Formati i Kupës, ja ndryshimet Sipas formatit të miratuar nga - TopicsExpress



          

Formati i Kupës, ja ndryshimet Sipas formatit të miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit, këtë sezon nuk do të ketë më ndeshje në grupe me grumbullim pikësh, por vetëm përballje direkte, vajtje-ardhje me eliminim. Sakaq është programuar short vetëm në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni, ndaj deri në atë moment janë përcaktuar qartazi edhe përplasjet mes skuadrave pjesëmarrëse në këtë eveniment, që në total janë 36 të tilla, duke filluar nga Kategoria e Dytë e deri te Superiorja. Rregullorja Ndërkohë, neni 98 i rregullores së Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë për sezonin 2013-2014 qartëson edhe mënyrën e zhvillimit të Kupës së Shqipërisë, si dhe rregullat për skuadrat që do kualifikohen hap pas hapi deri në finale. Edhe për këtë sezon Kupa e Shqipërisë do të organizohet me dy faza, faza paraeliminatore dhe faza eliminatore. Në fazën paraeliminatore morën pjesë vetëm klubet e Kategorisë së Dytë, ku futen katër skuadrat e rëna vjet nga Kategoria e Parë në të Dytën dhe katër të tjera të kësaj kategorie, që u renditën më mirë sezonin e shkuar, por nuk u ngjitën dot në Kategorinë e Parë. Ndeshjet e fazës paraeliminatore u zhvilluan më 25 shtator. Duhet thënë se ndeshjet e kësaj faze u luajtën me eliminim me një takim. Katër skuadrat fituese iu bashkuan turit të parë eliminator të Kupës së Shqipërisë, së bashku me skuadrat e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë. Faza eliminatore Faza e ndeshjeve eliminatore do zhvillohet me pesë ture. Në turin e parë morën pjesë 32 skuadra: 12 nga Kategoria Superiore, 16 nga Kategoria e Parë dhe 4 skuadrat e kualifikuara nga turi paraeliminator. Ndeshjet në këtë fazë u zhvilluan sipas skemës të ndarjes në dy grupe “A” dhe “B”. Grupi A përbëhej nga ekipe, të cilat kishin numër tek sipas renditjes në kampionat gjatë sezonit 2012-2013 dhe, në Grupin B, ekipe të cilat kishin numër çift. Të gjitha ndeshjet e kthimit të turit të parë eliminator u zhvillun 30 minuta më përpara se orari zyrtar i ndeshjeve, gjithnjë me sistem vajtje-ardhje me dy takime. Ndeshja e parë zhvillohej në fushën e skuadrës, që sezonin 2012-2013 ka qenë e renditur më poshtë në klasifikim. Sakaq, turi i dytë dhe i tretë do të zhvillohet sipas skemës të përcaktuar nga federata. Datat e shorti Ndeshjet e para dhe të kthimit të turit të parë eliminator u luajtën më 23 tetor dhe 6 nëntor të këtij viti. Ndërsa turi i dytë (1/8) do të luhen më 4 dhe 18 dhjetor 2013. Takimet e turit të tretë do të zhvillohen vitin tjetër më 12 dhe 26 shkurt, teksa për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet 4 ekipeve të kualifikuara në këtë tur. Ndeshjet do të luhen më 26 mars dhe 9 prill 2014. Ndërsa finalja e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet në 17 maj 2014 në një stadium të përcaktuar nga FSHF-ja. Nëse dy ekipet janë nga i njëjti qytet, atëherë ndeshja finale luhet në stadiumin përkatës të atij qyteti. Ekipi pritës për ndeshjen finale do përcaktohet me short të lirë. Kupa e Shqipërisë, luhet për minimalisht 218 milionë lekë Trofeu i Kupës së Shqipërisë është i dyti për nga rëndësia në kampionatin shqiptar. Kjo për dy arsye: së pari për financat që të sjell (FSHF-ja jep 50 milionë lekë) dhe, së dyti, për faktin se fituesi merr pjesë në turin e parë të Ligës së Europës (pra merr minimalisht 120 mijë euro, gjithnjë nëse nuk arrin të kualifikohet në turin e dytë, ku shifrat rriten në proporcion). Sakaq, neni 49 i rregullores së FSHF-së rregullon edhe ndarjen e përfitimeve si në vlerë monetare, por edhe morale e materiale. Trofeu ndahet në kupën, tridhjetë medalje të arta dhe të argjendta për ekipin fitues, tridhjetë medalje të argjendta për ekipin finalist (jo fitues) dhe një shumë prej pesë milionë lekësh (të rinj), të cilat i shkojnë klubit fitues. Kupa e fituesit modelohet dhe prodhohet në metal të çmuar, në ar dhe argjend, në edicione dhjetëvjeçare, duke filluar me edicionin e parë të prodhimit për sezonin futbollistik 2013- 2014. Versioni origjinal i kupës është pronë e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila pas shpalljes së ekipit fitues ia dorëzon këtij të fundit. Fituesi, në përfundim të ceremonisë, ka të drejtë të marrë dhe të mbajë në ambientet e veta kupën origjinale, për një periudhë jo më shumë se tridhjetë ditë nga dita e zhvillimit të ceremonisë. Para përfundimit të këtij afati, klubi duhet ta kthejë këtë kupë origjinale në zyrën e sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së. Nëse e humbet ose e dëmton, atëherë klubi përkatës është i detyruar të paguajë vlerën e përgjegjësisë për kupën origjinale, në shumën sa dhjetë herë shumatorja e kostove të modelimit dhe prodhimit të kupës origjinale. Kjo shumë të paguhet jo më vonë se gjashtëdhjetë ditë nga dita e fundit kur klubi që kishte marrë kupën origjinale në dorëzim, kishte detyrimin ta kthente pranë FSHF-së. Me kthimin e kupës origjinale, klubi do përfitojë një kupë kopje të modelit të kupës origjinale, e cila është e prodhuar nga metal i zakonshëm dhe është e larë në metal të çmuar, në ar dhe kjo kupë kopje mbetet pronë e klubit. Çdo herë që një ekip shpallet fitues i Kupës së Shqipërisë, emërtimi i këtij ekipi do të shkruhet në pjesën përkatëse në trupin e kupës origjinale. Kupa, ja pse ndikon tek kampionati Neni 90 i rregullores flet për pjesëmarrjen në garat e UEFA-s. Në të thuhet se fituesi i Kupës së Shqipërisë 2013-2014 merr pjesë në Ligën e Europës, në turin e parë paraeliminator. Por, veç kësaj, Kupa ndikon shumë edhe në kampionat. Shpjegimi vjen nga pika “e” dhe “f” e këtij neni. Në të thuhet: nëse klubi i shpallur kampion fiton edhe kupën, atëherë klubi tjetër finalist i Kupës 2013-2014 merr pjesë në Ligën e Europës, në turin e parë paraeliminator. Nëse klubi i renditur në vendin e dytë ose në të tretin në Superiore për 2013-2014 fiton njëkohësisht edhe Kupën, atëherë klubi i renditur në vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar merr pjesë në Ligën e Europës, në turin e parë paraeliminator.
Posted on: Wed, 06 Nov 2013 22:59:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015