Fjala bajrak vjen nga turqishtja dhe në shqip është flamur. - TopicsExpress



          

Fjala bajrak vjen nga turqishtja dhe në shqip është flamur. Është simbol, rreth të cilit sillet dhe zhvillon veprimtarinë një grup i caktuar shoqëror në një teritor të kufizuar gjeografik dhe që e lidhin veçori etografike, morale dhe ekonomike. Bajraku ka zhvillimin e vet historik, që do të thotë se gjatë rrugës që nga lindja e tij, ka pësuar ndryshime. Bajraku fillimisht ishte shenjë e fisit, fshatit, më pas e grup-fshatrash e krahinës. Me këtë simbol bëhej organizimi sipas nevojës. Në një kontekst të caktuar bajraku është tregues i lashtësisë së popullit tonë në visin e Ballkanit, duke sjellë evolimin nga organizimi i fisit, në katunde e krahinë. Krahas mjaft zakoneve lashtësore, që gjenden në Shqipërinë Veriore, organizimi me bajrakë, tregon ruajtjen e administimin e territoreve nga vetë banorët, jo vetëm të teritorit të tyre, po edhe më tej, për të përballuar luftra dhe invazione. Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës bajrak (organizim nga fshat e deri krahinë), bajrakët nisën veprimtarinë e vet në shekullin e XII, kurse në shekullin e XVII u institucionalizua si organizim vetqeverisës. Roli i tyre u ndie e u fuqizua në shekullin e XIX deri në çerekun e parë të shekullit XX. Në krahinën e Kalasë së Dodës njihen katër bajrakë, që vepronin veç e veç. Në në raste kushtrimi, bajrakët vepronin në kuadër të bajrakëve të Lumës. Janë bajraku i Radomirës, i Kalisit, i Bushtricës dhe i Çajës, që së bashku me bajrakun e Dollovishtit, të Tejdrinës dhe të Rrafshës, janë shtatë bajrakët e Lumës. Ai që mbante flamurin (bajrakun) quhej bajraktar. Bashkë me bajrakun ka ndryshuar edhe roli i bajraktarit. Fillimisht ishte i zgjedhuri i fisit, pastaj i fshatit e kështu me radhë, sa në fund u ngurtësua në një fis, i cili mori dhe mbiemrin bajraktar. Bajraktari njihej në organizimin dhe përkushtrimin në luftë. Kishte rregull, që po të vritej bajraktari, flamuri nuk binte për tokë; atë e kapte më i afërti në krah të bajraktarit. Ky i fundit përgjigjej për luftimet dhe në të ardhmen bëntë organizimin e bajrakut. Kështu bajraku lëvizte nga një person te tjetri. Si pasojë lëviste edhe nga një fis në tjetrin. Në shumë vise, pas shuarjes së funksionit të bajrakëve, në fillim të shekullit XX, bajraktarët që ishin të fundit, mbajtën dhe mbiemrin bajraktar. Kështu ndodhi në bajrakun e Rrafshës (bajraktari i Bicajve), në të Tejdrines, në Has, etj. Në katër bajrakët e Kalasë së Dodës, (megjithëse njihen bajraktarët), mbiemri nuk është ruajtur. Kjo tregon së bajraktari zgjidhej nga vetë banorët dhe se forca kolektive ka qenë mbi bajraktarin. Gjithashtu ndodh që ka patur më tepër ndikim institucioni i kryepleqësisë, oxhakut, etj. Në Kalis vepronte ndikimi i oxhakut. Edhe oxhaku ka ardhur duke ndryshuar, pasi funksin i tij fillimisht njihej brenda fisit. Quhej oxhak shtëpia (familja), që mbetej pas ndarjes së vëllezërve, pas një kohe të caktuar. Në fillim quhej vetëm shtëpi dhe pasi krijonin ekonominë e vet, kishin odën e miqëve, atëherë thuhej se “asht tajm” (tym), çet tym. Oxhaku dhe tymi ishin të një fisi, me ndryshimin se oxhaku ishte në troje të vjetra, nga ku kanë dalë familje tjera. Rëndësi mori oxhaku si shtëpi e njohun me përparësi deri në “oligarki sunduese feudale” (Fjalori enciklopedik shqipëtar, f.788), në shekullin e XVIII e deri në fillim të shekullit XX. Veç Kalisit, në fshatra të tjera të Kalasë së Dodës nuk ka shtëpi oxhak. I fundit në oxhakun e Kalisit është Murat Imeri, i njohun në këto anë shtëpia e Mer Sufës. Edhe pse i përket organizimit feudal, dihet se në Kalis mungonin pronat feudale, prandaj veç emrit dhe respektit nuk ruhet kujtim tjetër nga kjo shtëpi-oxhak. Emri dhe respekti për këtë shtëpi ruhet edhe sot, pasi njerëzit e kësaj familje janë shquar për ruajtjen e traditave të mira, për urtësi e drejtësi, kur e ka kërkuar nevoja. Brenda visit të Kalasë Dodës ndihet edhe cilësimi: në dhetarë e malësorë. Megjithëse është në zbehje, ruhen disa dallime si në të folme, në ndonjë aspekt tradite, por më të cilësueshme janë në cermonitë fetare, pasi dhetarët preferojnë në drejtim të këtyre cermonive hoxhën, ndërsa malësorë shehun. Fshatrat Kalisi e Vila thirren malësorë, ndërsa të tjerët dhetarë. Malësorët kanë lëvizur më tepër nga trojet e tyre në fshatra të tjerë të këtij visi, kurse dhetarët nuk dallohen për lëvizje. Kështu gjen kalisanë të vendosur në Bushtricë, Çajë, Shullan, Ceren etj, kurse në Kalis nuk gjen nga fshatrat e përmendura. Ashtu edhe vilas gjen në Bushtricë, Matranxh etj, kur në Vilë nuk ka nga fshatra të tjerë. Në organizimin e bajrakëve nuk është marrë parasysh kjo ndarje, pasi Kalisi është bajrak në vete, kurse Vila hyn në bajrak me Bushtricën. Për formimin e bajrakut duhej një numër i caktuar shtëpi-familje. Thuhet se ky numër ishtë 300 shtëpi, me synimin për të patur mbi 300 vetë me pushkë. Po të shohësh numërin e shtëpive në fund të shek. XIX, sikur sillet rreth kësaj shifre. Thuhet se Kalisi ka qenë gjithnjë 300 shtëpi. Edhe në regjistrimin e I.Jastrebovit, del me 300 shtëpi. Vetëm bajraku i Çajës ishte nën këtë shifër, e cila, siç thuhet, e plotësonte me burra. Bushtrica e Radomira e kalojnë këtë shifër. Si argument është edhe një e dhënë e shek. XVIII (e kohës kur u institucionalizuan bajraqet), se Qafa si bajrak kishte këto fshatra më këto shtëpi: Bushtricë, Palush, Gjegje, Matranxh së bashku 36 shtëpi. Vila 12 shtëpi, Vasie 8, Ploshtan 100, Ceren 40, Shullan 104 shtëpi. (Të dhënat janë nxjerrë prej “Enciklopedia turke”). Organizimi me bajrakë ishte organizimi më i lartë, kur në fshatra e krahinë vepronin edhe organizma të tjerë si pleqësitë, kuvendet etj. Bajraku mblidhej në kuvend kur teritorin e kërcnonte rrezik. Jo vetëm teritorin e vet, po shumë më larg, kur kombi e thërriste, bajraku përgjigjej me forca. Bajraktari, siç u tha më sipër, nuk ishte i përhershëm. Ai lëvizte sipas rastit, veçanërisht kur ai vritej në luftë. Zakonisht bajraktari nuk kishte detyra të tjera në bajrak. Kështu në kohë paqe, megjithëse ishte i zhveshur nga detyra të tjera, figura e tij ishte e dallueshme. Në shtëpinë e tij qëndronte shenja e bajrakut. Roli i bajrakëve u bë tepër i rëndësishëm, kur filloi ajo që në histori njihet krizë lindore (fillimi i saj 1875-76). Kjo krizë krijoi për viset shqiptare “një situatë mbytëse, madje të rrezikshme për kryengritjen shqiptare Çlirimtare antiosmane. Ajo e kthen mundësinë e copëtimit të Shqipërisë nga një rrezik potencial në rrezik real.” (Histori e Shqipërisë, vëll II, T.1984, f. 182). Në këtë kohë tepër të vështirë lypsej sakrificë. Organizimi nën një flamur, qoftë edhe i një visi, qoftë edhe ndryshe, (soj tjetër nga ai i përgjithëshmi. F.Gj), rrethanat reale të krijuara kërkonin sakrificë. Betimi “Për din e iman” e “Për hatër të vatanit”, mblodhi dhe organizoi bajraqet kundër sulmeve serbe. Vilajetet shqiptare nuk arritën të bëhen një, nuk iu dha mundësia e bashkimit nga katër vilajete në një Shqipëri. Për fat të keq kështu mbetën e kështu janë. Shkaqet besoj se duhen kërkuar edhe te “ballabanët” shqiptarë, që për hir të qënies së tyre pasha, lanë viset shqipëtare të ndara. Fqinjët e ndien në kohë dobësimin e Turqisë dhe filluan të punojnë për veten e tyre në dëm të kombit tonë. Që në vitin 1885 kryeministri grek J.Koleti formuloi dhe shpalli “Megali Idea” (ide e madhe). Sipas kësaj ideje, Greqia si trashgimtare e Bizantit, “duhej të shndrrohej në një shtet të madh me kryeqytet Stambollin” (po aty, f. 141). Nga tokat shqiptare do të merrej krejt Epiri deri në Shkumbin dhe krejt Maqedonia deri në Korçë. Po atë vit serbi I.Garashanin shpalli “Naçertanie-n” (Projekt), që përfshinte kufijtë e perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit. “Në kufijtë e kësaj perandorie të re, sipas “Naçartanie-s” do të hynin edhe viset e Shqipërisë së Veriut së bashku me Kosovën, që ministri e pagëzoi me emrin “Sërbi e vjetër” (po aty, f. 142). Këto teori false vazhduan nëpër vite, për të ardhur deri sot si zëri i një daulleje të shkyer. Historia dhe kohët treguan se nuk mbetën vetëm teori, po herë pas here vepruan për t’i vënë në jetë. Bajrakët e Lumës dhe viset tjera shqipëtare u desh të përballen herë pas here me sulmet serbe. Në këto rrethana shqiptarëve u mbeti të organizohen vetë, të organizohen sipas grupimeve, me çeta e me bajrakë nën një edukatë dhe praktikë të njohur shekullore për liri. Luftërat që u zhvilluan nën drejtimin e bajraktarëve gjatë shek. XVIII dhe në fillim të shek.XX, tregojnë se organizimi i bajrakëve ishte model sakrifice. Disa nga luftërat e bajrakëve tanë, me sa jepen të shënuara në dokumente janë: - - Më 1826 bajrakët e Lumës marshojnë drejt jugut në mbrojtje te vilajetit të Janinës nga sulmet greke. Këtë të dhënë e japin dokumentat e kohës (“Luma në gjysën e parë të shek. XIX”, dok.6, përg. Sh.Hoxha), Ku thuhet: “....Mahmut Pashë Rrotulla njofton Bilal agë Bicanin e krerët e tjerë të Lumës se “do të marshonin kundër të pafeve grekë” të inkuadruar në ushtrinë e valiut të Rumelisë” Po në këto dokumente thuhet se dy vjet më vonë prap urdhërohen krerët e Lumës për të marshuar...” Një të dhënë tjetër po për luftën e bajrakëve tanë në mbrojtje të shqiptarëve të jugut është edhe te konsulli austriak Hahn, i cili flet për Sebuli agë Radamirliun, që “kishte njohë Ali Pashë Tepelenën e princa të shumtë shqiptarë, kishte luftuar në More kundër grekëve...” ( J.G.Hahn, Reise Durch Die Gabiete des Drin und Ëardar, Ëien, 1867, f. 151) Deri më 1876, kur bajrakët u dalin në Nish trupave serbe, kemi një varg kryengritjesh kundër administratës turke, e cila disa herë përdori ekspeditat ndëshkimore. Në verë të vitit 1843 Qeveria osmane shpalli zyrtarisht Tanzimatin në Kosovë, i cili u prit me kryengritje në shumë vise të saj. Gjithsesi rreziku parësor mbetej fqinji serb, që bajrakët dhe parësia e vendit, tashmë e kuptoi qartazi. Më 30 qershor 1876 Serbia i shpalli luftë Turqisë. Në pritë të parë ishin shqiptarët. Është lufta më e madhe, ku bajrakët treguan cilësinë dhe lartësinë e organizimit, Kjo ishte lufta e Nishit. Shtatë bajrakët e Lumës, inkuadrohen në përbërje të 153 batalioneve osmane me 192 topa. Këtu japin jetën me qindra djem dhe burra nga bajrakët e Lumës, nga të cilët krerët e bajrakut të Çajës, Bushtricës, Topojanit etj. Sërbia e mundur nënshkruan me Perandorinë Osmane armëpushim dymujor.(H.Sh, e cituar, f. 543) Në qershor 1878, nga bajrakët tanë marrin pjesë si mbrojtje, si pjesëmarrës e deri si nënshkrues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Po organizimi i bajrakëve vazhdoi me betejat në Silovë, në Shtimje, në Qafë të Dules e Prizren më 18 deri 21 prill 1881. Këtu dalin figura popullore, që e përfaqësuan denjësisht trevën e Lumës. Edhe më pas, më 1912-13 deri 1919 lufta me serbëtn nuk pushoi. Organizimi më bajrakë, po edhe nga persona të njohur e me peshë, arriti të zbrapsë hordhitë serbe. Bajraku i Bushtricës njihet me emrin bajraku i Qafës, pasi përfshin fshatrat nga uji i Lapave deri në Ceren, duke lënë anash bajrakun e Kalisit, Çajës e Radomirës. Në këtë bajrak hyjnë fshatrat Bushtricë, Palush, Matranxh, Gjegje, Vilë, Vasije, Ploshtan, Ceren dhe Shullan. Kufijtë natyrorë me Çajën shkojnë pas rrjedhës ujit nga Kepi i Fshatit-Bakëll e në drejtim të Sarakolit, me përjashtim të Përroit Lushit, që kanë bjeshkë edhe Cerenin. Edhe me Kalisin ndarje janë kodrat nga Voreni në Sukë e pastaj shkon në lumin e Veleshicës. Kufiri tjetër është Ceren –Radomirë dhe kufijtë e Vilës me Kalisë, Ujmisht e Lusën. Tregojnë se fillimisht bajraku ka qenë në Ceren, më pas në Ploshtan e më pas në Bushtricë, por nuk mbahen mend shtëpitë me bajrak në dy të parat, pasi thuhet se kanë migruar. Të paktën nga viti 1876 e këtej shtëpi bajrak njihet Bejt Gjini nga Bushtrica. Pas tij nuk njihet bajraktar tjetër, ndonse organizime për mbrojtjen e vatanit janë disa. Bejt Gjini i ka pri bajrakut në dy beteja kundër shkaut. Lufta e Nishit ishte më e madhja. Nga bajraku i Qafës marrin pjesë në këtë luftë mbi 250 pushkë. Ishte një luftë e paparë trup me trup, më shumë me bajoneta e më pak me zjarrin e pushkës turke. Në luftë bie bajraktari Bejt Gjini me 60 vetë. Deri vonë është ruajtur shenja e bajrakut, që sipas pasardhësve, ishte një cohë mëndafshi ngjyrë e kuqe, e rrethuar më shirit dhe thekë ngjyrë ari. Bajraku i Kalisit fillon nga jugu në krahun e djathtë të rrjedhës së Veleshicës (duke përfshirë Zall-Kalisin, që është në të majtë e që tani përfshihet në rrethin e Dibrës) e në të djathtë të Drinit në perëndim. Nga Veriu kufizohet me Vilën nëpërmjet kufirit në Gjinetë, kah Lama e Humit e në Voren. Kufiri lindor me fshatin Palush shkon nga Voreni në Sukë. Bajraku i Kalisit ka qenë gjithnjë në fisin Ymere të Zall-Kalisit. Selë Bajraktari ka qenë me 200 e sa burra në luftën e Nishit. Pas tij njihet Idriz Bajraktari, i cili u vra në luftën e Qafës Dules kundër serbëve. Më pas bajrakun e mbajti i vëllai, Hasani. Bajraku i Radomirës thuhet se është bajrak i parë. Ka qenë bajraku më i organizuar, në të gjithë rastet kur e lypte nevoja kombëtare. Ky bajrak përmbledh fshatrat nga Çernjeva në Tejsë. Bajraku ka qenë në fisin Ahmate. Ndër personat e njohur si bajraktar është Isuf Ahmati. Bajraku i Radomirës nuk u ka munguar lufërave kundër serbëve, por më 1912 në luftën e Qafës së Kolesjanit ka shënuar ngjarjen më të dëgjuar. Bajraku i Çajës ka fshatrat e pellgut të lumit të Çajës, që zbret nga bjeshkët e Sharrit dhe të Kulotës, që formohet nga burimet e bjeshkëve të Kroit të Bardhë. Ky lum quhet Jëvori (Në “Salname Kosova”,1898, f.36). Bjeshkët i kalojnë kufijtë e pellgjeve të këtyre lumejëve. Ndër këto është Gropa e Shehit, bjeshkë e fisit të shehlerëve të Fshatit, me sipërfaqe 12 mijë dheneven (Masë e vjetër për bjeshkët, shih në këtë vëllim pjesën “Kultura e arsimi). Bajraku ka qënë në Fshat në fisin Graci. Më 1876, në luftën e Nishit morën pjesë mbi 100 luftëtarë, ndër të cilët 40 u vranë. Bashkë me të vrarët ishte bajraktari me tre vëllezër të vet. Pas tij bajrakun e pati Baftjar Graci, më i afërti kushëri, që mbeti gjallë nga lufta e Nishit. Ky me bajrak në dorë luftoi në krye të 60 vetëve në Silovë-Shtimje e në luftëra të tjera. Baftjar Graci njihet bajraktari i fundit në Grykën e Çajës, ashtu në shumë bajrakë, që mbahen mend vetëm të fundit dhe nuk e kanë trashëguar titullin e bajraktarit. Për luftën e Nishit historiografia jonë ka shkruar shumë pak, për të mos thënë fare. Ka patur një interpretim se ka qënë luftë për fe dhe të inkuadruar në krah të ushtrisë Osmane. Sigurisht që është gabim të mendosh kështu. Është koha kur filluan të preken kufijtë e vilajeteve shqiptare. Edhe pse të ndara, katër vilajetet shqiptare, ishin komb shqiptar, ishin vise shqiptare. Kriza e Perandorisë, shtoi orekset dhe hapi gojën e shovinistëve fqinj. Konkretisht harta administrative e Perandorisë Osmane në Gadishullin e Ballkanit, luhatej në dëm të trojeve shqiptare. Atëhere duhej t’u bëhej pritë sulmeve në kufij dhe këtë bënë vilajetasit e Kosovës më 1876. Prokupa, Nishi u bënë llogore e pakalueshme për serbët. Me kushtrimin “per fe e atdhe’, “për hatër t’vatanit, bini djem dushmanit”, kjo luftë nuk ka pse të mos shënohet. Mund të ketë vështirësi se edhe dokumentat mungojnë, por kujtesa popullore edhe sot s’e harron. Në ato ditë mortash (që nuk ishin pak, po me qindra në bajrakët e Lumës), u thurën vargje elegjiake në vend të shënimeve, u derdhën lot dhe dalëngadalë vargjet elegjiake u bënë këngë heroizmi. Këto këngë janë këngë kufijesh, ndaj rrojnë, janë këngë të bëmave të mëdha (sa që thuhet se është ndërtuar një kullë me krenë, me koka njerzish, për të mbetë dëshmi kufiri në afërsi të Nishit). Kënga mbeti e këndohet, kur kujtimet rrallohen e rrallohen me largimin e brezave. Bajrakëve tanë u ka munguar kronikani, kur të tjerë trillojnë me mite gënjeshtare, duke i thënë Kosovës djep të sllavëve të jugut. Po kënga përmbys çdo gënjeshtër dhe shejtëron të vërtetën. Këtë ka bërë kënga për Ejup Topojanin, për Bejt Gjinin , për ..., në të cilat vlon kushtrimi e betimi, gjëmon trualli e duket sikur ngjarjet afrohen. Vetë refreni “Bini, djem, dushmanit për hatër t’vatanit!” e jep këtë efekt. Ja disa nga vargjet e këngës: Kush ka hy i pari n’llogore?/ Ky Bejt Gjini me bajrak n’dorë./ Bini djem dushmanit,/ Për hatër t’vatanit! Kur ka hyp Bejta n’lak,/Bajraku u la me gjak./ Bajraki i Bejt Gjinit, /Lulja e tranafilit./ Bini djem dushmanit,/ Për hatër t’vatanit!/.../ Fejzulla Gjabri
Posted on: Tue, 03 Dec 2013 22:57:59 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015