George Fred Williams (1852-1932 / Ministër amerikan për Greqinë - TopicsExpress



          

George Fred Williams (1852-1932 / Ministër amerikan për Greqinë në vitet 1913-1914 dhe Vëzhgues pranë Komisionit të kontrollit të Fuqive të Mëdha në Durrës gjatë viteve 1913-1914): SHQIPTARËT (Pjesa 2) Qeveria e Vidit Si princ i kësaj principate u zgjodh Uilliami i Vidit, major i gardës Potsdam Lancers, një zotëri pa farë përvoje në qeverisje dhe pa vetitë e duhura për një kryetar shteti. Ai qe nip i Mbretëreshës së Rumanisë, e quajtur Karmen Silvia, dhe duhet shënuar se përkrahja financiare dhe shtyrja e saj si dhe detyrimi i gruas se tij ambicioze u bënë shkak që ky të pranojë këtë detyrë. Tragjedia e gabimeve filloi para se të vinte Princi në Durrës. Esad Pasha, kryetar i ca fiseve të Shqipërisë së Mesme, pa pasur autorizim prej popullit, shkoi në mënyrë solemne dhe i dhuroi kurorën Princit Vid në emër të Shqipërisë. Që në ditët e para tërhoqi vërejtjen një zënie midis nëpunësit të pallatit me mjekun e oborrit, e cila përfundoi me ikjen e shpejtë e shumë zemërueshem të mjekut nga Shqipëria. Komisioni Ndërkombëtar në bazë të marrëveshjes së Londrës priste që princi të vinte me bashkëpunuar me të për të zgjidhur problemet e ndryshme të shtetit. Por shpejt e mësua se Vidi po vinte si mbret dhe kishte kërkuar që të pritet me gjithë madhështitë që i kanë hije një pritjeje mbretërore. Kur ata deshën të bëjnë ca paragatitje dhe për këtë deshën të bashkëpunojnë me nëpunësin e pallatit, ai u përgjegj se nuk kishte kohe me humbë me ta. Se me ç’të drejtë Princ Vidi e mori titullin mbret askush s’ka qenë i zoti ta shpjegojë. Ai në marrëveshjen e Londrës figuron si Princ. Princ Widi me qeverinë e tij në Durrës 1914 Në fjalimin e tij mbretëror (!?) princi theksoi se do të mund të kishte rast me bashkëpunuar me komisionin ndërkombëtar, kurse marrëveshja (e Londrës) e thotë që ai duhet të bashkëpunojë. Qeverisja ose mbretërimi filloi duke i ofenduar haptazi përfaqësuesit e fuqive të mëdha, të cilët kishin në dorë portofolin dhe pothuaj gjithë autoritetin, (sepse ata kishin kontrollin e financave dhe të administratave - shën. përkth.). Princi emëroi një kabinet, por ministrat e tij nuk kishin autoritet të caktuar ose të dalluar dhe në këtë mënyrë çdo gjë që morën përsipër komisioni e kundërshtoi. Ndërkaq epirotët, që zenë Shqipërinë e Jugut, deklaruan pavarësinë e tyre. Esad Pasha kërkoi 25000 vetë të armatosur për t’i shtruar këta, por ushtarë nuk kish. Koloneli holandez Tompson që kishte komandën e xhandarmerisë u ngarkua me mision prej princit për të bërë marrëveshje me “epirotet”. Ai fitoi besimin e tyre dhe erdhi në një marrëveshje shumë të mirë, por Esadi siguroi mohimin e misionit të kolonelit nga ana e kabinetit dhe ky mision u flak edhe prej princit. Më vonë kur komisioni ndërkombëtar bëri marrëveshje në Korfuz me kryengritësit e Jugut, anëtarët protestuan se ky komision nuk dinte kurrgjë mbi marrëveshjen e kolonelit Tomson e as mbi misionin e tij. Kur unë erdha në Durrës, njëri prej anëtarëve të komisionit më mohoi pikat më kryesore të marrëveshjes së Korfuzit, një kopje të së cilës ia paraqita të vërtetuar prej sekretarit të komisionit. Në këtë mënyrë vijonin punët në krijimin e një shteti. Mbledhjet e komisionit bëheshin edhe më të vështira nga mosmarrëveshjet dhe ngatërresat mes përfaqësuesve të Austrisë dhe Italisë, të cilët mundoheshin me ia hedh fajin njëri-tjetrit. Kabineti edhe ky u nda dhe në Maj të vitit 1914 Esad Pasha, ministër i luftës, u arrestua si komplotist kundër qeverisë, u vu në një luftanije të Austrisë dhe u dërgua në Itali. Në anën tjetër, Shqiptarë kryengritës, rebelet, me armë në dorë u dukën para dyerve të Durrësit. E vetmja kërkese e tyre ishte që princi të lejë Shqipërinë dhe prej asaj kohe e deri në fund ajo ka qenë britma e tyre për çdo marrëveshje që thirreshin me bërë. Duke vënë fenë si shkak për lëvizje luftarake Një njeri me mend nuk do të kishte pranuar detyrën me ushtruar tiraninë mbi një popull luftëtar si ky pa qenë i siguruar nga fuqitë e mëdha se do t’i japin forca ushtarake, sepse gjithë themeli i kësaj pune ishte forca. Bilës, edhe kur vendasit u ngritën me armë në dorë kundër tij, e para gjë që duhej të bënte qe që të kërkonte fuqi të armatosur ose të linte Shqipërinë duke u kthyer në vendin e tij. Por kur vendasit muhamedanë e kundërshtuan atë me armë, ai mori me pagesë malësorë katolikë të Veriut për të mbrojtur Durrësin. Edhe muhamedanët e Vlorës u vunë në ndihmën e princit, ca nga të cilët u lanë për të kundërshtuar kryengritësit e Jugut dhe të tjerët u prunë në ndihmë të Durrësit, kundër kryengritësve të Shqipërisë së Mesme. Problemi më i madh i një qeverie në këtë vend është për të prurë në marrëveshje ose për të bashkuar elementët e besimeve të ndryshme me qëllim që të zhduket sa më parë kundërshtia në mes tyre e cila ka qenë futur prej sundimtarëve turq. Brenda pak javësh sundimi të Princ Vidit, gjendja u bë shumë e keqe. Në Shqipërinë e Jugut muhamedanët vritnin ortodoksët e në Durrës malësorët katolike thernin muhamedanët brenda pamjes se pallatit të princit, i cili ishte i sigurt vetëm nën grykat e zjarrit të topave të luftanijeve të fuqive të mëdha që ishin në molin e Durrësit vetëm për të mbrojtur princin dhe familjen e tij. Dukej haptazi se pa u bashkuar për bashkëpunim elementët e besimeve të ndryshme, qeveria e tij ishte më kot. Vidi u ngul në Durrës më 21 Shkurt 1914 dhe më 24 Maj të këtij viti, mbas një mësymje nga kryengritësit, ai me familjen e tij fluturoi në kryqëzorin italian Misurata. Megjithatë të nesërmen u kthye prapë në pallatin e vet, por ikja që kish bërë një ditë më parë prej qyteti në luftanije ia humbi rëndësinë dhe e bëri të pamundur që ai të kishte pamjen si sundimtar i një populli ndaj të cilit burrëria, zemra dhe trimëria janë gjëra fare të zakonshme. Një veprim i vogël i komedisë u luajt më 5 Qershor kur në drekën e kësaj dite luftanija Tegelhoff duhej të dëfrente princin. Një ceremoni mbretërore qe paramenduar dhe ministrat e pranuan, por atë ditë komisioni ndërkombëtar po mundohej për të ardhur në marrëveshje me kryengritësit e për këtë kishin frikë se mos alarmoheshin dhe dëshpëroheshin këta nga krismat e topave. Komisioni doli fitues në ndalimin e ceremonisë, por jo me kryengritësit të cilët nxirrnin të vetmen fjalë: “princi lipset të shkojë nga toka e jonë”. Në anën tjetër të gjithë degët e fuqive sunduese çdo minute vinin në mosmarrëveshje më të mëdha dhe ngatërroheshin më keq në mes tyre. Disa ia ngarkonin gjithë shkakun e ngatërresave oficerëve holandezë, të cilët kërkonin me pasur fuqinë eprore dhe jepnin urdhra mbi ata të qeverisë së rregullt. Prandaj më 22 Maj, anëtarët e kabinetit shkuan si një grup dhe i dhanë dorëheqjen mbretit duke thënë haptazi se nuk durojnë të përdoren më si kukulla në duart e oficerëve holandezë dhe të marrin përsipër gabimet trashanike dhe keqbërëse të tyre. Por në anën tjetër në këtë kohë oficerët holandezë ishin të vetmit mbrojtësit e Durrësit duke komanduar malësorët shqiptarë, gjuhen e të cilëve as që e kuptonin. Ditën e 15 Qershorit komandant kolonel Tompson u vra dhe me qindra njerëz u vranë në kënetë. Ngatërresa në Durrës Mbërrita në Durrës me datën 18 Qershor. Gjatë një jave që kalova në Gjirokastër me kryetarët e kryengritësve unë pata mësuar për vrasjen e 70 muhamedanëve të pa armatosur, të cilën komisioni e kishte vërtetuar por kryengritësit e mohuan dhe e pata vu vetën në dijeni me gjithë mosmarrëveshjet që qëndronin në mes të “epirotasve” dhe komisionit ndërkombëtar për te bërë paqe. Unë jo vetëm që u habita, por edhe u tmerrova për ngatërresat që gjeta në Durrës. Secili anëtar i komisionit ishte me armë në dorë kundra tjetrit dhe në vend që të dëgjonin lajmet e dobishme që solla unë, secili e shkonte kohën duke më pëshpëritur në vesh gjërat pa mend dhe keqbërjet e tjetrit. Asnjeri nuk kishte as më të voglën ide se kush e kishte sundimin ose komandën më të lartë, e cila kërkohej me një farë autoriteti nga princi, nga komisioni, nga oficerët holandezë dhe nga kabineti. (Sepse marrëveshja e Londrës e kishte zhytur këtë punë duke ia dhënë në njërën anë komandën njërit e në një tjetër tjetrit, herë komisionit e herë Princit e herë oficerëve hollandezë – shën. përkth.). Me i përshkruar hollësirat e ngatërresave që çdo ditë u bënë edhe më të këqija në Durrës, nuk do të ishte edhe aq e dobishme. Qeveria shkoi një herë në Vlorë dhe iu desh me u kthyer prapë në Durrës për arsye komplotesh dhe aty gjeti kryengritjen e Esad Pashës. Një oficer italian u zu natën në Durrës duke i bërë shenjë kryengritësve e në këtë mënyrë duke iu drejtuar udhët e operacionit. Kur e arrestuan u gjet se ai qe duke bashkëpunuar me oficerin që kish pas qenë ngarkuar me mision nga Princi për të mbrojtur Durrësin nga kryengritësit; atëherë misioni u pezullua. Një oficer holandez më tha se Princit nuk mund t’i mbushej mendja kurrsesi për t’i prirë ushtrisë e as me u dukur më para luftës. Luftanijet e gjashtë fuqive rrinin në një qetësi të vdekur në port. Kur qyteti u mësy, komandantët e tyre u thirrën për të shtirë ca topa sa me trembur kryengritësit, por ato kundërshtuan duke thënë se kanë urdhra të rrepta me vepruar vetëm për mbrojtjen e personit të princit e të familjes së tij. Kjo tregoi qartazi se fuqitë e mëdha kishin vendosur mos me shtirë asnjë top për mbrojtjen e qeverisë që kishin marrë përsipër me themeluar. Përvoja ime e fundit në Durrës qe një natë para se të largohesha, kur qeshë zgjuar prej një krisme të tmerrshme pushkësh në kënetë pothuaj nën dritaret e mia. Oficerët më lajmëruan në mëngjes se kishin dërguar nja 15 vetë nëpër kënetë për të kërkuar të vrarë e të plagosur, por njerëzit e tyre duke i kujtuar këta se ishin armiku qe po iu afrohet, shtinë mbi ta dhe i vranë të gjithë. E lashë këtë skenë mëkatesh, ngatërresash të ndyra dhe gjakderdhjesh me një zemër plot mëri kundër krimit të madh të Europës dhe plot simpati për popullin që iu desh me derdhur gjak për të mbajtur larg zgjedhën dhe një nga gabimet më skandaloze në historinë e Europës. Tre muaj pas kësaj, princi, familja e tij, oborri e kabineti i tij, komisioni ndërkombëtar, ministrat e huaj, xhandarmëria dhe luftanijet ikën nga Durrësi dhe Shqipëria u la sikurse është sot, pa qeveri. (Domethënë në kohën e Luftës I Botërore – shën. përkth.). Masa për shpëtim Të nesërmen, pasi pata lënë Durrësin mbërrita në Vlorë. Kryetarët e Vlorës ishin besnike të princit Vid dhe i patën dhënë ushtarë për të luftuar kryengritësit e Shqipërisë së mesme dhe “epirotet” në Jug të Vlorës. Prandaj këta gjendeshin në një frikë të përditshme prej ndonjë mësymjeje nga vëllezërit e vet. Që mos të vazhdohej më rrënimi në mes tyre, i këshillova që të shpallin pavarësinë dhe të bëjnë paqe me vëllezërit e vet. Në emër të tyre shkova në Delvinë dhe takova kryetarin e qeverisë së përkohshme të Epirit, Zografo, i cili ishte i sëmurë në zemër pasi po kthehesh nga varrimi i 14 djelmoshave Delvinjotë që sapo ishin vrarë në shpat të malit, ndërsa 40 burra shtriheshin të plagosur. Ai qe gati me bërë paqe me vlonjatët dhe kur ky lajm mbërriti Vlorën u prit me shumë kënaqësi dhe duartrokitje. Atë pasdreke dy luftanije të fuqive të mëdha që bënin pjesë në komisionin ndërkombëtar, u ngulën në port dhe nën hijen e topave të Europës nuk lejuan bashkimin që unë kisha parashtruar. Ata e dinin mirë që qeveria e tyre po kotesh mbi fronin e saj dhe se do të binte. Po ashtu e dinin që përmbajtja e veprave të tyre do të shkaktonte edhe më shumë gjakderdhje vëllazërore. Prej asaj kohe e mbrapa fuqitë “epirote” dhe kryengritësit e Shqipërisë së mesme përparuan. Më tepër se 100’000 barinj dhe bujq, gra, burra, fëmijë dhe foshnje lanë shtëpitë e tyre, të cilat ua dogjën e ua shkatërruan dhe këta vetë emigruan në Vlorë. Kur unë u largova nga Greqia, sëmundja e lisë po përhapej nëpër këta emigrantë që pa ndihma dhe pa shpresë vdisnin në qarkun e Vlorës. Pak mbas largimit tim, u raportua se nga këta 100’000 emigrantë 30’000 kishin vdekur urie dhe s’kishin as mbulesë e as kasolle ku me shtirë kryet. Jam informuar që nëpër gjithë Shqipërinë ka zi. Në pranverë nuk ka me pasur misër për farë për ata që do të shpëtojnë. Zbulimi i padrejtësisë Mirë do ishte po ta kishte përshkruar gazeta Times e Londrës skenën e Durrësit si një komedi tragjike, që brenda pallatit mbretëror luheshin shakatë cinike më të mëdha, që mbrapa maskave buzëqeshse të diplomatëve të Europës fshiheshin fytyrat e errëta e kriminele, shkaktare të vdekjes së këtyre njerëzve, se jashtë në kënetë shtriheshin qindra Shqiptare mbrojtës të vatrave të veta, të fortë e të ngrirë, me sytë e tyre dhembshurisht të drejtuar kah qielli i cili dukej e pamëshirshëm për ta. Dukesh një detyrë njerëzore, haptazi, me shqyer maskën që mbulonte diplomacinë europiane e me nxjerr fytyrën e saj të lyer me gjak atdhetarësh dhe shikimin e dobët të saj mbi dëshirat e zjarrta për liri të një race të fortë. U ktheva në Athinë dhe pasi qeshë i shtrënguar e tregova këtë panjerëzi dhe këtë padrejtësi të fuqive europiane dhe dhashë dorëheqjen si ministër i Amerikës në Greqi e në Mal të Zi, sikurse patjetër qeshë i shtrënguar me bërë. Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje në sallat e diplomacisë! Qe shorti im me ngritur perden që t’i jepja dritë kësaj komedie, e cila qe loja më tragjike që është vu në skenë prej duarve të njerëzve. Ky veprim qe ai që me ka hapur rrugën me iu lutur popullit të lirë të Amerikës të ndihmojë Shqiptarët që po mundohen me luftë e me vdekje për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Kur Europa, e përgjakur, e mjeruar, e shfarosur, e falimentuar dhe e këputur do të hyjë duke çaluar në një periudhë të re qytetërimi, atëherë le të mësojë prej vuajtjeve të veta mëshirën që duhet të ketë për kombin e vogël malësor; e cila dëfrehesh me shtrëngimet e shpirtit e me britmat e vdekjes së tij dhe vepronte paturpësisht duke i quajtur asgjë tmerret dhe vuajtjet e këtij populli për liri dhe humbjen e lirisë të një populli e quante një sakrificë të zakonshme për qejfin e tyre. Përpjekjet për liri „Çdo popull i shtypur ka të drejtë të shkundë zgjedhën e tij dhe në qoftë se Shqiptarët janë mërzitur e lodhur nga zgjedha turke dhe qeverimi i keq i saj dhe dëshirojnë me qenë të pavarur, kanë urimet e mia më të përzemërta për ta. Është e vërtetë që drejtpërsëdrejti nuk mund të bëj kurrgjë për ta, por kur plani i juaj ka dalë me të vërtetë fitues, flamuri turk të jetë zhdukur dhe pavarësia Shqiptare të jetë shpallur, le të deklarohet qeveria juaj zyrtarisht dhe Anglia do të jetë e para fuqi që do njohë pavarësinë Shqiptare. Unë do të mundohem me gjithë shpirt me ndikuar edhe mbi të tjerët që të ndjekin këtë shembull.“ Gladstone, Kryeministër i Britanisë, 1880 Për sa përmban historia e re, kjo është fjala më e mirë për Shqipërinë e dalur nga një burim zyrtar. Kjo kishte të paktën shpirtin e simpatisë dhe në qoftë se Kryeministri i tanishëm i Anglisë thotë kaq e jo më tepër për formimin e një qeverie të përkohshme në Shqipëri do të jetë një punë e lehtë për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe të pavarur. Kur kam folur për robërinë e Shqiptarëve nën Turqi, nuk kam pasur në mendje mizori, tortura, vrasje dhe therje. Këto veprime bien mbi persona të veçuar të cilët vuajnë, vdesin dhe harrohen. Shkenca e torturës, thelbi i tiranisë dhe djallëzia e vrasjes janë në kulmin e tyre kur i drejtohen një grupi dhe shpirtit e jetës së një shteti. Duket si e pamundur që një qeveri të tregojë haptazi vendimin e vet për të shkatërruar lumturinë e për të mohuar shpresat dhe dëshirat e një populli nën sundim. Por kjo është historia e tmerrshme e Turqisë në Shqipëri. Malësorët trima nuk u shtruan kurrë dhe shumica e tyre kundërshtuan edhe pagesën e taksave. Ata vdisnin në grupe pse rrinin së bashku për t’u mbrojtur nga mësymjet e herë pas hershme të ushtrive turke, të cilave kurrë s’ia lëshuan shtëpitë e tyre. Por ata nuk mund të mbronin edhe fushat ku ishte mundësia më e madhe e përparimit dhe qytetërimit. Për Turqinë, fushat kishin dy vlera: e para si burim të ardhurash dhe e dyta për të mbledhur ushtarë. Popullit i vinin taksa të mëdha që i mblidhnin pa mëshirë. Taksat dërgoheshin në Turqi dhe shumë pak shpenzoheshin në vend. Në këtë mënyrë e rjepi Turqia pasurinë e vendit. San Xhuliano, tani vonë ministër i jashtëm i Italisë, thotë se qyteti i Vlorës paguante 1’000’000 franga në vit dhe vetëm 20’000 shpenzoheshin aty. Gjithashtu edhe në Vilajetin e Janinës mblidheshin 9’000’000 franga, prej të cilave vetëm 2’000’000 shpenzoheshin për atë vilajet. Mbledhja e ushtarëve Por e ardhura tjetër ishte edhe më e vlefshme. Shqipëria nxirrte pothuaj ushtarët më trima në Europë. Malësorët Shqiptarë të lartë, të fortë e të pafrikshëm, përbënin gardën e Sulltanit. Mirditasit dhe malësorët përgjithësisht viheshin në pjesët më me rendësi të ushtrive turke. Shumë prej tyre morën lavdërime dhe pozita të larta si në ushtri ashtu edhe në administratë. Edhe në ditët e Romës pat qenë ideja për ta bërë Shqipërinë një fole për rritje dhe nxjerrje luftëtarësh, por Turqit e përmbushën këtë ide. Duhet shënuar se po të ishte Shqipëria e përparuar, e edukuar dhe e lumtur, nuk do t’i jepte ushtarë Turqisë. Për këtë arsye padituria, veçimi i saj nga bota e përparuar dhe varfëria u zgjodhën prej turqve si vegla për të mbajtur nën thembër këtë popull trim. Copëtimi i vendit Siç duket, ishte vendosur në çdo fuqi mendore zhvleftësimi moral, intelektual, shpirtëror, ekonomik dhe politik i këtij populli. Zyrtarët që të gjithë ishin të pasjellshëm; të ashtuquajturat salla të drejtësisë, gjyqet, nuk mbronin as persona as pasuri. Njerëzit viheshin në burg me dëshmira të fshehta. Gjithë lëvizjet për bashkim prisheshin nga nëpunësit e pashpirt dhe gjithë masat për punë e industri pengoheshin nga tagrambledhësit. Mund të thuhet se këto janë kondita edhe në vende të tjera të nënurdhëruara, por jo kaq sistematikisht. Miniera ari patën qenë punuar prej Romakëve e argjendi prej venedikasve. Këto patën qenë mbyllur shumë kohë përpara me urdhër qeveritar dhe tani as vendi nuk u dihet. Pyje të mëdha shkonin më kot dhe kalbeshin për arsyera ligjore dhe transportimi. Ndërsa në shtetet e tjera të Europës ka një endje të madhe hekurudhash, ky vend nuk ka asnjë rrugë hekuri prej Veriu në Jug. Fuqira të mëdha ujërash nuk përdoren; porte shumë të mirë janë pa mbrojtje dhe pa ndërtesa doganore. Lumenj, në të cilët duhej të lundronin avullore me transportuar lëndët e pyjeve në tregjet botërore, janë të vdekur e të padobishëm. Përveç çka lanë Romakët, rrugë të tjera nuk ka; një njeri për të shëtitur prej bregut në brendinë e vendit ose prej një qyteti në tjetrin, duhet të shkojë mbas gjurmëve ose nëpër ndonjë rrugë qorre. Portet e sigurt dhe hekurudhat do të ishin mjete për të bashkuar Shqipërinë me botën e jashtme dhe rrugët e gjëra do ta bënin të lehtë kalimin prej një qyteti në tjetrin. Por ndërlidhje të tilla do t’i kujtonin popullit dobinë e qytetërimit dhe do të bëheshin shkak kundërshtimesh dhe kryengritjesh. Parimi i mallkuar për të mbajtur këtë vend të veçuar, si brenda me njëri-tjetrin ashtu dhe me botën e jashtme, ishte shkak që e la këtë vend të verbët e të errët, ndërsa nëpunësit e Turqisë mbushën botën e jashtme me propaganda mbi egërsinë e këtij populli dhe rreziqet e udhëtimit në këtë vend. Por historitë dhe shënimet nuk tregojnë për ndonjë të huaj që u gjend ndonjë herë në rrezik në tokën Shqiptare; doemos ata që nuk prunë me vete ndonjë komplot ose tjetër qëllim të keq për popullin. Përgjithësisht çmohet mikpritja e Shqiptarëve prej atyre të huajve sa më tepër që ata e vizituan këtë vend me qëllim miqësor. Në këtë tokë me fjalën qytet quajmë një vend që nuk ka më shumë se 40’000 banorë. Një tokë e begatë Në Shqipëri ka fusha të mëdha dhe pjellore të cilat mund të ushqenin miliona, por tani ato vetëm gërricen me një parmendë druri e nuk punohen. Shumica e tyre janë të mbuluara me barishte të padobishme ku kullos bagëtia e dobët e vendit. Minierat janë të pa gërmuara e të paditura. Ata më me dituri në mineralogji thonë se toka Shqiptare ka qymyr guri, vajguri, hekur, asfalt e bakër, por zbulimi dhe shfrytëzimi i tyre nuk është lejuar kurrë. Prodhimi i të lashtave, misrit, ullinjve, pemëve e vreshtave, po të përpunoheshin do të ishte shumë i madh, ndërsa peshku nuk ka të sosur. I shkreti bujk, me që të shumtën e veglave si dhe kaun me nga tokën shpesh herë i merrte me qira nga se do të paguante medoemos e me çdo sakrificë taksat e rënda, edhe pse vetvetiu i varfër nga rrjedhat e kohëve, dalëngadalë la punimin e tokës që nën një punim të mirë mund të nxirrte miliona e u vu të ruajë ato pak bagëti që pati dhe toka pjellore u la pothuaj krejtësisht si vend kullotë. Por edhe bagëtia e tij është në një gjendje shumë të keqe; leshi nga ashpërsia e tij ka një vlerë shumë të pakët dhe raca e bagëtisë se tij nuk është përtërirë kurrë. Sasia e madhe e lëkurëve shkon më kot për pamundësinë e transportit dhe për padijen e përgatitjes së tyre. Pa shikoni! Sa keq! Në mes të Europës një tokë e pasur, një tokë pjellore të ndodhet në këtë gjendje si me qenë në mes të një shkretëtire! Parimi i zhvleftësimit Shqipëria ka plot gojëdhëna të së kaluarës por turqit nuk lejonin gërmime, gjë që mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë. Mësimi i gjuhës Shqipe ishte krejt i ndaluar në çfarëdo shkolle. Sot nuk ka ndonjë alfabet të caktuar, s’ka shtypshkronja që të shtypin gazeta dhe libra për këtë popull. Rregullat turke arrestonin dhe internonin ata të cilëve u gjenin qoftë edhe në postë libra të çdo lloji në gjuhën Shqipe. Gjuha e shqiptarëve duhej të heshte për hir të sunduesit. Që mos me u dhënë raste për bashkim për të kërkuar lirinë dhe të drejtat e tyre, turqit ndiznin dhe shtonin çdo ditë e më tepër armiqësinë në mes familjeve, lagjeve, katundeve dhe besimeve të ndryshme. Fanatizma dhe shpërblimet që merrnin kryetarët e vendit kanë qenë helmi më i fortë për të mëkëmbë çdo të keqe dhe kanë rënduar zgjedhën e kanë penguar përparimin. Djali katundar i lindur në Shqipëri u rrit krejt i paditur për arsye se Turqia lejoi të hapen shumë pak shkolla në gjuhën e saj, përveç atyre të huaja; kështu që mos të zgjohej mendja, shpresa dhe ambicia e të riut Shqiptar. Babai i shkretë, i mbytur në varfërinë e tij, mund t’i jepte djalit të vet vetëm një rrugë jashtë shtetit duke e dërguar në Stamboll ku medoemos do t’i përshtatej jetës ushtarake, do të gufasësh nën një uniformë me xhufka dhe do të ushqehesh nga kazani i mbretit. Megjithatë kurrë nuk e pa të arsyeshme sundimtari turk zgjimin e djalit Shqiptar. Europa përkrah sundimin turk Diplomacia e Europës e ka njohur gjithmonë karakterin e keq të sundimit turk. Për turp të kësaj diplomacie i është thënë kjo e vërtetë në shesh, por gjithë këtyre protestave fuqitë e mëdha i janë përgjigjur: “Shqiptarët janë një racë e egër”. Asnjë njeri në Europë nuk e njohu më mirë popullin dhe tokën Shqiptare sesa italiani i famshëm, Markezi San Xhuliano. Me një penë të fortë ky zotni e ka hartuar kulmin e mizorisë me të cilën sundimi turk poshtëroi dhe shkretoi një popull, për trimërinë dhe kapacitetin e të cilit ky shkrimtar ka një respekt. Por, sikurse e thotë edhe vete, nga pozita diplomatike që kish iu desh me i mohuar të drejtat e Shqiptarëve me këto fjalë: “Prandaj Italia interesohet me e lënë të paprekur nderin e Sulltanit në Shqipëri nga çdo pikëpamje; përkundrazi, me sa të jetë e mundur do ta mëkëmbë edhe më dhe do të ndalojë çdo gjë që mund të shkaktojë zhdukjen e sundimit të tij ose që mund të shkaktojë kondita të cilat, herët a vonë, mund të bëhen shkak për ndërhyrje të huaj ose për shqetësim të përgjithshëm”. Me këtë shpirt i dënoi Europa shqiptarët me robërinë e ndyrë dhe veçimin e tyre nga bota e jashtme, me shtypjen e pasurisë dhe të industrisë së tyre, me paditurinë që e mëkëmbi çdo ditë, me fanatizmin që futi në mes tyre, me varfërinë dhe me shtypjen e ndjenjave të tyre. Mundime për liri Nuk do ta përshkruaj historinë e gjatë se si Shqiptarët me lidhjet, kongreset dhe kryengritjet në çdo formë janë munduar me zhdukur robërinë e tyre. Mjafton që Turqia gjatë shekujve e njohu pazotësinë e saj dhe pamundësinë për të shkelur Malësorët. Asnjë këmbë ushtari turk nuk guxoi të hyjë në brendinë e maleve. Bilës, një herë kur Sulltani desh të mësynte Malin e Zi, më parë mori leje nga malësorët e pastaj mundi të kalojë ushtria e tij. Asnjë herë nuk doli fituese Europa në planet e saja që me anë traktatesh e lidhjesh është munduar ta fshije emrin e këtij populli nga radha e popujve. Shqipëria nuk e njohu traktatin e Berlinit dhe tani po kundërshton edhe marrëveshjen e Londrës. Pikërisht në këtë kohë që po e shkruaj këtë libër, Italia ka zënë qytetet e bregut Durrësin e Vlorën, për të vetmen arsye që të gjejë popullin me armë në dorë dhe i cili patjetër do ta kundërshtoj shkeljen e tyre. Mbetet për të parë në qofte se imperializmi, militarizmi dhe detaria, gjëra që e kanë prurë Europën në dhëmbin e vdekjes, do ta ruajnë këtë apo jo nga dënimi për mëkatet që ka bërë. Në qoftë se gjykimi i drejtë i njerëzisë do të sjelli një jetë të re të përgjithshme, paqe e vëllazërime, duhet të hedhë poshtë e të zhdukë edhe diplomacinë e fshehtë që ka qenë dhuna dhe urrejtja e përgjithshme që ka sjellë gjithë mizoritë e sotme. Është kjo lloj diplomacie që e mbajti Shqipërinë me shekuj nën sundimin e ndyrë të Turqisë, e mbyti në varfëri, i mbylli dritën e qytetërimit dhe në gjithë rrugët që të çonin për në këtë vend vunë shenjën: “Është e rrezikshme - rrini larg”. Më në fund, kur qe thyer zgjedha turke vetë Europa iu vu punës në këtë vend duke qethur nga kjo tokë pjesët gati më me rëndësi dhe mbi copën që mbeti mori përsipër me krijuar një qeveri aq despotike në karakterin e saj saqë as qeveria e Stambollit nuk e kish paraparë kurrë. Në vend që me iu dhanë ndonjë farë sigurimi për liri e një statut Shqiptarëve, Europa pruri një princ, një komision ndërkombëtar dhe një organizatë të huaj xhandarmërie për të sunduar Shqipërinë, si duket pa e menduar aspak që edhe ky popull duhet të ketë një zë në qeverinë e tij. Kjo qe haptazi një tirani absolute. Një komb atdhedashës Malësorët trima u përgjigjen menjëherë. Pikërisht si zëri që ushtoi nëpër shpatet e maleve të Zvicrës në veshët e Hapsburgëve, edhe zhurma e burisë së tyre mbërriti deri në muret e sallave të Uestminsterit të Londrës. Populli trim i Shqipërisë nuk u tmerrua nga fuqia europiane. Ata që kishin luftuar një tirani do të luftonin edhe një tjetër. Ata kishin vënë para fjalën DREJTESI dhe për çdo marrëveshje që thirreshin me bërë, përgjigjeshin: “Dëboni një herë princin tuaj”. Prej Epiri e deri në thellësinë e maleve të Veriut u zgjua një kundërshtim ndaj princit. Nga kjo gjë agjentët e Europës dridheshin në portin e Durrësit dhe më në fund e lanë tokën Shqiptare. Këto atdhetare nuk priheshin nga diplomatë dinakë ose të tërhiqeshin nga hunda prej ministrash a parlamentarësh. Ata ishin vetëm njerëz të lirë që luftonin për lirinë e tyre dhe të cilët duhet të priten nga Amerikanët në tempullin e patriotëve. Amerika nuk e din Por Amerika rri në heshtje. A nuk ka vapore me kryqëzuar detërat për të shpëtuar barinjtë, emigrantët e Vlorës? Asnjë shtet nuk u mundua me iu ardhur në ndihmë në vuajtjet e rënda këtyre viktimave të diplomacisë së padrejtë të Europës. Populli i Shteteve të Bashkuara nuk e di faktin që unë po i shkruaj këto fletë vetëm për t’i parashtruar këtyre ndodhinë e dhimbshme të Shqiptarëve trima, të cilët lypin lirinë e tyre, të fëmijëve dhe të nipërve të tyre. Mundet që unë jam gabim duke vënë mëshirën dhe bamirësinë më në fund, mirëpo tirania ka luajtur një rol të tmerrshëm mbi këtë popull, edhe pse pak mijëra njerëz duke lutur hyjnitë nëpër shpatet e maleve të tyre nuk numërojnë mjaft. Ajo që numëron më tepër është nëse duhet të ketë apo jo ky popull lirinë dhe shpëtimin e vet të brezave të ardhshëm. Çfar mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës Anton Arnu, një gazetar i shquar frëng, më 19 Dhjetor të vitit të kaluar tha për Shqipërinë: “Me një popullsi më pak se një milion dhe me një sipërfaqe afro 34299 km katror, Shqipëria është një vend i pazhvilluar dhe populli i pafat i saj është duke vdekur. Kjo rrjedh drejtpërsëdrejti nga sundimi i keq dhe i padrejtë gjatë shekujve. Praktikisht s’ka rrugë e ura e asnjë udhë hekuri, s’ka të holla ose kredit dhe është e rrethuar nga të gjitha anët prej luftash përveç ballit të Greqisë, por edhe këndej është viktimë e intrigave. Përsëri ata meritojnë të jenë më mirë. Ata nuk vodhën Pjetrin për të paguar Palin; ata nuk kanë qenë fallco në punën e tyre. Shqiptarët janë një popull i mirë por mjerisht pa agjentë shtypi”. “Pa agjentë shtypi!” E vërtetë! Si popull i panjohur ka nevojë për agjentë shtypi që historia e Shqiptarëve t’i bëhet e ditur popullit Amerikan, t’i bëhet e ditur edhe se Shqiptarët janë burra dhe gra simpatike, mëshironjës e liridashës, në mënyrë që Amerika t’i japi dorën këtij populli për ta ngritur nga mjerimi në një jetë të re e të lirë. Bajroni e vizitoi këtë tokë por kaloi për të ndihmuar lirinë greke, ndërsa Gladstone qe mbrojtës i Malit Zi. Emrat e tyre janë të çmuar në jetëshkrimin e shteteve që ata përkrahën. Gjithashtu edhe disa njerëz besnikë Amerikanë mund të punojnë për lirinë e Shqipërisë. Bamirësi apo drejtësi E kuptoj se mendimi më i parë dhe e para gjë që populli i jonë do të thotë është se “Amerika nuk duhet të zhys duart në punët e përgjakshme të Europës”. Por në anën tjetër, çdo rast për bamirësi prej nesh është i mirëpritur. Miliona dollarë po kalojnë oqeanin për t’u ardhur në ndihmë viktimave të luftës që vuajnë në Belgjikë, në Rusi, në Serbi dhe në Francë. Sigurisht, mëshira për të shpëtuar edhe popullin e përvuajtur Shqiptar do të tërheqin patjetër zemrën e popullit Amerikan. Por nuk është punë e mirë me mëkëmbur këtë popull vetëm për të ngjallë viktima të reja për në frontin e tiranisë, padrejtësisë dhe të varfërisë. Mbi këtë popull ndihma për ta nxjerrë nga varfëria dhe ndihma për t’i siguruar lirinë duhet të shkojnë dora dorës. Që Shqipëria është përdorur shumë keq prej Europës s’ka dyshim. Për t’u dhënë fund gjithë padrejtësive mund të përdoret vetëm e drejta. Edhe tani Shqiptarët janë me armë në dorë kundër Italisë e Greqisë që ua kanë pushtuar tokën; dhënia fund e kësaj do të sjellë paqen. Lufta europiane e ka lënë Shqipërinë pa qeveri e të humbur në mes të shteteve të tjerë. Të formuarit e një vetëqeverimi është një premtim për pavarësi të plotë. Shqipëria e pavarur Në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin dorën parisë Shqiptare duke i mbledhur së bashku për të zgjedhur nëpunësit e vendit dhe për të vënë përpara një statut, ata do të bëjnë atë që Europa nuk mundi ta bëjë, gjë të cilën medoemos do ta shohë të arsyeshme. Europa nuk duhet të tregohet e pakënaqur për një qeveri që i pëlqen popullit vetë. Gjashtë fuqitë europiane krijuan shtetin e lirë të Shqipërisë, por duke mos qenë të zotët me themeluar një qeveri e lanë këtë vend në dorë të fatit. Megjithëse marrëveshja e Londrës u prish nga lufta, pavarësia Shqiptare nuk mbeti e pa bërë. Nuk ka fuqi tjetër në faqen e tokës që të kërkojë të drejtë mbi këtë vend tani veç popullit Shqiptar. Italia dhe Greqia që kanë shtyrë ushtritë e veta në Shqipëri thonë se e bënë këtë vetëm për të mbrojtur pasurinë dhe jetën e vendasve. Populli i Shteteve te Bashkuara mundet ta ndihmojë këtë popull duke iu siguruar paqen dhe duke larguar anarkinë. Mundet që t’i udhëheqë Shqiptarët me formuar një qeveri të përkohshme edhe deri sa këta të vihen në udhën e drejtë të punës e të përparojnë në vetëqeverimin e tyre. Nuk e mohoj faktin se gjithë këto që thashë mund të mos realizohen plotësisht, por çdo hap në nxjerrjen e lirisë së tyre, e sa do i vogël qoftë, nuk është kurrë i kotë. Mundime të tilla doemos do të shoqërohen me përfundime të zyrtarëve të lartë të qeverive europiane. Sër Eduard Grei mund t’i përsërisë fjalët e bukura të Gladstonit dhe të gjithë njerëzit nën armë duhet të presin më gëzim një qeveri të rregullt. Në qoftë se me gjithë ndihmat e dhëna bashkimi Shqiptar nuk bëhet, atëherë faji bie mbi Shqiptarët vetë. Ata nuk mund të shpresojnë kurrë më për kushte më të favorshme se këto të sotmet për të fituar lirinë dhe vetëqeverimin e tyre. Fati i Shqipërisë Asnjeri nuk mundet të thotë se Shqiptarët nuk janë të zotët për vetëqeverim, sepse asnjë rast prove nuk u qe dhënë për të formuar një qeveri të vetën. Markezi San Xhuliano ka patur të drejtë që ka thanë: “Shqiptarët janë një fuqi e paprovuar për sa i përket vetëqeverimit, as prej vetes e as prej të tjerëve”. Në zakone, në udhëheqje, në karakter ose në mundësi u ngjajnë shumë skocezëve të hershëm; janë pikërisht si ata të papërkulur dhe liridashës, gjëra që karakterizojnë edhe malësorët e Zvicrës. Koha më e volitshme që pritet për vendimin e fatit të Shqipërisë do të vijë kur të bëhen traktatet e paqes europiane. Kur të vijë kjo ditë, pa lejuar ndërhyrje intrigash Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë si avokate të një populli të vogël e pa fuqi që me plot të drejtë e arsye kërkon lirinë e vet. Duhet shënuar se Austria, Italia, Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, që të gjitha dëshirojnë me e pasur Shqipërinë; është edhe aq e drejtë se asnjeri prej tyre nuk dëshiron që tjetri të dali fitues. Në këtë gjendje të punëve është shpresa më e madhe e shqiptarëve. Ata janë një popull i veçantë, flasin gjuhën e tyre dhe kanë kufi krejt të shquar nga tjerët si në zakone ashtu edhe nga natyra e tokës. Është larg mendjes që Europa të mundi të ushtrojë paqen duke humbur të drejtat e këtij kombi ose duke e ndarë tokën e tyre. Ngjarjet e kohës së Vidit e pasqyrojnë faktin që pa u siguruar liria e plotë e Shqiptarëve është i pamundur ndalimi i luftës dhe parimi për të ndarë tokën Shqiptare do të hapi një plage të re e të helmatisur në politikën e Ballkanit. Dardanelet do të hapin një problem mjaft të rëndë, zhvillimi i të cilit është i tepërt për fuqitë e mëdha, e për këtë nuk është nevoja ta ngarkojnë veten edhe me një problem tjetër si ky i Shqiptarëve. Të drejtat e një kombi Me sa duket, Gjermania dhe Austria nuk e mendojnë më zgjerimin e fuqive të tyre në Shqipëri. Dhe as nuk besohet të kenë ndonjë kundërshtim mbi deklaratat e Sër Eduard Greit që thotë: “Gjithë kombet e Europës të jenë të lirë të formojnë sipas dëshirës vetëqeverimin e tyre e t’i prinë vetë përparimit të vet në liri të plotë; ky ideal i jonë përfshin pa përjashtim gjithë kombet e Europës, të vegjël e të mëdhenj”. Kjo deklaratë mëshiron të vërtetën dhe të vetmin parim mbi të cilin mund të bazohet një paqe pak a shumë e gjatë. Kjo përjashton çdo marrëveshje e çdo mendim për të hequr Shqipërinë nga radha e shteteve. Meqenëse fuqitë e mëdha janë detyruar me dhënë pavarësinë Shqiptare si shtet, deklaratat e Sër Eduard Greit janë një garanci për vetëqeverimin e tyre. Pra, vetëm një konditë mbetet për t’u mbushur nga Shqiptarët vetë, dhe kjo konditë është nënshkrimi në mes tyre dhe organizimi kombëtar. Në qoftë se Shqipëria është e zonja me dalë para Konferencës së Paqes me prova të sakta se ka zotësi të vetëqeveriset, lutjet e saja për liri dhe për të mbledhur gjithë tokat që i përkasin në bazë të së drejtës do të jenë të pranueshme dhe pa vonesë. Opinioni popullor i Shteteve të Bashkuara mund t’i kujtojë mundimet e veta për liri dhe mund të bashkohet me ta. Prandaj dera e lirisë është e hapur për Shqiptarët. Unë kisha me thënë se ata e kuptojnë rastin, por meqenëse janë të këputur e të varfër kanë nevojë për ndihmë që ta realizojnë krejtësisht faktin. Sigurisht Amerika nuk mund të gjejë rast më të nderuar bamirësie se sa me ndihmuar dhe me udhëhequr Shqiptarët për të siguruar një paqe kombëtare dhe një rregull të brendshëm. Një rast i tillë nuk ka shembull në historinë moderne. Organizatat e paqes mund të shpenzojnë miliona në bamirësira, por kurrë nuk kishin me bërë punën që bëjnë pak mijëra duke i përdorur për të ndihmuar këtë popull të varfër, të munduar, të vuajtur e të shpërdoruar, për të formuar një qeveri dhe si komb i organizuar të dali para Konferencës së Paqes e të kërkojë autonominë e vet dhe “vendin e vogël nën rrezet e Diellit”. Është shpresë e madhe se prej këtij konflikti kontinental do të lindi një vëllazëri e re në mes të kombeve dhe meqenëse Shqipëria nuk ka autoritet të brendshëm për shkak të atyre që ndezin smira apo zemërime në konflikte, ajo do të jetë i vetmi shtet që do të kërkojë më tepër vetminë dhe qetësinë pa u përzier në ngatërresat e të tjerëve. Paqja e Europës Sipas opinionit tonë, paqja e Europës do të jetë një zbutje e përgjithshme. Në të tilla raste paraqitja e Shqipërisë si komb i vetëqeverisur patjetër do të sigurojë lirinë e saj. Sikurse çdo shtet tjetër i Ballkanit, as Shqipëria nuk mund të copëtohet e t’u ndahet shteteve fqinjë. Europa që do të bëjë paqen dhe ka krijuar shtetin e pavarur të Shqipërisë nuk mund ta mohojë dhënien e lirisë së plotë në qoftë se Shqipëria e organizuar u del përpara dhe ngul këmbë në të drejtat e veta. Një shtet i formuar në këtë mënyrë nuk do të ishte një kanosje për paqen e Ballkanit; nuk do të mund të kishte flotë që të alarmojë Italinë ose Austrinë në Adriatik. Ngritja e hekurudhave dhe përmirësimi i porteve të saj do të lejonin miqësisht dhe me anë traktatesh tregtare edhe daljen e Serbisë në Mesdhe se sa me shkelje e barbarizma. Shqipëria e pavarur nën zhvillimin e saj ekonomik do të niste një jetë të re duke kthyer shpatat në plugje, rrugët e verbëta në rrugë të gjëra, katundet në qytete të vegjël dhe qytetet e vegjël në qytete me rëndësi. Shqiptarët, përveç të drejtës, mund të kërkojnë edhe ndihmë nga Europa, sepse mbi Europën e krishterë bie përgjegjësia dhe shkaku që ky popull qe bërë skllav e qe varfëruar. E kam thënë që Europa e krishterë në kundërshtim me protestën time shkaktoi që të emigrojnë në qarkun e Vlorës 100’000 katundarë, të cilët tani po zhduken nga uria dhe as vend ku me shtirë kryet nuk kanë; e vetmja çati e tyre është qielli. Detyra e krishterë Ndaj Shqiptarëve, krishterimi europian dhe muhamedanizmi shkaktojnë si njëri ashtu dhe tjetri varfërinë dhe robërinë. Krishterimi që në Shtetet e Bashkuara jep liri të plotë, vetëqeverim, lumturi e mbi të gjitha dashurinë, do të japi një shembull vëllazërimi dhe bashkimi në mes të Shqiptarëve. Kundër gjithë shpifjeve që i janë ngarkuar këtij populli me fjalën e ngurtë “barbar”, unë vej këto fjalë të zotit Erikson, i misionit Amerikan, i cili është dhënë mbas Shqiptarëve, ka punuar dhe ka vuajtur me ta: “Nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm në Europe sesa Shqiptarët. Ata si elementë fuqie, burrnie dhe kuraje mblidhen me më të madhen besnikëri dhe japin jetën për fjalën e dhënë”. Shqiptarët njohin Muhamedin dhe Krishtin si profetë, por më kot u luten si për njërin ashtu edhe për tjetrin. Në emër të kujt t’i bëjnë tanimë lutjet për lirinë e tyre? Unë kam një besim të qëndrueshëm se kur shtetet kundërshtuese të lirisë Shqiptare do të jenë duke heqë frymën e fundit, të përgjakur e të shkatërruar dhe grindjet e konfliktet të kenë marrë fund, vetëm atëherë do të arrijnë në veshët e tyre thirrjet dhe lutjet e Shqiptarëve për lirinë e vet. Shpresat Europiane tani përqendrohen për një paqe duke u bazuar më shumë mbi drejtësi se mbi forcë në një vëllazërim dhe bashkëpunim të përgjithshëm. Një paqe e tillë do të dijë dhe do të pranojë se çdo racë e çdo besim ka të drejtë me ekzistuar dhe se kufijtë e kombeve do të vendosen si është e drejta dhe ku gjejnë më pak kundërshtime. Detyra e Amerikës Unë kam në ndërgjegjen time të drejtat dhe lutjet e këtij populli sepse më ra mua shorti të flas e të them për ta të vetmen fjalë shprese, prej një burimi politik, e cila duhet të ishte thënë shekuj më parë. Për këtë arsye dhe më tepër pse unë jam Amerikan, shumica e kryesisë Shqiptarë më shikojnë me një farë mirëbesimi. Edhe tani e ushqejnë shpresën se unë do t’u jap zemër dhe bashkëpunim në mundimet e tyre për liri. Unë vetëm mund të bëj shumë pak për ta, por kam besim të plotë se shtypi Amerikan do të vejë gjithë fuqinë e tij për të ndihmuar formimin e vetëqeverimit Shqiptar. Është një qëllim i shenjtë ky, e prandaj Amerika do ta bëjë medoemos. Rasti i Amerikës Pres këshilla dhe ndihma prej të gjithë miqve liridashës. Sigurimi i pavarësisë Shqiptare mund të jetë edhe një shërbim i madh për bashkimin Ballkanik dhe për paqen europiane. Ndihma e Shteteve të Bashkuara mundet, ose patjetër që shkakton lulëzimin e kësaj shkretie të bërë nga duar njerëzish, edhe të japi fruta shumë të mira. Kur parmenda e drunjtë të zhduket dhe vendin e saj ta zejë plugu i çeliktë, atëherë toka pjellore e Shqipërisë mund të kthehet nga kullotë e padobishme në ara gruri e drithi, pyjet do të nxjerrin miliona nën një përdorim të mirë, fuqitë e ujërave mund të shfrytëzohen, shtretërit e minierave mund të hapen, kënetat të thahen e të mbillen, pemishte të mëdha të krijohen, fara të përmirësohet dhe e gjithë bujqësia dhe industria e vendit me metoda shumë të lehta mund të shtohet. Princi Odeskalki i Austrisë thotë se delet e Astrakanit mund të zëvendësojnë racën e mjeruar të deleve Shqiptare dhe t’i sigurojnë katundarit një të ardhur të mirë. Me një qeveri të mirë, portet dhe lumenjtë do të thellohen e do të përmirësohen, do të bëhen rrugë dhe hekurudha, do të bëhen të holla të vendit e do të krijohet kredi dhënia dhe shërbimet e postave do të bëhen të qëndrueshme. Pjesët e mëdha të tokave qeveritare do t’u ndahen me vëmendje bujqve, të cilat nën një administrim të mirë do t’i sigurojnë qeverisë një të ardhur të madhe. Do të ngrihen edhe shkolla dhe do të përgatiten mësues që të zhvillojnë mendjen e të rinjve. Kam folur me mësues në Vlorë të cilët ma kanë treguar shumë të madhe zgjuarsinë e djalit Shqiptar. Në pak vjet kjo lloj pune do t’i ndërrojë kushtet e këqija të sotme. Arkeologët e rinj do ta lartësojnë mburrjen e Shqiptarëve për heroizmin e të parëve të tyre dhe do t’i japin shkencës jo më pak se ata të Shlimanit (1822-1890); bilës kjo pasuri e pafund në lashtësi është akoma e virgjër. Shpëtimi i një kombi Shumë Shqiptarë të Amerikës më premtojnë se janë gati me u kthyer në Atdheun e tyre posa të jepet një farë lirie në Shqipëri. Këta, të bashkuar me disa Amerikanë të vërtetë, do të rikrijonin një tokë të begatë dhe në vendin e tiranisë e të mizorisë së ndryshkur prej shekujsh do të mbillnin farën e lirisë. Doja të thoja se nuk ka rast më të mirë me bërë mirësi në asnjë vend të botës se sa në Shqipëri. Jo, nuk ka rast ma të mirë bamirësie se me vu në vijë vetëqeverimin Shqiptar dhe me hap dyert e qytetërimit mbi ta, të cilat magjia e politikë europiane i ka mbajtur mbyllur. “Jo bamirësi, por drejtësi” është thirrja e Shqiptarëve. Po si? Këto thirrje të bien në vesh të shurdhët? Shpirtërimet për liri E dij se ka burra e gra që do të ndjenin një kënaqësi të madhe duke shikuar këtë popull të mjeruar të kthehet në lirinë e bekuar të të parëve të vet, të cilën natyra e ka përgatitur për ta por njerëz shpirtligj e kanë penguar. Ka burra në Shtetet e Bashkuara që janë gati me i pre rrënjët e tiranisë kudo që të duken; në Shqipëri, a nuk janë këto fare në shesh? Ka shumë gra që me pasuritë e tyre të mëdha kërkojnë të bëjnë bamirësia për shpirtin e tyre. Sa gëzim të madh do të ndjenin këto duke parë një popull që do ngrihej nga fundi i tiranisë drejt lirisë së tij! Ato pastaj do ta kuptojnë vetë bamirësinë e tyre në jetën e re të një populli të përvuajtur dhe sigurisht do të radhiten në fletët e lirisë së këtij kombi. Përmbi retë e zeza të imperializmit dhe të militarizmit europian, rrezet e shkëlqyera të demokracisë Amerikane duhet t’i ndriçojnë rrugën njerëzve për një jetë më të mirë dhe për idealin pa fund: “Paqe mbi tokë, vullnet të mirë njerëzve”. Këto mund të shkëlqejnë tani mbi Shqipërinë e përvuajtur që po kërkon lumturinë e saj me anën e lirisë, se nuk është fajtore për ndonjë ofendim veçse për mbrojtjen e saj. Nuk ka mundim më të mirë se mundimi për të nxjerrë lirinë e një kombi. Me ndihmuar një njeri është një bamirësi; me liruar një popull nga zgjedha është një bamirësi e pavdekshme. (FUND) news.google/newspapers?nid=1499&dat=19140711&id=N7oWAAAAIBAJ&sjid=3yAEAAAAIBAJ&pg=4113,3026669
Posted on: Thu, 05 Sep 2013 11:56:00 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015