Familja, një bilanc triumfal i njeriut Ja si ka evoluuar - TopicsExpress



          

Familja, një bilanc triumfal i njeriut Ja si ka evoluuar institucioni i martesës përgjatë viteve. Cilësitë e familjes tradicionale dhe raportet sociale në ditët e sotme. Familja apo individi, një pikëpyetje e madhe e shoqërisë moderne “Familja është vendi më i shenjtë i tokës – i vetmi vend ku njeriu mund të gjejë paqe dhe qetësi, ku mund të gjejë çlodhje dhe rehati, në një botë ku njerëzit janë vënë në garë dhe në garë nuk ka paqe: në këtë botë ku askush nuk të hap rrugën dhe nuk të fal diçka. Por pse duhet familja? Sepse atje gjejmë mbështetjen, solidaritetin, kohezionin, dashurinë e pakufishme të bashkëshortit dhe bashkëshortes, të fëmijëve dhe të prindërve, të gjyshërve dhe nipërve.” Kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Republika”, sociologu Gëzim Tushi, i cili më tej shton se duhet ta ruajmë fort këtë institucion unik të organizimit të jetës sociale në Shqipëri, i cili na ndihmon për shumë gjëra. Ja se si shprehet ai më gjatë në këtë intervistë. Cili është mendimi juaj për familjen, ç’është ajo nga pikëpamja sociologjike? Mendoj se familja është një nga institucionet më të rëndësishme sociale. Është një krijim historik në kushte të caktuara dhe mbart evolucionin e vet. Por familja ka pësuar ndryshime dhe transformime ndër vite. Nëse do t’i referohemi familjes shqiptare, të paktën brenda një shekulli, u diktuan tri forma kryesore të psikologjisë së familjes. Këtu do të përmendnim të parën familjen patriarkale, me shumë kurora, e cila ishte një familje me shumë breza, me kohezion të madh dhe me hyrje ekonomike të fuqishme. Ajo ishte e organizuar gati si klan dhe kjo gjë ka pasur arsyet e veta ekonomike, sepse ka qenë e tillë. Njerëzit kanë pasur nevojë të mbrohen dhe familja ka qenë ndër institucionet e para të sigurisë, e cila bazohej në ligjet e gjakut, me ekzistencën e shumë kurorave, me një lloj autoritarizmi të plotë, gerokratik, të bazuar në autoritetin e moshës. Pra, në një farë mënyre, familja patriarkale ka qenë e dominuar nga të moshuarit, nga më të rriturit. Më të diskriminuarit kanë qenë gratë dhe fëmijët. Në etapën e dytë, sidomos në periudhën 50-vjeçare të regjimit komunist, Shqipëria njohu tipologjinë e familjes tradicionale. Familja tradicionale, në një farë mënyre, është dhe etapa e dytë e kësaj ndarjeje, e cila është me disa kurora. Në të kanë bashkëjetuar prindërit bashkë me prindërit e tyre dhe fëmijët. Kjo tipologji familjeje erdhi deri në fillim të viteve ‘90-të, duke pësuar kështu dhe transformimet e saj të natyrshme. Por kanë qenë arsyet ekonomike, politike dhe ideologjike për familjet, duke e konsideruar atë si një institucion të shenjtë, të determinuar gjatë gjithë periudhës që mbahej familja tradicionale. Në këtë kohë, çifti i ri ka qenë i detyruar të tregonte kujdes jo vetëm për fëmijët e tyre, por dhe për prindërit e tyre. Ndërkohë, pas viteve ‘90-të, shoqëria shqiptare ka kaluar në një proces modernizimi. Ndryshimeve të kohës nuk mund t’i shpëtonte edhe familja. Shoqëria moderne nuk mund të mbahet me familjen e vjetër, me atë tradicionale dhe është e detyruar t’u përshtatet kërkesave të modernitetit. Në këtë kontekst, nga vitet ‘90 e në vazhdim, Shqipëria ka krijuar një familje të re që është bërë dominuese dhe kjo quhet familja nukleare, familja bërthamore, e cila është e përbërë kryesisht nga burri, gruaja dhe fëmijët. Kjo familje është e kohës, është një prirje e pakthyeshme, por doemos, ajo ka dhe problemet e saj. Së pari, sepse familja moderne ka filluar të zbehë, në një farë mënyre, humanizmin dhe solidaritetin, sidomos me prindërit. Ajo ka filluar të dobësojë tutkallin social dhe lidhjet e brendshme që ato i mbajnë të lidhura. Mbi të gjitha, ajo ka filluar të ketë probleme dhe kontradikta me të moshuarit, të cilët, në një farë mënyre, kanë filluar të dalin “të tepërt” në këto tipologji familjeje. Natyrisht, ky është një problem shumë i madh. Si duhet ta konceptojmë këtë gjë? Që të kthehemi disa hapa mbrapa, në familjen tradicionale apo akoma më keq, në atë patriarkale. Kjo, konceptualisht dhe kontekstualisht, është e pamundur. Koha ka determinimet e saj dhe ligjet e veta. Në një farë mënyre, familja është një si organizim themelor i jetës sociale. Ndaj ajo nuk mund të dalë nga kornizat deterministe të një shoqërie që është e bazuar në filozofinë e saj tek liberalizmi dhe individualizmi. Por jo vetëm kaq: familja shqiptare ka filluar të ketë probleme dhe brenda saj. Këto probleme kanë të bëjnë me një raport delikat midis familjes dhe individit. Sot, në sociologjinë moderne, shtrohet problemi se kush është prioritare, familja apo individi. Në një farë mënyre, mos vallë familja është një organizim konservator i jetës, që pengon individin në rrugën e tij drejt suksesit, drejt parasë, drejt famës, drejt arritjeve? Në të njëjtën kohë, sa është i detyruar individi t’u përshtatet kërkesave sociale të familjes? Ky është një paradoks jashtëzakonisht i madh, një problem shumë delikat i kohës moderne, i cili nuk mund të thuhet se është i zgjidhur. Në këtë kontekst, sipas mendimit tim, familja e sotme shqiptare nuk mund të jetë një organizim konservator që të pengojë individin. Kjo, pasi vetë familja e sotme është e përbërë nga individë, të cilët kanë objektivat e tyre të personalizuara. Gruaja, në këtë rast, ka synimet e saj. Vërtet ajo ka disa role sociale dhe biologjike që duhet t’i realizojë, por, ndërkaq, ajo ka edhe objektivat e saj të karrierës, synimet e saj të progresit. Pra, sot, ajo nuk do të jetë qenie e dorës së dytë dhe nuk pranon të jetë e nënshtruar nga fataliteti biologjik për t’u konsideruar vetëm një qenie biologjike, riprodhuese, e cila ka detyrim të kënaqë dëshirat e mashkullit dhe të realizojë detyrat e saj si nënë. Me një fjalë, ideologjia e lavamanit apo ideologjia e vjetër e gruas së mbyllur në një trekëndësh midis kuzhinës, lavamanit dhe fëmijëve, tanimë, në shoqërinë shqiptare është duke rënë dhe ky është progres i madh social. Ndërkaq, them se realizimi i një kohezioni social, i një lidhjeje midis detyrave dhe interativave individuale që ka njeriu dhe krijimi i frymës së bashkëpunimit dhe ruajtjes së ekzistencës së këtij organizmi të jetës sociale, është shumë i rëndësishëm. Kjo, sepse familja është institucion social dhe do të mbetet i tillë, për sa kohë do të ekzistojë shoqëria. Unë nuk e mendoj ndonjëherë se mund të ekzistojë shoqëria njerëzore pa familjen. Nëse familja merr fund, do të thotë se shoqëria njerëzore jo vetëm është në krizë, por ajo nuk do të ekzistojë më. - Shohim që kohët e fundit ka një mospërputhje mes brezave. Duhet thënë se një përqindje e madhe e të rinjve parapëlqejnë bashkëjetesën dhe jo martesën. Çfarë i sjell familjes ky raport pëlqimesh? Natyrisht, kjo gjë është e lidhur me transformimet që po pëson tipologjia e martesës në kohët e sotme, sepse tipologjitë e familjes janë të lidhura, në një farë mënyre, me institucionin e martesës. Ky institucion po transformohet, duke dalë nga kornizat e tradicionalizmit. Pra, ne kemi mbërritur në një epokë të re, jemi larguar nga poligamia në monogami, nga familja viktoriane, (familje me moral të hekurt, e mbyllur) në martesën e sotme, e cila shfaqet më liberale dhe më e hapur. Ajo nuk është më një koracë e hekurt, e cila determinon individët të qëndrojnë të mbyllur brenda një koncepti martesor. Ndaj, unë gjykoj që format e martesave, pa dyshim do të ndryshojnë, pasi nuk është vetëm martesa tradicionale ajo, e lidhur me kurorë në kishë apo në institucionet e tjera fetare dhe në bashki, që do të mbetet institucioni i vetëm i krijimit të marrëdhënieve martesore. Pa dyshim që shumë gjera, në ndryshimin e martesës janë të lidhura jo vetëm me kohën dhe transformimet ekonomike, por janë të lidhura dhe me liberalizimin e seksualitetit. Ne duhet ta kuptojmë dhe të pranojmë se në të kaluarën martesa ka qenë institucioni i vetëm i seksualitetit, pra njerëzit mund ta siguronin favorin seksual vetëm duke qenë të martuar, pasi të gjitha format e tjera alternative të seksualitetit kanë qenë të ndaluara dhe të anatemuara moralisht. Sot, ne kemi mbërritur në një shoqëri që po e liberalizon seksualitetin dhe po thyen shumë tabu të vjetra. Kjo gjë, natyrisht që do të reflektojë dhe në institucionin e martesës. Pra, nëse në një farë mënyre, martesën në kohën e komunizmit e kemi bëre jo vetëm thjesht për dashurinë, e kemi bërë se kemi dashur të plotësojmë kërkesat dhe dëshirat e seksualitetit dhe riprodhimit. Ndërsa sot, këto gjëra nuk janë më elemente thelbësore të martesës. Martesa e sotme është moderne, pasi, në thelb të saj ka dashurinë, e cila nuk është e lidhur me seksualitetin. Pasi, në kohën e sotme, mund ta sigurosh shumë më lehtë marrëdhënien seksuale dhe në mënyra të tjera, pa shkuar tek martesa. Martesa, sot është një vendim i rëndësishëm, me përgjegjësi morale, sociale dhe ekonomike. Në këtë kontekst, marrja e vendimeve për martesën është një ndër vendimet më të rëndësishme të jetës së njeriut. Por, sigurisht, që kanë dalë dhe format e tjera të reja, siç është dhe martesa e hapur, në të cilën, herë pas here, jemi dhe të shqetësuar, pasi është rritur shumë numri i divorceve. Numri i tyre kap shifra të mëdha, ku, pa dyshim, prania e divorcit është një element i emancipimit të martesës. Kjo do të thotë se njerëzit, tashmë në martesë nuk hyjnë më në një kafaz të hekurt, të mbyllur me çelës, dhe nga i cili nuk dalin dot më. Nëse një martesë nuk funksionon, ndryshket dhe nuk i realizon kërkesat e kohezionit, të dashurisë, ato çojnë në desintegrimin e martesës. Në këtë rast, prishja e një martesë jo të suksesshme nëpërmjet divorcit është emancipimit i saj. Pra, dy njerëz që ndihen të frustruar në një martesë që nuk funksionon, bëhen të lirë dhe mendojnë për zgjidhje të tjera, ky është ndër elementet e para. Së dyti, prania kaq e madhe e numrit të divorceve, nga 6 mijë deri në 7 mijë në vit, në vendin tonë, është një shifër alarmante. Duhet të ndihemi realisht të shqetësuar se në shoqërinë shqiptare ka filluar të bëhet si një kazmë që po e shkatërron martesën, ndaj duhet ta shohim nga të dyja anët e medaljes. Ndërkohë, mua më vjen mirë që shoqëria shqiptare ka filluar të pranojë dhe format moderne të martesës, siç është bashkëjetesa. Bashkëjetesa është një martesë pa kontratë, pa celebrim, e cila është një periudhë shumë e mirë para se të merret vendimi final, nëse kjo lidhje funksionon apo jo, por që do të shoqërohet dhe me probleme të karakterit pasuror dhe juridik. Ndaj bashkëjetesa duhet të vlerësohet më shumë juridikisht, nga njerëzit që pranojnë këtë formë të martesës. Duhet thënë se familja dhe martesa janë në tranzicion, shoqëria jonë është duke ndryshuar si në aspektin pozitiv, por ka dhe gjëra negative. Ky është moderniteti, ne nuk bëjmë dot hapa mbrapa, ndaj do të përpiqemi që të rimarrim statusin tonë social. - Z. Tushi, a mund të na thoni cilësitë e familjes para viteve ‘90 dhe të familjes sot? Unë, në fakt, jam partizan i asaj që as nuk duhet ta shenjtërojmë ose idealizojmë familjen tonë të së kaluarës, por as nuk mund ta anatemojmë, duke nihilizuar të gjitha vlerat e saj. Unë, në studimet e mia, dhe në të gjitha librat që kam shkruar, i mbetem besnik idesë se në një shumicë të madhe, familja e kaluar tradicionale ka pasur vlerat e saj. Stofi i familjes shqiptare ka qenë i shëndoshë. Sigurisht, ka pasur shumë probleme që kanë të bëjnë me mungesën e demokracisë në familje, me ndërtimin piramidal të pushtetit familjar, me sundimin gerontokratik të të moshuarve mbi të gjithë, si prindërve mbi fëmijën, të burrit mbi gruan. Këto janë defekte shumë të rëndomta të familjes tradicionale shqiptare. Por familja shqiptare ka pasur disa vlera morale që nuk i duhen mohuar, siç është respekti ndaj brezave, qëndrueshmëria e martesës, kapërcimi i kontradiktave, ka pasur një lloj solidariteti të fortë midis njerëzve që e përbënin familjen për të përballuar vështirësitë në moment të caktuara. Këto nuk duhet t’i mohojmë. Natyrisht, në kohët moderne, nuk mund të ecet me familjen tradicionale. Do të ishim konservatorë të pandreqshëm, në rast se do të thoshim që shoqëria e sotme do familjen e 20 a 30 viteve më parë. Kjo është e gabuar. Koha ka familjen e saj. Në këtë kontekst, do të thosha që familja e sotme, nukleare, pra familja moderne, e cila ka problemet e veta, është familja që i përshtatet kohës, sepse ka një demokratizim të brendshëm, ka një thyerje të vertikalitetit të pushtetit dhe një tendencë për horizontalizimin e saj. Pra, nuk është më burri në familjen shqiptare që sundon mbi gruan dhe fëmijët, nuk janë më të moshuarit që sundojnë mbi të gjithë familjen, por tashmë janë krijuar marrëdhënie të tjera horizontale që krijojnë lidhje dhe kohezion midis tyre. Por, cilat janë gjërat negative që ka sot familja shqiptare. E para ka filluar t’i nxjerrë të tepërt të moshuarit. Në një farë mënyre, të moshuarit e ndiejnë vetën të paintegruar në familjen bërthamore. Së dyti, familja është bërë më e ftohtë, një familje, e cila është e ndërtuar nëpër kabllo dhe është më shumë e lidhur me internetin me televizorin. Tashmë, të paktën një pjesë e popullsisë kanë më shumë para, kanë më shumë mirëqenie, por herë pas here ndihet se kanë një ftohtësi, janë më pak humanë, po ftohen lidhjet e gjakut. Siç e shikoni, familjet e sotme shqiptare kanë filluar ta tkurrin rrethin e lidhjeve biologjike, të lidhjeve të gjakut me pjesëtarët e tjetër të familjes. Të gjitha këto janë ftohje të socialitetit, janë prishje të sociabilitetit, prishje të strukturës tradicionale të shoqërisë. Por unë kam shpresë që shoqëria shqiptare do të dijë t’i gjejë mekanizmat dhe instrumentet për të funksionuar në mënyrë moderne. Kjo do të thotë se do të funksionojë kështu siç është familja bërthamore ose moderne, por duke ruajtur lidhjet emocionale, lidhjet e gjakut, kujdesin për të moshuarit, lidhjet e fqinjësisë që, aktualisht, kanë filluar të prishen. Kemi filluar të bëhemi të huaj për tjetrin, një shoqëri e ndarë me mure betoni, një shoqëri e mbyllur brenda një familjeje të ngushtë, e cila nuk komunikon, nuk mban lidhje dhe nuk afekton me komunitetin, me fqinjët, me shoqërinë në përgjithësi. Unë nuk e shikoj se do të jetë diçka me të ardhme të sigurt. - Duke qenë se përmendëm numrin e lartë të divorceve, ftohtësinë sociale, ku njerëzit lidhen me njëri-tjetrin nëpërmjet internetit e kështu me radhë… në fakt, ku do të shkojë familja jonë dhe çfarë këshillash u jepni ju aktorëve të saj? Unë mendoj se problemet e sotme kanë të bëjnë me familjen, martesën dhe seksualitetin, që janë tre institucione të jetës private, për të cilat unë kam shkruar një libër me 500 faqe, me po të njëjtin titull. Kjo gjë mua, si sociolog, më ka ngacmuar dhe për mua është një shqetësim i madh. Është një libër i trajtuar në mënyrë kontekstuale, me problematikën shqiptare. Lexuesi mund të gjejë përgjigje për shumë pyetje. Nuk mund të them se mund të gjejë zgjidhje, por gjen përgjigjet. Në kohët e sotme, përgjigjet janë relativiste, të cilat përmbajnë në vetvete mendimin pro dhe kundër. Për të mbetur në çështje se janë tre institucione që duhet të ruajnë karakterin human. Në qoftë se seksualiteti do të degjenerojë, do të marrë karakterin e një mjeti konsumi pa asnjë parim, pa asnjë princip e ndjenjë. Në qoftë se martesa do të bëhej kaq shumë kaotike, që divorcet ta brejnë apo të kthehej në një lidhje pa përgjegjësi, në një lidhje subsesive, duke krijuar martesat sipas rastit, sa herë të jetë e mundur… Në qoftë se familja do të jetë e paqëndrueshme, e mbyllur me mure betoni dhe pa komunikuar me njerëz të tjerë të afërt, me miqtë dhe me shokët, besoj që shoqëria do të ketë një prirje asocialiteti dhe një dëmtim të sociabilitetit dhe të aftësisë për të jetuar në një shoqëri, që do të jetë kritike. Të gjithë jemi të shqetësuar, të gjithë sociologët e kohës moderne janë të shqetësuar për këtë fakt. Më besoni që shoqëria jonë do të behet gjithmonë dhe më mirë. Ne do të jetojmë gjithmonë dhe më mirë. Edhe varfëria do të vijë duke u kapërcyer, dhe problemet e tjera që kemi të karakterit ekonomik do të përmirësohen, natyrisht jo në mënyrë utopike, por gjërat që, me sa duket do të mbeten kritike për shoqërinë, do të jenë pikërisht këto tre institucione, martesa, familja dhe seksualiteti. Unë besoj që janë institucione që duhen respektuar deri në shenjtëri, sepse në kohën e sotme, kur shoqëria po individualizohet në mënyrë ekstreme, kur lidhjet sociale midis njerëzve po zbehen, kur humanizimi po hollohet, kur solidariteti social midis njerëzve po zbehet, jam i bindur që bota do të bëhet edhe më e vrazhdë, më armiqësore, më pak e komunikueshme dhe duke jetuar në garë, në luftë, në betejë të përditshme për sukses, për para për famë, që janë synime pozitive të individit – ka mundësi që të harrojmë këto forma të organizimit. Pse duhet familja, martesa dhe seksualiteti human? Duhen sepse, në këtë botë, e cila po bëhet kaotike, broviniane, në këtë botë ku njerëzit janë vënë në garë dhe në garë nuk ka paqe, në këtë botë ku askush nuk të hap rrugën dhe nuk të fal diçka, do të thotë që bota do të bëhet më e lirë, më e hapur, më e mundur për të arritur paranë, suksesin dhe famën, por nga ana tjetër, më konkurrente, më stresante dhe më e fortë. Individi, në jetën sociale do të jetë jashtëzakonisht i stresuar. I vetmi vend ku njeriu mund të gjejë paqe dhe qetësi, ku mund të gjejë çlodhje dhe rehati është familja. Bill Sandi, një sociolog dhe teolog i madh amerikan, thotë se familja është vendi më i shenjtë i tokës. Kështu duhet ta kuptojnë shqiptarët, kështu duhet ta kuptojmë ne të gjithë. Sepse, atje gjejmë mbështetjen, solidaritetin, kohezionin, dashurinë e pakufishme të bashkëshortit dhe bashkëshortes, të fëmijëve dhe të prindërve, të gjyshërve dhe nipërve. Pra, duhet ta ruajmëfortkëtëinstitucion unik të organizimit të jetës sociale në Shqipëri, i cili na ndihmon për shumë gjëra. Njeriu jashtë familjes, jashtë martesës, jashtë seksualitetit mund të arrijë gjithçka, mund të arrijë famë, sukses individual, por këto janë të kufizuara. Martesa nuk ka të bëjë vetëm me kënaqësitë apo me riprodhimin e fëmijëve, por është një bilanc triumfal i njeriut, i cili lë mbrapa gjithçka në mënyrë dinjitoze. Ai mbetet krenar që ka jetuar i lumtur, që ka qenë pjesëmarrës në këto organizime të jetës – në organizimet sociale. Rebeka Gjika Fakulteti i Shkencave të Edukimit
Posted on: Mon, 14 Oct 2013 13:24:26 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015