E dhimbshme, kjo qka ka perjetue gazetarja Salie Gajtani. Te - TopicsExpress



          

E dhimbshme, kjo qka ka perjetue gazetarja Salie Gajtani. Te tilla raste, perjetojne shume nena qe shkojne per te lindur ne Gjinekologji, fatkeqesisht :( ....Qysh more e keni lënë nënën kështu? Pse askush nuk i ka ndihmuar… a po më tregoni?”. Askush në sallë nuk fliste, ndërsa më kujtohet se Dr. Igballe po rrinte prapa disa kolegëve të saj. E Dr. Rafuna sapo më afrohej pak, sërish largohej duke thënë “e cka me bo tash unë, cka me ba”. Kërkoj përgjegjësi penale nga mjekët e Gjinekologjisë! E vërteta mbi ngjarjen e datës 4 Janar 2013 në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë, ku shkova për të lindur fëmijën tim të tretë, unë Salie Gajtani-Osmankaq Pas një shtatzënie të shëndetshme dhe pa asnjë problem, në javën e 39 të shtatzënisë, diku rreth orës 02.00 të mëngjesit, me datën 4 Janar, ka filluar të më derdhet uji i bebes, derisa isha në gjumë. Me shpejtësi jam zgjuar dhe bashkë me bashkëshortin jemi nisur urgjentisht për në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë. Ndërkohë, që më kishin filluar edhe dhimbjet e lindjes. Ndonëse po bëhesha nënë për herë të tretë, kjo ishte hera e parë që po përjetoja simptome të kësaj natyre, meqë dy lindjet e para i kam pasur me operacion-prerje cezariane. Me të arritur në Klinikën Gjinekologjike, jam paraqitur në zyrën e pranimit, aty ka qenë një vajzë e re me flokë kaçurrele, si të gjata, ngjyrë kafe. Më ka thënë se është specializante. Aty nuk ka pasur asnjë mjek kujdestar, përveç specializantes dhe një motre medicionale. Pyeta se kush ishte kujdestar dhe kuptova se ishte dr. Visare Batalli, të cilën atë natë nuk e kam takuar fare në Klinikë. Megjithatë, specializantes i tregova se më është derdhur uji i bebes, se po pres fëmijën e tretë, dhe se dy lindjet e para i kam pasur me operacion. Ajo më bëri një ultrazë e pastaj edhe kontrollë gjinekologjike. Pas të cilave më ka thënë se “ende po derdhet uji i bebes, edhe ata pak që ka mbetur, dhe se je qelur 3 gisht e gjysmë”. Ajo më tha të përgatitesha menjëherë për në sallën e lindjes, dhe pastaj më janë marrë të gjitha shënimet nga motra që ishte kujdestare në sallën e pranimit, ku veç tjerash më ka pyetur edhe për profesionin dhe vendin e punës. Pas kësaj motra më përcolli deri tek salla e lindjes. Me ne ishte edhe bashkëshorti im. Me të hyrë në sallën e lindjes, motra nga salla e pranimit u ka dorëzuar letrën me shënime stafit të sallës së lindjes , dhe u ka treguar për gjendjen time, se kjo është lindja ime e tretë, se dy lindjet e para i kam pasur me operacion, si për dhe gjendjen ekzistuese: që më ishte derdhur uji i bebes dhe se kisha filluar të hapem. Unë tashmë isha e informuar se mjekët kujdestarë atë natë ishin Naser Rafuna dhe Igballe Gërbeshi. Pak minuta pasi që kam hyrë në sallë më është bërë CTG-ja, të cilën e ka parë Dr. Igballe, me të cilën unë bisedova dhe i tregova edhe njëherë se më ishte derdhur uji dhe se kisha shtrëngime-dhembje herë pas here, si dhe faktin se shtatzëninë e kam përcjellur tek Dr. Nagip Rexhepi. I kam thënë se do të dëshiroja që ai edhe të më kryente lindjen-operimin, por se nuk besoj që mund të pres derisa ai të vijë në mengjes, në ndërrimin tjetër. Ajo më tha se “unë do të kujdesem për ty. Këtu jam”. Mirëpo, pas atij momenti për mbi pesë orë të tjera më nuk më është afruar askush për të parë se si e kam gjendjen. Nuk më është bërë asnjë kontrollë e vetme, megjithëse kam kërkuar ndihmë me qindra herë. Po sqaroj me radhë. Pasi që kaloi gati një orë që kur isha pranuar në sallën e lindjes dhe askush as që më afrohej për të parë se si e kam gjendjen, diku pas orës 3 të mëngjesit, unë shkova tek dera e dhomës së vogël me xhama, e cila gjendet ngjitur me sallen e lindjes, ku dukej Dr. Igballe, së cilës i kam thënë: “ doktoreshë, nuk jam mirë, dhimbjet kanë filluar të më shpeshtohen dhe po bëhen gjithnjë e më të fuqishme”. Ajo ma ktheu ”jo jo ty s’të kanë dalë kontraksione në CTG”. Unë i thash pastaj se “unë nuk e di çka ka dalë aty, por po të tregoj se kam dhimbje”. Ajo më tha “ok- ok, shohim”. Dhe pas disa minutash atë më nuk e kam parë askund në sallën e lindjes. Ndërsa, diku afro gjysmë ore më pas, diku pas orës 4 të mëngjesit sërish kam provuar të kërkoj ndihmë tek stafi kujdestar i asaj nate. Pasi që doktoreshen Igballe më nuk e shihja askund, sërish u afrova tek dera e dhomës së vogël me xhama, ku po qëndronin dy motra medicionale. Njëra ka pasur të veshur rroba pune ngjyrë të kuqe të mbyllët, kurse tjetra ngjyrë të bardhë dhe sy të kaltër. Iu drejtova të dyjave me fjalët “ju lutem a mund të ma thirrni doktoreshën Igballe, sepse po ndihem shumë keq”. Njëra nga motrat, ajo me rroba të bardha, mu drejtua me ton të lartë “pse, kush je ti?”. Unë i thash “këtu jam paciente dhe ti nuk ke të drejtë të flasësh kështu me mua”. Ajo pastaj ma ktheu, sërish me ton edhe më të lartë (duke bërtitur) “pse qysh deshte me fol me ty”. Unë i thash “dinjitetshëm” dhe u nisa kah shtrati, ku isha e shtrirë deri atëherë në sallën e lindjes. Derisa po largohesha e dëgjoja atë duke thënë “unë s’të kam faj që i ke dhimbjet e tua”, dhe pastaj e dëgjova motrën tjetër duke i thënë: “leje bre leje”. Pas kësaj, mua dhimbjet sa vinin e më shpeshtoheshin. Kisha shtrëngime të mëdha në bark dhe në fundin e shpinës. Fillova të vjelli dhe e ndjeja se po me qahej barku. E di, se kur vjellja, motrat nga dhoma me xhama vetëm ngrinin kokën shikonin, dhe sërish uleshin. As që më afrohej ndonjëra. Në një moment, diku kah ora 4 e 30 njërës nga motrat që po kalonte kah shtrati im për të shkuar tek një paciente tjetër, iu drejtova me fjalët “o më ndihmoni bre se kam shumë dhimbje, jam tepër keq”, e ajo më tha se “mjektë nuk janë këtu, dhe salla është e zënë”. Kurse gjendja ime po rëndohej. Kam provuar të kontaktoj me telefon disa nga gjinekologët, këdo që njihja për të kërkuar ndihmë nga jashtë. Kot, me askënd nuk mund të flisja. Disave u binin telefonat por nuk lajmëroheshin, e disa të tjerë kishin fikur celularët. Diku kah ora 5 e mëngjesit, pasi që kisha vjellur shumë herë dhe kisha dhembje të hatashme gjithkah, më nuk mund të qëndroja as në këmbë e as ulur. Kam kërkuar ndihmë me zë të lartë, por s’ofrohej njeri për të më ndihmuar. Salla e lindjes pothuajse ishte e zbrazët. Pastaj jam shtrirë në shtrat, dhe kam filluar të qaj me zë të lartë, kam kërkuar ndihmë me krejt fuqinë që kisha. Por, prapë askush nuk afrohej. Kisha dhimbje të tmerrshme. E ndjeja se pervec dhimbjeve të lindjes, ne trupin tim po ndodhte edhe diçka tjetër, e ndieja se po më çahej barku, dhe kjo përcillej me dhimbje të hatashme. Fuqia po më linte, fillova që herë pas here për disa çaste të humbja shikimin, nuk mund të merrja frymë. Aq sa më nuk e dija nëse është dikush nga stafi mjeksor në sallë, apo ndonjë paciente tjetër. Për më shumë se një orë e gjysmë kam qëndruar ashtu. Më dukej se po vinte fundi i jetës për mua. Fillova të kërkoja ndihmë me krejt fuqinë që më kishte mbetur. Në një moment e mbaj mend se thash “fëmija po lind, o më ndihmoni bre se vdiqa, shpëtojeni bile beben”. Dhe pas kësaj, e di se më është afruar një femër, të cilën nuk kam mundur ta shoh, sepse më kishte humbur të pamurit, por ia kam dëgjuar vetëm zërin. Ajo më ka bërë një kontrollë gjinekologjike, pas së cilës ka thënë “ooo lindja paska filluar”. Pastaj ajo më tha: “ngritu shpejt, shkojmë në boks…”- nuk e di as vetë se si ia dola të ngritesha në këmbë dhe të shkoja deri në karrigen e lindjes, me gjithë dhimbjet e tmerrshme që kisha. Ishte hera e parë që po ulesha në atë karrige, ndonëse po bëhesha nënë për herë të tretë. Unë e dija ku ishte salla e operacionit, por jo edhe boksin e lindjeve normale. Ishte ngjitur me sallën ku kisha qëndruar deri atëherë. Po bëhej ora 6 e gjysmë. Me t’u ulur në karrigen e lindjes, më kujtohet se salla përnjeherë u mbush me mjek e me motra, që atë natë kishin qenë kujdestarë, e të cilët, me përjashtim të tre vetave që i përmenda më lartë, as që i kisha parë deri në atë moment. E mbaj mend mirë fytyrën e shqetësuar të Dr. Rafunës dhe fjalët që ai i ka thënë në sallë. Më është afruar dhe vec me sy më ka shikuar. Pastaj është kthyer kah kolegët e tij duke iu thënë “pse s’më keni informuar askush për këtë rast… a e shihni si ka ardhur puna? Si nuk keni ndërmarrë asgjë more… shtatë veta keni qenë. Apo keni thënë hajt se është ky budalla këtu edhe punë për të çka ndodhë. Por, në këtë rast edhe një pastruese me pas pyt e kish ditë çka me bo… Qysh more e keni lënë nënën kështu? Pse askush nuk i ka ndihmuar… a po më tregoni?”. Askush në sallë nuk fliste, ndërsa më kujtohet se Dr. Igballe po rrinte prapa disa kolegëve të saj. E Dr. Rafuna sapo më afrohej pak, sërish largohej duke thënë “e cka me bo tash unë, cka me ba”. E gjendja ime përkeqësohej. Pastaj mu afrua Dr. Rafuna dhe njëra nga motrat të më ndihmojnë në lindje. Më kërkonin të shtyeja fëmijën drejt lindjes… unë po e bëja këtë edhe me atë pak forcë që më kishte mbetur, por lindja nuk kryhej. Kjo ka vazhduar për shumë kohë. Derisa bëja përpjekje për të lindur, ndieja shumë të ftohtë, aq sa fillova të dridhem e tëra. E mbaj mend trupin tim të larë në gjak. Kisha dhimbje të tmerrshme në bark dhe po e humbja edhe vetëdijen. Fëmija nuk po lindte. Pas kësaj, ekipa në sallë më ka kërkuar që të nënshkruaj në një letër, nuk e dija se çfarë, madje as nuk më kanë shpjeguar këtë, por unë e nënshkrova pa pyetur fare. Më nuk kishte asgjë tjetër rëndësi në jetën time, pos që të shihja se fëmija ka lindur. E pas kësaj, Dr. Rafuna e kërkoi vakumin, “ma jepni vakumin e jashtëm”-e kam dëgjuar të thotë. Dhe disa sekonda më pas fëmija lindi. Por, ky nuk ishte fundi i vuajtjeve të mija. Pas lindjes, më kujtohet zëri i një motreje tek thoshte “placenta nuk po del doktor”. “Presim pak”, i tha Dr. Rafuna”. Derisa, po prisnin ata, unë e ndieja se po vdisja, kisha shumë të ftoftë, dhe sikur më merrte gjumi. Kisha dhembje në krejt trupin. E dëgjova sërish motrën duke thënë: ”Doktor placenta po shkon përpjetë, nuk po del”. Dr. Rafuna e ka bërë përpjekjen e parë për të ma nxjerrë placentën nga trupi me dorë, dhe kjo ka pasuar me shkaktimin e një dhimbjeje shumë të madhe tek unë. Më zgjoi nga gjumi në të cilin po bija ngadalë. Kam bërtirur me të madhe nga dhimbja. Ai ka provuar shumë herë të njëjtën gjë, dhe derisa ai e nxori placentën unë po e humbja vetëdijen herë pas here për disa çaste. Dhe pas kësaj, më kujtohet që njëra nga motrat më tha “duhet me të qep, sepse je shkyer gjatë lindjes”, ndonëse kjo nuk ishte e vërtetë, sepse ishte njëra nga motrat që më ka shkyer, dhe këtë e mbaj mend shumë mirë. Unë i kam thënë të mos më qepin pa anestezion, gjithnje duke menduar se kjo do të bëhet përmes ndonjë anestezioni lokal. “Jo Jo, nuk të qepim pa anestezion, se nuk bën tek ti”, më ka thënë një zë femre, të cilen nuk e kam parë pasi, që ato çaste sërish kisha humbur të pamurit, isha në agoni. Pas këtij momenti më nuk di çfarë ka ndodhur me mua. Më kishin dhënë anestezion total. Dhe më vonë kam kuptuar se derisa isha nën anestezion përveç që më kanë qepur në organet e poshtme, stafi në sallë ka kontrolluar me dorë mitrën nëse ka pasur pëlcitje (shkyerje) të plagëve të mëhershme, dhe konstatimi ka qenë se “nuk ka pasur qarje të mitrës gjatë lindjes normale”. Gjë e cila më vonë është vërtetuar se ka qenë konstatimi i gabueshëm. Pasi që më kanë zgjuar nga anestezioni, në boksin e lindjes kam qëndruar edhe dy orë të tjera, meqë gjendja ime ishte e rëndë. Kështu, edhe pse lindja ka ndodhur rreth orës 7.30 të mëngjesit, nga boksi kam dalë tek rreth orës 10.00. Pas kësaj më kanë dërguar në një dhomë, në katin e tretë, tek gratë e posalindura. Por, gjendja ime shëndetësore po keqësohej çdo çast. Kisha dhimbje të mëdha në gjithë pjesën e barkut, sidomos në pjesën e poshtme, dhimbje të mëdha të organeve të poshtme, si dhe dhimbje të krahërorit. Nuk më pushonte dridhja e trupit, dhe e mbaj mend se kam mundur t’i shoh se si me ishin ënjtur duart dhe kishin marrë ngjyrë të verdhë të theksuar. Në dhomë erdhi dhe më bëri një kontrollë vetëm sa për sy e faqe Dr. Valbona (me syze dhe flokë të zeza), duke më prekur barkun vetëm një herë dhe pastaj tha: “mire është, krejt mirë”. Ndërsa, unë po vdisja... kisha dhimbje nëpër gjithë trupin. Por, ai që më shpëtoi jetën ishte pikërisht burri i shoqes sime, Dr. Sabedin Fejzullahu, i cili ka hyrë në dhomën ku isha e shtrirë unë veç pak minuta pasi që kishte dalë Dr. Valbona që më kishte thënë se unë jam krejt mirë. Pastaj Dr. Fejzullahu ma ka bërë një ultrazë. Shumë shpejt ka dalë nga dhoma dhe vetëm pak minuta më pas, pranë meje janë grumbulluar një ekip e mjekëve më të njohur të Klinikës, Dr. Nagip Rexhepi, Dr. Fehmi Zeqiri, Dr. Shefqet Lulaj, Dr. Sabedin Fejzullahu, dy doktoresha të cilat nuk i njihja, dhe disa motra. Mjekët kanë kërkuar që urgjentisht të më bëheshin analizat e gjakut. Ndërsa, më kanë bërë kontrollë me ultrazë për afro 15 minuta, gjatë së cilës kohë, unë herë pas herë kisha ndjenjën se po bija në gjumë, dhe humbja vetëdijen. Me zgjonte sërish dhimbja që shkaktonte prekja nëpër bark gjatë kontrolleve që po më bënin ekipa e mjekëve. Herë pas here i dëgjoja sikur nëpër ëndërr duke thënë “ja gjaku, jaaa qe ku është. Nuk ka rrjedhë jo… është hematomë”. Ka pasur edhe plot komente të tjera të tyre, në gjuhën e mjekësisë, që unë nuk e kuptoja. Ekipa e mjekëve ka konstatuar se kam humbur shumë gjak, kam pasur edhe gjakderdhje të brendshme, si dhe mitra më është shkyer në shumë vende gjatë lindjes normale. Ndërsa, unë e tashmë e ndieja se po vdisja, dhe kjo po përcillej me ndjenjen e një gjumi të thellë, që kur më merrte më pushonin krejt dhimbjet. Por, ekipa e mjekëve më zgjonte sërish. Pasi përfunduan kontrollen, ata i nxorën jashtë të gjithë familjarët e mi dhe të dy nënave tjera, të cilat kishin lindur më herët, e të cilat nuk i gjeta të shtrira në atë dhomë, ku ishte shumë ftohtë. Pasi kësaj Dr. Lulaj më tha “ne po dalim pak jashtë, pastaj vijmë të bisedojmë me ty”. Pas pak çastesh brenda hyri Dr. Nagipi dhe më tha: “Salie duhet të shkojmë në operacion”. Kundërshtova ashpër, i thash pse duhet operacioni, tash pasi që lindja u krye?”. Nuk mund të paramendoja një tmerr tjetër sërish, tash që sapo kisha përjetuar një tragjedi atë ditë. E ai është munduar i qetë të më bind për të hyrë në operacion, duke më thënë” ka pak gjak brenda, ke pasur gjakderdhje të brendshme dhe atë duhet pastruar, pasi që më vonë mundet me të përcjellë dhembje në bark”. Unë kam kërkuar të më lënë të qetë vetëm pesë minuta. Por, Dr. Nagipi insistonte që sa më parë të hyja në operacion. Pasi që unë kundërshtoja vazhdimisht, mjekët kishin biseduar me motrën time jashtë në korridor, dhe pastaj ajo ka hyrë dhe më ka thënë : “ti duhesh me hy në operacion, unë do të nënshkruaj për ty”. Pastaj, ndodhi edhe operacioni, i cili ka zgjatur për më shumë se tri orë, ku më ka operuar Dr. Nagipi, bashkë me Dr. Fehmi Zeqirin dhe disa mjek të tjerë. Aty më janë vënë dy tamponata dhe më është bërë drenazha, të cilat më janë hequr një ditë më pas, në sallën e mjekimit intenziv (shok dhomë) ku kam qëndruar disa ditë pas operacionit. Gjatë kësaj kohe, kam marrë infuzione të panumërta, kam marrë dhjetë doza gjak (në mesin e tyre edhe tri plazma), jam trajtuar me më së paku tri lloje antibiotikësh, me qetësues si: trodon dhe dikllofen, etj. Në ditën e katërt pas operacionit më ka vizituar personalisht edhe drejtoresha e Klinikës, Dr. Myrvete Paqarada. Ajo më ka thënë se “dua të dëgjoj edhe nga ti persoinalisht se çfarë ka ndodhur, ndonëse jam njoftuar për rastin tënd dhe jam alarmuar”. Unë i kam treguar gojarisht aq sa kam mundur atë ditë pasi që gjendja ime shendetësore ende ishte shumë e rëndë. Me shumë vështirësi mund të ngrihesha në këmbë sa për të shkruar deri në toalet, kisha dhembje në gjithë trupin, posaçërisht nëpër bark, në organet e poshtme dhe në krahëror. Kisha marramendje të mëdha dhe nuk mund të qëndroja as ulur. Dr. Paqarada më ka thënë se ”do të japin llogari të gjithë ata që kanë vepruar kështu, duke të vrarë me duart e tyre. Ne të kemi mbytur ty Salie, por Zoti të ka shpëtuar dhe tashmë çdo gjë që do të themi është vetëm sa për të larë mut me shurr….”. Ajo madje disa herë e ka përsëritur se “ty të ka shpëtuar Zoti për hirë të këtyre fëmijëve, sa për të mos i lënë ata jetima. Sepse faktikisht ty të kanë vrarë, të kanë mbytur, dhe veprimet e këtilla të stafit mjekësor duhen stopuar”. Gjatë bisedës me mua, ajo vazhdimisht ka shfletuar dosjen time, të cilën e mbante në dorë. Unë i kam kërkuar që të më jap një kopje të dosjes sime, por ajo ka refuzuar duke më thënë se ”dosjen e japim vetëm me kërkesë të prokurorit”. Më vonë, kolegët e mi gazetarë, kanë marrë informata mbi dyshimet se dosja ime është ndryshuar, me qëllim që të fshihet krimi që ishte bërë mbi mua. Por, këtë duhet ta vërtetojë drejtësia. Ekipa e mjekëve dhe motrave medicionale, kujdestar të asaj nate, duke mos e kryer punën për të cilën kanë kontratë pune kanë kryer vepër të rëndë penale, pasi që kanë luajtur me jetën time. Tani, unë dua të dëshmoj se kjo ekipë njerëzish më kanë shkatërruar jetën dhe shëndetin tim të plotë që kisha, duke kryer një tentim vrajse të qëllimshme ndaj meje. Për një muaj, pas daljes nga spitali unë kam qëndruar e shtrirë në shtrat, pa mundur të kryejë kurrëfarë aktiviteti në jetën time. Kam pasur dhe vazhdoj të kem dhimbje nëpër gjithë trupin, e posaçërisht në pjesën përreth kërthizës dhe fundin e barkut, si dhe në fundin e shpinës. Kam pasur shumë problem me jashtëqitjen për një kohë të gjatë. Tani vazhdoj të kem probleme të mëdha me marramendjen, dhe me të pamurit, pasi që nuk po mund të shoh me larg se disa metra. Nëse provoj të shikoj më larg, kam ndenjën se po më bie qielli mbi kokë. E një problem edhe më të madh e kam me traumat, që po më përcjellin sidomos gjatë natës, assesi s’po mund t’i heqë qafësh ëndrrat me gjak dhe me njerëz të vdekur. Unë tani pres nga organet e drejtësisë, tek e cila unë kam ushtruar padi kundër gjithë ekipes kujdestare të asaj nate. Pres që drejtësia do ta thotë fjalën e vet. Meqë, pos tjerash, unë dua të di arsyen e vërtetë se përse ata më shkaktuan këtë “vrasje” dhe më shkatërruan ndjesinë e të qenurit nënë, gazetare dhe njeri. Por, pas gjithë kësaj katrahure, unë ndjehem e lumtur që kam lindur një fëmijë të shëndoshë. Ajo quhet Era dhe është vajza ime e tretë, motra e Ationës dhe Borës.
Posted on: Tue, 30 Jul 2013 00:00:21 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015