Eshref Ymeri Një ogur i mirë për demokracinë në Shqipëri - TopicsExpress



          

Eshref Ymeri Një ogur i mirë për demokracinë në Shqipëri E gëzofshi fitoren, zotërinj socialistë! Kokën lart, zotërinj demokratë! Në fund të orarit zyrtar të votimeve të 23 qershorit, zoti Edi Rama, nga selia e Partisë Socialiste, konferencën e parë për shtyp e pati nisur me këto fjalë: “Rilindja fitoi mbi rrënimin” (Citohet sipas faqes së internetit time.al të gazetës “Shekulli”. 23 qershor 2013). Por dy ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, zoti Edi Rama deklaroi para simpatizantëve të tij: “Berishën e falënderoj për çdo të mirë që ka bërë, i uroj gjithë të mirat në jetën private” (Citohet sipas: “Panorama”, 26 qershor 2013). Ndërkohë, Kryeministri Berisha, tri ditë pas zgjedhjeve në fjalë, në fjalimin e dorëheqjes nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike, duke e pranuar humbjen, u shpreh për zotin Rama: “Duke njohur rezultatin, i uroj atij punë të mbarë” (Citohet sipas: “Telegraf”, 27 qershor 2013). Deklarata e zotit Rama e fundmbrëmjes së 23 qershorit, duhet vlerësuar nga këndvështrimi i afshit të fushatës zgjedhore, gjatë së cilës ai, negativizmin në qëndrimin ndaj qeverisjes së Kryeministrit Berisha, e kishte pasur si yll karvani. Kurse deklarata e zotit Rama që pasoi dy ditë më vonë, meriton të vlerësohet me fjalët më të mira, meqenëse ajo përbën një risi të paparë ndonjëherë në historinë gati 23-vjeçare të pluralizmit në Shqipëri. Kjo deklaratë dëshmoi pa mëdyshje se vlerat e qytetërimit perëndimor kanë filluar të ushtrojnë ndikimin e vet edhe në realitetin shqiptar: fitimtari përshëndet të larguarin nga pushteti për të gjitha të mirat që ky ka bërë gjatë qeverisjes së vet. Pasi u çlirua nga afshet e fushatës zgjedhore, zoti Rama, i sigurt tashmë për marrjen e postit të Kryeministrit, u çlirua nga negativizmi tërësor, me të cilin e pati vlerësuar punën tetëvjeçare të qeverisë demoktratike dhe Kryeministrin Berisha e falënderoi për çdo të mirë që ka bërë. Ky vlerësim dëshmon për të kundërtën e deklaratave të tij të përsëritura herë pas here se gjatë tetë viteve të qeverisjes demokratike, Shqipëria paska shkuar vetëm drejt “rrënimit të vazhdueshëm”. Pra, Shqipëria nuk paska rilindur më 23 qershor. Se po ta pranojmë që rilindja e vendit filluaka në këtë datë, atëherë, pa dashje, do të biem pre e mendësisë së Enver Hoxhës, sipas të cilit Shqipëria rilindi më 8 nëntor 1941. Në këtë mënyrë, Enver Hoxha i vinte kryq periudhës së mbretërisë së Ahmet Zogu, kur në vendin tonë u bënë edhe punë boll të mira. Shqipëria ka pasur vetëm një Rilindje dhe kjo ka qenë Rilindja Kombëtare Shqiptare, që lidhet me veprimtarinë e figurave të shquara të kombit tonë në gjysmën e dytë të shek. XIX, të cilat e rizgjuan popullin shqiptar nga letargjia katërshekullore e sundimit otoman, veprimtari kjo që kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Vlerësimi me objektivitet shkencor që politikanët e të dyja alternativave duhet t’u bëjnë periudhave të ndryshme të zhvillimit historik të vendit tonë, duhet të shërbejë edhe si një gardh kuptimplotë për mendësinë anakronike të një tufe analistësh, sidomos të krahut të majtë, të cilët, duke marrë përsipër të luajnë vetëm rolin e vajtocave të përhershme në emisionet televizive të moderatorëve të ndryshëm, me negativizmin e tyre karakteristik, shpalosin para teleshikuesve mjerimin e tyre intelektual. Në të njëjtën kohë, mesazhi që Kryeministri Berisha i drejtoi zotit Rama, duke i uruar atij “punë të mbarë”, si Kryeministër i ardhshëm, i nxori edhe më shumë në spikamë vlerat e qytetërimit perëndimor në marrëdhëniet mes humbësit dhe fitimtarit. Ky është një ogur shumë i mirë për demokracinë në vendin tonë. Le të shpresojmë që, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, humbësi nuk do të mjaftohet vetëm me urime për së largu në adresë të fitimtarit, por do të shkojë edhe në selinë e fitimtarit, për t’ia shprehur atij drejtpërsëdrejti urimet e veta, se kështu ai shpreh respektin e vet për votën e shumicës së popullit, edhe sikur kjo shumicë të jetë me një diferencë minimale prej një vote. Këto janë rregullat e demokracisë. Një gjë e tillë do të ushtronte një ndikim të jashtëzakonshëm në uljen e tensioneve mes formacioneve të ndryshme politike dhe në qetësimin e gjakrave të militantëve të të dyja palëve, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Këtu dëshiroj të theksoj se falënderimet e zotit Rama në adresë të Kryeministrit Berisha, shërbejnë edhe si kujtesë për militantët e majtë se gjatë kohës së qeverisë demokratike janë bërë edhe punë të mira. Me këtë rast, në respekt të Kryeministrit Berisha, le ta kthejmë kokën prapa dhe t’u hedhim një vështrim të shpejtë ca momenteve më të prekshme të punës së tij të palodhur. Së pari, Kryeministri Berisha, pas fitores së vitit 2005, nga qeverisja e Partisë Socialiste pati trashëguar një mori bandash që bënin ligjin nëpër rrugët e Shqipërisë. Ishte meritë e Kryeministrit Berisha që ato banda erdhën e u eliminuan krejtësisht dhe krerët e tyre përfunduan prapa hekurave. Së dyti, Kryeministri Berisha, po në atë periudhë, pati trashëguar nga qeverisja e Partisë Socialiste praktikën e frikshme të trafikimit të lëndëve narkotike, të femrave dhe të klandestinëve, çka kishte bërë që Shqipëria të figuronte në listën e zezë të vendeve që merreshin me një trafikim të tillë. Ishte meritë e Kryeministrit Berisha që, brenda një periudhe të shkurtër, u eliminuan të gjitha llojet e trafiqeve, u vendos moratoriumi për skafet dhe Shqipëria doli nga lista e zezë e vendeve të lartpërmendura. Së treti, Kryeministri Berisha, në bashkëpunim edhe me opozitën, arriti të plotësonte të gjitha kushtet që kërkonte Bashkimi Evropian, deri në nëshkrimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Së katërti, Kryeministri Berisha, në bashkëpunim të ngushtë edhe me anëtarët e tjerë të qeverisë, jo vetëm që plotësoi të gjitha kushtet, por bëri edhe një lobim të fuqishëm në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për marrjen e ftesës, deri edhe në anëtarësimin e plotë të vendit tonë në NATO. Së pesti, ishte meritë e drejtpërdrejtë e Kryeministrit Berisha që qytetarët tanë, të torturuar për vite me radhë para dyerve të ambasadave për të siguruar një vizë për në vendet perëndimore për t’u takuar me njerëzit e tyre të dashur, më në fund, me heqjen e vizave, filluan të merrnin frymë lirisht, si qytetarë të Evropës. Dhe për heqjen e atyre vizave të uruara, qeverisë së zotit Berisha iu desh të përballonte një punë mjaft të mundimshme. Së gjashti, Kryeministri Berisha dha një kontribut të jashtëzakonshëm në lëmin e infrastrukturës. Këtu mjafton të përmendim Rrugën e Kombit që kalon përmes dy tuneleve të Kalimashit me një gjatësi prej 11 km si edhe shumë rrugë të tjera me rëndësi kombëtare, si autostrada Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, si dhe ato me rëndësi lokale, në të gjithë territorin e vendit, duke u ndalur te tuneli i Kërrabës me dy kalime. Rruga e Kombit dhe tunelet e Kërrabës, me siguri që do të hyjnë me emrin e Kryeministrit Berisha në historinë e veprave madhore të kombit shqiptar. Kongresisti amerikan Eliot Engel, gjatë kundrimit të Rrugës së Kombit me helikopter, së bashku me zotin Berisha në vitin 2009, u shpreh fare qartë: “Projektet e Kryeministrit Berisha për autostradat e Shqipërisë, si të Ajzenhauerit që lidhën çdo cep të Amerikës”. Së shtati, Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij, me kujdesin më të madh, arritën ta anashkalonin krizën e rëndë ekonomike që pllakosi botën, deri edhe vende të zhvilluara perëndimore. Fakti që në vitin 2009, një vit pasi kriza ishte bërë mjaft e ndjeshme, deri edhe në vende fqinje, si Italia dhe Greqia, qeveria Berisha rriti në një mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet. Madje ajo vazhdoi t’i rritë ato edhe gjatë gjithë viteve në vazhdim. Kjo rritje nuk mund të mos dëshmojë për stabilitet ekonomik. Së teti, Kryeministri Berisha u tregua mjaft mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe sidomos ndaj Presidentit Uilson, për kontributin e jashtëzakonshëm që ai dha në mbrojtje të Shqipërisë Londineze, për të cilën ujqit evropianë, në vitin 1919, kishin përgatitur plane për zhdukjen përfundimtare të saj nga harta e Evropës. Me përurimin e shtatores së Presidentit Uilson në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, Kryeministri Berisha u ktheu Shteteve të Bashkuara të Amerikës një borxh moral që vendi ynë nuk ua kishte shlyer që prej vitit 1919. Së nënti, Kryeministri Berisha u tregua me të vërtetë burrë shteti në vlerësimin e figurës së Mbretit Ahmet Zogu, duke kontribuar drejtpërsëdrejti për ngritjen e shtatores së tij në Bulevardin Zogu I dhe duke i dhënë atij vendin e merituar në historinë tonë kombëtare. Së dhjeti, Kryeministri Berisha mbajti një qëndrim mjaft burrëror dhe me shumë dinjitet në vlerësimin e rezultateve të zgjedhjeve të 23 qershorit: ai e njohu menjëherë rezultatin e tyre dhe dha dorëheqjen nga të gjitha postet partiake, duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë për humbjen e rëndë që pësoi Partia Demikratike. Në këtë mënyrë, ai bëri vetëm veten përgjegjës për këtë humbje të thellë që pësoi Partia Demokratike, duke mos ia lënë litarin nëpër këmbë pasardhësit të vet në krye të saj. *** Gjatë një interviste për gazetën “Le Courrier des Balkans”(Korrieri i Ballkanit), zoti Rama ka deklaruar se “synon të bëjë politikë për të lënë një emër në histori” (Citohet sipas gazetës “Panorama”. 30 qershor 2013). Dihet që zotit Rama ka 15 vjet që është figurë e njohur në politikën shqiptare. Për 11 vjet ai ka qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Gjatë kësaj periudhe ai e ka lënë një emër në historinë e qytetit të Tiranës: u zhduk kioskomania, u sistemua për bukuri Lana dhe sot ta ka ënda të shëtisësh përgjatë brigjeve të saj, nën hijen e rrapeve të shëndetshëm, u përfundua zgjerimi i unazës tradicionale të Tiranës, u zgjerua dhe u sistemua Rruga e Kavajës, u zgjerua dhe u sistemua Rruga e Elbasanit që të nxjerr në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, u zgjerua dhe u sistemua Rruga “Sulejman Delvina” që prej Shkollës “Vasil Shanto” deri te Presidenca, u rehabilitua Bulevardi Zogu I dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, u lyen fasadat e pallateve, duke i çliruar ato nga ngjyra gri e kohës së komunizmit, qytetarëve iu rikthye parku “Rinia” e plot punë të tjera të mira. Të gjitha këto arritje lidhen domosdoshmërisht me emrin e zotit Rama. Kurse tani që u bë Kryeministër, zoti Rama ka dëshirë të lërë një emër në historin e vendit. Unë mendoj se jo vetëm votuesit e krahut të majtë, por edhe votuesit e krahut të djathtë, dëshirojnë që zoti Rama të lërë një emër në histori. Se kjo do të thotë që ai, si Kryeministër i të gjithë shqiptarëve, do t’i përvishet punës për realizimin e veprave me rëndësi kombëtare. Se pikërisht vepra të tilla janë ato që i gdhendin emrin një udhëheqësi në faqet e historisë së vendit. Me veprat e lartpërmendura që përfundoi, Kryeministri Berisha e ka zënë një herë e mirë vendin që i takon në historinë tonë kombëtare. Një vend të tillë do ta zërë edhe zotit Rama, në qoftë se ai do t’i mbajë premtimet që ka bërë gjatë fushatës zgjedhore në sferën sociale dhe në qoftë se do t’i përfundojë me sukses ato vepra infrastrukturore që zoti Berisha nuk arriti t’i çojë deri në fund. Aktori dhe komediografi i shquar amerikan Xhorxh Bërns (George Burns 1896-1996), laureat i çmimit “Oskar”, brezave pasardhës u ka lënë si trashëgimi ca fjalë të arta: “Një premtim serioz, që të vihet në jetë, duhet të ketë një fillim të mbarë dhe një përfundim të mbarë, të cilët duhet të shtrihen në kohë sa më afër me njëri-tjetrin” Përfundimi i Rrugës së Arbrit dhe i Boshtit të Jugut janë dy vepra madhore kombëtare, të cilat do t’ia ngrenë lart aksionet së majtës shqiptare dhe veçanërisht Kryeministrit Rama. Unë dëshiroj me gjithë zemër që zoti Rama t’i arrijë këto objektiva. Të ndërtosh autostrada, do të thotë që qytetarëve të vendit tënd t’u kursesh miliona lek në të ardhurat e tyre, do të thotë që t’u kursesh kohën që është një kapital shumë i çmuar në jetën e tyre, do të thotë t’i japësh një shtytje të fuqishme lulëzimit të biznesit privat. Kryeministri Berisha, me ndërtimin e Rugës së Kombit, bëri të mundur që largësia mes Prishtinë dhe Tiranës të mbulohet për tri orë. Mbarë shqiptarët, në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, me siguri që presin nga zoti Rama që edhe largësia mes Sarandës dhe Tiranës dhe Shkupit dhe Tiranës të mbulohet për tri orë. Unë, si bir i Lumit të Vlorës, kam bindjen dhe ushqej shpresa se zoti Rama do ta mbajë premtimin që u bëri banorëve të kësaj zone gjatë takimit që pati me ta në Komunën Brataj, në kuadrin e fushatës zgjedhore, se ai do ta ndërtojë superstradën që fillon në Kuç (me një dalje në superstradën e Bregut), vazhdon përgjatë brigjeve të Shushicës dhe (me një degëzim për në qytetin e Vlorës) del në Levan. Me sa jam në dijeni, ndërtimin e kësaj superstrade zoti Rama ia ka premtuar edhe më herët deputetit të Lumit të Vlorës, birit të Kuçit, zotit Fatmir Toçi, i cili vazhdimisht ka qenë i shqetësuar për realizimin e këtij objektivi me një rëndësi të jashtëzakonshme për një popullatë prej mbi 60 mijë banorësh. Mendoj se zotit Rama mund t’i dalin edhe pengesa gjatë përpjekjeve të tij për realizimin në praktikë të premtimeve që ka bërë gjatë fushatës zgjedhore. Dhe pengesa më kryesore, për mendimin tim, mund të krijohet për shkak të dehjes me pushtetin në radhët e ekipit të tij: fitorja e së majtës më 23 qershor ishte jashtë çdo parashikimi, ashtu siç ishte jashtë çdo parashikimi edhe humbja e thellë e alternativës së djathtë. Dikur, ministrja e integrimit, znj. Majlinda Bregu, në një dalje, nëse nuk e kam gabim, në foltoren e Kuvendit, lëshoi një replikë në adresë të socialistëve, nga e cila më është skalitur në kujtesë vetëm pjesa e fundit e saj: “…ndofta kur të vini ju në pushtet pas dyzet vjetësh”. Një parti politike, në një vend demokratik, edhe mund të qëndrojë në pushtet për dyzet vjet, siç pati qëndruar Partia Socialdemokrate Suedeze prej vitit 1936 deri në vitin 1976. Por Shqipëria nuk e ka luksin tw jetw Suedi. Një replikë e tillë, që asokohe, filloi të më krijonte dyshimin për fitoren e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Me sa duket, mikrobi i dehjes me pushtetin kishte filluar të bëhej kërcënues për alternativën e djathtë. Shumë gjymtyrë të pushtetit të demokratëve betoheshin dhe përgjëroheshin për Kryeministrin Berisha, por jo të gjitha këto gjymtyrë punonin me po atë pasion dhe përkushtim si ai: Kryeministri Berisha, pas takimit me Sekretaren e Shtetit Hilari Klinton, niset për në atdhe, zbret në Rinas dhe shkon drejt e në kabinetin kryeministror. Pas takimit me Presidentin Sarkozi, kthehet në atdhe dhe nga Rinasi niset drejt e në zyrë. Pas takimit me Kryeministrin japonez, niset për në Tiranë dhe pas një udhëtimi prej 16 orësh, nga Rinasi merr rrugën fill për në Kryeministri dhe në shtëpi shkon pas mesit të natës. E nënvizova këtë pasion të jashtëzakonshëm të Kryeministrit Berisha për punën, për të theksuar se njerëzit e ekipit te tij, të dehur nga pushteti, sollën humbjen e rëndë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit. Por në ekipin e zotit Rama ka zotërinj, të cilët, ende pa hipur në karrigen e pushtetit, janë dhënë keq pas pushtetit dhe nesër atij mund t’i prishin punë. Platoni (428-348 p.e.r.) thotë: “Nuk duhet të vijnë në pushtet njerëzit që kanë rënë keq në dashuri me të”. Mirë do të ishte që ca zotërinj që rrethojnë zotin Rama dhe që nesër do të jenë në ekipin drejtues të tij, të bëjnë një “vaksinë politike”, si masë parambrojtëse nga dehja nga suksesi marramendës i së majtës në zgjedhjet e 23 qershorit: le të marrin dhe të lexojnë artikullin e Stalinit me titull “Dehja nga sukseset”, të botuar në numrin 60 të gazetës “Pravda” të datës 2 mars 1930 dhe të përfshirë në vëll. 12 të veprave të tij, f. 187-195. Një “vaksinë” e tillë nuk do t’u bënte keq edhe atyre politikanëve të djathtë që manifestuan një dashuri përvëluese për pushtetin gjatë qeverisjes së Kryeministrit Berisha dhe që s’begenisnin të hapnin telefonat e dorës kur shumë qytetarët kërkonin të komunikonin me ta për probleme nga më të ndryshmet. Eshref Ymeri Sarandë, 07 korrik 2013
Posted on: Mon, 08 Jul 2013 11:48:37 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015