbasi si zakonisht ai u thoshte se nuk kish shpresa përmirësimi. Edhe të sëmurëve u duhej të shpinin dru në kamp dhe kjo qe një punë e lodhshme edhe për të rriturit e shëndoshë, sepse pylli ishte 12 km larg kampit. Asnjë nuk guxonte të mos vinte në punë, tha fëmija. Të afërmve dhe prindërve të tij nuk iu lejua të mungojnë një ditë nga puna për t’u kujdesur për bijën e tyre të sëmurë. Vajza e vogël vdiq pa nënën e vet, e cila nuk mundi të bëhej e zonja që të bënte diçka për të. TORTURAT PËR TË PABINDURIT Një nga deklarimet e shumta të dhëna nga ish-banorët e kampit të përqendrimit të Tepelenës, është ajo e dhënë nga Mustafa Hoxha, një klerik mysliman, i cili qe i internuar në këtë kamp në 1949 dhe iku në Jugosllavi në fillim të vitit 1953. Në fillim Hoxha u internua në kampin e Turanit në Tepelenë, ku kishte 2.800 burra, gra dhe fëmijë. Jeta e kampit ishte e padurueshme, banorët merrnin nga 550 gramë bukë misri të papjekur mirë dhe asgjë tjetër, mbasi ushqimi ishte i pamjaftueshëm. Ata hanin bar dhe kafshë të ngordhura. Kjo solli si rezultat përhapjen e një epidemie në kamp me 7 – 8 vdekje të përditshme, shumica fëmijë. Një nënë nga Elbasani, tha Hoxha, humbi 5 nga 6 fëmijët e vet brenda 6 muajve. Kur u çua kampi në Tepelenë gjendja u bë më e keqe. Hoxha mori pjesë në funeralin e 318 myslimanëve dhe gjatë 20 muajve të internimit të tij në kamp, vdiqën 1.200. Nëpunësit e kampit një ditë vendosën të heqin varrezat nga një fushë afër kampit për tek Ura e Bënçës. Sipas kësaj, banorët, burra e gra, u detyruan të gërmojnë varret e atyre që sapo ishin varrosur dhe t’i rivarrosnin të vendin e ri. Ky veprim i dha shkas hapjes së një epidemie të re dhe shkalla e vdekjes në kamp u rrit. Kushtet e punës në kamp ishin tmerruese, njofton Hoxha. Shumë banorë, pavarësisht nga kushtet ndërmjet tyre, duhet të mbanin në kurriz gjysmë metër kub dru nga një pyll 5 – 6 kilometra larg nga kampi. Të tjerët nga po ajo distancë mbanin material për rreth 70 shtylla për tek Ura e Bënçës. Nëpunësit e kampit ishin të pamëshirshëm në detyrimin e banorëve të përballonin punë prej skllavi. Dënimi kundër të pabindurve ishte i egër. Dënimi më i zakonshëm ishte lidhja e individit me tel të fortë deri sa t’i takonte kockat dhe pastaj mbyllej në një qeli për një kohë të pacaktuar. Praktikisht, nuk kishte parashikime për kujdesin mjekësor në kamp, raporton Hoxha. Barnat nuk ekzistonin, një doktor vizitonte kampin vetëm në intervale të largëta dhe banorët nuk guxonin të kërkonin kujdes mjekësor nga frika e reprezaljeve. Ata që dërgoheshin në spitalin e Gjirokastrës, kurrë nuk ktheheshin, zhdukeshin. PËRDHUNIMET NË KAMP Një dëshmi tjetër mbi kushtet në kampin e Tepelenës është ajo që ka dhënë zonja Gjyste Ndoci, një grua e re shqiptare që u arratis në Jugosllavi në fund të 1952-it. Sipas saj, ajo së bashku me fëmijët, Zefi 9 vjeç, Deda 6 dhe Lulja 5 vjeç, ishin arrestuar pas dezertimit nga ushtria të burrit të saj. Në kundërshtim me faktin se ajo ishte shtatzënë, policia e trajtoi brutalisht në zyrën e Sigurimit të Koplikut. Më vonë ajo dhe fëmijët e saj u çuan në kampin e përqendrimit në Tepelenë. Atje, ajo dhe fëmijët e saj u mbyllën në një barakë të madhe dhe të pisët ku shumë banorë vuanin nga sëmundje të ndryshme. Ajo qe e detyruar të punonte pa marrë parasysh kushtet e saj fizike. Pas 3 muajsh lindi një djalë në barakë, fëmijë i cili vdiq pas 6 muajsh për shkak të mungesës së kujdesit dhe sëmundjeve. Tri ditë pas vdekjes së fëmijës, ajo dhe fëmijët e saj u urdhëruan të shkojnë në këmbë në një kamp tjetër në Gjirokastër. Rrugës djali i saj Dedë vdiq dhe vetë asaj i duhej të hapte varrin në anë të rrugës, ndërsa policët që e shoqëronin, e çnderuan. Katër ditë pas mbërritjes së saj në kampin e ri, djali më i madh, Zefi, vdiq gjithashtu nga sëmundja. Abedin Zeqiri, që ishte një banues i kampit të përqendrimit para se të arratisej në Jugosllavi më 1952, njoftonte se Xhafer Pogavei, drejtor i këtij kampi, kapte me zor çdo ditë një nga femrat më të bukura që banonin aty. Policët që shërbenin në kamp kanë përdorur keq çdo vajzë të bukur në kamp. Jeta në kampin e përqendrimit në Cërrik, ku është në përfundim një rafineri nafte, u përshkua nga katër banorë që ikën nga kampi më 20 gusht 1952 dhe pak javë më vonë kaluan në Jugosllavi. Këta janë: Halit Nulla Qamili, 20 vjeç nga Cangonj; Sami Feimi, 32 vjeç nga Kuç i Zi; Azem Berdo Laze, 19 vjeç nga Dukati dhe Harri Benel, një rob lufte gjerman, i cili kishte qenë i internuar qysh në 1944-n. Të katër këta ishin në kamp derisa shumica e pjesëtarëve u zhvendosën të punonin si punëtorë-skllevër në rafinerinë e naftës. Kampi i Cërrikut në këtë kohë kishte 500 banorë, duke përfshirë këtu fëmijët dhe pleqtë. Drejtor i saj qe toger Zeman Saliaj nga Gjirokastra. Ndihmës qenë nëntoger Ahmeti nga Tepelena, nëntoger Marko Hoçishti dhe kapter Bule Hyseni. Këta njerëz zbatuan metodat më çnjerëzore për të shfrytëzuar të internuarit në maksimum. Kampi i vendosur në një fushë të gjerë ka vetëm dy baraka ku jetojnë të internuarit. Ato nuk kanë asnjë masë të çdo lloji kundër kohës së ashpër. Shiu dhe bora i përshkon pa ndalesë, si pasojë shkaktoheshin vdekje në kamp. Shumica më e madhe janë të sëmurë nga pneumonia dhe tuberkulozi. Sipas 4 ish-pjesëtarëve, ushqimi në kamp përbëhej nga një supë dhe 700 gramë bukë të keqe për ata që bëjnë punë të rëndë dhe 600 gramë për punën tjetër. Zyrtarisht, dita e punës është 8 orë, por në të shumtën e rasteve të internuarit duhet të punojnë 14 orë dhe shpesh të dielave, me qëllim që të mbarojnë normat e punës. Ata që nuk janë të aftë për të përballuar punën, duhet të gjejnë dru zjarri, detyrë për të cilën duhet të ecin me ngarkesën e druve mbi kurriz nga 3 – 4 kilometra. Shpesh përdoren shkopinj të gjatë për të detyruar njerëzit të punojnë dhe dënime mizore u jepen atyre që tregojnë shenja mosbindjeje. Fakti i zhvendosjes të pjesëtarëve nga kampi i Valiasit në Cërrik u konfirmua në 1952-shin nga një letër e marrë prej një refugjati shqiptar, i cili ka ikur nga atdheu i tij në 1948-n dhe tani jeton në Uashington. Ai mori letër nga nëna e tij në Tiranë, e cila i thoshte se babai i tij, i cili në 1952-shin ishte 72 vjeç dhe invalid, ishte zhvendosur nga Valiasi në Cërrik. Detyra e përditshme e tij ishte të ruante fëmijët, ndërsa nënat e tyre punonin. DY RRETHIME ME TEL Dy gra shqiptare që kishin qenë një kohë të gjatë në kampet e Valiasit dhe Kamzës dhe u arratisën në Greqi më 3 mars 1953, pohuan se kushtet e jetesës në të dy kampet ishin të tmerrshme dhe se puna ku ato ishin vënë kishte qenë kapitëse. Nuk kishte kujdes mjekësor dhe dizenteria e tuberkulozit bëri kërdinë midis popullsisë së burgosur. Të dyja gratë dhe dy fëmijët ishin arrestuar më 24 qershor 1949, me dyshimet se mendonin të iknin nga vendi. Më parë u dërguan në Kamzë, të punonin në fermën shtetërore “Ylli i kuq”, ku qëndruan deri më 1 prill 1950, datë në të cilën ato u zhvendosën në kampin e Valiasit. Një shofer shqiptar që kaloi në Greqi në 1953-shin kishte vizituar nënën e vet në kampin e Kamzës në prill 1952. Ai njoftoi se të internuarit në kamp ishin vendosur në dy kampe të mëdha në përmasa 30 me 10 metra. Të rrethuar me dy rrjeta me tel e me gjemba. Nëna e tij qe arrestuar së bashku me vëllanë e tij në vjeshtën e vitit 1949, pas ikjes për në Greqi të vëllait më të madh. Në atë kohë, shoferi ishte në ushtri dhe qe lënë pa u internuar. Nëna e tij i tha kur e vizitoi se punonte në fermën e kampit “Ylli i Kuq” me qëllim që të marrë një gjysmë shtese racion bukë, d.m.th. 600 gr në ditë, në vend të 400 gr, si dhe një rrogë prej 300 lekësh në muaj dhe pak sapun. Vijon nesër … AFRIM IMAJ
Posted on: Mon, 05 Aug 2013 18:50:55 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015