Fundi i ushtrisë që do të sulmojë Qaben Aishja (Allahu - TopicsExpress



          

Fundi i ushtrisë që do të sulmojë Qaben Aishja (Allahu qoftë e kënaqur me të) thotë: Profeti (a.s.) ka thënë: “Një ushtri ka për të sulmuar Qaben. Kur të jenë në një tokë të shkretë do të fundosen të gjithë nga i pari deri tek i fundit. Si është e mundur që të fundosen të gjithë, kur ka prej atyre që janë tregtarë dhe të tjerë që nuk janë pjesë e ushtrisë – pyeti ajo? Do të fundosen të gjithë, nga i pari deri tek i fundit dhe, kur të ringjallen do të ringjallen në varësi të nijetit që kanë pasë – u përgjigj ai.” Jetëshkrimi i transmetues së hadithit: Ajo është nëna e besimtarëve Aishja e bija e Ebu Bekrit Es Sidikut. Ajo ka transmetuar 2210 hadithe nga Profeti (a.s.) Ajo është fejuar me Profetin (a.s.) kur ishin në Meke dhe pas betejës Bedrit në muajin Sheval, ajo lidh kurorë me të. Ajo qëndroi e martuar me Profetin (a.s.) 9 – të vjet derisa Ai (a.s.) ndërroi jetë. Ajo ka qenë një prej bashkëshorteve më të dashura të Profetit (a.s.) dhe gëzonte një pozitë të lartë tek ai. Për pozitën e lartë të saj dëshmon hadithi i Profetit (a.s.) i cili ka thënë: “Shumë burra kanë qenë të kompletuar, ndërsa nga gratë të kompletuara kanë qenë vetëm Asija gruaja e Faraonit, Merjemja e bija e Imranit. Vlera e Aishes karshi grave është si vlera e gjellës me mish karshi ushqimeve të tjera.” Njëherë Amër ibën El As e pat pyetur të Dërguarin e Allahut: “Kush është njeriu më i dashur për ty? Aishja – u përgjigj ai. Po nga burrat? Babai i saj - tha ai.” Në ndodhinë e shpifjes së hipokritëve ndaj saj, atë e shfajësoi Allahu i Lartësuar prej sipër shtatë qiejve. Për shfajësimin e saj nga ajo shpifje e shëmtuar, Allahu i Lartësuar zbriti ajete kuranore të cilat do të lexohen deri në Ditën e Gjykimit. Nëse do të flasim rreth dijes së saj, ajo konsiderohet prej njerëzve më të dijshëm dhe aftësi mendore mjaft të mirë. Ez Zuhri ka thënë: “Nëse dija e Aishes do të krahasohej me dijen e bashkëshorteve të Profetit (a.s.) dhe të grave të tjera, dija e Aishes ka më vlerë.” Ndërsa Ata’ ibën ebu Rebah thotë: “Aishja ishte njeriu më i ditur dhe ishte më mëndjemprehta në mesin e masave.” Në periudhën e hilafetit të Omerit dhe Othmanit, sahabët që kishin më shumë peshë si Omeri, Othmani e shumë të tjerë merrnin fetva dhe dije prej saj. Shpjegimi i hadithit: Qyteti i Mekës është qytet i shenjtë e i sigurtë. Shenjtërinë e saj e ka përmendur Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ndërtuar për njerëzit, është ajo në Bekë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta që janë vendi i Ibrahimit. Kush hyn në të është i sigurtë. Ai që ka mundësi e ka për obligim kryerjen e haxhit. E kush nuk beson Allahu nuk ka nevojë për askënd.” Po ashtu edhe në suren El Maide është përmendur shenjtëria e saj: “Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabes, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme për njerëzimin, në mënyrë që ju ta dini se Allahu di gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë dhe se Ai është i Gjithdijshëm për çdo gjë.” Hadithi Profetik i lartpërmendur na njofton se Qaben kanë për ta sulmuar armiqtë e fesë Islame. Ky njoftim është një paralajmërim Profetik, në mënyrë të atillë që muslimanët duhet të përgaditen ushtarakisht për ta mbrojtur vendin e shenjtë, për të zbatuar urdhëresën hyjnore: “Përgadisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë që ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh.” Ky paralajmërim Profetik nuk nënkupton sulmin që i ka bërë mbreti Ebreha Qabes, por këtu flitet për një sulm tjetër nga ana e pabesimtarëve. Ashtu si Allahu e shkatërroi ushtrinë e mbretit Ebreha duke lëshuar ndaj tyre gurë nga sqepat e shpendëve duke i bërë ata si gjeth i grimcuar, ashtu ka për të shkatërruar edhe ushtritë e tjera që do të tentojnë të sulmojnë Qaben. Këtë ushtri mizore dhe gjakatare që do të tentojë të shkatërrojë Qaben, Allahu do ta ndëshkojë duke i fundosur të gjithë, nga i pari deri tek i fundit. Se kur do të ndodhë kjo ndodhi, Profeti (a.s.) nuk na e ka përcaktuar, ndoshta ngase sulmet ndaj saj do të jenë të vazhdueshme dhe se muslimanët duhet të jenë gjithmonë vigjilent. Ndërsa përfundimin e kësaj ushtrie, Profeti (a.s.) e ka përcaktuar. Allahu i Lartësuar me mëshirën e Tij, i ruan banorët e Mekës, ngase kjo ushtri do të shkatërrohet jashtë saj, në një tokë të shkretë. Kjo ushtri do të shkatërrohet, sepse ajo nuk respekton dhe shenjtëron shenjtërinë e Qabes. Nga hadithi kuptojmë se shkatërrimi i kësaj ushtrije nuk vjen nga njerëzit, por nga ndëshkimi hyjnor, si i njëjti ndëshkim që Allahu ndëshkoi Karunin: “Karunin dhe shtëpinë e tij, Ne e fundosëm thellë në Tokë. Atë askush nuk arriti që ta mbronte nga ndëshkimi i Allahut, madje as ai vetë nuk mundi që të mbrojë vetveten.” Le të meditojmë pak rreth dialogut të zhvilluar ndërmjet Profetit (a.s.) dhe Aishes. Aishja i drejton një pyetje të Dërguarit të Allahut që ka të bëjë me çështjet themelore të fesë Islame që është: përgjegjësia që mbart individi në sajë të vullnetit dhe nijetit që ka pasë. Aishja e pyet Profetin (a.s.) jo për ta kundërshtuar por të ditur të vërtetën. Dhe të vërtetën, ajo e mëson nga goja e Profetit (a.s.), që jep një përgjigje të shkurtër por shumë domethënëse që ka të bëjë me nijetin e gjithsekujt prej tyre. Të gjithë pa përjashtim do të fundosen, por në Ditën e Gjykimit kur të ringjallen, do të japin llogari në varësi të nijetit që kanë pasë. Prandaj njeriu, dhe në veçanti myslimani duhet të bëjë kujdes se me kë shoqërohet. nëse i bie që të shoqërohet me njerëzit e këqinj, kjo mund të ndodhë vetëm në rast nevoje. Mësimet e nxjerra nga hadithi: 1 – Shenjtëria e Qabes. 2 – Të anuarit nga veprat e zullumqarëve. 3 – Veprat vlerësohen në varësi të nijetit. 4 - Paralajmërimet e Profetit (a.s.) 5 – Dialogu reciprok me pyetje përgjigje. 6 – Sqarimi i të vërtetës. 1 – Shenjtëria e Qabes: Qabja është shtëpia e parë që është ndërtuar në sipërfaqen e Tokës për adhurimin e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ndërtuar për njerëzit, është ajo në Bekë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta që janë vendi i Ibrahimit. Kush hyn në të është i sigurtë. Ai që ka mundësi e ka për obligim kryerjen e haxhit. E kush nuk beson Allahu nuk ka nevojë për askënd.” Ajo është vendgrumbullimi i njerëzve: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qaben vendgrumbullimi dhe siguri për njerëzit.” Imam ibnu Kethiri thotë: [Allahu e ka bërë atë sigurtë nga armiqtë dhe mbajtja e armëve brenda në të. Në periudhën paraislame, njerëzit bënin tafav rreth saj dhe që të gjithë ishin të sigurtë.] Qabja është drejtimi nga ku duhet të drejtohen myslimanët gjatë faljes së tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do të kthejmë ty për nga kibla që të kënaq. Prandaj ktheje fytyrën tënde nga xhamia e shenjtë (Qabja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë.” Rituali i haxhit në brendinë e tij ka edhe tavafin që bëhet rreth Qabes. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: Pastrojeni shtëpinë Time (Qaben) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur.” Allahu i Lartësuar e urdhëroi të dashurin e Tij, Ibrahimin që të ndërtonte shtëpinë e shenjtë, që ajo të ishte epiqendra e botës islame. Po ashtu shenjtëria e Qabes konsiston edhe në faktin se ajo është e begatë dhe sjell bereqet. Ai i cili kryen një adhurim brenda saj, shpërblimi i shumfishohet, gjithashtu për asnjë moment Qabja nuk mund të jetë bosh, përkundrazi gjithmonë do të ketë njerëz të cilët pa ndërprerje bëjnë tavaf dhe ibadet brenda saj. 2 – Të anuarit nga veprat e zullumqarëve: Nga ky hadith nënkuptojmë se të gjithë njerëzit që janë pjesë e kësaj ushtrie, që të gjithë pa përjashtim do të fundosen. Kjo do të thotë se njeriu duhet të qëndrojë sa më larg mizorëve dhe zullumqarëve në mënyrë të atillë që për shkak të tyre të mos ndëshkohet edhe vetë ai, pavarësisht se mund të jetë i pafajshëm. Një bashkëshoqërim të tillë, Kurani Famëlartë e ka ndaluar. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë zjarri.” Në komentimin e këtij ajeti kuranor, imam Sa’adi ka thënë: [Mos anoni nga ata të cilët bëjnë të këqija, sepse nëse ju veproni kështu, duke i miratuar apo duke qenë të kënaqur me veprat e tyre të këqija, atëherë do t’ju përcëllojë Zjarri, ku ju nuk keni asnjë përkrahës që t’ju shpëtojë nga ndëshkimi i Allahut. Nga ky ajet nënkuptojmë se njeriu duhet të bëjë shumë kujdes që të mos anojë nga ata që bëjnë vepra të këqija e që sillen mizorisht ndaj të tjerëve. Ky është ndëshkimi për ata që anojnë dhe janë të kënaqur me padrejtësinë dhe veprat e këqija, po ata të cilët sillen padrejtësisht ndaj të tjerëve, vallë si do të jetë ndëshkimi i tyre?!] 3 – Veprat vlerësohen në varësi të nijetit: Profeti (a.s.) na tregon se e gjithë ushtria nga i pari deri tek i fundit do të fundoset. Në mesin e ushtrisë do të ketë njerëz që synojnë të sulmojnë Qaben qëllimisht, do të ketë njerëz të cilët janë të imponuar, por që nuk kanë dëshirë ta sulmojnë Atë, madje do të ketë edhe kalimtarë. Të gjithë do të fundosen dhe në Ditën e Gjykimit do të ringjallen, por secili do të marrë atë që meriton, në varësi të nijetit që ka pasë për qëllim. Pikërisht për këtë arsye imam Ibnu Haxheri ka thënë: [Veprat vlerësohen në varësi të nijetit të njeriut.] Për shembull, për disa vepra që janë të mira, njeriu nuk shpërblehet, ngase ajo nuk është bërë për hir të Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadeka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” Bisedat që bëhen fshehtas janë të ndaluara, përveç atyre bisedave që bëhen për mirë, si për të dhënë sadeka apo për të bërë paqe mes dy njerëzve. Këto dy vepra konsiderohen vepra të mira edhe nëse nuk bëhen për të fituar kënaqësinë e Allahut, sepse dobia arrin tek të tjerët. Nëse njeriu në këto vepra të mira ka për qëllim për të fituar kënaqësinë e Allahut, atëherë ai shpërblehet, por nëse nuk ka për qëllim për të fituar kënaqësinë e Allahut, nuk merr shpërblim. 4 - Paralajmërimet e Profetit (a.s.): Ajo ç’ka na tregon Profeti (a.s.) në këtë hadith është një ndodhi që do të ndodhë në të ardhmen. Prej mrekullive të shumta të Profetit (a.s.) janë edhe paralajmërimet e tij se çfarë do të ndodhin në të ardhmen. Paralajmërimet e bëra nga Profeti (a.s.) janë aq të shumta, saqë ato nuk mund të numërohen. Një prej këtyre paralajmërimeve është edhe rasti i ushtrisë që do të tentojë për të sulmuar Qaben. Të gjitha këto paralajmërime, kanë ndodhur nëpërmjet shpalljes hyjnore, sepse Profeti (a.s.) nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, vetëm se nëpërmjet shpalljes që i ka ardhur nga Allahu i Lartësuar. Këto paralajmërime dëshmojnë qartë për profetësinë e Profetit (a.s.). Poeti i Profetit (a.s.), Hasan ibnu Thabit ka thënë: Profeti shikon atë që njerëzit nuk e shikojnë Ai e këndon librin e Allahut për çdo ndodhi Nëse një ditë ai Profetizon për të ardhmen Sot apo nesër ajo do të realizohet 5 – Dialogu reciprok me pyetje përgjigje: Kjo vërehet nga dialogu që zhvillohet ndërmjet Profetit (a.s.) dhe Aishes. Zhvillimi i dialogut ka qenë një prej formave dhe metodave, të cilat më së shumti Profeti (a.s.) e ka pasë praktikuar me bashkëbiseduesit. Dialogu i cili zhvillohet me pyetje përgjigje ka shumë efekt, sidomos tek ata të cilët parashtrojnë pyetjet, që në të njëjtën kohë presin përgjigjen. Po ashtu edhe të tjerët që dëgjojnë dialogun, përfitojnë. Zakonisht ndodh që njerëzit pyesin të diturit dhe ata të cilët gëzojnë respekt në mesin e tyre, për të gjetur kurën e duhur për atë ç’ka i mundon dhe i shqetëson. 6 – Sqarimi i të vërtetës: Sqarimi i të vërtetave është prej kushteve themelore që ftuesi duhet ta ketë parim bazë të ftesës së tij, sepse ftesa bazohet tek qartësia dhe kthjelltësia e çështjeve të fesë, të mirave materiale të kësaj bote dhe botës tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Ty, (o Muhamed) të zbritëm Kuranin, me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” El Mauerdi ka thënë: [Pjesë e moralit të dijetarëve është se ata nuk duhet të tregohen kopracë për t’u mësuar të tjerëve diturinë dhe as nuk duhet që t’i privojnë të tjerët për të përfituar nga dija e tyre. Ne duhet ta dimë mirë se kopracia në këtë rast është padrejtësi, privimi i diturisë tregon për smirë dhe konsiderohet mëkat. Ali ibnu ebu Talib ka thënë: “Allahu, për të nxënët, nuk e marrë premtimin nga injorantët, por nga dijetarët.] Në këtë hadith, Profeti (a.s.) ka folur aq qartë rreth ndëshkimit të kësaj ushtrie, saqë ka larguar çdo dyshim të Aishes, duke e njoftuar se të gjithë do të fundosen, por që në varësi të nijetit do të gjykohen përpara Allahut në Ditën e Gjykimit. Argumentet e hadithit: 1 - Ushtria që do të sulmojë Qaben do të jetë shumë e madhe. 2 - Mosshoqërimi me zullumqarët. 3 - Kur zbret ndëshkimi hyjnor, përfshin zullumqarët dhe ata që shoqërohen bashkë me ta. 4 - Njeriu gjykohet në varësi të nijetit të mirë apo të keq. 5 - Allahu i Lartësuar e mbron Qaben nga sulmi i kësaj ushtrie zullumqare. 6 - Motivimi për t’u shoqëruar me njerëz të mirë e të devotshëm. 7 – Myslimani e ka për detyrë që të besojë pa më të voglin hezitim tek paralajmërimet Profetike. 8 – Hadithi është argument i qartë i ringjalljes së njerëzve nga varret, ku gjithsekush do të marrë atë që meriton. Epilog: Tregohet se ishin njëherë dy vëllezër, njëri qe e adhuronte shumë Allahun dhe tjetri që ishte mëkatar i madh. Adhuruesi dëshironte të shikonte shejtanin, i cili iu shfaq një ditë dhe i tha: “Më vjen keq shumë për ty, dyzet vjet nga jeta jote i harxhove duke e lodhur veten me adhurim. Të kanë mbetur ende edhe dyzet vjet të tjera për të jetuar, prandaj jepu pas dëfrimeve dhe epsheve shfrenuese.” Adhuruesi me vete tha: “Po zbres në katin e parë tek vëllai im, të ha e të pi e të bëj qejf me të për njëzet vjet, dhe për 20 vitet që më kanë mbetur do të pendohem dhe do të adhuroj Allahun.” Me këtë nijet ai zbriti për në katin e parë për të shkuar tek vëllai. Ndërkohë, vëllai i tij mëkatar e pa veten e tij në një situatë teje të mjerueshme. Kishte urinuar dhe ishte shtrirë përdhe. I gjendur në këtë situatë, mendoi: “E harxhova gjithë kohën duke bërë mëkate, ndërkohë që vëllai im e adhuron Allahun dhe bën vepra të mira. Ai do të futet në Xhenet për shkak të punëve të mira, ndërsa unë në Zjarr për shkak të mëkateve.” Prandaj ai vendosi të pendohej dhe të bënte punë të mira dhe të bashkohej me vëllain për të adhuruar Allahun. Duke u ngjitur për tek i vëllai, me nijetin për të bërë punë të mira, ndërsa vëllai tjetër po zbriste për të bërë mëkate, rrëshqiti, ra mbi të dhe vdiqën që të dy. Ditën e Gjykimit, adhuruesi do të ringjallet me nijetin për të bërë mëkate, ndërsa mëkatari me nijetin për të bërë punë të mira.
Posted on: Tue, 05 Nov 2013 17:42:21 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015