GOOD LUCK E BAD LUCK AMERIKË E DASHUR: POLITIKA AMERIKANE DHE - TopicsExpress



          

GOOD LUCK E BAD LUCK AMERIKË E DASHUR: POLITIKA AMERIKANE DHE PROTESTAT NDAJ FILMIT “PAFAJËSIA E MUSLIMANËVE” Një histori kineze tregon për një fermer plak i cili përdorte një kalë të vjetër për të punuar tokën. Një ditë kali u largua drejt kodrave. Komshinjtë erdhën për të ngushëlluar plakun për fatin e tij të keq. “Fat i keq? Fat i mirë? Kush e di?” – u përgjigj plaku. Një javë më pas kali u kthye me një tufë kuajsh nga kodrat. Kësaj rradhe komshinjtë e përgëzuan fermerin për fatin e tij të mirë. “Fat i mirë? Fat i keq? Kush e di?” – u përgjigj përsëri fermeri. Më pas, ndërsa po mundohej të zbuste një nga kuajt e egër, djali i fermerit ra dhe theu këmbën. Të gjithë menduan se ky ishte fat shumë i keq. Por jo edhe fermeri reagimi i vetëm i të cilit ishte: “Fat i keq? Fat i mirë? Kush e di?” Pas disa javësh ushtria kaloi në fshat dhe mori me vete të gjithë të rinjtë e zotë që gjeti aty. Kur panë djalin e fermerit me këmbë të thyer ata vendosën ta lejojnë të qëndrojë. A ishte ky fat i mirë apo fat i keq? Kush e di? Historia me plakun i ngjan atyre që po ndodhin kohët e fundit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Vetëm tre vite më parë presidenti Obama zgjodhi Egjiptin e diktatorit Mubarak për të mbajtur fjalimin e tij shumëpremtues, por aspak prodhues, drejtuar muslimanëve kudo në botë. Atëherë Mubarak shihej si një nga mbështetësit më të mëdhenj të politikave amerikane në rajon. Fat i mirë apo i keq? As amerikanët as askush tjetër nuk mund të parashikonte furtunën që do të përfshinte rajonin vetëm një vit e ca më pas kur në fillim në Tunizi e pak më pas në Misir populli do të arrinte brenda pak javëve të rrëzonte njerëzit që kishin sunduar vendin me dorë të hekurt për dekada me rradhë. Uashingtoni nxitoi të ndërronte krah në politikën e tij duke marrë anën e demonstruesve. Në median amerikane dhe atë perëndimorë pyetja u ngrit se si do të reagonte administrate Obama nëse demokracia e re egjiptiane do të sillte në fuqi forca si Vëllazëria Muslimane të cilat kishin qenë të shtypura nën regjimet diktatoriale të mbështetura nga SHBA. A do të ishte mbështetja e SHBA e fortë dhe e palëkundur për demokracinë e pakushtëzuar në mbështetje të dëshirave të popujve sovran? Përgjigja erdhi shumë shpejt në formën e zhgënjimit më të fundit. Menjëherë filluan përpjekjet për të kontrolluar pasojat e Pranverës Arabe, e thënë ndryshe, sjellja në pushtet e elitave pro-amerikane për të kontrolluar rrjedhën e ngjarjeve në vendet e rajonit. Pjesë e kësaj strategjie u bë ndërhyrja ushtarake në Libi. E mirë apo e keqe? E mirë do të shpreheshin zyrtarët amerikanë, britanikë e francezë deri pak ditë më parë. Pa fshehur aspak gëzimin e saj për vdekjen brutale të Gadafit në duart e disa “luftëtarëve të lirisë”, sekretarja e shtetit Klinton do të shqiptonte fjalët që ndoshta do të mbeten legacia e administratës Obama “Ne erdhëm, ne pamë, ai vdiq”, një tjetër shprehje e mentalitetit perandorak të zyrtarëve amerikanë. Pra, për të plotësuar Cesarin, ai vdiq pse ne pushtuam. Por forcat që lëshohen nga përmbytja e një regjimi me anën e revolucioneve rrallë arrihet të kontrollohen totalisht. Që prej një viti kaosi ka përfshirë vendin. Iluzionet e një jete të lirë e demokratike ja kanë lënë vendin luftës mes grupeve, korrupsionit dhe pasigurisë në një vend që vetëm pak vite më parë gëzonte të ardhurat më të larta në Afrikë pavarësisht censurës gadafiane. Miksi i forcave të mbështetura nga SHBA kundër Gadafit ka rezultuar më eksploziv dhe i pakontrollueshëm se sa parashikohej. Viktimë e këtij miksi mbeti së fundi edhe ambasadori amerikan Kristofer Stivens, ironikisht në qytetin në të cilin ai zbarkoi ilegalisht për të mbështetur dhe organizuar rezistencën libiane, ndoshta i vrarë me armë të furnizuara nga vetë SHBA. E sot, vetëm një vit pas mbështetjes së revolucionit egjiptian, presidenti Obama e gjen veten duke deklaruar “Egjipti nuk është aleati ynë, por as edhe armiku unë.” Në këtë rast ndoshta dhe vetë plaku i fabulës kineze do të shprehej “Jo dhe aq mirë!” Të thuash që muslimanët në botë po protestojnë për shkak të një filmi mediokër është e papërgjegjshme e madje pothuajse e pafalshme për politikën amerikane. E papërgjegjshme sepse ky pohim krejtësisht anashkalon problemet e rënda sociale të shumë vendeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut për të cilat në mënyrë direkte apo indirekte SHBA-të janë shkaktare. Në fjalimin e tij tre vite më parë në Egjipt presidenti Obama u premtoi muslimanëve mbyllje të Guantanamos, tërheqje nga Afganistani dhe Iraku, përkrahje të palestinezëve për ndalimin e kolonizimit të tokës së tyre dhe një zgjidhje dy shtetërore, përkrahje për rindërtim e zhvillim social etj. Tre vite më pas ngado që hedhin sytë muslimanët shohin pushtim, skamje, luftë, shkatërrim, moszhvillim, sanksione, bombardime me drone. Retorika e “luftës ndaj terrorit” megjithëse e zbutur nën Obamën, vazhdon pa mbarim ndërsa cdo musliman pyet edhe sa kështu? E ndërsa Arabia Saudite dhe sheikhdomet e tjera të gjirit gëzojnë mbrojtjen e SHBA (për cudi dhe shtypi amerikan ka kohë që nuk reciton më refrenin për shtypjen e femrave apo nevojën për demokraci në Saudi) në Siri administrate Obama mbështeti një tjetër “revolucion” ndaj një ish-bashkëpunëtori në luftën kundër terrorit. Së fundi edhe kjo përpjekje nuk ka ecur sipas dëshirave të Uashingtonit e edhe këtu “demokratët” e Këshillit Kombëtar Sirian megjithë kërkesën e tyre për një demokraci me anë të bombave dhe “dëshirën e mirë” të SHBA, nuk kanë arritur të përparojnë, kjo edhe për shkak të influencës Ruso-Kinezo-Iraniane. Le ta themi qartë, vdekja zyrtareve amerikane ne Benghazi ishte e pajustifikuar. Po aq e pajustifikuar, e madje edhe me shumë, ishte edhe vrasja e tetë grave afganistaneze gjate nje sulmi ajror te NATO-s pak ditë më pas ndërsa mblidhnin dru për shtëpitë e tyre. Për rastin e parë mediat nuk pushojnë së komentuari prej ditësh; në të dytin mjaftoi një apologji e një zyrtari të NATO-s i cili shprehu për të njëqindtën a më shumë herë keqardhjen e tij për humbjen e jetës në mënyrë “aksidentale”, a thua se ato tetë gra u përplasën me makinë dhe jo se vdiqën nga një bombë që as nuk e dinin se nga po ju vinte, ndërkohë që ndoshta sulme të tjera po pregatiten e që do të sjellin më shumë viktima. Ato janë thjesht dëmtime anësore. Qeveria amerikane ka shprehur me forcë në media opinionin e saj për filmin “Pafajësia e Muslimanëve” duke kërkuar madje që edhe korporata Google ta heqë nga YouTube. Në këtë kontekst, edhe ambasadori Arvizu u shpreh në Ora News se “Prej themelimit tonë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë një vend që respekton të gjitha fetë. Refuzojmë të gjitha përpjekjet për të denigruar besimet fetare të të tjerëve. Ndërkohë, nuk ka absolutisht asnjë justifikim për këtë lloj dhune të pakuptimtë. As edhe një. Bota duhet të qëndrojë e bashkuar për t’i refuzuar këto akte brutale.” Sidoqoftë, ky është një hap i panevojshëm, një përpjekje për PR. Gjithkush e di që qeveria amerikane nuk përfshihet, të paktën haptazi, në ndërmarrje të tilla. Gjithkush nga Libia në Egjypt, Afganistan, Iran e Pakistan, Angli, Francë e kudo ku jetojnë muslimanë, e di që ky film mund të jetë fare mirë vepra e personave privatë. Nga ana tjetër, ata e dinë gjithashtu që perëndimi nuk është nusja me fustan të bardhë që kërkon të hiqet. Në fund të fundit, është perëndimi që ka trupat dhe ushtron presionin dhe influencën e tij në pothuaj cdo vend musliman. Ishin presidentët dhe udhëheqësit perëndimorë si Xhorxh Bush që lidhën një fe me 1.5 miljardë pasues me një ideologji krejtësisht europiane si fashizmi me anë të termit Islamo-Fashist, duke stigmatizuar muslimanët anembanë. Kongresmenë amerikanë mbajnë seanca pa kuptim për gjoja rrezikun e xhihadit islamik dhe pushtimin nga sheriati, ndërkohë që policia përgjon e përndjek papushim muslimanët nëpër xhami. Vetëm pak kohë më parë në një tempull sikh gjashtë persona mbetën të vrarë gjatë një rasti pengmarrje kur autori, një ekstremist fashist i djathtë mendoi se po sulmonte një xhami. Në shtyp u fol gjatë për faktin se komuniteti sikh në Amerikë kishte pësuar mbi 700 krime urrejtje që nga 9/11 për shkak të ngjashmërisë së turbanëve të tyre me veshjet islamike dhe të mjekërrave të gjata. Por askush nuk tha, ndoshta nuk guxojnë ta imagjinojnë, se sa është numri i rasteve të krimeve të urrejtjes ndaj muslimanëve në SHBA. Ndërkohë femrat muslimane stigmatizohen nga media perëndimore si të prapambetura, të shtypura etj në debate që nxiten nga zyrtarë e pushtetarë sidomos nga e djathta konservatore. Një tjetër shprehje e njëanshmërisë amerikane ishte edhe votimi për të shpallur Jeruzalemin si kryeqytetin e pandarë të Izraelit, në kundërshtim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara, gjatë konventës së Partisë Demokratike në një votim krejtësisht arbitrar që kërkonte dy të tretat e votave po ku u pa qartësisht që ndoshta më shumë se gjysma, përfshi shumë përkrahës arabë-amerikanë, ishin kundër. Deklaratat e fjalimet për bashkëjetesë, demokraci, paqe, zhvillim nuk kanë asnjë vlerë kur veprimet që i pasojnë janë vetëm luftë, bomba dhe më shumë luftë. Pavarësisht nga gjithë këto muslimanëve u kërkohet që ndaj gjithë kësaj të mos reagojnë. Nëse reagojnë ata konsiderohen të pacivilizuar, barbarë që nuk marrin vesh nga moderniteti e që meritojnë të jetojnë në shpella. Të mësuar nën shtypjen e “despotëve orientalë” ata nuk arrijnë as ta perceptojnë koncepte të tilla si “liria e shtypit”. Diskursi zyrtar dhe jo zyrtar perëndimor pretendon se ky nuk është rracizëm. Sidoqoftë le t’ja lëmë një gazetari si Robert Fisk ta shpjegojë më mirë kur tregon në një nga artikujt e tij të fundit se si “Një kryeredaktor më tha dikur me krenari se në gazetën e tij kishte ripublikuar karikaturat e profetit me një turban të mbushur me bomba. Por kur unë e pyeta nëse kish planifikuar të botonte një Rabin me një bombë në kokë herën tjetër që Izraeli do të pushtojë Libanin, ai me nxitim ju bashkua mendimit tim se kjo do të ishte anti-semite.” Me sa duket edhe liria e famshme e shtypit ka limitet e saj. Një rrëfim i indianëve të Amerikës thotë, “Personi që tregon historitë, sundon botën”. Sot mediat Perëndimore propagandojnë se protestat e shumta të muslimanëve kanë ndodhur për një film qesharak e pa cilësi. Më e saktë është të thuhet se ai është preteksti. Në kohë te tilla kur vdekja e disa personave i jep në pamje të parë “të drejten morale” fuqisë më të madhe të shprehe hidhërimin e saj, pushtetarët vasale nxitojnë ti shprehin sulltanit ngushëllimet e tyre, mediat i fryjne fanfarave të propagandës, “shoqeria civile” vihet në veprim, e popullatat, nën efektet dehës të ideologjisë mbizotëruese krijojnë opinionet e tyre mbështetëse. Mendjet e ftohta, ato zëra të paktë të cilët mundohen të shohin e analizojnë përtej tymnajës së ngjarjeve, përtej mjegullës mediatike, shtyhen mënjanë me epitete si konspirativë, që s’kuptojnë c’farë po ndodh, apo emërtohen fondamentalistë, anti-amerikanë, kundër vlerave e mënyrës perëndimore të të jetuarit etj. Në faqen e saj në FB ambasada amerikane në Shqipëri ndërsa shprehte mirënjohjen për mesazhet e shumta theksonte se “Ato na kujtojnë se dhuna e pajustifikuar nuk mund të thyejë lidhjen ndërmjet qenieve të denja njerëzore.” Problemi është në atë se cfarë është dhuna e pajustifikuar? Cili është përkufizimi i saj? A ishte dhunë e pajustifikuar sulmi ndaj ambasadës amerikane në Benghazi? Mendoj se po. A ishte dhunë e pajustifikuar 9/11? Patjetër, po. A ishte dhunë e pajustifikuar pushtimi i Irakut nën pretekstin e armëve të shkatërrimit në masë? Sigurisht që po. Cilat pra janë qëniet e denja njerëzore? Kësaj pyetje nuk mund ti përgjigjemi me siguri. Ajo që dimë është se asnjë shoqatë e “shoqërisë civile” nuk do të ndezë qirinj për tetë gratë që vdiqën nga një bombë e NATO-s, në një pyll në Afganistan, ndërsa mblidhnin dru. Amerikës sot i nevojitet një analizë e thellë, një moment reflektimi për sa i përket rolit te saj vis-à-vis muslimanëve. Lindja e Mesme dhe Afrika kanë ndryshuar ashtu sic edhe balanca botërore e pushtetit me fuqizimin e vendeve të BRIC-ut ka ndryshuar. Në 2012 Amerika e gjen veten rreze dritë larg nga hegjemonia që karakterizoi vitet ’90 e fillimvitet 2000. Ajo ka dy rrugë: të zhysë kokën në rërë e të vazhdojë si më pare politikat kontrolluese, ose të nxjerrë mësime nga ngjarjet e fundit, të analizojë situatën, e të kuptojë që roli i saj kontrollues në rajon nuk është ajo cfarë popujt e Pranverës Arabe kanë në mendje. Për një dekadë rrjesht bota arabe ka parë historinë e kulturën e saj të rrënuar nga bombat, ndërhyrjet ekonomike e fetare apo ka vuajtur kriminelët e diktatorët që ja ka sjellë mbi kokë Perëndimi. Është koha që administrata amerikane të vërë në jetë disa nga premtimet e bujshme por boshe derimëtani të presidentit Obama në fjalimin e tij historik në Misir tre vite më pare. Ajo duhet të bëjë një hap pas e tu lejojë popujve muslimanë të menaxhojnë revolucionet e tyre vetë, të rrëzojnë ata diktatorë që kanë mbetur vetë, të gëzojnë demokracitë e tyre vetë, të krijojnë zhvillimin e tyre vetë, të fitojnë dinjitetin e tyre vetë. Vetëm kështu do të mund të fitojë respektin e muslimanëve. Vetëm atëherë do të shihet që asnjë musliman nuk do të protestojë dhunshëm qofshin ato karikatura franceze pa shije, filma pa vlerë të prodhuar nga persona të panjohur në Amerikë apo pacavure letrare si ajo e Ben Blushit në Shqipëri, përpjekje të cilat i bashkon vetëm dëshira për famë, para e karrierë pa marrë parasysh fenë dhe ndjenjat e tjetrit. Nëse e bën këtë apo jo, ne vëzhguesit e Amerikës nga afër dhe nga larg do të vazhdojmë të shohim se si do të zhvillohet marrëdhënia e saj me muslimanët nëpër botë dhe nuk do na ngelet gjë tjetër por të themi: Bad luck e Good luck, Amerikë e Dashur. Kush e di ?/Global 77/
Posted on: Sun, 24 Nov 2013 04:10:58 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015