E varfra Mafia! Nuk ka më kantiere të mëdha që tu zhvatësh - TopicsExpress



          

E varfra Mafia! Nuk ka më kantiere të mëdha që tu zhvatësh përqindje. Janë bllokuar punët e mëdha publike prej nga mund të vjelësh me nënkontraktorë dhe shantazhe. Tregtarët i kanë arkat bosh dhe është e kotë të ngulësh këmbë për gjobën. Po, tashmë kriza ka goditur edhe mafian. Të paktën bazën e ushtarëve, sepse shefat, me këtë krizë janë të vetmit që arrijnë të nxjerrin përfitime ekonomike. Por ama ushtria e mafias, të vegjlit, nuk kanë kokërr paraje në xhep: Familjet e të burgosurve nuk marrin më ndihmat e duhura dhe të gjithë duhet të shtrëngojnë rripin. Për herë të parë në historinë e vet shekullore, populli i Koza Nostrës në Palermo ndodhet në vështirësi ekonomike. Ja që duhej recesioni, për të gjunjëzuar mafiozët. Deri tani, fatkeqësitë kombëtare si lufta, tërmetet e përmbytjet ishin shndërruar në raste të arta përfitimesh. Por këta muaj, gjendja sa vjen e rëndohet. Sepse ndërkohë që nivelet e ulëta mezi kapin fundin e muajit, kumbarët vazhdojnë të jetojnë në luks. Dhe kjo gjë rrezikon murin e besnikërisë që garanton fuqinë e organizatës mbi territorin: Gjeneralët trokasin gotat me shampanjë dhe vijnë vërdallë me makina të cilindratave të mëdha, ndërsa ushtarët nuk paguajnë dot siguracionin e makinës dhe detyrohen të vrasin mendjen për të dalë nga situata. Rrobat që veshin, janë të vjedhura nga dyqanet apo nga furgonët e shpërndarjes; vjedhin rrymën elektrike ose pushojnë së paguari faturat, të bindur se askush nuk do guxojë të vijë e të shkëpusë korrentin në lagjet e tyre gjithnjë e më shumë të braktisura edhe nga administrata lokale. Të vegjlit po kanibalizojnë qytetin: Çdo ditë zhduken kilometra të tërë kabllo bakri, duke lënë edhe qendrën pa drita; fenerë e shtylla prej gize shkulen nga rrugët, trokitëse prej bronzi zhduken nga dyert e banesave për të fituar ndonjë euro në tregun e zi. Në provincë, vjedhja e gjedhëve është rikthyer fuqishëm si një biznes me leverdi: Çuarja e bagëtive nëpër therrtore klandestine sjell mijëra euro fitim. Dhe bosët, gjithnjë e më shumë mbyllin njërin sy ndaj vjedhjeve, grabitjeve e hajdutllëqeve të vogla që kryejnë anëtarët e varfër: Krime këto që po shohin një boom të vërtetë edhe në Palermo. Por që dobësojnë rëndshëm besimin tek mafia si një garante e sigurisë urbane. Me fjalë të tjera, ka rrezik që autoriteti i Koza Nostrës të shpërbëhet për faj të mungesës së të hollave. Reforma financiare e klaneve Për këtë arsye, kumbarët me një fije mend kanë vendosur të bëjnë njëfarë reforme financiare. Me një synim të dyfishtë: Të zgjidhin problemet praktike të njerëzve të nderuar dhe të rifitojnë besimin e popullatës. Linja strategjike është ajo e ideuar nga Mateo Mesina Denaro, i arratisuri i kërkuar prej 20 vitesh dhe padyshim ekonomisti më i zotë i mafias. Që prej disa vitesh më herët ai u sugjeroi palermitanëve të mos u bënin presion dyqanxhinjve, për gjoba që nuk mund të paguheshin. Dhe të fokusoheshin tek biznesi i menaxhimit direkt të kokainës. Sot, tre hetime konfirmojnë se këshillat e tij janë marrë parasysh. Hetimet e kryera nga karabinierët e Komandës Provinciale të Palermos, që muajt e fundit kanë arrestuar me urdhër të magjistraturës rreth njëqind mafiozë, tregojnë sesi grupet mafioze kanë rishikuar zërin e shpenzimeve në buxhet. Duke iu rikthyer bizneseve të së kaluarës, në boshtin e Amerikës së Veriut dhe të Jugut, për të fuqizuar sërish importin e drogës. Ndihma sociale e krimit Modeli i mbijetesës u zbatua së pari nga kapoja i fundit i lagjes Porta Nuova, një prej klaneve më të rëndësishme të Palermos, ai i Vitorio Manganos (i përmendur edhe në një histori me vilën Arkore të Berluskonit, nëse ju kujtohet). Në krye të klanit, dy vjet të shkuara u emërua një bos i ri, 39 vjeçari Alesandro DAmbroxhio, sipërmarrës funeralesh, i arrestuar pak javë më parë. DAmbroxhio nuk është se hoqi dorë nga luksi: Pas disa vitesh burg, i lejoi vetes disa lezete, përfshirë një jaht të bukur në molin e Arenelës dhe një kantinë pijesh ku nuk mungon kurrë furnizimi me Moët&Shandon. Por stili i tij luftarak e i guximshëm fitoi respektin e mafiozëve me ndikim të tetë rajoneve në të cilat ndahet qyteti. Ka qenë gjithnjë në vijën e parë të çdo manifestimi popullor në sheshe kundër arrestimeve të kapove mafiozë, e po ashtu në çdo festë fetare a celebrim shenjtorësh lokalë: të gjithë i kërkonin leje për të shitur cigare kontrabandë, një aktivitet ky në rritje të shpejtë, apo për të vendosur bango me ushqime ambulante në rrugë. Një sistem, siç ka shpjeguar i penduari Fabio Trankina (besnik i masakruesit Xhuzepe Graviano), që shërben për ta kuptuar të gjithë se bosi është padron i territorit dhe për gjithçka duhet leja e tij. Për tu përballur me krizën, DAmbroxhio adoptoi stilin e të nderuarve të njëherë e një kohe, dhe u vu në dispozicion të ushtarëve dhe familjeve të të dënuarve. Përgjimet e karabinierëve regjistrojnë një ndërhyrje të tij për ti gjetur shtëpi birit të një të burgosuri që ka probleme të dukshme ekonomike. Bosi vihet në lëvizje, por djaloshi ankohet se banesa e re nuk është në lartësinë e kushteve që kishte e mëparshmja. Dhe kjo ankesë shkakton shpërthimin e DAmbroxhios, që pasi e thërriti veçmas çunakun, ja bëri të qartë të mos sillej më kështu; se duhej ta falenderonte dhe të kuptonte se janë kohë të vështira për të gjithë. Në zyrën e tij të kryemafiozit në një firmë funerale në lagjen Balaro, çdo ditë kishte pritje me popullin e vet. Një arradhë ankimtarësh që qante hallet e përditshme dhe sherret mes njëri-tjetrit. Dhe ai që me durim, kërkonte një zgjidhje për secilin, duke evituar grindjet e dhunshme. Sipas karabinierëve, ky aktivizëm i kumbarit kishte një qëllim praktik: Të ulte rrezikun e denoncimeve për gjobat mafioze, çka do sillte reagim policor e gjyqësor, dhe sidoqoftë ta mbante nën kontroll territorin. Një aktivitet që nëse në pamje të parë duket dytësor, ka një synim strategjik e afatgjatë: Në një kontekst urban krize, papunësie e problemesh sociale, duhej që qytetari të shikonte tek mafiozi një pikë referimi për zgjidhjen e problemit të tij. Për hetuesit, ky element nuk është për tu nënvlerësuar, pasi nëse mafia shihet si një njësi e aftë të zgjidhë probleme, nuk konsiderohet më element shtypës dhe zhvatës, por si një aleat i vlefshëm në kohë të vështira. Dhe në këtë pikë, ai që humbet është shteti. Jo më gjoba Sektorët e parë që ndjenë krizën janë ndërtimi dhe tregtia, këta rezervuarë të mëdhenj fitimesh për mafian. Kantieret tani janë bosh, shumë aktivitete tregtare janë mbyllur dhe dyqanxhinjtë gjenden buzë falimentit. Shumë klane mafioze e kanë reduktuar taksën që u kërkonin dyqaneve për ti mbrojtur, nga tre në dy këste vjetore; tani pretendojnë gjobën e Pashkëve dhe Krishtlindjeve, por jo të Shën Mërisë së gushtit. Mafia nuk heq dorë nga kjo gjobë, sepse ajo dëshmon pushtetin dhe praninë në territor. Por ka kohë që mafiozët në Palermo druhen të vënë në zbatim kërcënimet ndaj viktimave, pasi këta të fundit, të drobitur nga taksat dhe borxhet, janë gati të denoncojnë. Madje, viktimat gjejnë mbështetje edhe tek shoqatat antigjobë, apo tek ndihma shtetërore ndaj atyre që kanë pësuar sulme mafioze. Në këtë pikë, DAmbroxhio dëshmohet një bos largpamës, duke përdorur metoda tradicionale për ndërtimin e së ardhmes. Ai e përballon mungesën e parave nga ky sektor, me afera të mëdha në trafikun e drogave, paratë e të cilave shpesh i riinveston në aktivitete pak a shumë legale; por mbi të gjitha ruan një profil të ulët, duke reduktuar në maksimum rrezikun nga denoncimet e qytetarëve ndaj gjobave. Njëherësh, ai fiton konsensusin dhe besimin e popullatës duke shtuar kësisoj forcën e organizatës, shpjegojnë hetuesit. Madje, me këtë farë sistemi të ndihmës sociale, DAmbroxhio rriti edhe prestigjin personal. Deri aty sa gjithnjë e më shumë, i drejtoheshin atij edhe persona jashtë zonës së Porta Nuovës. Dhe bosi nuk thoshte kurrë jo, duke lënë të kuptohej se ishte gati të merrte përgjegjësi edhe tej kufijve historikë, diçka që në të shkuarën nuk kishte ndodhur. Ky është konfirmimi, thonë hetuesit, se ai ishte pikë referimi për të gjitha klanet e qytetit. Kthim tek koka Këto njëzet vitet e fundit, siçilianët e kishin lënë pas dore trafikun e madh të drogës, duke krijuar hapësira për kalabrezët dhe napolitanët. Ishte shumë e rrezikshme, si për transportin edhe për shpërndarjen. Ndaj preferuan shfrytëzimin e tenderave publikë, përqindjet nga bizneset dhe ndërtimet. Ama tani drogat rikthehen si burim kryesor fitimi, teksa mafia po rishtie në dorë rrugët ndërkombëtare dhe pikat e shitjes. Koza Nostra po kthehet në kontrollin e gjithë linjës së narkotrafikut, pikë së pari të furnizimit: Nga Amerika e Jugut (përmes gadishullit Iberik), veçanërisht Peru, Bolivi e Kolumbi për kokainën, nga Afrika e Veriut për hashashin; të tjera substanca psikotike nga Kanadaja. Sipas të dhënave të karabinierëve, klani palermitan i Porta Nuovës ka bërë marrëveshje me familje të tjera siçiliane, për të filluar nga Maxara del Valo në provincën e Trapanit. Pikërisht prej këtej, lundrojnë peshkarexhat që shërbejnë edhe për transportin e ngarkesave të miellit, që më pas përzihen nëpër gjithë ishullin. Agjentët e antidrogës në Palermo kanë verifikuar se në qytet mbërrin kremi i kokës, që më pas përpunohet dhe ndahet në racione, në mënyrë që të shtohen fitimet. E blerë me çmim të ulët nga prodhuesit, droga mund tu sjellë mafiozëve që e shpërndajnë një fitim deri 300 herë vlerën e investimit. Dhe pas dekadash, janë rikthyer në funksion edhe rafineritë. I penduari Andrea Bonakorso ka treguar njërën syresh, në një vilë midis fshatrave të Altavila Milicias dhe Kasteldaçias në hyrje të Palermos; një tjetër u zbulua nga hetuesit në Vilabate. Dhe një e tretë në Vilagracia, në zemër të mbretërisë së dikurshme të Stefano Bontades, i cili me heroinën themeloi në vitet 70 perandorinë moderne të Koza Nostrës, para se kjo të shkërrmoqej nga korleonezët. Një paradoks: Laboratori kriminal ndodhej në një vilë që i ishte konfiskuar pikërisht një mafiozi të klanit të Bontades. Banesa, që i përkiste komunës së Palermos, kishte mbetur e braktisur dhe tregtarët e rinj e futën në punë. Edhe një herë droga po lidh dy brigjet e oqeanit, sidomos Kanadanë dhe Bagerian. Në qytezën siçiliane, shtatorin e kaluar kishte gjetur strehë një eksponent i njohur i Koza Nostrës kanadeze nga familja Rixuto: Huan Ramon Fernandez Paz, i dëbuar nga vendi i tij pasi kishte kryer dhjetë vjet burg. Në Bageria, ai i ishte rikthyer punës, por e vranë në fushat e Kasteldaçias. Ndoshta urdhri erdhi nga Kanadaja, pasi Fernandez paskësh organizuar një rrjet të pavarur furnizimesh me Kanadanë dhe Amerikën e Jugut, me ndihmën e palermitanëve. Ky anashkalim i shefave të vjetër, u shpërblye me plumb. Ura e Bruklinit Kriza po rigjallëron edhe lidhjet me Koza Nostrën amerikane. Nga hetimet e karabinierëve del një episod kuptimplotë për raportet mes palermitanëve dhe klanit historik njujorkez të Gambinove. Çështja ka të bëjë me një mafioz të vjetër, Salvatore Lombardo, i cili pas njëzet vjetëve u kthye për pak ditë në fshatin e vet, Montelepre, thjesht për të zgjidhur disa burokraci. Burri kërkonte të merrte njëfarë çertifikate nga familja e tij mafioze, që do ti mundësonte përfitimin e një ndihme në SHBA. Po, kumbarët e bregut atlantik, për të evituar dukurinë e të penduarve, garantojnë një pension për anëtarët e vjetër, mjaft që të kenë letrat në rregull. Kështu Lombardo i dha kryemafiozit të Montelepres një letër nga Gambinot e Nju Jorkut. Në këtë letër kërkohej garancia për cilësitë e burrit të nderuar Salvatore Lombardo, e pastaj konfirmimi i faktit që ishte shkëputur nga familja e Montelepres, për tu atashuar pastaj formalisht në Nju Jork. Një çështje themelore e burokracisë mafioze: Nuk mund të jesh anëtar i dy klaneve njëherësh. Kështu rezultoi se ekzistonte një institucion i mirëfilltë pensionesh të menaxhuar nga Gambinot, që si çdo dikaster serioz, nuk mund të të japë ndihmë po si pate letrat në rregull. Kësisoj, pa dëshminë e familjes, as mafiozët veteranë nuk kanë gjë në vijë. Rithemelimi rural Një tjetër efekt i gjendjes ekonomike është zhvendosja e boshtit të pushtetit drejt fshatit, aty ku Koza Nostra ende qeveriset me rregullat antike. Hetimet vënë re sesi mafia fshatare mbetet e fokusuar mbi një ekonomi bujqësore-blegtorale, ku vlerat më të çmuara janë toka dhe respekti i komunitetit rrethues; kjo formulë propozohet sërish si një antishtet i vërtetë: Grindjet private zgjidhen përballë shefit të mafias, që është gjykatësi. E kjo lloj mafieje është mjaft e ndryshme dhe e dallueshme nga ajo e qytetit. Përgjimet tregojnë, në fakt, distancën e qartë mes qytetit dhe provincës. Në zonën mes Altofontes dhe San Xhuzepe Jatos, dikur feud i Bernardo Bruskës, sot mafiozët thonë me palermitanët as që duam të bëjmë fare, duke dëshmuar një hendek të thellë kulturor në historinë e mafias. Madje, është krijuar një zonë e re, e madhe influence që përfshin shumë fshatra. Organizata duket se ka shpluhurosur ekuilibret e vjetra, duke i nderuar bosët e vjetër që dalin nga burgu, si garantë të respektit dhe traditave. Dhe me krizën, ringjallet edhe një aktivitet arkaik, që sërish rezulton fitimprurës: Vjedhja e bagëtive. Ky lloj krimi, prej disa vitesh është deklasifikuar si vepër penale; rrezikon vetëm gjobë. Kështu, me qindra krerë bagëti grabiten nga stallat dhe çohen nëpër therrtore ilegale ose u bashkohen bizneseve rurale të bosëve. Vetëm vjedhjet e dokumentuara nga karabinierët këto muajt e fundit, flasin për 250 krerë gjedhë, me vlerë 300 mijë euro. Ndërsa shantazhet dhe paralajmërimet po përhapen në të gjitha ato territore ku ekzistonin grupimet bandite mafioze. Pakkush e mban mend: Në vitet 50-të, ishte pikërisht tregtia e bagëtive të vjedhura ajo që sinjalizoi lindjen e epopesë korleoneze të Toto Riinës dhe Bernardo Provencanos. Sot, Koza Nostra tenton të rifillojë aty ku pat nisur gjithçka.
Posted on: Mon, 02 Dec 2013 13:20:04 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015