Gjykatat Administrative në të gjithë vendin, kanë çelur sot - TopicsExpress



          

Gjykatat Administrative në të gjithë vendin, kanë çelur sot dyert për të gjithë qytetarët, subjektet apo vartësit në institucionet shtetërore, të cilët dyshojnë se akti administrativ i marrë ndaj tyre nga ana e institucioneve shtetërore është i paligjshëm. Me rastin e nisjes së aktivitetit të kësaj gjykate, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa, vizituan ambientet e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Ministri Naço gjatë ceremonisë siguroi se janë marrë të gjitha masat për nisjen normale të Gjykatës Administrative në Tiranë dhe në të gjitha gjykatat në vend, ndërsa shtoi se në këtë gjykatë çështjet do gjejnë zgjidhje brenda 90 ditëve. Kushtet janë optimale për të nisur punën. Me këtë gjykatë do të procedohet më shpejt për ankesat e qytetarëve, tha ministri i Drejtësisë. Në këtë gjykatë, shtoi kreu i drejtësisë, do të procedohet më shpejt për të zgjidhur çështjet nga sa është bërë më parë. Pra, nëse në Gjykatën e Lartë sot janë 10 000 çështje të pazgjidhura prej disa vitesh, në këtë gjykatë çështjet do të gjejnë zgjidhje brenda 90 ditëve, tha Naço. Ministri i Drejtësisë theksoi se kjo është një gjykatë e mirëpritur nga të gjithë qytetarët, e cila i ka munguar vendit tonë ndër vite. Sipas tij, ky është një revolucion, që do të shoqërohet nga reforma të tjera në fushën e drejtësisë Naço bëri të ditur se, në Kuvend shumë shpejt do dorëzohen ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile dhe të gjitha ndryshimet që do të bëhen në kode dhe ligje e tjera. Në fjalën e tij, nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa tha se kjo gjykatë do jetë gardian i veprimtarisë së administratës. Këtu jemi për të siguruar qytetarët se KLD-ja dhe sistemi i drejtësisë do ta kenë në qendër të tyre veprimtarinë e kësaj gjykate, tha Cefa. Sipas tij, kjo gjykatë, ka 7 salla që do të krijojë një lehtësi në punën e saj. KLD do jetë dhe do e konsiderojë të rëndësishme marrëdhënien me publikun. Sipas nënkryetarit të KLD-së, vendet vakante në gjyqësor momentalisht nuk përbëjnë një emergjencë për punën e këtyre gjykatave. KLD që në mbledhjen e ardhshme do të nisë punën për plotësimin e vendeve bosh, përfundoi fjalën e tij, nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa. Gjykata Administrative, ka për qëllim garantimin e mbrojtjes efektive të të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshme të personave, nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme, duke rritur transparencën e vendimeve administrative nis sot aktivitetin e saj. Çelja e kësaj gjykate ishte një nga kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Krijimi i kësaj gjykate sjell një risi në kuadër të gjykimit të mosmarrëveshjeve administrative, lidhur me detyrimin e organeve publike për të paraqitur provat, që kanë mundësuar nxjerrjen e akteve apo kryerjen e veprimeve administrative, që më pas kanë sjellë cënimin e të drejtave të ligjshme të personave. Gjykata Administrative gjykon mbi aktet shkresore dhe mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit. Odiseja e projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative e ka zanafillën që në vitin 2008. Ndërsa që prej vitit 2009, drafti qëndroi në Kuvend për shkak të ngërçit politik, ndërsa u votua me konsensus të plotë para zgjedhjeve të qershorit 2013 dhe tashmë pas propozimit të Ministrit të Drejtësisë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë u vendos çelja e saj më datën 4-nëntor.
Posted on: Tue, 05 Nov 2013 08:01:06 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015