E verteta e pavaresise! 28 Nentori Njeriu është krijuar për të - TopicsExpress



          

E verteta e pavaresise! 28 Nentori Njeriu është krijuar për të jetuar i lirë dhe i pacënuar. Ai në vetvete është një qenie sociale që ka nevojë të jetojë, veprojë, të marrë e të japë brenda një bashkësie me të drejta të plota. Liria pra është një e drejtë themelore që i përket çdo kujt. Nga liria e individit rrjedh dhe sovraniteti i një kombi. Çdo bashkësi, popull apo shtet duhet të gëzojë të drejtën për të vendosur në mënyrë të lirë dhe të pavarur çështjet dhe fatet e veta. Data e 28 nëntorit, ne muslimanëve shqiptarë na kujtojnë pikërisht këtë thelb. Na kujtojnë lirinë dhe sovranitetin, për të cilat duhet të falënderojmë Zotin tonë, Allahun e Lartësuar, i Cili na bëri të mundur të gëzojmë lirinë e të jetojmë të pavarur. Allahu i Madhëruar në Kuranin famëlartë na përmend mirësitë e mëdha që u kishte dhënë Kurejshëve, banorëve të Mekës. Ai u kishte garantuar atyre të udhëtonin të lirë gjatë dimrit dhe gjatë verës. U kishte garantuar ushqim dhe siguri. Ata pra ishin të lirë dhe të pacenuar. Vërtet këto të dyja janë mirësi të mëdha, vlerën e të cilave e kuptojnë vetëm njerëzit e privuar prej tyre. Vendi dhe kombi ynë është cenuar padrejtësisht shumë herë në historinë e tij dhe ka kaluar vërtet drama të dhimbshme. Madje në shumë raste është vënë në pikëpyetje identiteti i tij kombëtar, derisa sot më në fund po shijojmë këtë liri të brishtë. Myslimanët shqiptarë e ndjejnë dhe e kuptojnë shumë mirë rëndësinë dhe domosdoshmërinë e lirisë, sepse përveç ferrit të diktaturës komuniste që u kishte hequr lirinë e fjalës ata qenë privuar nga liria e besimit. A ka krim më të tmerrshëm se të ndalosh njeriun të falënderojë lirshëm Zotin e tij. A ka padrejtësi më të madhe se të çrrënjosësh virtytet e larta fetare dhe morale? Vërtet privimi nga e drejta e fjalës, besimit dhe cenimi i të drejtave themelore të njeriut është robërim dhe skllavërim. Kalifi i drejtë musliman, Umer ibn Hattabi thotë: Që kur i robëruat njerëzit, dhe ata kanë lindur të lirë nga nënat e tyre?! Feja islame na mëson se të drejtat e njeriut janë të shenjta dhe se liria e njeriut është e pacenuar. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë (lirshëm) në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej krijesave.” El-Isra 70. Feja islame përveç se garanton të drejtat dhe lirinë e njerëzve, ajo fton për zhdukjen e skllavërisë. Për të parën herë, me shfaqjen e Islamit bota njohu bujarinë dhe shpirtgjerësinë e muslimanëve për të liruar skllavin nga robëria me vullnet të lirë pa asnjë përfitim. Për këtë arsye liria për muslimanin është aq e shtrenjtë. Andaj dhe ne si myslimanë për çdo vit 28-29 nëntori, dita e pavarësisë dhe e çlirimit na kujton mirësinë e madhe të lirisë, për të cilën duhet falënderuar Allahu. Këto data na kujtojnë mundin e madh të të parëve tanë, që dhanë aq shumë për këtë vend. Na kujton sakrificat, veprat, heroizmat dhe shërbimin e palodhur të patriotëve tanë. Na kujtojnë mençurinë dhe mundin e çmuar të hoxhallarëve të shquar shqiptarë që ndihmuan dhe nënshkruan pavarësinë e Shqipërisë. Nga ana tjetër duhet të ndërgjegjësohemi e të kuptojmë drejt realitetin e pavarësisë sonë si popull. Ndaj kujt e fituam ne pavarësinë? Kush kishte cenuar lirinë tonë dhe kush kërkonte asimilimin tonë? Po të shikohen faktet historike me objektivitet do të vërejmë që pavarësinë e parë ne si komb e kemi fituar me shfaqjen e osmanëve në Ballkan, gjë e cila shënoi fundin e sllavizimit të shqiptarëve dhe garantimin e ruajtjes së identitetit tonë kombëtar. Shqiptarët në trevat e tyre, para ardhjes së osmanëve, kanë kaluar në shumë sundime si ai bizantin, venedikas, bullgar, serb etj. Shqiptarët jo vetëm që nuk gëzonin autonomi të plotë, por vazhdimisht ishin nën procesin e asimilimit fetar dhe etnik. Për shembull, në kohën e Dushanit, kur ai u shpall car i serbëve dhe i grekëve, shqiptarët nuk përmendeshin askund, sepse konsideroheshin si barinj shëtitës, të cilët s’kishin të drejtë përfaqësimi etnik. Faktet historike dëshmojnë se osmanët nuk i robëruan shqiptarët siç ceket rëndomë në shumë libra të historisë. Përkundrazi, ndryshe nga sundimet para osmane, trevat shqiptare u futën nën zgjerimin e perandorisë osmane me të drejta të plota. Shqiptarët filluan të gëzonin privilegje në politikë. Më pas me përqafimin e Islamit nga shumica e shqiptarëve filloi zgjerimi demografik i tyre në aspektin kulturor, fetar dhe politik, gjë e cila nuk përkon me zgjedhën osmane të pretenduar as me politikën e sundimit, apo pushtimit të një vendi ose kombi. Madje më vonë një pjesë e mirë e Ballkanit që nga Greqia e deri afër Bosnjës ra në duart e pashallarëve shqiptarë. Ndërkohë, në kohën para se të vinin osmanët, trevat shqiptare po përjetonin shpërbërje territoriale dhe kolonizim të tokave të tyre me sllavë. Kurse vetë shqiptarët ishin duke u asimiluar gradualisht duke vënë në pikëpyetje serioze identitetin e tyre etnik. Rreziku i asimilimit dhe i sllavizimit të shqiptarëve u shfaq sërish me luftën e parë ballkanike. Shtetet e aleancës ballkanike me sulmet e rrufeshme kundër Perandorisë në Ballkan synuan përzënien e turqve nga Ballkani. Që para fillimit të luftës ballkanike, e cila nisi më (8 tetor 1912) Porta e Lartë mendonte ta ruante Shqipërinë si shtet autonom ne kuadër të saj. Kështu menduan dhe shpresuan shumica e shqiptarëve, mirëpo në momentin që plasi lufta ballkanike dhe u pa se lufta po humbiste në favor te serbëve dhe grekëve, Porta e Lartë i dha dritën jeshile shqiptarëve të merrnin në dorë frenat e trojeve të veta. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar çfarë të mundej nga pushtimet e aleancës ballkanike. Vetë aleanca i shikonte trevat shqiptare si plaçkë lufte që mund të bëhej çfarëdo me to. Aleanca synonte copëtimin e trojeve shqiptare dhe pasi pushtuan shumicën e tokave shqiptare kërkonte me çdo kusht shkombëtarizimin dhe asimilimin e shqiptarëve. Në viset shqiptare filloi të zbatohej konvertimi i fesë me dhunë. Masakrat serbe ishin nga më të dhunshmet, duke vrarë pa mëshirë, gratë, fëmijët, pleqtë dhe duke djegur e rrënuar fshatrat. Këto masakra u shoqëruan me shpërngulje masive të popullsisë. Në këto kushte, patriotët shqiptarë, përfshi këtu një numër të madh hoxhallarësh të shquar kur panë se Perandoria nëpërmjet garnizoneve ushtarake të mbetura nuk mund të siguronte më mbrojtjen e shqiptarëve dhe se trojet shqiptare po copëtoheshin, vendosën të shpallin pavarësinë. Ismail Qemali ka qenë vazhdimisht në kontakt me kryevezirin e Perandorisë, Kibrili Qamil Pasha, i cili personalisht i ka dhënë dritën jeshile shpalljes së pavarësisë. Pikërisht më 28 nëntor u nënshkrua në Vlorë akti i pavarësisë, që nënkuptonte formimin e shtetit të parë shqiptar. Me këtë synohej njohja e Shqipërisë nga fuqitë e mëdha si shtet më vete, gjë e cila do ta shpëtonte atë nga sllavizmi e greqizimi si dhe copëtimi i trojeve shqiptare. Nën këtë prizëm kuptohet qartë edhe nxitimi i Ismail Qemalit për të mbërritur në datën 28 nëntor në Vlorën e rrethuar nga anijet greke. Pra në thelb pavarësia e Shqipërisë, në kohën kur në trevat shqiptare po zhvillohej gjenocid i pastër, nuk ka lidhje me pavarësinë nga Perandoria, sepse ajo ishte vetë në shpërbërje e sipër. Pavarësia në vetvete shënoi formimin e shtetit të parë Shqiptar me të drejta të plota si shtetet fqinje. E lusim Zotin e Plotfuqishëm, ta përmirësojë gjendjen e kombit tonë për më mirë dhe të na i largojë të këqijat dhe sprovat prej nesh. Amin nga Une Musli Sahitaj
Posted on: Wed, 27 Nov 2013 22:44:44 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015