Elsa Ballauri, Kryetarja e Grupit Shqiptar për të Drejtat e - TopicsExpress



          

Elsa Ballauri, Kryetarja e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut Tranzicionin e bëjmë ne, nuk ekziston pavarësisht nga ne, është rrjedhoja e përpjekjeve apo indiferentizmit tonë. “Derisa jemi shoqëri primitive, krimi në familje do lulëzojë” Jakup B. GJOÇA Botuar te gazeta Telegraf, e premte 19 korrik 2013 Elsa Ballauri, Kryetarja e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, në intervistën për “Telegraf” shpjegon se shkaqet e dhunës dhe të krimit, sidomos në familje e kanë shkakun te varfëria, te pamundësia e jetës normale, te mosedukimi dhe nga mungesa e lumturisë. Sipas zonjës Ballauri, fatkeqësia madhohet, kur nuk njohim se ku jemi dhe nuk arrijmë të strukturojmë strategjinë për të ardhmen. Ndaj edhe nuk dimë të reagojmë. Dëmi më i madh është se familja shqiptare ka ndryshuar shumë në përmbajtje, edhe në formë. Ndaj,- bën apel zonja Ballauri, - të gjithë duhet të reagojmë pa frikë dhe me zemër të madhe - Zonja Ballauri, fenomenin e dhunës në familje, e cila ka marrë përmasa të frikshme ditët e fundit, ju si mund ta shpjegoni? - Kam vënë re se sa herë ndodhin raste të tilla, ne alarmohemi dhe fillojmë të ndryshojmë fjalorin dhe terminologjinë e fenomenit. Dhuna ka vetëm një fokus, se si duhet luftuar dhe se si duhet parandaluar. Shpjegimi i përmasave sigurisht që ka nevojë të analizohet. Shkaqet janë të shumta dhe më kryesoret gjenden në varfërinë, pamundësinë e jetës normale, në nivelin e edukimit dhe sidomos në mungesën e lumturisë. - Mund të pranojmë që familja në shoqërinë tonë është tronditur dhe është e rrezikuar? - Familja shqiptare ka ndryshuar shumë në përmbajtje dhe në formë. Kjo është e lidhur sidomos me tronditjen që ka pësuar kuadri tradicional, përplasja me një realitet modern për Shqipërinë e izoluar për shumë dekada me radhë. Familja shqiptare, së pari, u zhvendos, njerëzit ikën, fillimisht si të tromaksur dhe më vonë me një largim më të qetë, por gjithsesi, ata largohen sistematikisht. Kjo ishte e para gjë e paimagjinuar të ndodhte në periudhën e gjatë të diktaturës. Gjithashtu, ajo filloi të ndryshojë strukturën brenda saj. Raporti prindër-fëmijë është kthyer shpesh herë në kontradiktë të fortë, gati luftë, në debat, apo në vendime që merren individualisht, pa prezencën hierarkike të prindërve apo prindit për të vendosur fatet e të tjerëve në familje. Në këtë aspekt, padyshim që ka tronditje, ka edhe rrezikim. Brenda familjes, ata që e kishin pushtetin të plotë, sidomos burrat, ndjehen keq që po e humbin atë. - Të bërit politikë në Shqipëri, sa e kanë Familjen në fokusin dhe në prioritetet e tyre? - Politika shqiptare është ende në fazën fillestare të saj, e pavëmendshme ndaj shumë problemeve të ndjeshme sociale. Kjo vjen së pari nga përbërja e politikanëve, nga mungesa e përkushtimit të tyre ndaj mjerimit, papunësisë dhe krizave sociale. Historikisht pjesa më e madhe e deputetëve shqiptarë nuk kanë asnjë lidhje me misionin e tyre si përfaqësues të popullit. E keni vëne re? Nëse një deputet është i përkushtuar, ai bën një lajm për median dhe shoqërinë. - Si shoqëri, kemi konceptim të drejtë, ku jemi dhe ku duam të shkojmë? - Mendoj se ende nuk kemi ndonjë koncept për sa i takon kësaj që thoni ju. Ajo me të cilën nuk po gjejmë rehat është vlerësimi i njeriut, domethënë i individit. Duhet të kuptojmë se individi është qeliza më e rëndësishme e strukturës morale dhe sociale që duam të ngremë. Individi në Shqipëri vuan nga mungesa e sigurisë dhe personalitetit, nga mungesa e vetërespektit. Kjo mund të krijohet nëse ka një shtet që e respekton shtetasin e vet. Dhe, natyrisht, kjo ndodh nëse vetë qytetari është pjesë aktive e shtetit dhe e ndjen qeverinë aleate dhe jo armike. Ku jemi? Të gjithë flasim për këtë, por flasim zhurmçe, flasim të gjithë përnjëherësh dhe kështu nuk arrijmë ta kuptojmë se vërtet ku jemi? Ku duam të shkojmë? Akoma më keq nëse nuk njohin se ku jemi dhe nuk arrijmë të strukturojmë strategjinë për të ardhmen. Fat i keq do të jetë nëse vazhdojmë të ecim pa rregull, pa strategji. Kjo është ajo që duhet të parandalojmë. - Mos vallë vlerat morale të shoqërisë tonë, në lidhje me familjen, janë zhvlerësuar nga tranzicioni i stërzgjatur politik? - Këto janë të lidhura më njëra-tjetrën, mosarritja e vlerave morale e mban tranzicionin në zvarritje. Tranzicionin e bëjmë ne, nuk ekziston pavarësisht nga ne, është rrjedhoja e përpjekjeve apo indiferentizmit tonë. - Cila vlera të tjera morale të Shoqërisë tonë, janë vënë në dyshim e rrezikohen? - Familja problematike, gjeneron probleme të rënda edhe në të tjera aspekte të shoqërisë. E them këtë sepse familja bën edhe “trajnimin” më të saktë të individëve me vlera dhe virtyte. Kultura e dhunës, tipike në familje transferohet edhe në rrugë, edhe në institucione. Një tjetër problem është papërgjegjshmëria, korrupsioni, marrëdhënia e egër me njeri- tjetrin. - Reagimin e vakët edhe të vetë shoqërisë, ju si mund ta konceptoni? - Reagimi i vakët i shoqërisë, është tipike për shoqëri të papjekura, naive. Ne jemi të tillë, por e keqja është se nuk e dimë, ose më mirë, nuk e pranojmë këtë gjë. Nëse do ta pranonim, padyshim do të kishim arritur shumë më mire se sa kaq. - Edhe pse formalisht ka shumë organizma, shoqata, institucione joqeveritare, shoqërore, të cilat, për hir të së vërtetës, financohen edhe nga BE-ja e të tjerë, për programe të ndryshme të integrimit, vlerësimit të rolit të familjes dhe gruas në shoqëri, nuk pamë, në këto raste të dhunës brenda në familje, të reagonin. Përse? - Reagimi qenkërka një filozofi e vështirë, që shqiptarët nuk e kanë përvetësuar akoma. Ajo lidhet me një eksperiencë të gjatë dhe të fortë të të drejtave te individit, të një luftë të madhe të të drejtave civile që në Shqipëri ende nuk janë futur siç duhet në axhendën e qeverisë dhe shoqërisë civile. - Cili duhet të jetë reagimi shoqëror dhe politik për të përballuar rrezikun e dhunës brenda në Familje? - Të reagojë...s’ka rëndësi se si. Mënyrat janë tashmë të njohura dhe sidomos shoqëria civile i di këto. Ajo që duhet mësuar është të reagojë pa frikë dhe me zemër të madhe. - Faleminderit! Somario Gruaja është në dilemën e saj të mbijetesës, të patriarkalizmit, të bindjes së verbër tradicionale, të reagimit ndaj dhunës dhe nënshtrimit. Burri, gjithashtu ndodhet përpara dilemës së humbjes së fuqisë dhe pushtetit, ai po has një grua tjetër, jo atë që ka pranuar me bindjen e kujtesës historike. box Papërgjegjshmëria ligjore mban peng edhe papërgjegjshmërinë morale dhe anasjelltas - Është Familja viktimë e tranzicionit të stërzgjatur politik? - Familja e ka pësuar më keq se të gjitha të tjerat, sepse është edhe grupimi më i vogël, dhe si rrjedhim edhe më delikat. Familja jetonte në një tjetër realitet, të ngurtë dhe të frikësuar, pa hapësirën e domosdoshme të lirisë. Tranzicioni e goditi aq rëndë jo vetëm konkretisht nëpërmjet varfërisë, vdekjeve, sëmundjeve, ngjarjeve të pazakonta, krimit, etj. Por sidomos familja u godit psikologjikisht. Njerëzit u gjendën përpara sfidës së ndryshimit të raporteve njerëzore, u detyruan të pranojnë një kulturë të re jashtë asaj patriarkale, u gjendën sidomos përpara botës së madhe, tashmë të pambrojtur nga askush, të etur për të njohur të panjohurën dhe të pamësuar për ta përballuar atë. Sidomos marrëdhënia burrë-grua është një nga më delikatet dhe më të vështirat për t’u përsosur. Por sikurse thashë më lart, është dilema e individit që ndikon edhe marrëdhënien në çift. Gruaja është në dilemën e saj të mbijetesës, të patriarkalizmit, të bindjes së verbër tradicionale, të reagimit ndaj dhunës dhe nënshtrimit. Burri, gjithashtu ndodhet përpara dilemës së humbjes së fuqisë dhe pushtetit, ai po has një grua tjetër, jo atë që ka pranuar me bindjen e kujtesës historike. Kështu brenda familjes ka kontradiktë. - Cilët janë përgjegjësit moralë dhe ligjorë? - Përgjegjësit ligjorë të krimit në familje, dihen. Ka institucione, polici, prokurori e gjykata. Ka ligje të cilat ekzistojnë, por nuk zbatohen siç duhet. Vazhdimisht e themi këtë dhe tashmë kjo shprehje është bërë shumë e shëmtuar se sa më shumë e themi, aq më shumë i largohemi përgjegjësive qytetare. Në këtë periudhë më të gjatë se dy dekada, shteti nuk ka mundur t’iu krijojë besim qytetarëve, ata nuk i ndjejnë qeveritë si të tyret dhe vetvetiu papërgjegjësia ligjore e mban sistematikisht në të njëjtin nivel papërgjegjësinë morale dhe anasjelltas.
Posted on: Fri, 19 Jul 2013 14:11:08 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015