Figura e Ahmet Zogut problemet me historianët Arsyen pse figura e - TopicsExpress



          

Figura e Ahmet Zogut problemet me historianët Arsyen pse figura e Ahmet Zogut mbetet një problem i madh për historianët dr. Luan Malltezi e shpjegon në mënyrën e tij gjatë intervistës për “Shqiptarja”. Në dilemën mes patriotizmit, etjes për pushtet dhe tradhtisë, historiani i njohur na jep një panoramë të kohës që u zhvillua ky personalitet historik. Duke u munduar të jetë i paanshëm në gjykimin e tij, ai nuk mohon faktin që Ahmet Zogu ka kryer vrasje, siç është edhe vrasja e Luigj Gurakuqit. Duke çmuar si pozitive fazën e parë të qeverisjes së Zogut, Malltezi pohon se kjo periudhë mbylli historinë e të mos pasurit një shtet shqiptar, por nxori në pah problemet e qeverisjes. Në kuadrin e rishikimit të historisë vlerësimet më kontradiktore janë ato për figurën e Mbretit Zog. Pse? Ahmet Zogu për pesëdhjetë vjet me radhë është konsideruar tradhtar nga ideologjia komuniste, kështu që sigurisht ky mbetet një problem i madh për historianët. Për një personalitet të madh, siç është Zogu kërkohet nga studiuesit që të njohim mirë periudhën historike dhe jo ngjarje ose raste të veçanta. Dihet që Zogu në një opinion të gjerë gjykohet që në ‘39-n nuk bëri rezistencë Italisë dhe iku, apo kjo tjetra që u ngjit në pushtet nëpërmjet jugosllavëve. Si fakte janë të vërteta dhe e para dhe e dyta. Por këto nuk përbëjnë shkaqet themelore për të vlerësuar një personaliet. Unë do të thosha për ju dhe për lexuesin tuaj se Shqipëria në ’24-n që e mori Zogu është një Shqipëri tjetër nga ajo që e la në ‘39-n. Nuk duhet harruar se ai vinte në pushtet nga periudha e Rilindjes Kombëtare. Ministrat e Kabinetit janë pionierë të Rilindjes Kombëtare. Si duhen t’i evidentojmë vlerat për kontributin e këtyre personaliteteve? Kur figura politike trajtohet në një pozicion për ta ulur, për ta rrëzuar imazhin, sigurisht që fakte si ato që përmendëm më sipër sillen më shumë në konsideratë dhe mjaftojnë për të bërë një opinion publik. Por çdo figurë duhet parw në një studim tërësor të zhvillimit të të gjithë vendit. Si ta shpjegojmë faktin, e botuar në mediat kohët e fundit, që Zogu bashkëpunonte me jugosllavët. Lidhje me ta kishte edhe Esad Pashë Toptani. Është kjo një lidhje e koduar për marrëdhëniet diplomatike, dhe pse ishte në dëmin tonë? -Ja, ju po përmendni për shembull personalitetet që kanë luajtur shumë rol në jetën politike të vendit. Janë personalitetet para ardhjes së Zogut në pushtet si Esad Pashë Toptani, ose Mithat Frashëri që luajtën një rol të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Ka shumë shkrime për rolin negativ të Mithat Frashërit në ngjarjet e kohës, por ai ishte ndërkohë një nga figurat e tjera më të mëdha të kohës, që ende nuk njihet sa duhet. Duhet kuptuar që Shqipëria ishte në fazën e formimit të saj shtetëror dhe pasi vjen Zogu në Shqipëri mbyllen të gjitha këto probleme të mungesës së shtetit. Pas kësaj Shqipëria ka vetëm probleme të qeverisjes. Ju kujtuat Esat Pashën që ka pasur lidhje me jugosllavët, por ai shihte interesat për të pasur një principatë të tijën. Vijimi i marrëdhënieve të Ahmet Zogun me jugosllavët, mos ka sjell një vasalitet të Shqipërisë? Vasalitet ka pasur sigurisht, sepse duhet të kuptojmë kohën. Në atë kohë Shqipëria luftonte kundër pushtuesit osman dhe kundër tij ishin të gjithë popujt e Ballkanit. Kjo sillte edhe nevojën për unitet dhe marrëdhënie diplomatike mes popujve të Ballkanit në luftën kundër Turqisë. Bashkëpunimi midis figurave më rëndësishme të kohës me shtetet e Ballkanit bëhej për nevoja të armatimit të popullsisë, për nevoja të zhvillimit të luftës, të përkrahjes kundër pushtuesve osmanë. Këto janë krejt të natyrshme në historinë e një vendi. Nga ana tjetër dihet që vendet e Ballkanit kanë shprehur edhe interesat e veta... Pra në të gjitha qeverisjet këto kanë qenë lidhje për arsye dhe interesa të ndërsjella. I pari pushtet që s’ka lidhje me këto marrëdhënie të trashëguara me Jugosllavinë është pushteti demokratik që erdhi pas viteve ‘90. Opozita që u krijua, nuk krijoi asnjë lidhje me ndihmat që mund të vinin nga këto vende. Por para kësaj kohe lidhjet kanë pasur vazhdimësi. Enver Hoxha erdhi në pushtet me programin që siguroi nga serbët. Marrëdhëniet me ta e shoqëruan gjatë gjithë periudhës së vet. Po kështu e shoqëruan edhe Zogun këto marrëdhënie, pavarësisht se ai kur mori pushtetin u lidh me italianët. Kjo lidhje ndikoi që Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë. Fakti që Ahmet Zogu u ndihmua nga bjellogardistët rusë, a supozon një lidhje të ngushtë të Zogut edhe me Rusinë e largët? Jo. Këtu shkojmë shumë larg. Në atë kohë për Zogun ishte e rëndësishme të sigurohej një mbështetje. Kjo mbështetje i vihej në dispozicion nga qeverisja Jugosllave. Ai e pranoi. Fakti që serbët kishin marrëdhënie me rusët nuk ka të bëjë vetëm me Zogun. Për Zogun ishte e lehtë të gjente përkrahje tek italianët. Në fillim kjo gjë solli zhvillim, por në fakt ngjarjet morën një rrjedhë negative kur italianët pushtuan Shqipërinë dhe kjo ndodhi për shkak të ministrit të jashtëm italian, dhëndrit të Musolinit, kontit Çiano, që faktikisht pushtoi edhe vendin. Nuk kishte mbështetje nga monarkia zoriste Italia për këtë pushtim. Duçja kishte planet e veta. Gjithçka që erdhi më vonë lidhet me ngjarjet që ndodhën në Ballkan dhe politikat aventurore të Duçes. Megjithatë, Zogu krijoi një situatë të trazuar politike në atë kohë edhe brenda vendit.Kryengritjet popullore i shtypi me dhunë... Dëgjo. Këtu ka një problem. Nuk është si sot në demokraci. Kur Ahmet Zogu rimori pushtetin, gjithë kundërshtarët e tij ikën, u arratisën, pavarësisht rolit të tyre në Shqipëri, ata ishin figura të rëndësishme politike. Ikën nga frika e përndjekjeve të Zogut? Sigurisht. Kundërshtarët e tij kishin marrë pushtetin në mënyrë të paligjshme dhe ishin të pambrojtur. Por duhet të them që Zogu pavarësisht kësaj, kur mori pushtetin u bëri edhe një herë thirrje kundërshtarëve të vet që të kthehen në Shqipëri. Sigurisht ai tha që të kthehen e të punojnë për Shqipërinë, jo për të qenë në pushtet. Bashkëpunëtorët e Zogut, i thanë “Ç’është kjo politikë?!”. Zogu tha se “Të gjithë këta njerëz që i kemi jashtë shtetit janë pa ekonomi dhe do të bëhen të gjithë pre e agjenturave të huaja, që mund të sjellin më shumë dëm nga jashtë”. Ishte një qëndrim shumë i mençur për një burrë shteti. Ai donte të hiqte rrezikun nga jashtë që i vinte Shqipërisë nga këta eksponentë që do të viheshin në shërbim të interesave kundër të huajve. Dhe në atë kohë një pjesë e madhe janë kthyer. Zogu arriti përfundimisht të kthej pas vetes dhe kundërshtarë të mëdhenj, siç ishte Noli. Gjatë Luftës së Dytë Botërore për çështjet që kishte Shqipëria në atë kohë, Noli u bë një mbështetës për rishikimin edhe njëherë të pushtetit të Zogut në Shqipëri me një miratim mbarëkombëtar. Zogu ngjalli zemërim në popull, persekutoi aktivistët politikë, mësuesit, patriotët, etj. Këto janë shkruar në dokumente. Kjo ishte periudha kur iu bënë shumë akuza për vrasje, si për Luigj Gurakuqin e disa patriotë të tjerë. Periudha e qeverisjes së Zogut lidhej me kërkesën për reforma në gjithë vendin. Por kishte një problem shumë të komplikuar. Në jug ishte një aktivizim shumë më i madh politik dhe shoqëror. Veriu nga vinte Zogu ishte akoma i mbyllur dhe ai pati kundërshtarë edhe në Veri. Zogu ka kërkuar të bëjë edhe reformën agrare. Ajo nuk u realizua, dështoi, por ishte tendencë që të mos ekzistonte feudalizmi edhe pse kishte vetë ai kishte prejardhje feudale. Zogu ishte me idenë që të mos përqendroheshin në pak njerëz tokat, pronat e mëdha, siç ishin për shembull në dorën e Vërlavëce, Vrionëve, etj. Po vrasja e Luigj Gurakuqit, a u bë nga Zogu? Hidhet një dyshim, sepse Gurakuqi ishte kundërshtar i Zogut, dhe në atë kohë vrasjet politike ishin ngjarje të një natyre normale. Edhe për të vrarë Zogun është tentuar. Ka pasur njerëz kundër tij për ta ekzekutuar dhe Zogu ia ka thyer vrasësit kundërshtarit, duke i shpërblyer më shumë, pra duke paguar përsëri vrasjen. Vrasja e Luigj Gurakuqit në opinionin e kohës u trajtua si ekzekutim nga kundërshtarët e Zogut, pavarësisht se nuk doli në gjyq me fakte. Ky ka qenë shkaku, kundërshtari vritet?! Kjo mendësi ka qenë shumë e ndjeshme edhe në periudhën e Enver Hoxhës. Kundërshtarët e Hoxhës goditeshin kudo që të ishin me ndihmën e Sigurimit të Shtetit. Në kohën e tij, Hoxha kishte vendosur një kontroll të plotë edhe mbi figurën e Ahmet Zogut; kontroll absolut deri në rrethin më të ngushtë të familjes, nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të Ballit. Zogu kontrollohej nga Hoxha gjatë gjithë periudhës së veprimtarisë në mërgim. Pra, ka pasur kontroll shteti komunist tek mërgimtarët? Po. Janë dëshmi të organeve të Sigurimit të Shtetit, që vinin jashtë shtetit dhe në dokumente konstatohet se gjithë veprimtaria e emigracionit ishte e kontrolluar. Kemi rastin e takimeve të Mithatit në Itali. Sigurimi i Shtetit futej në këto aktivitete dhe jepej informacion i plotë. Madje Hoxha sigurohej se “emigracioni jashtë nuk bashkohet për shkak të Mithat Frashërit”. Frashëri nuk pranonte të merrej me organizata politike, se nuk besonte tek ata që nuk kishin ndonjë kontribut konkret në Shqipëri. (sg/shqiptarja) - See more at: shqiptarja/kultura/2730/figura-e-ahmet-zogut-problemet-me-historianet-109094.html#sthash.ARfXN4bY.dpuf
Posted on: Fri, 19 Jul 2013 02:44:34 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015