E MIRA, NËNA IME. Është në vitin e nëntëdhjetegjashtë të - TopicsExpress



          

E MIRA, NËNA IME. Është në vitin e nëntëdhjetegjashtë të jetës. ” Gjunjët e urdhërojnë” ende, këto janë fjalët e saj kur u përgjigjet vizitorëve të shumtë që e takojnë në apartamentin e vëllait tim të dytë, Ndojit, këtu në Tiranë. Nga katër fëmijët e saj, motra më e madhe 73 vjeçe, dhe vëllai i madh tashmë janë vetë gjyshër, unë dhe Ndoji, akoma! Ja brezat: Dila, motra e madhe, Agja- vajza e Dilës, Vajza e vajzës se Dilës, e martuar përpara disa vitesh është me fëmijë: plot pesë breza. Më vjen turp ta them se në këtë moment që shkruaj nuk po më kujtohet emri i Stërmbesës sime. Besojeni, nëna ime jo vetëm di të gjithë emrat dhe se kur kanë lindur e gjithë Pjella e saj por edhe të gjithë fëmijët e lindur të katundit, me emra , ku janë nipër e mbesa, megjithëse është larguar nga katundi që në vitin 1995. Është e vitlindjes 1918 dhe është martuar më tim atë në tetor të vitit 1936. Im atë i kishte dhjetë vjet përpara ( i bie të ketë qenë moshatar më Enver Hoxhën). Martesa e saj, shërben si një kalendar historik. - Më pak se katër vjet martesë më la vetëm ,e thirri shteti ushtar, Italia. Isha me barrë, me Dilën. Kur u kthye nga ushtria, në shtator të 1943, Dila kishte mbushur të tre vjetët. Në tetor të 1944- trës më ka treguar një varr të ri tek L’teri i Shën Gjonit, e kish mbuluar me shkurre të thata. Kishte varrosur pa dijeninë e askuj tjetër dy gjermanët e vrarë. Ia ndërpres fillin e kujtimeve: -Nanë, a e ke dashur burrin tand! A je puth ndonjëherë me Bacën, babain tonë?! Fillimisht nuk e kupton pyetjen. Kur ia shpjegoj, më tund dorëm e djathtë sikur do t’më rrahë: -Këtë të këqe keni ju, të rinjtë e sodes; ene putheni, ene grindeni në sy të rob’ve të shpisë, në sy të kalamajve! Po, nuk ka marre ma t’madhe more bir! - Kësaj pyetje dua t’mi japësh përgjigje: A të ka rrahur ndonjë herë baca Gjon? Rregulloi shaminë e zezë mbi ball sikur donte ose t’i trazonte, ose t’i sistemonte kujtimet dhe filloi të flasë me sy gjysmë të mbyllur, ku me siguri mendja e saj xhironte “filmin” e asaj ngjarjeje. - Kishte dy vjet që kishte hy Partia! Ditën e Shnaprenes më lindi Marku. Nuk shkova për festë në Sheshaj ke Rob’t e mi. Mbas nji muej duhej me shkue tek Kisha e Kaçinarit me i vu Bajm djalit. Shkoi Vjehrra ime të thërristë Dod Gerën për kumbarë dhe u kthye e lemerisur duke i thënë Babës tand: -U ba nami për shpinë e Gerës, Dodën e lidhën, e morën për në Shpal! Gerajt ishin shtëpia më e mirë në Munegë dhe ne kishim shumë të shkuar me ata. Pas një muaji, Dod Gerën e pushkatuan në Shpal, aty edhe e varrosën. I erdhi Partia dhe i bastisi shtëpinë, ku rrahën për vdekje të Zotin e Shtëpisë, Pjetër Ndue Gerën. Pas tre javësh Pjetër Ndue Gera vdiç. Rrani krejt katundi, rrani dhe baba jot. Problemi ishte se nuk kishte tesha me hy në vorr! - Shkoni ke kulla eme dhe i thoni Asaj ( bëhej fjala për mue) të nxjerrë nga arka teshat e mia - i kishte thënë babai njërit nga kushërinjtë e të vdekurit. Kishte ardhur por Nëna nuk kishte pranuar. - Nuk kam tesha deke për të dhënë- qeshë përgjigjur ftohtë. - Mbas një ore vjen vetë Babai yt me tre shokë të tjerë. - A ndieve! Hape Arkën dhe nxirri Teshet e mia të Dekës, për Pjetër Ndue Gerën! Unë nuk u përgjigja. Hyri në odë dhe më pa me një shikim sikur desh t’më hajë të gjallë. - Për kryet e ç’atij djali që kam në djep, nuk i nxjerr nga Arka me dorën time! Doli jashtë dhe mori një sopatë - latushë me një bisht frashëri të sapovënë. E futi tehun e sopatës nga ana e pasme e kapakut të Arkës , tek rezet dhe kapaku u hap së prapapthi. Nxori prej andej Tirqet, Xhamadanin, Brezin, Çorapet dhe Kësulën e bardhë. - Merrni, ja ku i keni ore, shokë! Zoti u dhashtë kivet! Unë do të vij ndonja një orë ma vonë! Filloi ta hiqte mengadalë bishtin e sopatës, me një ngadalësi sikur po dredhte cigaren nga kutia e duhanit. E mbylli dren e odës, largoi djepin e djalit dhe ma hyni me bidhtin prej frashëri të sopatës. Nga supet, kurrizi e brinjët, deri mbi gjunjë nuk më la vend pa më mret (edema). Nuk guxojsha me bërtit se ma merrte shpirtin! Pasi mbaroi punë ia vuni prapë bishtin sopatës dhe shkoi tek Oda e burrave. Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit në jetën time që më ka rrah. Kam jetuar 62 vjet me Të, linda tre djem e vajzën me nga shtatë tetë vjet diferencë. Kurrë nuk më ka bërtit në sy tuaj e në sy të rob’ve. Kurrë nuk më ka prek më me dorë! Dedë SHKURTI Korrik, 2013
Posted on: Thu, 11 Jul 2013 20:01:50 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015