Flamuri ynë -Mite,legjenda dhe të vërteta historike për - TopicsExpress



          

Flamuri ynë -Mite,legjenda dhe të vërteta historike për flamurin kuq e zi- Ndër simbolet tona kombëtare,flamuri ynë,me të gjithë elementët që e përbëjnë,është simboli më i lashtë,më kuptimploti ,më jetësori dhe për këto arsye ,edhe më i rëndësishmi për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.Por,i parë në strukturën e tij përbërëse,flamuri ynë kombëtar,mban përbrenda vetes disa elementë që secili ,edhe veçmas, përbëjn një simbol dhe të gjithë bashkë,në unitetin e tyre historik,i japin flamurit një vlerë unikale e mbarëkombëtare. Flamuri i Shqipërisë si shtet është flamuri kombëtar shqiptar.Ai është një cohë me ngjyrë të kuqe me shqiponjën e zezë dykrenore në mes.Që këtu dallojnë elementët e flamurit tonë:ngjyra e kuqe e fushës së flamurit,ngjyra e zezë e shqiponjës dhe shqiponja vetë-jo si një shqiponjë e zakonshme,por me dy koka të vendosura në një trup të përbashkët nga dalin një çift krahësh të hapur maksimalisht. Atëherë,parë në simbolikën e vet flamurin tonë kombëtar,që në krye të herës ,natyrshëm e në mënyrë krejt logjike ,na lindin një sërë pyetjesh:pse është e kuqe fusha e flamurit tonë ? Pse është e zezë ngjyra e shqiponjës ? Pse është pikërisht shqiponja në flamurin tonë dhe, pse është me dy krerë kjo shqiponjë?Cfarë simbolizon secili element i marë në veçanti,po të gjithë elementët bashkë? Akoma,sa i lashtë është flamuri kombëtar i shqiptarëve? A janë elementë autentikë ngjyrat,shqiponja,dy kokat e saj apo janë huajtur nga diku a dikush përtej zgafellave të thella të historisë së largët? Edhe më tej ,nga erdhi shqiponja,si u shndrua në shqiponjë me dy kokë ? Si u ngjiz ajo në trojet tona arbërore ? Me ç`fakte historike mbështeten përgjigjet e pyetjeve të parashtruara ? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të ndriçohen vetëm duke ndjekur procesin historik përgjatë të cilit ka ecur kombi ynë që nga gjeneza e tij e deri sa u rit e u konsolidua si i tillë në rrjedhë të mijra e mijra vjetëve.Sepse vetëm me lindjen dhe formimin e kombeve,lindi edhe nevoja për të patur simbole kombëtare që shërbenin si mjet i identifikimit kombëtar,por edhe si mjet bashkimi i popullsive të caktuara që kishin kompaktësi etnike apo dhe që ishin të vendosur gjeografikisht në të njëjtat territore.Dhe më vonë e pas kësaj,filloi ngritja në kult e këtyre simboleve e cila u shndrua në një praktikë që shoqëroi edhe ngritjen e qytet-shteteve e më vonë të shteteve të konsoliduar e modernë.Kjo ka ndodhur pothuajse në të gjithë vendet e Europës,por edhe në shumë vende të botës.Dhe sot,në kohën tonë ,të gjitha kombet,shtetet-komb apo shtetet multi-etnikë i kanë simbolet e tyre kombëtare dhe simbolet e tyre shtetërorë.Në rastin e Shqipërisë,simboli kombëtar,flamuri,përputhet me simbolin e shtetit shqiptar që është flamuri i kuq me shqiponjën dykrenore në mes. Shqiponja njëkrenore si një simbol pellazgo-ilir. Megjithë studimet jo të pakta që kanë të bëjnë me simbolin e shqiponjës dhe origjinën e saj si e tillë,largësia në kohë,pushtimet e vazhdueshme ,ideologjizimet si dhe shtrembërimet e shumta të bëra shpesh me qëllim e keqdashje e kanë dendësuar tepër tymnajën shekullore që mbulon të vërtetat që lidhen edhe me këtë çështje.“Kultura e të mundurve shkatërrohet nga fituesit-shkruan Nermin Vlora Falaski.Vetëm “toka mëmë“ është në gjëndje t`i ruajë në gjirin e vet,deri sa të mundet,ato mbeturina arkeologjike dhe epigrafike,të cilat do të dëshmojnë një ditë,mbi atë lulëzim të madh të kohëve të kaluara.( Prona gjuhësore dhe gjenetike,f.65).Ja kështu,as më shumë e as më pak,ka ndodhur me kulturën shqiptare ndër shekuj,me qytetërimin shqiptar të ngritur e lulëzuar ndër qindra e mijra vjet të shkuar në trojet autoktonë të të parëve tanë pellazgo-ilirë. Autorë të shumtë ,shqiptarë e të huaj,dje ,por edhe në ditët tona,vazhdojnë të hedhin dritë,si për shumë të vërteta të tjera historike,edhe për kultin e shqiponjës duke u munduar të sqarojnë lidhjet e saj gjenetike me stërgjyshët tanë ,pellazgo-ilirët .Spiro Konda në “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik“,Aristidh Kola në “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve“,Eduard Shnajder tek “Pellazgët e pasardhësit e tyre“ ,Dhimitri Pilika tek “Pellazgët origjina jonë e mohuar“ ,Jaho Brahaj në “Flamuri I kombit-Origjina,lashtësia“ etj.,kanë sjellë fakte të panumërt që,me sa duket, i janë përqasur tepër të vërtetës historike. Le ta fillojmë me arkeologun e apasionuar dhe shqiptarin e madh, At Shtjefën Gjeçovin i cili është ndër të parët që Zeusin dhe të gjitha perënditë e Olimpit i quan pellazgo-ilire dhenë një nga studimet e tij për Pellazgo-ilirët,nënvizonte:“Zeusi,kishte tre preference të mëdha të cilat ishin: Lisi që simbolizonte jetëgjatësinë (rreth 1500 vjet),Dhia Amaltia që njihej për qumështin e saj shërues dhe Shqiponja,zogu simbol I Diellit“. (Trashëgimni Thrako-ilire,vepra,vol.2,Prishtinë,1985). Dh.Pilika pohon se shqiponja ,që është simbol i flamurit shtetëror shqiptar,i vulës zyrtare dhe i stemës së Kastriotëve,është trashëgim i shkabës,emblemës së Aleksandrit të Madh dhe Pirros së Epirit.Kjo emblemë e gjithëmbarëshme arbërore,-aspak rastësisht,-i ka rrënjët vendase,madje të ndërthurura pikërisht me Pirro Molosin,me pararendësit dhe pasardhësit e tij,sikundër na e vërtetojnë Plutarku(shek.l),Eliani (shek.lll) etj.Dëshmitë e tyre si edhe shumë historianëve greko-romako-bizantinë pohojnë mbi nyjet e shumta që e gërshetojnë shëmbëlltyrën e Pirros me shqiponjën.(Dh.Pilika,Pellazgët origjina jonë e mohuar“,f.63).Gjithashtu,në Epir,para dhe pas Aleksandër e Pirro Molosit,gjatë shekujve,janë prerë mbi 72 seri të ndryshme parash metalike,miliona monedha me simbolin karakteristik të shqiponjës.Po t`i shtohen këtyre edhe emisionet e monedhave të qyteteve të tjera ilire-mbi 47 prerje,qindra mijë ekzemplarë të tjerë,gjithmonë me shenjën e shkabës,ky primat botëror ligjëron qartazi se arbërit,si ndër miq,ashtu edhe ndër armiq,e kanë merituar,jo pa të drejtë ,cilësorin e rrallë “bij të shqipes“. Që përpara Aleksandër Molosit (shek.lV p.e.s.) shqiponja ndeshet rëndom,krahas emblemash të tjera stërgjyshore,si Zeusi dodonas,rrufeja,demi,mburoja,qeni…Edhe nën mbretërimin e Aleksandër Molosit(v.342-331 p.e.s.),shqiponja takohet përbri Zeusit të Dodonës,rrufesë,dushkut,diellit,pëllumbit etj.Gjatë mbretërimit të Pirros (297-272 p.e.s.) shqiponja shoqërohet edhe nga emblema të tjera,të rrënjosura brez pas brezi,si ylli,hënëza,kalliri i grurit etj…Atëherë,pyet studjuesi i madh Pilika,prej nga rrjedh shqiponja e gjithkund e pranishme e Aleksandrit dhe Pirro Molosëve ,Gjergj Kastriotëve,etj.,etj.,që e ka nisur udhëtimin nga thellësitë e shekujve e mbrin deri në kohën tonë?!Si shpjegohet ky parapëlqim këmbëngulës mijëravjeçar i katragjyshërve tanë për këtë simbol?!Përgjigjen e pyetjes e gjejmë të qartë e të kthjellët duke bërë një ekskursion fare të shkurtër nëpër monopatet e prehistorisë,historisë së artit dhe të kulturës popullore,përfundon përgjigjen Dh.Pilika. Nga vëzhgimi i mijra relikeve që na kanë lënë të moçmit tanë,si edhe sikurse e saktësojnë dhjetra burime historike dhe shkencore të huaja apo vendase,mund të pohojmë me plot gojën se shqiponja mishëron një nga atributet e mirëfillta të Zeusit pellazg të Dodonës,(edhe tempulli i Dodonës është pellazgo-ilir),përbri rrufesë,dushkut,demit,…Mbreti i shpendëve ,siç është cilësuar shqiponja, fluturon lart ,më afër qiellit dhe më pranë Zeusit duke i shërbyer atij si një lajmëtar dhe shoqërues i pandarë ,duke mbajtur në çaponj shufrat e rrufesë,armën më shkatërrimtare të këtij “Zoti të Dodonës“.Gjithashtu,sipas një miti të lashtë,nën tiparet e shkabës ,kryepërëndia pellazg i Dodonës,Zeusi, qe bashkuar me nimfën Aigina ,bashkim nga i cili lindi i pari bir i shqiponjës,Aiaku,katragjyshi i Aleksandër dhe Pirro Molosit.Vetëm e vetëm nëpërmjet këtyre stërprindërve tanë,shqiponja do të lakmohet dhe huazohet,për nder të tyre,nga popujt italianë si një simbol qëndrese ,guximi e trimërie në rrafsh ndëretnik europian…(Po aty,f.68).Dhe në atdheun e aiakasve ( theksojmë që aiakasit ishin paragrekë -pellazgo-ilirë dhe të tillë ishin edhe Aleksandri I Madh dhe Pirrua i Epirit),shkaba konsiderohej si një amanet i stërlashtë stërgjyshor.Një enë tringjyrëshe-e bardhë,e zezë ,e kuqe-manushaqe e zbuluar në vendbanimin e Vulçit-Etruri,(Etruria ishte një rajon në Italinë qëndrore ku banonin Etruskët),mban të pikturuar shqipen e parë paragreke,që ka qënë emblemë e Geryonit,mbretit legjendar të Thesprotisë,(Camëria e sotme),këtu e 3400 vjet të shkuar.Tani për tani kjo konsiderohet si përmendorja grafike më e vjetër e shkabës sonë.Ka mundësi që kjo amforë të jetë krijuar në shek.Vl p.e.s.Pak më e vonshme mendohet të jetë shqiponja tjetër parahelene, simbol i kreshnikut aiakas të Luftës së Trojës,Akilit,e pikturuar mbi një pjatë mbi të cilën piktori antik na e paraqit mburojën e Akilit me shenjën e shkabës,të stolisur me yje…(shek.V p.e.s.).Të dhëna të shumta në qeramikë,numizmatikë etj.provojnë praninë e shqipes parahelene,pra edhe kultin tashmë të ngritur të saj,gjatë monarkisë së Lekës së Madh e të Pirros së Epirit.Bile,fitoret e njëpasnjëshme të këtij të fundit kundër ekspansionit romak,ndikuan që shumë popuj të qyteteve italiotë e siqeliotë të adaptonin shqiponjën dodonase si emblemë luftarake e qëndrese duke e vendosur atë edhe në shumë prerje monedhash të tyre…(shek.III-II p.e.s.). Edhe shqiponja dykrenore është një trashëgimi ilire. Shqiponja dykrenore është e dokumentuar qartësisht tek paraardhësit tanë,që nga shek.VI p.e.s.Studjuesi i mirënjohur Jaho Brahaj në librin “Flamuri i kombit shqiptar-Origjina,lashtësia“,jep argumenta bindës që vijnë nga lashtësia e Mesjeta për të provuar këtë.Por ,sipas këtij studjuesi,gjurma më e vjetër që ka mbetur e shqiponjës dykrenore,është në trojet e perandorisë Hitite (Turqia e sotme) që e ka fundin në shek .XII p.e.s.Shqiponja dykrenore hitite mban në dy kthetra një lepur,…Në qoftëse është e vërtetë mosha e kësaj gjetjeje,atëhere na rezulton ,që ajo , tek parailirët ,për rreth 1000 vite a më shumë , është e ruajtur në strukturën shpirtërore të paraardhësve tanë që në epokën e Bronxit si një simbol kultik.Edhe në Shqipëri,sipas dëshmive të albanologut De Grand,ruhej një basoreliev,që në fundin e shek.XIX ishte në kishën e Tushit Shkodër,ku ishte gdhendur një shqiponjë krahëhapur me kthetra mbi një lepur. Por si erdhi në trojet tona të lashta pellazgo-ilire shqiponja me dy koka prej perandorisë hitite?Dardanët,një nga fiset më të rëndësishme ilire,me migrimet e tyre të shumta,ishin bërë pjesë e qytetërimit hitit.Studimet e shumta të prof.D.Hwkins kanë hedhur dritë mbi shumë të vërteta historike mbi Ilirët dhe Hititët dhe lidhjet që këta të fundit kishin sidomos me Dardanët.Bile,sipas autorit në fjalë,ishin Hititët dhe Dardanët që krijuan Trojën e lashtë.Pra me sa duket,ishin pikërisht ilirët Dardanë ata që prej Perandorisë Hitite huazuan shqiponjën dykrenore dhe e sollën atë në trojet e tyre duke e ngjizur gradualisht dhe duke e bërë simbolin më të vjetër të botës, pjesë organike të kulturës dhe historisë së tyre.Bile,ka mundësi që edhe Hititët ta kenë marë këtë simbol nga sumerët,sepse në kryeqendrën e persëve të cilët kishin ndikime ilire,në Persepoli (Irani i sotëm),ka një statujë e cila tregon shqiponjën me dy koka. Ndërsa dokumenti më i vjetër ilir ku dokumentohet së pari shqiponja me dy koka është ai i shek.VI p.e.s. që pasqyron një ritual të gdhendur mbi një urnë guri (varr guri ku depozitohej hiri i të vdekurit), të dy luftëtarëve ilirë në mburojën e njërit prej të cilëve shihet skalitja e shqiponjës dykrenore.Kjo urnë është gjetur në Ribic të Kroacisë,territori ku jetonte fisi ilir i Japodëve.Gjithshtu,në tri pllaka të ndryshme të zbuluara po në shek VI p.e.s.në Gostil të Malit të Zi,në një paraqitje kulti,është gdhendur shqiponja dykrenore se bashku me “lisin e jetës“ dhe diellin.Përveç këtyre dokumenteve,thuajse të asaj periudhe ,është edhe një tokëz ilire me motivin e shpendit me dy kokë e zbuluar në tumat e Matit.Në një hajmali ilire të shek VI-V p.e.s dallohen dy kokat e shqiponjës në drejtime të kundërta.Pra,shqiponja dykrenore e gjetur në objekte të tilla arkeologjike provon se konfigurimin grafik të ngjizur në tharmin e kultit të shpendit-shqiponjë tek etnia jonë,e kemi që në prehistori.Mund të themi pa u zgjatur,se shqiponja dykrenare e dëshmuar tek parardhësit tanë është një ngjizje kulturore të paktën 7-8 shekuj para se ajo ngjizje kulturore të lindte në Perandorinë Bizantine. Kulti i shqiponjës tek pellazgo-ilirët J.Brahaj tregon se që në lashtësi, në kohën e paragrekëve,shqiponja dykrenore përfaqësonte fuqinë diellore në botën tokësore,por edhe në botën e përtejme,ditën e natën,dritën dhe errësirën dhe si një trup i vetëm ,ajo ekzistonte e shfaqur vetëm në njësinë brenda unitetit të dyzuar.Sipas besimeve të lashta shqiponja udhëtonte deri tek dielli.Kjo është e dëshmuar në mitet e besimit të Dodonës Pellazgjike me simbolin e shqiponjës me rrufenë në kthetra që ia çonte Zeusit. Edhe pse objekti i këtij shkrimi nuk janë pellazgët dhe lidhjet e tyre me iliro-shqiptarët të cilat pothuajse janë pranuar nga një pjesë e madhe studjuesish të kësaj fushe,për kujtesë theksojmë se Pellazgët dhe Ilirët-Yllirët ishin dy degë të një gjaku,të një fisi.Këtë e ndeshim në të gjitha hartat e vjetra të perandorisë të Maqedonisë,të Romës apo të Bizantit në të cilat gjithmonë Epiri vetëquhej në atë kohë Ylliria e Jugut.Kaq e vërtetë është kjo sa që deri në fillim të shek.XIX gadishulli Ballkanik quhej me emrin e tij të stërlashtë,“Gadishulli Ilirik“.Theksojmë gjithashtu që pellazgo-ilirët janë njohur historikisht edhe me termin popullsi “proto-ilire“ apo “para-ilire“.Këta “proto-ilirë“ ose banorët origjinalë të Europës,besonin se i pari i tyre vinte nga galaktikat.Dhe ky quhej thjesht ,Hylli.Dhe për këtë shkak ata e quajtën vendin e tyre Ylliria-Iliria.Ndërsa egjiptianët në mitologjinë e tyre të lashtë me emra të tillë si Ibishi e Thot`hi simbolizonin shqiponjën,tek Yllirët ishte Hermesi që simbolizonte këtë shpend hyjnor. Sipas Yllirëve,Hermesi me krahë fluturues vinte në tokë nga bota e yjeve (hyjnore) dhe pasi u kishte lënë shumë e shumë porosi qënieve humane,largohej nga toka duke u kthyer përsëri tek yjet.Dhe Hermesi ishte me krahë fluturues,pra Hermesi ,ishte Shqiponja –Yll apo Ylli-Shqiponjë? Po porositë e tij të çuditshme ç`përmbajtje kishin vallë? C`lidhje kanë gjithë këta emra metaforikë që hyjnë e dalin pa ngurim në botën pellazgo-ilire me të vërtetat historike? Edhe pse asgjë nuk dihet me siguri,mitet e shumtë para-grekë,mitet pellazgo-ilirë pra,provojnë pa ekuivoke se e gjithë bota para –greke,ç`është njëlloj bota pellazgo-ilire e kishte ngjizur,e kishte trupëzuar si mish e kockë të vetën ,simbolin e shqiponjës.Ky shpend,shqiponja ,në botën e lashtë pellazgo-ilire ishte simboli i Diellit dhe dielli është i vetmi yll në sistemin tonë diellor që jep dritë dhe energji për njeriun dhe që ja bën atij të mundshme jetën në tokë. Dhe duke ecur më tej në botën mitike pellazgo-ilire do të kuptojmë se shqiponja ishte e preferuara e Zeusit të plotfuqishëm.Dhe Zeusi,ky zot mbi zotat, e besonte shqiponjën si postierin më besnik,si lajmëtarin e përjetshëm ,si misionarin e vetëm për çdo mesazh që ai donte të përcillte midis qiellit e tokës.Dhe për shërbimin e saj të gjatë dhe besnik,gjithmonë sipas mitit,shqiponjës I ishte rezervuar prej Zeusit një vend i veçantë midis yjeve dhe konstelacioneve yjore që shiheshin në qiellin e natës.Dhe për këtë mit,profesori amerikan ,Ket Raimo thekson se ai është shumë më i vjetër se vetë grekët dhe se shoqërimi i këtij zogu me yjet ka qënë i pranishëm në të gjithë kulturat.Ja pra,edhe njëherë, nga këto argumente dalin qartë lidhjet e simbolit të shqiponjës me botën pellazgo-ilire. Ngjyrat e flamurit tonë Filozofia e jetës të të parëve tanë,dhe kur flasim për të parët tanë duhet të nënkuptojnë kurdoherë e në çdo rast pellazgo-ilirët,është pasqyruar në librat e shenjtë,në vizatimet prehistorike mbi gurë e shpella,mbi urnat e vareve,mbi monedha,mjetet e luftimit,në ndërtimet e shumta dhe padyshim në tempujt e lashtë,në mitet e legjendat,në kulte e simbole të mbushur plot rebuse,enigma e pandehma… Edhe simbolika e ngjyrave të flamurit tonë,e kuqja dhe e zeza,është e lidhur me pellazgo-ilirët dhe ,që nga thellësia e shekujve të largët,mbrin deri në ditët tona.Faik Konica,në revistën “Albania“ të 15 shtatorit 1901 shkruante: “Ngjyra kombëtare jona është e kuqja dhe e zeza;këto ngjyra të vëna bashkë janë shenji kombëtar i shqiptarëve“.Po ashtu,historianë të ndryshëm konstatojnë se të paktën që në kohën e Skënderbeut,flamuri kombëtar i shqiptarve ka qënë me ngjyrat kuq e zi.Nikollaq Zografi,tek “Hylli I Dritës“,nr.9-10 të vitit 1937,midis të tjerave kujtonte :“…Ismail Qemali bashkë me atdhetarë të tjerë,në Vlorë më 28 Nëntor,1912,proklamuan Indipedencën shqiptare me shkabën dy-krenore kuq –zi-kuq,dy ngjyra të cilat invokojnë pa dashur kujtimet e ditëve të zeza dhe të gjakut që u derdh për Shqipëri“.Ndërsa Bejtullah Destani në “Albanica“,nr.73,2007 në Prishtinë,nënvizon:“Ngjyra e kuqe ka qënë shenja dalluese e fisnikëve në kohrat e vjetra.Pra ,është afër mendjes që edhe stërgjyshërit tanë ta kenë përdorur në këtë kuptim“.Ndërsa në revistën “Leka“,në numurin special të nëntorit 1937 me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë ,shkruhej:“Shtroja e kuqe është toka,shqipja e zezë eshtë vetë populli“. Gjthsesi,në heraldikë “gjuha“ e ngjyrave është disi e ndryshme.Kështu,ngjyra e kuqe njihet si ngjyra më fisnike .Ajo përfaqëson zjarrin e rubinit dhe tregon dashurinë e madhe të zotit e të robit dhe prandaj shpreh bashkimin.Kjo ngjyrë të kujton luftën dhe gjakun e derdhur në beteja, tregon guxim,trimëri,lakmi e hakmarrje,fuqi,madhështi,bujari e fisnikëri. Në shpjegimin popullor,dhe kjo nuk është e pabazuar,ngjyra e kuqe e flamurit tonë evokon një imazh tragjik e rënqethës që lidhet me gjakun e derdhur lumë nga shqiptarët që u flijuan ndër breza në mbrojtje të trojeve tona etnike.Është fati i kombit shqiptar që identifikohet me flamurin tonë kombëtar,simbolin e shenjtëruar nga gjaku i trimave të rënë në fushëbetejë. Gjithsesi ngjyra e kuqe ka karakter universal dhe është një fenomen kozmik.Astronomi i famshëm amerikan E.Hubble vëzhgoi dritën e galaktikave në distanca të largëta.Duke qënë se drita është valë, ai vërejti se kur drita largohej nga burimi fillestar,binte frekuenca e valës së dritës,që do të thotë se gjatë vëzhgimit ajo shkonte ngadalë drejt ngjyrës së kuqe.Ky fenomen kozmik njihet mirë në astronomi si “udhëtimi i së kuqes“…ose ekspansioni i saj.Dhe më tej akoma,Hubbel zbuloi se drita e galaktikave të largëta,të cilën ai po e vëzhgonte sistematikisht ,ishte pikërisht “ç`vendosja e së kuqes“.Gjithashtu,sipas teorisë së Bing-Bengut,me shpërrthimin kozmik,në momentin e parë energjia e akumuluar shpërndahet në formën e dritës së kuqe që s`është gjë tjetër,veçse “ekspansioni i kuq apo supernova“ .Në këtë rast drita e kuqe e dalë nga shpërthimi kozmik udhëton duke mbuluar hapësirën gjigande duke ndihmuar në formimin e konstelacioneve,galaktikave,sistemeve diellore,kometave,yjeve,planetëve,hënave e trupave të tjerë qiellorë e gjithë Universit.Pra,ngjyra e kuqe,dominon në gjenezë dhe simbolikisht do të thotë ekspansion.E kuqja merr pjesë edhe në krijimin e formave të reja të ekzistencës.Nga gjithë sa shkruam më lart,lind natyrshëm pyetja:mos vallë edhe ngjyra e kuqe e flamurit tonë lidhet me të kuqen dhe ekspansionin e së kuqes si një fenomen kozmik nga i cili u formuan të gjithë trupat qiellorë,pra edhe sistemi ynë diellor bashkë me tokën tonë? E zeza është ngjyra tjetër e flamurit tonë dhe lidhet me shqiponjën me dy krerë.Dhe ç`përfaqëson ngjyra e zezë e shqiponjës? Në flamuj të ndryshëm,por dhe në periudha të ndryshme,ngjyrat e shqiponjës kanë qënë të ndryshme.Sipas studjuesve këto ngjyra kishin të bënin me nivelin e rangjeve në hierarkinë shtetërore,pasurore e më gjerë ,rangje që përfaqësoheshin me këtë shënjë.Shqiponja e artë me dy koka , p.sh.,ishte simboli mbretëror.Kështu me radhë do të vinin edhe variantet e tjera,ku e argjendta ishte për rangje më të ulta,por ngjyrat lidheshin edhe me momente të ndryshme historike apo edhe me vendet ku përdoreshin.Ndër këto klasifikime ,vend të veçantë ka shqiponja e zeze,e cila nuk kishte shkëlqimin e artë të shqiponjës mbretërore,por me hijen e saj impononte seriozitet e autoritet të lartë.Ishte pikërisht kjo shqiponja që përdorej në luftë dhe shqiponjat e zeza që përdoreshin rëndom nëpër luftra nuk kishin të bënin me rangun pasi të gjithë luftëtarët mbanin shqiponjë të zezë në betejë të vendosur në pozicione të dukshme të veshjeve apo pajimeve luftarake. Me “gjuhën “e heraldikës,ngjyra e zezë është ngjyrë trishtimi e zie,hidhërimi e brenge,është shenjë revolte e kryengritjeje,hakmarrjeje,dëshpërimi e vdekjeje… Dhe duke ju kthyer edhe njëherë Zeusit,të “plotfuqishmit“ të perëndive pellazgo-ilire kujtojmë mitin e Prometheut të lidhur dhe sjelljen e kryeperëndisë ndaj mosbindjes,rebelimit apo plangprishjes së Prometheut.Zeusi vetë e lidhi Prometheun në shkëmbenjtë e largët të Skithisë,diku andej nga brigjet e Detit të Zi dhe i la atij në gjoks shqiponjën që ta ndëshkonte hera-herës,duke i çukitur mëlçinë.Dhe me të drejtë shtrohet pyetja:A është shqiponja simbol i ndëshkimit? Në mitin “Prometheu i lidhur“, dukshëm po!Dhe a ka lidhje kjo domethënie e shqiponjës së Zeusit,me shqiponjën e zezë dykrenore të simbolit të sotëm shqiptar mbi flamur? Ndoshta ,ngjyra e zezë e shqiponjës mbi fushën e kuqe,tregon të njëjtën gjë. Gjithashtu ,po sipas shpjegimit popullor,edhe kjo nuk është pa bazë,ngjyra e zezë e shqiponjës me dy krerë në flamurin tonë me sfond të kuq tregon se ajo noton në gjakun e bijve të saj të rënë në fushën e betejës ,tregon shenjë zie,përuljeje,mirënjohjeje e respekti të thellë për trimat e shumtë të rënë në betejat e përjetshme që i janë imponuar kombit tone. Shqiponja me dykrenore e flamurit. Shqiponja me dy koka konsiderohet nga shumë studiues si simboli më i lashtë i botës.Ajo ka simbolizuar gjithmonë pushtetin.Nuk ka asnjë emblemë dhe asnjë kuptim tjetër heraldik që mund të përafrohet me të dhe të jetë i mbushur me një denduri kaq të madhe mitesh e legjendash,por edhe të vërtetash historike që vijnë nga antikiteti i largët.Dhe për të kuptuar se ç`simbolizon shqiponja me dy koka duhet të shikosh edhe një herë,shumë larg në lashtësi,sepse mosha e këtij simboli daton që në fillimet e qytetërimeve.Dhe më e veçanta e tij qëndron në përbërjen e elementit të dy kokave.Është pikërisht ky detaj çelësi i shpjegimit të kuptimit të kësaj embleme të lashtë. Shqiponja me dy koka ishte simboli i zotërve dhe prezantonte pushtetin dhe absoluten.Në njerëzit e lashtë ,shqiponja me dy koka ishte emblemë e ekuilibrit i cili ekzistonte në një trup të përbashkët që udhëhiqej nga dy koka,njëra femra,tjetra mashkulli.Gjithashtu ajo simbolizonte universin në tërësi,i cili ishte I ndërtuar nga dy forca ,ato superiore dhe ato inferiore. Dy kokat e shpendit kultik janë të pranishme nëpër epokat që kaloi populli ynë deri në ditët e sotme.Dhe që nga lashtësia e deri në ditët tona shqiponja përfaqëson fuqinë diellore në këtë e në atë botë,tokësoren dhe botën e përtejme,ditën dhe natën në një trup të vetëm që eksiston i shfaqur vetëm në njësinë brenda unitetit të dyzuar.Shqiponja me dy koka përfaqëson ekuilibrin e ndryshimit ritmik të errësirë-dritës,të lëvizjes qiellore,që sjell ndryshimin e stinëve në mënyrë ritmike.Fjalorë të ndryshëm shpjegojnë edhe se shqiponja me dy koka paraqet mashkullin dhe femrën (në bimësi e qeniet e gjalla),si dy të kundërta të një uniteti të përbashkët. Por shqiponja me dy koka ,sipas shumë studjuesve,mori kuptim tokësor,vetëm me perandorinë romake.Dhe në fillimet e saj paraqitej me një kokë.Ndikimi i gjeneralëve ilirë,të cilët arritën deri në fronin perandorak,u pasqyrua edhe në përdorimin e zhvillimin e mëtejshëm të simbolit të shqiponjës .Me ndarjen e perandorisë romake në dy pjesë,nën ndikimin e perandorit romak me origjinë ilire,Konstandinit të Madh,( 280-337) shqiponja njëkrenore u shndërua në shqiponjë dykrenore duke simbolizuar njëra kokë Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Konstandinopojën (Bizanti).Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476 duke humbur traditat më të vyera të antikitetit e bashkë me to edhe simbolin e shqiponjës me dy koka.Ndërsa Lindja-Bizanti vazhdoi të jetojë edhe për 10 shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol që vinte prej Romës.Formën dhe ngjyrat e tij,flamuri bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562),që edhe ky ishte një perandor me origjinë ilire.Atij i pëlqente që dy kokat e shqiponjës t`i identifikonte me vetveten dhe të shoqen, Teodorën.Gjithsesi,duhet theksuar edhe njëherë,se edhe Konstandini i Madh,perandori me origjinë ilire,ndonëse ishte i pari që vendosi si emblemë të perandorisë shqiponjën me dy koka,shqiponja dykrenore nuk ishte një “zbulim “ i tiji e as i perandorëve të tjerë në Perandorinë Romake para tij.Konstandini i Madh dhe të tjerët që e pasuan,vetëm sa e morën“borxh“,e “huajtën“dhe e adaptuan shqiponjën dykrenore,a thua,si një simbol të rrallë, si një relike të çmuar apo si një kujtim të largët nga bota pellazgo-ilire.Më vonë,me kalimin e kohës me anë të martesave dhe dhënies së priviliegjeve,Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak të shqiponjës dykrenore fisnikërisë së kombeve që ishin integruar në këtë perandori shumëkombëshe si princave rumunë,rusë,bullgarë,gjermanë,serbë,grekë,shqiptarë etj.Kjo është arsyeja që këtë simbol sot e përdorin shumë popuj e shtete,të cilët dikur kanë patur kontakte kulturore me Bizantin. Por për ne shqiptarët,dhe kështu është e ruajtur në kujtesën popullore të kahershme,shqiponja dykrenore,si një simbol i lashtë pellazgo-ilir,përbën krenarinë e kombit tonë dhe me të dy kokat e saj,simbolizon Shqipërinë e Jugut dhe të Veriut,Toskët dhe Gegët, emra të cilët vijnë, gjithashtu, nga thellësia e shekujve dhe që edhe këta emra,janë pjesë e pandarë e krenarisë sonë kombëtare,e historisë sonë mijravjeçare. Sa i vjetër është flamuri ynë kombëtar Mendohet se flamuri ynë kombëtar,pak a shumë në formën e sotme,(sepse vazhdimisht ka pësuar ndryshime),është flamuri i Skënderbeut.Megjithë studimet e kryera nuk dihet me saktësi se kur Skënderbeu,për herë të parë përdori si simbol të tij shqiponjën dykrenore,por njihet fakti se shqiponja dykrenore u pranua njëzëri si flamur i kombit shqiptar ,më 2 mars 1444 në Kuvendin Shqiptar të Lezhës.Heroi ynë Kombëtar –Skënderbeu e huazoi atë nga Muzakajt,duke e zevendësuar stemën e Kastriotëve e cila kishte figurën e një princi-burri me flokë të gjatë dhe togë,(toga ishte veshjeje ceremoniale që ndryshonte sipas rangjeve përdorej fillimisht nga etruskët).Njëlloj si në flamur Skënderbeu ,edhe në vulën e tij të madhe,përdori shqiponjën dykrenare,por me krahë të ulur dhe me yllin me gjashtë cepa sipër.Studjuesit kanë vënë në dukje se shqiponja dykrenore e Skënderbeut nuk ishte ndikim nga faktori bizantin,por ishte përfytyrim i një kulti të parardhësve pellazgo-ilirë të shqiptarëve,sepse kulti i shqiponjës është i lidhur me traditën tonë të lashtë si pjesë përbërëse e pasurisë shpirtërore tradicionale mbarëetnike dhe që prej shek.XV e këtej,tek ne shqiptarët ky simbol kombëtar mbështolli rreth vetes atribute të shumta të shenjta.Dhe që nga ai shekull,shqiptarët shihnin tek shqiponja dykrenore vazhdimin simbolik të kultit të hyjnisë,së bashku me shenjën etniko-historike të bashkimit shtetëror e politik të kombit te tyre. Po Muzakajt që kur e kishin adaptuar emblemën e shqiponjës se zezë dykrenore?Edhe për këtë diçka dihet:princi Andrea I dytë Muzaka ishte një nga njerëzit më të shquar në Shqipërinë e shek. të XIV.Me ndihmën e Balshajve,të Arianitëve e Matrengëve ai theu në vitin 1370 pranë Kosturit mbretin serb Vukashin, që ishte zotërues I Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore.Pas kësaj fitoreje të bujshme,perandori bizantin Joani I V Paleolog i konfirmoi A.Muzakës titullin e despotit (princit),duke i dhuruar stemën perandorake bizantine që ishte siç kemi thënë,shqiponja e zezë me dy krerë e me yll në mes të vendosur në një fushë të artë.Kjo zevendësoi emblemën e hershme të Muzakajve e cila paraqiste një burim që shperrthente nga toka dhe ndahej në dy rrjedha,duke patur një pishtar në mes.Nuk dihet me siguri se kur,por shqiponjën dykrenaree kanë përdorur si simbol të tillë edhe Arianitët,Cernojeviçët e Zetës,Lekë Dukagjini ,etj. Flamuri kombëtar shqiptar konsiderohet ndër flamujt më të vjetër të popujve evropianë.Këtë e konfirmoi më së pari Fan Noli në fjalimin mortor të Konicës:“Nofta e dini që asnjë nga flamurët e fqinjëve tanë ballkanikë nuk është më i vjetër se 150 vjet.Disa prej atyre nuk e kanë mbushur as qindin akoma.Flamuri ynë është të paktën 500 vjet i vjetër,dhe nofta disa qindra vjet të tjera përmi to.Është flamuri historik i Skënderbeut,kryetrimit kombëtar që luftoi 25 vjet me radhë kundër turqve…Pas vdekjes së Skënderbeut…,për katërqind vjet me radhë atdheu ynë ka rënkuar nënë zgjedhën e sulltanëve.Në këtë periudhë flamuri i Skënderbeut u harrua,dhe askush nuk e dinte se ekzistonte gjersa u zbulua prej një student të ri në historinë latinishte të Skënderbeut prej Barletit.Ky student ishte Faik Konitza dhe atë flamur që ka qeverin ,flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrenare,na e ka zbuluar ay vetë pas një harrimi prej 400 vjetësh“… …Ja pra,ishin të gjitha këto sa thamë për flamurin tonë kombëtar,flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenore në mes.Por gjithsesi historia e flamurit tonë kombëtar është edhe më e gjatë,shumë më e gjatë se kaq,sepse edhe ajo vjen prej zgafellave të thella të historisë sonë të lashtë që fillon me pellazgo-ilirët dhe mbrin deri në ditët tona… - See more at: devolli.net/flamuri-yne.html#sthash.SLD6z9f5.dpuf
Posted on: Fri, 29 Nov 2013 23:39:41 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015