E premte , 9 gusht 2013 Kukësi në turin e katërt , përtej çdo - TopicsExpress



          

E premte , 9 gusht 2013 Kukësi në turin e katërt , përtej çdo ëndrre. Humbja e parë në Europë, por abso lutisht më e ëmbla. Kjo, pasi nga dje rreth orës 20:08 minuta (ora lokale), Kukësi “fshin” rekordin 25- vjeçar të Flamurtarit, duke shkruar emrin në arenën e Kupave të Europës. Asnjë skuadër shqiptare, që nga i largëti vit 1962, kur ekipet tona do të merrnin pjesë për herë të parë në Kupat e Europës, nuk kishte mundur që të kalonte tri ture në një kompeticion europian, deri mbrëmjen e djeshme. U desh një skuadër, nga një qytet në veri të Shqipërisë, që më së shumti është shquar për sportin e mundjes dhe për më tepër militoi për herë të parë në elitën e futbollit tonë, si dhe debutoi në arenën ndërkombëtare, që të thyente këtë tabu çerekshekullore. Me këtë kualifikim fitoi jo vetëm Kukësi, jo vetëm tifozeria e kësaj skuadre, por i gjithë futbolli shqiptar, i dyshuar shpeshherë për hir të së vërtetës në këto dy dekada të fundit në Europë, për trukime rezultatesh. Por sot, falë Kukësit, edhe Superiorja ka luksin që të ndihet sadopak krenare. METALURG-KUKESI 1-0 (0-2) Golat: Dimitrov 27′ METALURG: Pankiv, Checher, Polioviy (Daniel 84′), Priyma, K.Mkrtchyan, Nelson (Alex 59′), Lazić, Makridis, Dimitrov, Nasonov (Golaydo 69′), Júnior Moraes. Trajner: Volodymyr Pyatenko KUKESI: Halili, Brahja, Hallaçi, Peqini, Malota, Progni, Malindi, Allmuça (Mziu 90+7′), Alikaj (Popović 69′), Karabeci, Hoxha (Manuka 81′). Trajner: Armando Cungu Gjyqtarë: B.Yildirim, S.Gencerler, E.Kan (Turqi) Kartonë të verdhë: Nasonov 67′ / Karabeci 35′, Malindi 66′, 74′, Halili 87′, Manuka 90+3′ Karton i kuq: Malindi 74′ Ndeshja - Ndodhi ajo që pritej. Falë rezultatit 2-0 të arritur një javë më parë në “Qemal Stafa”, dyshja Cungu- Starova hedh në fushë një skuadër të blinduar në mbrojtje, me shumë frymë në mesfushë dhe me Malindin të vetëm në sulm, i preferuar përpara Popoviçit, më së shumti për lëvizshmërinë dhe hapësirat që krijon mes mbrojtjes kundërshtare. Nga ana tjetër, Metalurgu nuk ka shumë llogari për të bërë, ndaj nga vërshëllima e parë e arbitrit turk mësyn në gjysmëfushën kuksiane. Sulme pafund, me pasime të shpejta, por që nëse nuk thyheshin nga mbrojtësit e skuadrës sonë, gjenin një super, super, super-Halili në katërkëndor! Edhe një herë portieri i Kukësit tregoi se është absolutisht më i mirë për momentin në kampionatin shqiptar. Goli – Megjithatë, goli nuk do vononte shumë. Dimitrov dhe Laziç “lundrojnë” mes lojtarëve të Kukësit, duke sjellë shumë pështjellime, por vetëm në minutën e 27-të kjo dyshe do nxirrte nga repertori, një aksion perfekt, i cili do mbyllej me gjuajtjen në trekëndësh të bullgarit. Vendësit në avantazh dhe nga pankina jonë dëgjohet Cungu që gati sa nuk hyn edhe vetë në fushë. Të bërtiturat e trajnerit në fakt bëjnë punë, pasi tri minuta më pas vjen sulmi i parë real i Kukësit dhe i vetmi për pjesën e parë: Progni shmang dy lojtarë, pason për Allmuçën në hyrje të zonës, i cili gjuan me të majtën, por pret portieri vendës. 45-minutëshi i parë do të mbyllej gjithsesi me lojtarët e Metalurgut që tentojnë të dyfishojnë (tenton sërish Xhunior Moraes, Laziç dhe Shesher), por në të gjitha rastet gjejnë të përgatitur portierin Halili. Kualifikimi - Sakaq, duket se pushimi mes dy pjesëve u ka bërë mirë kuksianëve, pasi në fraksionin e dytë të lojës kemi një skuadër që mbron edhe më shumë, me lojtarë që e mbajnë më shumë topin dhe tentojnë edhe të marrin goditje të zgjuara dënimi. Ndërkohë, vendësit vazhdojnë me serinë e sulmeve, por janë më pak të qartë, duke tentuar sa me goditje nga jashtë dhe me topa të lartë në zonën tonë, të cilat largohen lehtësisht nga dyshja e qendrës, Malota-Brahja. Por problemet për Kukësin shpeshtohen pas minutës së 74-t, kur Malindi merr kartonin e dytë të verdhë (automatikisht të kuqin) dhe mbetet me dhjetë lojtarë. Sakaq, Cungu ka hedhur në fushë edhe Popoviçin, i cili na bën me zemër në minutën e 79-të, kur gjuan nga brenda zonës me të majtën, por fatkeqësisht gjen grushtimin e mrekullueshëm të portierit vendës. Në minutat e fundit ka pak histori, pasi luhet vetëm në gjysmëfushën tonë dhe vetëm në një rast Manuka arriti të shkonte deri te mbrojtja kundërshtare. Sakaq vendësit, në dëshpërim e sipër, tentojnë me të gjitha mënyrat, por e kanë të pamundur që të shënojnë. Edhe pas shtatë minutash shtesë të akorduara (arbitri i katërt dha 5 të tilla, por për vonesë në shtesë u bënë 7) nuk arritën që të paktën ta çonin ndeshjen në shtesë, duke iu dorëzuar verdiktit të fushës: Metalurgu jashtë, Kukësi në “play-off” të Ligës së Europës. VLERËSIMET PËR LOJTARËT HALILI – Super, super, superndeshje! Edhe ndaj Metalurgut, portieri tregoi formën e jashtëzakonshme që po kalon. Duhet pranuar: Kukësi është në “play-off” edhe falë Halilit. BRAHJA – Pozicional dhe i qetë në të gjitha veprimet në mbrojtje. Aneksoi me mjeshtëri sulmuesit vendës. HALLAÇI – Gjigand në prapavijë, duke mos gabuar pothuajse asnjëherë, por bën pak ose aspak në daljet në krah. PEQINI – Vuan shumë depërtimet e Laziç dhe Dimitrov, por është në vendin dhe kohën e duhur, gjithnjë kur i nevojitet skuadrës. MALOTA – Largon çdo top të mundshëm në ajër duke fituar të gjitha dyluftimet. Gabimi i vetëm, te goli që pësoi Kukësi. PROGNI – Ndeshet si luan i vetëm në mesfushë dhe tenton disa herë që ta vërë në alarm mbrojtjen vendëse. I vlefshëm. MALINDI – Lëviz shumë mes mbrojtësve duke krijuar hapësira, por është shumë larg portës dhe nuk rrezikon qoftë edhe një herë të vetme. ALLMUÇA – Digë e vërtetë. Pozicional dhe një frymëzues në mesfushë. KARABECI – Lufton për çdo top, duke sakrifikuar jashtëzakonisht shumë, por gabon në ndërhyrje aq sa arbitri ia fali kartonin e dytë të verdhë. HOXHA – Tenton gjithnjë të marrë krahun dhe të mbyllë mesfushorët vendës. I kudogjendur. ALIKAJ – Bën pak në mesfushë, kjo edhe për shkak të presionit që ka nga kundërshtari. POPOVIÇ – Hyn në lojë dhe rrezikon menjëherë. Tenton të marrë faulle dhe të mbajë sa më shumë topin. MANUKA – Luan vetëm disa minuta duke u munduar që më shumë sesa forcën fizike, të përdorë zgjuarsinë dhe bën mirë. MZIU – Pa vlerësim. U fut vetëm disa sekonda nga vërshëllima e fundit. Cungu: Sukses i pabesueshëm Armando Cungu do të mbahet mend gjatë në historinë e futbollit shqiptar, sepse është trajneri i skuadrës së parë të vendit tonë që kalon tri turet paraeliminatore në Ligën e Europës. “Ju mund të mos e dini që ne kemi shkruar historinë në Shqipëri, por e vërteta është kjo: ne kemi bërë atë që s’e ka bërë askush tjetër në vendin tonë”, – u ka thënë Cungu dje gazetarëve ukrainas. Më pas ai tregohet i ndershëm kur thotë se Metalurgu luajti më mirë dhe rrezikoi ta çonte ndeshjen në shtesë. Si ju duk skuadra e Metalurgut? Shumë e vështirë. Unë e kisha thënë edhe para ndeshjes se Metalurgu është një ekip me nivel dhe se ishte favorit në çdo moment ndaj nesh. A nuk ju duket se e tepruat shumë me simulimet? Pashë përplasje të forta në fushë dhe ishte logjike që të merreshin masat e duhura. Cili ishte momenti më i vështirë i kësaj sfide? Dikush mund të thotë se ishte momenti kur mbetëm me 10 lojtarë, por në fakt mendoj se ishte momenti pas pësimit të golit. Në raste të tilla ekipet pa eksperiencë tronditen psikologjikisht. Ç’do të thotë për ju të eliminosh Metalurgun? Historike. Metalurgu është një ekip shumë i mirë dhe me shumë traditë. Çfarë i thatë skuadrës në pushim të ndeshjes? Para se të hyjmë në fushë u thashë djemve që të luajnë fort në këtë ditë Bajrami, sepse është një ditë paqeje dhe sakrifice. U thashë të sakrifikojnë për gjithë Shqipërinë. Sot shqiptarët kanë marrë një lajm të madh dhe mjaft të gëzueshëm. Lojtarët, stafi dhe drejtuesit u shndërruan në legjenda dhe unë nuk e kisha besuar kurrë se do të mbërrijmë deri këtu. Lojtarët e mi janë profesionistë, të shkëlqyer, që ditën të nderojnë veten, drejtuesit, ekipin dhe kombin. Sa ndikoi kartoni i kuq? Unë mendoj se u zhvillua një lojë mjaft e fortë, por ne u mbrojtëm mirë. Nuk duhet të kalonim në eufori, kartoni na ndëshkoi disi, por ia dolëm. Starova në delir: Kukës legjendar, ëndrra vazhdon Sulejman Starova është një nga arkitektët e këtij Kukësi rekordesh. Drejtori teknik ka një meritë të padiskutueshme në sukseset e Kukësit, duke vepruar shpesh në hije edhe si një regjisor për ndërtimin e skemave, apo edhe për filozofinë e lojës. I “dehur” nga gëzimi, dje Starova ka udhëtuar drejt aeroportit pas ndeshjes me pantallona të shkurtra, por ndërkohë mbante të veshur xhaketën… Vlerësimi Sulejman Starova e ka konsideruar si arritjen më të madhe në karrierën e tij kualifikimin e Kukësit në fazën “play-off” të Ligës së Europës. “Po, kjo është realisht një arritje e madhe, një kualifikim i paparë. Ky është suksesi më i madh i karrierës sime si drejtues, qoftë si drejtor teknik dhe si trajner! – ka thënë Starova për “Panorama Sport”. – Si asnjëherë tjetër, ndihem shumë krenar, sepse askush s’e besonte se do të shkonim deri këtu. Kemi luftuar shumë dhe kemi sakrifikuar shumë. Meritë për këtë arritje të jashtëzakonshme kanë që nga i pari, që është presidenti, e deri te punëtori i fushës. Quajeni një Kukës legjendar. Nuk di ç’të them, nuk e prisja një sukses kaq të madh. Megjithatë, treguam se e merituam, luajtëm pastër dhe eliminuam një ekip si Metalurgu me diferenca të theksuara në buxhet, në organizim dhe në traditë. Të mos harrojmë se Kukësi është debutues në këtë kompeticion dhe nuk kishte traditën e ukrainasve. Kjo është një natë e paharrueshme dhe ky është Kukësi që donim! Ne vazhdojmë të ëndërrojmë…”, – ka thënë Starova. Gjici: Kukësi im, krenaria e Shqipërisë Minutat shtesë të takimit të djeshëm kanë qenë ndër më emocionueset për presidentin e Kukësit, Safet Gjici. Ankthi që kishte pushtuar kreun e klubit më pas u kthye në një festë, teksa u dëgjua pas 6 minutash vërshëllima e gjyqtarit turk. Pak para futjes në avion për kthimin drejt Shqipërisë, Gjici tregoi për “Panorama Sport” emocionet e përjetuara pas suksesit historik. “Nuk kam pse ta fsheh, kjo është arritja më e madhe e jetës sime. Është gëzimi më i madh për familjen time, Kukësin dhe gjithë Shqipërinë. Ne, sot (dje) kemi bërë krenar çdo shqiptar. Skuadra ka bërë një paraqitje të shkëlqyer deri më tani dhe unë kam qenë gjithmonë optimist. Kam inkurajuar stafin dhe lojtarët, duke besuar se do ecnim në këtë rrugë si nuk ka shkuar askush më parë. Nuk ka asnjë diskutim, Kukësi është më i suksesshmi në historinë e futbollit shqiptar në Kupat e Europës. Sapo përfundoi ndeshja më kanë ardhur me qindra mesazhe, madje edhe nga njerëz publikë në Shqipëri. I falënderoj nëpërmjet gazetës suaj atyre që nuk kam mundur t’u kthej dot një përgjigje. Jam shumë i lumtur pas kësaj arritjeje spektakolare”, – ka thënë fillimisht Gjici. Thirrja Në vijim të deklaratës, presidenti Gjici i ka bërë thirrje kreut të shtetit, zotit Bujar Nishani, që të japë një urdhër të veçantë klubit të Kukësit pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm. “Së pari, më duhet të them se presidenti i FSHF-së, Armando Duka, na ka premtuar një shpërblim prej 100 mijë eurosh, që shpresoj ta marrim. Falënderojmë edhe Presidentin e Republikës, zotin Bujar Nishani, pasi ky sukses i dedikohet edhe atij. Presim një urdhër të veçantë nga zoti president, por në të njëjtën kohë i bëj thirrje qeverisë që të na ndihmojë. Kemi shpenzuar shumë në këtë periudhë”, – përfundoi kreu i klubit kuksian, i cili tashmë bëhet i pari president që shënon një arritje kaq të madhe në Kupat e Europës, madje që në debutimin e tij në elitën e futbollit. Kapiteni Hallaçi i dhuron bluzën gazetares ukrainase “Ky kualifikim është për gjithë Shqipërinë dhe veçanërisht tifozët kuksianë, të cilët sot besoj se e kanë djegur në qytet duke festuar suksesin tonë. Ishte një lojë me shpirt, nuk mund të bënim më tepër. Mendoj se e merituam, edhe pse u vumë shumë në vështirësi. Kur mbetëm me 10 lojtarë gjërat u bënë më të vështira, por ia që në fund ruajtëm rezultatin. Vendosja në fushë e skuadrës ishte perfekte, ne nuk duhet të kalonim në aventurë. U treguam të kujdesshëm dhe nuk pësuam më shumë se një gol”, – ky është reagimi i kapitenit të Kukësit, Rrahman Hallaçi, pas ndeshjes së djeshme. Mbrojtësi i dhuroi një gazetareje ukrainase bluzën e Kukësit, në shenjë mirënjohjeje pas këtij kualifikimi. Pritja e ukrainasve ka qenë mbresëlënëse, madje vetë tifozët e paktë të Metalurgut kanë duartrokitur ekipin e Kukësit. “Tani mezi presim të festojmë në Shqipëri. Besoj se i kemi bërë krenarë të gjithë tifozët pas këtij kualifikimi. Ëndrra jonë vazhdon, të shpresojmë për një tjetër arritje tashmë”, – përfundoi kapiteni Hallaçi. Halili: Bëmë historinë në Europë Argent Halili edhe dje ka bërë mrekullinë. Portieri i Kukësit u shndërrua në shpëtimtarin numër një për skuadrën e tij mbrëmjen e kaluar në Donjeck. Gardiani 30-vjeçar vazhdon të befasojë, duke u kthyer me të drejtë në një hero për tifozët veriorë, por jo vetëm. Vlonjati i portës është shprehur më shumë se i lumtur për këtë arritje, duke e cilësuar këtë si ditën më të madhe jo vetëm në historinë e Kukësit, por për mbarë futbollin shqiptar. Katër gola të pësuar në 6 ndeshje të Ligës së Europës dhe një penallti e pritur që i dërgoi kuksianët deri në turin e tretë. Mirëpo, portieri shfaqet modest, duke ia kaluar një pjesë të meritës edhe shokëve të ekipit, e sidomos prapavijës. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” pas këtij takimi, ai ka komentuar kualifikimin në fazën “play-off”, por edhe mënyrën se si shkoi loja kundër Metalurgut. “Kjo është një ditë e madhe. Ka për t’u mbajtur mend gjatë, pasi është një arritje unike për futbollin shqiptar dhe mbi të gjitha për Kukësin tonë. U munduam të ruajmë rezultatin, dhe ia dolëm. Absolutisht nuk e kishim të lehtë, por falë dëshirës së madhe ne do kthehemi në Shqipëri me rezultatin që të gjithë dëshironim. Mungesat dhe kartoni i kuq që mori Malindi na shkaktuan pak ankth dhe na rënduan disi. Por ne nuk u dorëzuam dhe hodhëm këtë hap historik”, – tha numri një i portës së Kukësit. Më tej Halili nuk mundi të mos lëshonte një lumë falënderimesh për të gjithë protagonistët e këtij suksesi. “Falënderoj të gjithë tifozët që na përkrahën dhe besuan te ne deri në fund. Kjo është dita e Kukësit. Nuk mund të mos përmend presidentin Gjici, stafin teknik dhe shokët, pasi kjo është arritja jonë. Kam marrë me qindra mesazhe urimi, të cilat më kanë shtuar edhe më shumë lumturinë për këtë sukses. Faleminderit!”, – kështu e përmbylli fjalën e tij heroi i portës kuksiane, Argent Halili. Malindi del me të kuq dhe rrëzohet nga barela Në minutën e 74-t ka ndodhur një episod, të cilin nuk e kanë kapur as kamerat gjatë transmetimit të televizionit ukrainas. Sulmuesi i Kukësit, Enco Malindi, teksa ishte duke dalë me barelë jashtë fushës, në momentin kur ka kthyer kokën nga arbitri dhe ka parë kartonin e kuq, është rrëzuar në tokë bashkë me punëtorët e stadiumit. Ky moment, përveç dëshpërimit të lojtarit, ka shkaktuar edhe ilaritet në stadium, pasi nuk u rrëzua vetëm Malindi, por edhe punëtorët që mbanin barelën. Gjithsesi, për vetë futbollistin, i rëndësishëm pas këtij suksesi është kualifikimi. “Më vjen keq që e lashë për gati 20 minuta me një lojtar më pak skuadrën. Ndërhyrja ime ndoshta duhej ndëshkuar, por edhe mund të tolerohej në atë moment. Jam shumë i lumtur që shokët arritën ta mbanin rezultatin 1-0. I falënderoj të gjithë dhe shpresoj që ky episod të mos më përsëritet më. Kualifikimi historik fshin gjithçka”, – është shprehur Malindi për gazetën. otivim dhe festë, ja orët para ndeshjes Dita e kuksianëve dje ka nisur me mëngjesin e zakonshëm dhe një shëtitje për çlodhje në qendër të qytetit të Donjeckut. Lojtarët preferuan të vizitonin një qendër tregtare, ku shiten materiale sportive të markave të njohura në Europë. Kjo shëtitje më shumë u shfrytëzua për “shopping”. Ndërkohë, para se të shtrohej dreka, presidenti Safet Gjici dhe dy zëvendëspresidentët e klubit, Bashkim Gjoka dhe Flamur Hoxha, takuan skuadrën. Motivimi - “Dua një kualifikim jo për Kukësin, por për të gjithë shqiptarët në këtë ditë të bekuar të Fiter Bajramit. Ju keni forca që të na fusni në historinë europiane të futbollit. Të luajmë qetë dhe pa u ngarkuar me stres dhe emocione. Sot shpresa dhe sytë e shqiptarëve janë te ne në Ukrainë. Të fluturojmë me lajmin e madh të kualifikimit”, – ka thënë ndër të tjera presidenti Gjici para lojtarëve. Ndërkohë, Flamur Hoxha ka shprehur gjatë gjithë kohës bindjen e palëkundur se ekipi do kualifikohet. Edhe zëvendëspresidenti tjetër, Bashkim Gjoka, ndër të tjera, para skuadrës deklaroi: “Nuk ndihem në jetën time më shumë i emocionuar se sa para ndeshjes me Metalurgun. Ju do të dini të na bëni krenarë dhe pas ndeshjes të festojmë së bashku”. Tifozët - Edhe grupi i vogël i tifozëve që kanë ndjekur Kukësin, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në transferta të tjera, është bërë njësh me skuadrën. Agim Kraja, Dritan Gjana, Arjan Halili, Xhevahir Lita dhe ish-presidenti i parë i Kukësit, Lutfi Meçka, identifikohen lehtë nga simbolet kombëtare dhe ato të skuadrës, të cilat i mbajnë veshur. Grupit të tifozëve që kishin udhëtuar me çarter, në drekë i është bashkangjitur edhe Urim Gjana, një emigrant në Angli prej 15 vitesh. Emocionet dhe simpatia e madhe për ekipin e ka rrëmbyer edhe atë, si shumë tifozë të tjerë. Me qeleshe në kokë dhe flamurin kombëtar që e mban kudo me vete, ai është bërë pjesë e grupit në hotelin ku janë akomoduar ekipi dhe tifozët. “Kam fluturuar nga Londra dje në Kiev dhe këtu në Donjeck kam mbërritur me tren. Është një ditë e jashtëzakonshme për mua. Ekipi më mban gjallë, na bën krenarë të gjithëve sa jemi në Angli e kudo. Për Kukësin nuk marr parasysh asnjë shpenzim. Ne na mban në jetë ky ekip dhe duhet që ta mbështesim të gjithë. Flamuri ynë kombëtar dhe tanimë ai i Kukësit janë krenaria ime. Ata kanë vend në zemër dhe unë kudo jam me to. Uroj që Kukësi të kualifikohet. Ky ekip ka bërë mrekullinë. Këta njerëz që punojnë me futbollin dhe këta lojtarë janë heronj, janë krenari për Kukësin”, – pat thënë tifozi i ardhur nga Anglia pak orë para ndeshjes. Më pas, kur arbitri turk vërshëlleu për përfundimin e takimit në stadiumin e Metalurgut, ultrasi kuksian nuk u përmbajt, por u fut në fushë duke festuar si i çmendur me lojtarët dhe stafin teknik. Sali Berisha: Urime! Kukesi drejt zenitit Kryeministri ne detyre, Sali Berisha, nuk ka vonuar aspak per ta uruar Kukesin per suksesin e madh qe po shenon ne Ligen e Europes. Nepermjet faqes se tij ne facebook, Berisha ka nenvizuar: “Te dashur miq, ekipi i futbollit te Kukesit arriti ne play-off te Europa League. Fitore historike e ekipt te Kukesit dhe futbollit shqiptar. Le t’ju dergojme ne urimet me te perzemerta lojtareve te talentuar, kapitenit te sprovuar, trajnierit te shkelqyer dhe presidentit vizionar te skuadres se Kukesit qe me suksesin e tij çuditi futbollin europian. Suksese gjithnje me te medha Kukesit! Fitore te tjera!!! sb” Duka: Rezultate te rralla te Kukesit Permes Facebook-ut ka reaguar pas kualifikimit te Kukesit ne fazen e “play-off”-it te Liges se europes eshe presidenti i FSHF-se, Armando Duka. Ai ka nenvizuar: “Jam shume i lumtur sonte per kete rezultat te rralle te Kukesit. Nje kualifikim qe vlen si nje fitore jo vetem per skuadren e Kukesit, por edhe per te gjithe futbollin shqiptar. I uroj nga zemra suksese te metejshme per nje perfaqesim dhe promovim sa me dinjitoz te futbollit shqiptar ne Europe. Nje urim te vecante presidentit Gjici per kete rezultat!” De Biazi: Urime Kukësi, forcë idesh e jo rastësi Trajneri i kombëtares kuqezi, Xhianni De Biazi, vlerëson arritjet e Kukësit, që dje vulosi historinë në futbollin shqiptar, duke u renditur si e para skuadër shqiptare që kalon tri ture në një kompeticion europian. De Biazi shkruan në Facebook se fitorja e ekipit të Kukësit është rezultat i ideve dhe jo rastësi. “Urime Kukesi!!! La forza delle idee… Nulla avviene per caso! (shqip) Urime Kukësi. Forca e ideve … Asgjë nuk ndodh rastësisht”, – shkruan trajneri i kombëtares shqiptare. Edhe pse vlerësimet e De Biazit për cdo fitore të Kukësit në rrjetin social nuk kanë munguar, personalisht trajneri italian që drejton kuqezinjtë shqiptarë nuk ka ndjekur në stadium asnjë lojë të ekipit verilindor. FSHF, 100 mije euro premio Kukesit Suksesi i Kukesit, i cili megjithese ka humbur ne takimin e dyte me Metalurg Donjeck, ka arritur te kualifikohet ne fazen play-off, eshte pershendetur dhe vleresuar edhe nga institucioni i futbollit shqiptar. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur qe ta shperbleje skuadren e Kukesit per kualifikimin e saj historik, i paarritur deri me tani nga asnje skuader shqiptare. Organizmi me i rendesishem i futbollit shqiptar, duke vleresuar paraqitjen qe skuadra kuksiane ka bere ne edicionin e sivjetem te ketij kompeticioni, ka vendosur nje shperblim prej 100 mije eurosh ne dispozicion te skuadres. Vleresimi eshte dhene per paraqitjen e shkelqyer qe skuadra ka bere, duke perfaqesuar vlerat me te mira te futbollit shqiptar. Presidenti Gjici, premio 200 mijë euro “Nëse do të kalohet edhe ky tur, do të merrni 200 mijë euro shpërblim”. Ky ishte premtimi që presidenti i Kukësit, Safet Gjici, u kishte bërë futbollistëve. Tashmë, pas fitores 2-0 në takimin e parë dhe humbjes 1-0 në kthim, Kukësi kualifikohet dhe mbush sërish xhepat. Për kalimin e turit të dytë ndaj Sarajevos, lojtarëve iu shpërnda 100 mijë euro premio nga klubi. Stadiumi një problem, UEFA vendos për Kukësin më 13 gusht Kalimi i Kukësit në fazën “play-off” ka habitur edhe vetë organizmin më të lartë të futbollit europian. Në një kohë që kontrollet në stadiumet e shteteve të Europës bëhen disa kohë më parë, për të parë nëse plotësohen standardet për fazën “play-off” të Ligës së Europës, ka ndodhur e kundërta me Shqipërinë. Inspektorët e UEFA-s nuk kanë bërë ende kontrollin për sa i përket stadiumit “Qemal Stafa”, aty ku Kukësi ka zhvilluar deri më tani ndeshjet e turit të parë, të dytë dhe të tretë të Ligës së Europës. Kalimi në fazën “play-off” do të thotë kushte të tjera, mirëpo në vendin tonë asnjë nga stadiumet nuk i përmbush. Kësisoj, Kukësi rrezikon që të mos e zhvillojë ndeshjen e radhës në Europë brenda territorit shqiptar. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, shefi i licencimeve në FSHF, Elton Gjipali, tregoi se UEFA pritet të inspektojë stadiumin “Qemal Stafa” më 13 gusht dhe më pas të marrë një vendim. “Nga sa jemi informuar, një inspektor i UEFA-s do të vijë më 13 gusht në Tiranë. Këtu do të ndahet gjithçka, pra nëse do të luhet faza ‘play-off’ në ‘Qemal Stafa’ ose jo. Ne presim që Kukësi të luajë edhe në këtë tur, ndërsa për fazën në grupe, gjithnjë nëse kalon, është shumë më e vështirë”, – tregon Gjipali. Tashmë shpresat janë që edhe këtë herë UEFA të bëjë një tolerim, ashtu si ka ndodhur në të kaluarën me stadiumin “Qemal Stafa”, ku zhvillon ndeshjet Kombëtarja shqiptare. Situata në impiantet që konsiderohen si më të mirat në Shqipëri është për të ardhur keq, pasi nuk plotësohen kriteret e UEFA-s për ndeshje të nivelit të lartë në Kupat e Europës. Nga Ukraina, JONUZ HALLAÇI
Posted on: Fri, 09 Aug 2013 17:18:25 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015