Filloni kujdesin oral të fëmijës sa më herët Kurrë nuk - TopicsExpress



          

Filloni kujdesin oral të fëmijës sa më herët Kurrë nuk është herët për të filluar kujdesin dental të fëmijëve tuaj. Kujdesi për dhëmbët e fëmijës duhet filluar madje para se dhëmbët e parë të dalin. Ekspertët thonë se nëse ju filloni kujdesin kur shihni prishje të dhëmbëve, mund të jetë shumë vonë për të vepruar. Kujdesi para daljes së dhëmbëve Kujdesi për dhëmbët e fëmijës duhet filluar që para lindjes. E para gjë që duhet bërë është që nëna shtatzënë të kujdeset të konsumojë një dietë mirë të ekuilibruar dhe me të gjitha përbërësit e nevojshëm, në veçanti me kalcium. Edhe pas lindjes së fëmijës, kujdesi duhet të fillojë para daljes së dhëmbëve të parë. Ekspertët këshillojnë përdorimin e gazave ose ndonjë pëlhure të butë të lagur me ujë për të pastruar mishin e dhëmbëve para se ato të dalin. Fërgimi dhe masazhimi i mishit të dhëmbëve preferohet të bëhet pas çdo ushqyerje me qumësht si dhe para fjetjes. Ky pastrim dhe masazhim i hershëm do t’i ndihmojë fëmijës tuaj të ketë më pak mundime gjatë daljes së dhëmbëve, dhe do ta mësojë atë me procedurën e higjienës së rregullt orale dhe ndoshta do t’ia “mbjellë” këtë shprehi të shëndetshme për gjithë jetën. Kujdesi pas daljes së dhëmbëve Pas daljes së dhëmbëve ju duhet të filloni të përdorni brushë të vogël dhëmbësh të dizajnuar veçanërisht për foshnja, si dhe pasta speciale për këtë moshë pa përmbajtje fluori. Përdorni sasi të pastës sa një kokërr fasule dhe, sa më herët që mundeni, filloni edhe me pastrimin me penj të dhëmbëve. Kujdesi i dhëmbëve të foshnjës nuk duhet të mbështetet vetëm te pastrimi i tyre, por edhe te parandalimi i prishjes. Një problem i shpeshtë, që prek dhëmbët dhe mukozën e gojës është mënyra jo e duhur e të ushqyerit. Sheqeri në formula (qumështin pluhur) dhe lëngjet e pemëve mund të ndihmojë në krijimin e pllakëzave, duke shkaktuar formimin e acidit që sulmon smaltin e dhëmbit. Ky acid prek dhëmbët brenda 20 minutash pas ushqyerjes, nëse ju nuk i pastroni dhëmbët e fëmijës menjëherë. Ekspertët po ashtu këshillojnë të mos i leni fëmijët të bien në gjumë me shishe në gojë. Kjo sepse derisa foshnja fle ka rënie të tajimit të pështymës në gojë, që e bën më të lehtë grumbullimin e sheqernave rreth dhëmbëve. Në vend të qumështit dhe pijeve me sheqer, ata këshillojnë prindërit t’ua mbushin shishen me ujë ose të përdorin biberon të pastër për të qetësuar fëmijët. Disa këshilla tjera rreth kujdesit oral te fëmijët Biberonët janë në rregull nëse përdoren deri në moshën dy ose tre vjeçe. Kjo shprehi është më e lehtë të eliminohet se sa thithja e gishtit. Kur foshnja fillon të qëndrojë dhe/ose ecë, duhet të jeni të kujdesshëm për ndonjë lëndim të dhëmbëve që ai/ajo mund të pësojë kur rrëzohet. Traumat dentale kërkojë një vëmendje të menjëhershme. Bëni vizita rutinë te dentisti. Vizita e parë e fëmijës tuaj duhet të ndodhë para ditëlindjes së parë, e ndjekur nga një vizitë çdo gjashtë muaj. /Mjeku.Net/
Posted on: Sun, 24 Nov 2013 10:49:03 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015